E ARDHMJA E KOSOVËS ME ELITËN E VET TË RE POLITIKE

Jehonat e debateve

17.06.03 Elita e re politike e shqiptarëve të Kosovës, edhe pse është mjaft e fragmentuar në rivalitetet ndërpartiake dhe e papërvojë në administrim e qeverisje, e ka një ndjenjë të fuqishme të vetëpërcaktimit si elitë me mision historik dhe nga kjo pikëpamje ajo edhe në të ardhmen do të mbetet në pozita të fuqishme indipendentiste. Prej këtij pozicioni ajo nuk mund të shmanget edhe për faktin se populli shqiptar i Kosovës, pas përvojës tragjike të spastrimit etnik dhe të gjenocidit të vitit 1999, nuk sheh alternativë tjetër përveç pavarësisë së Kosovës. Dhe ky qëndrim nuk është nacionalizëm shqiptar, po pragmatizëm jetësor.

Pikënisja për të ardhmen Kosovës është rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-s, e cila duhet të kuptohet si një “proces politik për vendosjen e statusit të ardhshëm të Kosovës” siç thotë Ricard Baucer, zëdhënës i St. Departmentit të SHBA-ve. Natyrisht, edhe vendimi i ardhshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të jetë i ndërvarur me qëndrimet dhe vendimet e G 8-ës, (qëndrimet e të cilit janë anekse të rezolutës 1244), të NATO-s, pastaj politikat e Bashkimit Europian dhe të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat shquhen për angazhimin më të madh diplomatik e ushtarak për Kosovën në vitet 1998-1999, po edhe sot. Këto institucione dhe struktura të vendimmarrjes formale dhe funksionale, duhet të harmonizojnë qëndrimet, të krijojnë platforma unike dhe të jenë garantues të statusit final të Kosovës.

Por, qëndrimi i tyre përfundimtar, përveç nga obligimet ndërkombëtare dhe interesat gjeopolitike, varet ndjeshëm edhe nga zhvillimet në vetë Kosovën e pasluftës në periudhën kalimtare. Për mendimin tim, qëndrimi përfundimtar i tyre për të ardhmen e Kosovës, esencialisht varet edhe nga përmbushja e këtyre standardeve:

- Toleranca ndëretnike dhe multietniciteti faktik në Kosovë, duke nënkuptuar kthimin e të zhvendosurve,

- Arritja e objektivit që Kosova të jetë faktor i stabilitetit rajonal,

- Qëndrueshëmëria e brendshme politike dhe aftësia për të luftuar krimin,

- Zhvillimi ekonomik që argumenton se Kosova mund të qëndrojë më vete.

Në përmbushjen e këtyre objektivave, që këtu u formuluan në mënyrë më të përgjithësuar, vjen në shprehje roli i madh i elitës së re politike të Kosovës.

Elita e re politike e Kosovës funksionon dhe zhvillohet brenda një kuadri të administrimit ndërkombëtar, që do të thotë me pak kompetenca dhe me mundësi të vogla të aftësimit për një kohë të shkurtër. Ky pushtet i dyzuar, tashmë është shndërruar në alibi, si për UNMIK-un si për administratën kosovare, sepse dështimet ia fakturojnë njëra tjetrës, ndërsa meritat duan t’i mbajnë për vete. Për ta evituar këtë gjendje të alibive për dështime, elita politike kosovare sa më shpejt duhet të veshet me pushtet real, në mënyrë që të bëhet maksimalisht e përgjegjshme dhe të mos ketë kujt t’ia fakturojë fajin për dështimet eventuale.
Mirëpo, se me çfarë shpejtësie do të aftësohet kjo elitë për realizimin e përgjegjësive të plota, përveç nga testimi i saj me kompetenca më të plota, varet edhe nga prejardhja e saj politike, ideologjike dhe ssociale, si dhe vetëpërcaktimi i saj.

Në fakt, pjesa dërrmuese e saj, për rrethanat në të cilat është krijuar dhe për shkak se nuk është zgjidhur statusi i Kosovës, prejardhjen e ka me ngjyrim kombëtar dhe ndjenjën e vetëprcaktimit e ka si elitë me mision të veçantë historik.

1. Grupimi i LDK-së, i cili udhëhiqet dhe kontrollohet nga Ibrahim Rugova, e ka të fiksuar idenë e pavarësisë së Kosovës. Elita politike e dalë nga LDK-ja, njohjen e pavarësisë së Kosovës, e sheh si përmbushje të misionit historik të vetë kësaj lëvizjeje. Ndërsa, rruga si do të arrihet ky objektiv, (ndërtimi i një administrate efikase, lufta kundër korrupsionit, angazhimi për kthimin e të zhvendosurve, krijimi i strukturave për luftë kundër krimit të organizuar, aktivizimi i ekonomisë, etj) nuk trajtohen si mjete vendimtare për arritjen e pavarësisë.
Sipas këtij koncepti politik, pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme dhe e pashmangshme, pavarësisht se me çfarë dinamike dhe kualiteti përmbushen standardet e kërkuara nga Përfaqësuesi Special dhe të miratuara nga të gjitha instancat relevante ndërkombëtare.
Brenda këtij grupimi të madh politik, ka filluar të profilizohet edhe ndonjë personalitet tjetër si kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, i cili dallohet për qasje më kritike ndaj bashkësisë ndërkombëtare, veçmas ndaj UNMIK-ut dhe për një angazhim më afrues me partitë e tjera politike shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Është indikative se anketa e fundit e Gallupit, e kanë nxjerrë Nexhat Dacin në krye të listës së politikanëve më të popullarizuar të Kosovës. Por, edhe disa liderë lokalë të LDK-së nëpër qytete të mëdha, tashmë po profilizohen si figura mjaft të pavarura dhe pritet që në të ardhmen ata të rrisin ndikimin në strukturat dhe në politikat e LDK-së.

2. Grupimi i partive të pasluftës (PDK dhe AAK), duke pasur prejardhje nga procesi i demilitarizimit të UÇK-së, vetëëprcaktimin politik e ka se është bartëse e një projekti dhe një misioni me dimensione historike. KY grupim dinamik politik e ka edhe ndjenjën e triumfalizmit, për shkak se lufta kundër Serbisë është fituar, së bashku me NATO-n, dhe në mënyrë implicite lënë të kuptohet se ata janë të gatshëm të marrin kurs më të fortë në rast të zhvillimeve të pafavorshme sa i përket procesit të pavarësimit të Kosovës.
Sa u përket projekteve politike, administrimit dhe qeverisjes, ky grupim lë mbresën se aspiron për një dinamikë më të madhe, por meqë qeverisin në një koalicion të gjerë, mundësitë i kanë të kufizuara.
Nga kjo pjesë e elitës politike që ka prejardhje nga procesi politik i pasluftës, profilizimin më të fortë deri tash e ka bërë kryeministri Bajram Rexhepi, i cili është shumë aktiv në temën e kthimit të serbëve të zhvendosur dhe të luftës kundër krimit të organizuar. Ndërsa, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi mbetet figura qendrore e këtij grupimi politik dhe personalitet që lanson ide e opcione politike të guximshme, që do të thotë se është figurë sovrane në PDK.

3. Mendoj se për periudhën e ardhshme deri në zgjedhjet e vitit 2004, nuk ka ambient që të krijohet ndonjë parti serioze e profilit liberal ose socialdemokrat, e që do të kishte ndonjë ndikim real në skenën politike kosovare. Por, në të ardhmen kjo hapësirë do të mund të kërkohej nga personalitete si Veton Surroi, rreth të cilit gravitojnë disa elementë të shoqërisë civile me prirje urbane dhe një spektër influent medial dhe i cili ka një simpati diskrete po edhe konkrete ndërkombëtare. Është indikative se participimi në elitën e tashme politike kosovare të politikanëve me prejardhje urbane është shumë i pakët. Prandaj, në vitet e ardhshme pres që kjo të profilizohet dhe të krijojë struktura të përfaqësimit më të ndjeshëm qytetar dhe politik, veçmas në qytetet kryesore si Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjakova e Gjilani.
Por, në një shoqëri me papunësi që arrin në 70 për qind, me një popullsi që jeton me shumicë në fshat, ndërsa një e katërta në diasporë, dhe ku partitë kryesore kanë prejardhje historike, procesi i përfaqësimit adekuat social, rajonal, sindikalist, moshore gjinor, është shumë i vështirë dhe kërkon kohë më të gjatë.

4. Viti 2004 është vit i zgjedhjeve të dyta parlamentare në Kosovë. Viti 2004 mund të sjellë ndryshime në konfiguracionin e elitës së re politike të Kosovës, sepse ende nuk mund të bëhet fjalë për stabilizimin përfundimtar të skenës politike. Megjithatë, tashmë është e qartë se LDK-ja dhe PDK-ja do të jenë partitë kryesore të shqiptarëve, ndërsa grupimet e tjera janë në proces të krijimit të identiteteve të veta dhe nuk kanë asgjë të sigurt sa i takon të ardhmes së tyre.
Ndikim të madh në profilizimin e elitës së re politike shqiptare të Kosovës do të ketë ligji zgjedhor që do të aplikohet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2004. Ligji i përdorur në zgjedhjet e kaluara ka qenë proporcional dhe me lista të mbyllura, gjë që i shkon në favor përfaqësimit sipas meritokracisë partiake. Për rritjen e konkurencës dhe të përgjegjësisë politike, më i përshtatshëm do të ishte një ligj i kombinuar dhe me lista të hapura, sepse ai do t’i detyronte partitë që ta zgjerojnë bazën e përfaqësimit drejt personaliteteve të njohura dhe ekspertëve.

5. Rol të ndjeshëm në zhvillimet e ardhshme lidhur me të ardhmen e Kosovës pritet të luajnë edhe partitë serbe. Struktura e tashme e tyre flet për një fragmentim të madh të tyre, sipas strukturës së DOS-it të Serbisë. Nëse mbeten me këtë strukturë partitë serbe do të jenë më shumë front nacional e jo parti politike të mirëfillta. Rrjedhimisht roli i tyre do të jetë më shumë bllokues se sa aktiv. Kjo do të thotë se do të pengohet procesi i integrimit të komunitetit serb në institucionet dhe në jetën e Kosovës.

Pra, më duket se do të duhet një kohë më e gjatë për të pasur parti autentike të serbëve të Kosovës, të cilat do të punonin për përparimin e demokracisë në Kosovë, pa qenë të varura nga diktati i Beogradit. Ky duket të jetë një proces, në të cilin do të ndikojë statusi final i Kosovës. Përderisa ai të mbetet i padefinuar, serbët e Kosovës janë më të motivuar të mbajnë lidhjet me Beogradin se me Prishtinën.

Por, kjo do të thotë se brenda komunitetit serb nuk do të zhvillohet një elitë e re politike, e cila do të përfaqësonte në mënyrë autentike interesat e serbëve të Kosovës dhe që do të ishte kredibikle para faktorit ndërkombëtar. Rrjedhimisht, në rast të pavarësimit të Kosovës, serbët lokalë do të gjendeshin në pozitë totalisht inferiore, sepse nuk do të kishin struktura politike adekuate për të mbrojtur interesat e serbëve lokalë në realitetin e ri politik dhe shtetëror të Kosovës.

Ky zhvillim është negativ për serbët lokalë po edhe për të ardhmen e Kosovës, sepse po e dëmton edhe imazhin e saj. Nëse zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të rezultojnë me ndonjë formulë tjetër të qeverisjes në Kosovë, ta zëmë më një pjesëmarrje më të madhe të koalicionit serb, atëherë do të kishim një situatë bllokuese edhe më të madhe se tash.

6. Sa u përket komuniteteve të tjera, ato janë më të vogla dhe kuotat e angazhimit të tyre mbeten në ruajtjen e identiteteve etnike dhe të interesave praktike. Rrjedhimisht, ato nuk do të duhej të inkuadroheshin në skemën e luftërave politike të partive shqiptare dhe as të atyre ndërmjet partive shqiptare e koalicionit serb. Partitë e komuniteteve turke, rome, boshjake, etj., duhet të ndihmohen që të zhvillojnë lirshëm alternativat e veta politike, si ndihmë për demokracinë e re kosovare dhe të ardhmen e saj si një vend, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve.

Konkluzione:

a) Elita e re politike e shqiptarëve të Kosovës, edhe pse është mjaft e fragmentuar në rivalitetet ndërpartiake dhe e papërvojë në administrim e qeverisje, e ka një ndjenjë të fuqishme të vetëpërcaktimit si elitë me mision historik dhe nga kjo pikëpamje ajo edhe në të ardhmen do të mbetet në pozita të fuqishme indipendentiste. Prej këtij pozicioni ajo nuk mund të shmanget edhe për faktin se populli shqiptar i Kosovës, pas përvojës tragjike të spastrimit etnik dhe të gjenocidit të vitit 1999, nuk sheh alternativë tjetër përveç pavarësisë së Kosovës. Dhe ky qëndrim nuk është nacionalizëm shqiptar, po pragmatizëm jetësor.

b) Elita e re kosovare, në këto tri vite të bashkëqeverisjes me UNMIK-un, ka hyrë në një proces emnacipimi politik dhe profesionalizimi administrativ, por ende është në fillim të këtij procesi. Bartja e kompetencave mund t’i ndihmojë në rritjen e përgjegjësive dhe të profesionalizmit, por i mbetet që të eliminojë dukuritë e nepotizmnit, të meritokracisë e të korrupsionit, që kanë filluar të nxjerrin krye në administratën e re kosovare- ndërkombëtare.


c) Hapësira për një alternativë liberale dhe urbane ekziston, por ajo mbetet të plotësohet me një aleternativë kredibile politike në pesë vitet e ardhshme.
Pra, për fazat afatshkurtëra të pesë vjetëve të ardhshme, më shumë duhet të shpresohet në emancipimin politik të elitës aktuale, se në formimin e një elite të re me prejardhje më urbane dhe më përfaqësuese.

d) Koalicioni aktual serb dhe partitë konstituente të tij, edhe për një kohë do të mbeten një bllok nacional dhe me prirje për obstruksion ndaj zhvillimit të demokracisë. Kjo do të zgjatë deri sa në politikat e bashkësië ndërkombëtare të mos akceptohet më qartë mundësia e pavarësimit të Kosovës.

e) Elitat e brishta të komuniteteve të tjera duhet të lihen jashtë përplajsjeve politike brenda shqiptare dhe shqiptaro-serbe, në mënyrë që të jenë një model për integrimin e komuniteteve në institucionet kosovare dhe shembull i respektimit të pakicave.

f) Elita e re politike shqiptare mbetet që të sprovohet më shumë në administrimin e vendit, në bashkëpunim me UNMIK-un dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar, ku kontaktet me fqinjët në kuadër të nismave rajonale, do të duhej të kishin prioritet. Në rast se kjo do të institucionalizohej, atëherë do të rritej besimi i ndërsjellëe dhe në atë ambient pavarësia e Kosovës do të mund të bëhej me një pako marrëveshjesh me shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe BeH) për mosndryshimin e kufijve dhe për respektimin e sovraniteteve shtetërore. Në këtë kontekst më duket se pranimi i pavarësisë së Kosovës me kushtëzimin e mosndryshimit të kufijve të saj, siguron definitivisht mosndryshimin e kufijve në BEH e në Maqedoni dhe përshpejtimin e integrimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor në tërësi.
(Analizë e paraqitur në Tryezën e rrumbullakët të Qendrës për Studime Strategjike në Shkup)

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002