| Shefi i Zyrës gjermane në
Kosovë, Peter Rondorf, bëri të ditur këtë
javë disa të dhëna që kanë të bëjnë
me azilantët shqiptarë të Kosovës në vendin
e tij dhe me politikat e kthimit të tyre në Kosovë.
Ajo që ra posaçërisht në sy në prononcimin
e diplomatit gjerman, është se ka raste kur shqiptarë
të Kosovës, për të fituar statusin e refugjatit
në Gjermani, kanë ndërruar identitetin dhe janë
deklaruar si ashkali e madje edhe si rusë!
Kjo përpjekje për ndërrim administrativ të
identitetit, në shikim të parë paraqet një gjendje
alarmante sociale të këtyre njerëzve. Ata njerëz
kanë ikur nga Kosova në periudhën e represionit që
zbatohej në vitet e nëntëdhjeta, ose janë deportuar
gjatë ditëve të spastrimit etnik, që zbatoi
regjimi i Millosheviqit. Më të shumtën e rasteve
është e mundur që të kenë humbur pasuritë
që kanë pasur dhe të mos kenë mundësi të
punësimit.
Por, ajo që është esenciale në këtë
rast dhe që e bën më të përbalueshme këtë
gjendje të tyre sociale, është se shkaktari që
i ka detyruar të largohen nga Kosova, më nuk ekziston
në Kosovë. Prandaj, kthimi në vendlinje është
i lirë dhe megjithatë mundësitë janë pakrahasimisht
më të mëdha, për ta organizuar jetën në
vatrën e vet.
Pra, në prapavijë të këtyre përpjekjeve
absurde për të fituar strehim në Gjermani, edhe me
kusht që të ndërrohet identiteti etnik, më shumë
se gjendja sociale, ka hise vetë mentaliteti parazitar i krijuar
në ndërkohë. Duket se jo pak njerëz që
janë mësuar të jetojnë nga ndihmat humanitare,
nga përkujdesja e të tjerëve dhe nuk e kanë
krijuar vetëdijen se duhet të ballafaqohen me vështirësitë
e jetës e të fitojnë mjetet për ekzistencë
me punën e vet.
Kjo mostër e njeriut parazitar nuk është vetëm
në diasporë, po është prezente edhe në
Kosovë, dhe është krijuar poashtu në vitet e
nëntëdhjeta, nga ndihmat humanitare që vinin nga
diaspora, po edhe pas luftës, nga vala e ndihmave emergjente
të dy viteve të para.
Kur u shikohet prejardhja, shihet se shumica e këtyre kontigjenteve
parazitare janë nga zonat rurale. Nëpër fshatrat
e Kosovës mund të shohësh të rinj që sorollaten
me telefona celularë në dorë, me vetura që i
ngasin me shpejtësi të pakontrolluar rrugëve të
pluhurosura e me veshje që janë më shumë të
tinejgjerëve që frekuentojnë diskotekat. Dhe shumica
e këtyre të rinjve, që me trup jetojnë në
fshat me mendje janë gjetkë. Ata ëndërrojnë
se si të ikin nga Kosova e të mbërrijnë në
Zvicër ose në Gjermnani me rrugë klandestine.
Në fakt, në Kosovën e pasluftës është
shkaktuar një shartim i panatyrshëm social dhe mental.
Është e ditur se kudo në Europë popullsia që
jeton në zona rurale mirret me bujqëi e me blegtori dhe
ka një mënyrë jetese më tradicionale nga ajo
e qyteteve. Por, në Kosovën e përmbysjeve të
mëdha të luftës, është përmbysur edhe
rendi tradicional i jetësës, dhe ka hyrë tashmë
një sistem i çoroditur i vlerave, ku fitimi i shpejtë
dhe pa mund, dhe ve;mas ikja rrugëve të botës, është
bërë si ideal i shumicës së njerëvze. Rrjedhimisht,
ky mentalitet i shartuar , më parë se t’i adaptohet
jetës tradicionale e të ndershsme në fshat, zgjidhjen
e kërkon qoftë dhe te ikja jashtë Kosove, e te jetesa
në kampe azilantësh ose në manastire bamirëse.
Nuk është pa pjesën e vet të përgjegjsisë
për këtë gjendje të shfytyruar sociale e mentale
edhe vetë administrata në Kosovë. Edhe katër
vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk ka një
politikë të skicuar të zhvillimit rural, të
kthimit në fshat të atyre që kanë gjetur strehime
të pëprkohshëm me anë uzurpimesh nëpër
qytete, si dhe stimulimi i punës në sektorët e bujqësisë
e të blegtorisë.
Zyrtari gjerman në prononcimin e tij tregoi se qeveria e vendit
të tij mbetet e vendosur ta përfundojë procesin e
kthimit të azilantëve shqiptarë të Kosovës,
pavarësisht se sa bëjnë ata përpjekje për
t’u konvertuar në ashkali e rusë. Mbetet që
vendosmëri të tregojë edhe vetë Kosova në
riatdhesimin e tyre dhe në motivimin e tyre që të
kthehen në identitetin e tillë, ku puna e ndershme është
themel i dinjitetit njerëzor.
|