| 10 janar 2003
Një varg zbulimesh arkeologjike që u bënë
vitin e kaluar në Kosovë, më të shumtën
e rasteve ishin zbulime të bujqve, e jo të arkeologëve,
gjë që vetvetiu flet për gjendjen që ekziston
sot në këtë fushë. Edhe zbulimi i bujshëm
në fshatin Bardhosh të Prishtinës, i cili u përdor
si sebep për të defiluar në mediat elektronike zyrtarët
më të lartë vendorë e ndërkombërtar,
në fakt ishte zbulim i një fshatari, që po hapte
themele të reja për shtëpinë e tij.
Sot vetëm mund të imagjinohet se si do të dukej
ky zbulim, i cili në mënyrë diletante dhe politikaneske
u quajt “kultura e Bardhoshit”, po të mos ishte
ai fshatar aq i ndërgjegjshëm, sa ta paraqiste zbulimin
e vet në organet kompetente. Përveç se nuk do të
zbardhej një segment i rëndësishëm i kulturës
materiale të Kosovës, nuk do të kishte as defilim
të udhëheqësve në media, duke përqafuar
eksponatet e gjetura, si bebe të adoptuara.
Ajo që është shqetësuese në këtë
kontekst, ka të bëjë me faktin se edhe katër
vjet nga mbarimi i luftës, ende nuk ka filluar ndërtimi
i infrastrukturës ligjore në fushën e kulturës,
e që do të ishte mbrojtës i këtyre vlerave.
Rrjedhimisht as në fushën e arkeologjisë dhe të
muzeologjisë, të cilat janë fusha me specifika të
jashtëzakonshme. Edhe pse ekziston ministria e kulturës,
e cila menagjon edhe një varg insitucionesh të specializuara
për mbrojtjen e vlerave materiale, ende nuk ka një ligj
që rregullon këtë problematikë dhe që krijon
hapësirat e duhura për zhvillimin e arkeologjisë
dhe të muzeologjisë në Kosovë. Madje edhe krijimi
i një institucioni të ri të emërtuar si Instituti
i Arkeologjisë, më shumë duket si ekzaltim politik
i motivuar nga zbulimet e bujqve të ndërgjegjshëm,
se sa një projekt i detajuar dhe i vendosur qartë dhe
në vendin e vet në hartën e insitucioneve hulumtuese
kulturore dhe brenda një kuadri ligjor.
Natyrisht, edhe Ministria e Kulturës ka startuar në një
vakum ligjor, por një vit nuk është kohë edhe
krejt e pamjaftueshme për të zbatuar procedurat e duhura,
ose së paku për të dhënë iniciativat konkrete
në formën e drafteve, për aprovimin e një pakoje
ligjesh në Kuvend, lidhur me fushat e ndryshme të kulturës.
Angazhimi gati njëvjeçar për njëfarë
strategjie të zhvillimit kulturor, ka të bëjë
më shumë me efekte mediatike, se sa me zgjidhjen e problemeve
konkrete. Autori i këtij teksti ka pasur rastin të dëgjoj
në një seminar për të ashtuquajturën strategji
e re kulturore, të organizuar nga Ministria e Kulturës,
Rinisë, Sporteve edhe Çështjeve Jorezidente, një
trajnues të ardhur se si mburrej me faktin se para se të
vinte në këtë mision në Kosovë, kishte
qenë edhe roje në një teatër provincial në
Britaninë e Madhe.
Ndërsa, tashmë është e ditur botërisht
se për mungesë të ligjeve, po dhe të një
strategjie efektive, kultura në Kosovë në këto
vitet e pasluftës ka përjetuar njërin nga erozionet
më të mëdha në historinë e saj. Nuk është
vetëm çështja e kthimit të vlerave arkeologjike
dhe muzeale që janë plaçkitur. Aktualisht më
shumë është fjala për ruatjen, ekspozimin dhe
zbulimin e atyre vlerave që gjenden në Kosovë.
Dhe nëse nuk krijohet brenda këtij viti kuadër adekuat
ligjor dhe aplikim korrekt i tij, pasojat do të jenë të
rënda për kulturën në tërësi, po për
arkeologjinë dhe muzeologjinë kosovare në veçanti.
Në atë rast zbulimet edhe më tutje do të bëhen
nga fshatarët që hapin themele të shtëpive të
reja, ndërsa eksponatet ekzistuese ose do të dëmtohen
në errësirat e bodrumeve, ose edhe do të marrin rrugët
klandestine të zhdukjes.
Dhe përderisa pasojat do të jenë të pariparueshme
për kulturën e këtij vendi, për udhëheqësit
kjo do të paraqet një hendipep më të vogël,
sepse ata prapë se prapë do të gjejnë shkaqe
të tjera për të defiluar në ekranet televizive.
|