|
NACIONALIZMIT SERB I DUHET TERAPI MË EFIKASE
Afera e madhe e shitjes së armëve Irakut, nga ana e Republika
Sërpskës, përmes Jugosllavisë (Serbisë)
e riktheu në skenën e politikës botërore temën
mbi arrogancën dhe megallomaninë e nacionalizmit serb,
i cili edhe më tutje vazhdon të sfidojë rendin ndërkombëtar.
Thyerja e embargos së vendosur nga Këshillii Sigurimit,
nga ana e Banjallukës dhe e Beogradit, është vazhdimësi
e asaj politike arrogante dhe megallomane serbe, e cila preferon
aleanca e bashkëpunim me regjimet më kriminale në
botë, sikundër janë regjimi i Lukashenkos, i Sadam
Husejnit e i Moamer Gadafit.
Një shtet i disejnuar për
të qenë destabilizues
Vazhdimi i furnizimit me armë për regjimin e Sadam Husejnit,
në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës
dhe komunitetit ndërkombëtar i kanë intensifikuar
presionet mbi regjimin e Bagdadit, që të respektojë
rezolutat e Këshillit të Sigurtimit për inspektimin
e armëve, tregon se Beogradi dhe filialat e tij, ende mbeten
prodhues i krizave dhe i destabilizimit të rendit botëror
si në dhjetëvjetëshin e kaluar. Në këtë
kontekst duhet shikuar edhe mosbashkëpunimi me Tribunalin e
Hagës, për çka u ankua Karla Del Ponte dhe për
çka tashmë ankesa është depozituar edhe në
Këshillin e Sigurimit.
Mbajtja në krye të shtetit serb e të akuzuarit për
krime lufte, Millan Mullutinoviqit, dhe mbajtja në Serbi e
kriminelit mostruoz Ratko Mlladiq, dhe e të akuzuarve të
tjerë, është një tjetër dëshmi e fortë
e vazhdimit të asaj politike arrogante dhe destabilizues serbe.
E tëra kjo tregon se Beogradi në fakt ende nuk ka hequr
dorë nga projekti i Serbisë së Madhe, e cila do të
ishte xhandar në Ballkan dhe si e atillë do të sillej
me arrogancë ndaj obligimeve ndërkombëtare, si në
të kaluarën, kur shfrytëzimi i kontradiktave të
Fuqive të Mëdha, dhe mosrespektimi i obligimeve dhe i
marrëveshjeve ndërkombëtare, ka qenë bazë
e politikave serbe.
Kjo strategji shtetërore serbe e mosrespektimit të obligimeve
dhe të marëveshjeve, e përforcuar nga ideologjia
nacionalsocialiste në dhjetëvjetëshin e kaluar, ishte
me rol përcaktues edhe në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë
së AVNOJ-it. Edhe kësaj here nacionalizmi serbomadh u
përpoq të shfrytëzonte kontradiktat e Perëndimit
me ish Bashkimin Sovjetik dhe në këtë hapësirë
të krijonte Serbinë e Madhe. Ardhja e Gorbaçovit
në Beograd në vitin 1990 dhe inkurajimi prej tij i politikës
së Millosheviqit dhe i establishmentit ushtarak serb të
komanduar nga Kadijeviqi e Axhiqi, ishte sinjal i mjaftueshëm
për të filluar sulmi i sinkronizuar propagandistik, politik
dhe ushtarak kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Kosovës,
në të cilat manifestoheshin prirje indipendentiste dhe
properëndimore. Qëllimi themelor rus në rastin e
përkrahjes së atëhershme për kursin nacionalist
të Millosheviqit, duket të kenë qenë që
të frikësohej Perëndimi nga krizat, që do të
prodhoheshin në rast të shpërbërjes së
Bashkimit Sovjetik. Mirëpo, politika nacionaliste serbe, duke
qenë e verbër nga apetitet e shfrenuara nacionaliste,
nuk arriti të lexonte as kalkulimet ruse dhe as rreziqet që
e prisnin projektin e Serbisë së Madhe, pas zhvillimeve
dramatike në vetë Bashkimin Sovjetik, me rënien e
komunizmit, me shpërbërjen e BRSS dhe të Paktit të
Varshavës, si dhe me Bashkimin e Gjermanisë. Ka mbetur
i njohur si rast i papresedecë përkrahja e hapët
dhe e flakët e regjimit të Milloshevqit ( me gojën
e Mihajllo Markoviqit) për puçin ushtarak kundër
Gorbaçovit në vitin 1991, kur ishte e qartë se
ky i fundit kishte tradhtuar politikën tradicionale pansllaviste
ruse dhe kishte marrë pakthyeshëm një kurs reformist.
Edhe në rastin e furnizimit me armë për Irakun Jugosllavia
(në fakt Serbia) i ka mbetur besnike strategjisë së
vet tradicionale të shfrytëzimit të kontadiktave
ndërmjet palëve. Nuk ka si kuptohet ndryshe tërë
ajo arrogancë e politikës shtetërore, e cila shkel
mbi rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe mbi kërkesat
decidive amerikane, që të izolohet regjimi kriminal i
Sadam Husejnit.
Dështimi i "transfromimit të kundërshtarit"
Por, përveç kësaj prirjeje tradicionale serbe,
për veprimin më të ri arrogant të Jugoslavisë(
Serbisë), ka edhe një shkak të fortë në
vetë realpolitikën aktuale perëndimore,.
Qasja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e aleatëve
të saj ndaj nacionalizmit agresiv serbomadh, që nga viti
1989 ( Gazimestani) e këndej, ka qenë e bazuar në
doktrinën e "transformimit të kundërshtarit".
Pra, janë bërë përpjekje të gjata që
Millosheviqi i keq, i cili ishte kundërshtar i rendit të
ri botëror dhe kundërshtar i ligjit ndërkombëtar,
të shndërrohej në një "Millosheviq të
mirë", me anën e negociatave, me anën e preferencave
financiare dhe me anën e konferencave ndërkombëtare.
Përligjja e gjenocidit serb në Bosnjë e Hercegovinë,
me krijimin e Republika Srpskës, në Konferencën e
Dejtonit në vitin 1995, esencialisht është brenda
kësaj doktrine. Përmbushja e kërkesave territoriale
serbe në truallin e Bosnjë e Hercegovinës, bëri
që nacionalizmi agresiv serb të përsëriste të
njëjtën politikë spastrimi etnik e gjenocidi edhe
në Kosovë. Konferenca e Rambujëse sërish ishte
një projekt për "transformimin e kundërshtarit"
në një partner të mirë. Por, egërsia e
Millosheviqit kishte arritur përmasa çmendurie, sigurisht
edhe me sigurinë që i jipte politika ruse dhe disa segmente
të politikave në disa shteteve perëndimore, si Franca
e Greqia. Kur ndodhi spastrimni etnik dhe gjenocidi në mars-prill
1999, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO, sërish
iu qasën frenimit selektiv të agresionit serbomadh, që
rezultoi me rezolutën 11244 të Këshillit të
Sigurimit dhe me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës.
Meqë kundërshtari nuk u transormua kurrsesi në një
"Millosheviq të mirë" ai u akuzua për krime
lufte dhe u dërgua në Hagë, ku po gjykohet tani edhe
për krimet e komanduara në Kroaci dhe në Bosnjë
e Hervegovinë, të cilat faktikisht me Marrëveshjen
e Dejtonit i qenë falur.
Pas rrëzimit të Millosheviqit, Shtetet e Bashkuara me
aleatët e saj dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar,
i intensifikuan përpjekjet për "transformimin e kundërshtarit",
me anën e privilegjeve të panumërta për Jugosllavinë
(Serbinë). Pranimi në OKB, në OSBE dhe në institucionet
financiare ndërkombëtare, u bë me procedura të
përshpejtuara dhe me arsyetimein se kjo bëhej për
të nxitur demokratizimin dhe integrimin në strukturat
europiane. Mirëpo, rritja enorme e popullaritetit të Sheshelit
dhe të esktremistëve të tjerë serbë në
zgjedhjet presidenciale të Serbisë në tetor 2002,
tregon se këto janë përpjekje të pasuksesshme.
Dhe veçmas afera më e re e zbuluar e shitjes së
armëve Irakut, është dëshmia më e fortë
se në sjelljen politike e shtetërore serbe, nuk kanë
ndodhur ndryshime esenciale pozitive. Prirja antiperëndsimore
mbetet e fuqishme deri në nivel të arrogancës së
hapët, dhe përkrahja për ideologjinë nacionalsocialiste
mbetet në kuota të larta. Fjala vjen, do të mjaftonte
një pakt ndërmjet Koshtunicës dhe Sheshelit, për
të ardhur në krye të Serbisë ose vetë Shesheli,
ose ndonjëri nga pasuesit e tij. Kjo do të thotë
se Perëndimi ende nuk ka një përgjigje për gjendjen
në Serbi.
Arsyeja themelore e mungesës së një përgjigjeje
adekuate të Perëndimit për sjelljet e Serbisë,
gjendet në faktin se krahas terapisë deri diku adekuate
ushtarake kundër potencialeve ushtarake (megjithëse shitja
e armëve serbe provon se as kjo nuk ka qenë plotësisht
adekuate), nuk është përdorur terapi adekuate politike
për frenimin e nacionalizmit serbomadh.
"Doktrina e frenimit" dhe krijimi i shteteve në dializë
"Doktrina e frenimit" të nacionalizmit militarist
serbomadh në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë,
në planin politik nuk ka arritur të thyejë apetitet
për Serbinë e Madhe. Slogani "Aty ku ka një
varr serb, aty është Serbi", nuk është
një figurë poetike, po është një projekt
politik e nacional serb. Rrjedhimisht, Bosnja e Hercegovina e Dejtonit
është jofunksionale, për faktin se Republika Sërpska
ka mbetur shtet në shtet, me armatë dhe madje me industri
të armëve, e cila mund të sfidojë edhe rezolutat
e Këshillit të Sigurimit. Bosnja e Hercegovina në
fakt është shtet që i ngjet njeriut që mbahet
në jetë me dializë. Mjafton të largohet prezenca
ndërkombëtare, civile dhe ushtarake, që Bosnja e
Hercegovina të përjetojë kollaps të menjëhershëm
politik dhe zhytje në kaos e luftë të re. Mbetja
e saj në këtë gjendje, pra si shtet jofunksional,
ku nga serbët varet fati i saj, ushqen nacionalizmin serb që
të mbetet në kuotat e veta të larta të aspiratave
për copëtimin e Bosnjë e Hercegovinës, gjë
që e konfirmoi edhe Vojisllav Koshtunica në fushatën
elektorale për president të Serbisë.
"Doktrina e frenimit" të nacionalizmit serb, nuk
ka bërë që të tërhiqet as për një
milimetër nacionalizmi serb nga synimet e veta të spastrimit
entik të Kosovës dhe të rikthimit të saj në
përqafiminn e hekurt sdhtetëror serb. Fitorja enorme e
Sheshelit si kandidat për president të Serbisë në
mesin e votuesve serbë të Kosovës, është
shenjë e qartë se çfarë potencialesh të
konfliktit ka nacionalizmi serb në Kosovë. Rezoluta 1244
e Këshillit të Sigurimit si një manifest i kompiluar
i doktrinës së frenimit, siguron mbajtjen në gjendje
mobile të nacionalizmit agresiv serbomadh në drejtim të
Kosovës. Dhe vetëm prezenca e fuqishme ushtarake e civile
ndërkombëtare e siguron paqen aktuale, e cila do të
rezikohej në çastin kur do të jipen shenja të
tërheqjes eventuale të bashkësisë ndërkombëtare
nga Kosova. Pra, edhe Kosova, njësoj si Bosnjë e Hercegovina,
e ka statusin e ngjashëm me të një njeriu me dializë.
Duke mbetur i inkurajuar për restaurim të idesë se
vet shtetomadhe, në rastin e afreës së arnmëve
dërguarv Irakut u pa se nacionalizmi serb ka ruajtur arrogancën
edhe në nivelet e politikës ndërkombëtare.
Është e qartë se për frenimin e politikave agresive
serbe duhet terapi tjetër, shumë më efikase. Denazifikimi
i plotë (jo vetëm demillosheviqizimi e desheshelizimi)
dhe pranimi i realiteteve të reja në rajon me Kosovën
si entitet i pavarur dhje me Malin e Zi europian, poashtu të
pavarur, janë elementë të një terapie të
vërtetë për arrogancën kronike serbe ndaj rendit
ndërkombëtar. Vetëm atëherë ka gjasa për
një Serbi europiane, e cila do të respektonte rregullat
dhe ligjet ndërkombëtare.
|