NGA FESTAT VIJMË NË FESTA SHKOJMË…

Leximi i mbrapshtive

Shfryrja masive në natën e Një Majit, me zjarre të mëdha, tregoi se sistemi i kaluar totalitar, ishte një ndotës i madh moral e kulturor, e prej andej edhe ekologjik. Kremtimi me zjarre të mëdha, duke ndotur ambientin, është shenjë e mosndryshimit të sistemit të vlerave morale e kulturore, e mospërfilljes së një realiteti të ri social e kulturor e shoqëror, në të cilin Kosova jeton prej katër vitesh.

Mënyra e kremtimit të Një Majit të sivjemë në Kosovë, është edhe një dëshmi e ngulimeve të ndodhura ideologjike në identietin social e kulturor të njerëzve, nga periudha gjysmëshekullore e sistemit komunist. Lidhja e festës me uikendin, duke gllabëruar një ditë pune, mësymja masive drejt vendpikniqeve, ndezja e zjarreve të mëdha me goma të traktorëve e të kamionëve nëpë fshatra e paralagje qytetesh, janë prova të forta të asaj sheme ideologjike të shndërruar tash në një subkulturë maive të pamend. I vetmi ndryshim është se tash kjo nuk bëhet me detyrim nga qeveria si në vitet e para të socializmit, kur kishte raste të burgosjes së njerëzve shqiptarë, të cilëve u shkrepej të punonin ditëve të festës së Një Majit. Vendin e obligimit ideologjik e administrativ tash e ka zënë shartimi me traditën, sado gjë e panatyrshme që është kjo punë.
Nëse analizohet më detajisht ky shpërndërrim i panatyrshëm nga ideologjia totalitare në subkulturë masive, shihet se kjo ndodh për shkak se në kulturën e këtij vendi ekziston një zbrazësti e madhe. Nuk ka modele të mirëfillta të kremtimeve me elemente edukative, andaj njerëzit i përmbushnin kërkesat për kremtime masive, edhe me elemente të argëtimit të shfrenuar.
Po të shihet në këtë kontekst, kjo prirje për kremta masive, ndër shqiptarë i heq fillet nga antika pagane, kur njerëzit i kishin ditët e shënuara për të kremtuar, që nga lojërat olimpike, maratonat teatrore e deri te qethja e dhenve. Por traditat e vjetra nuk janë ruajtur, ndërsa të reja, me parashenjë autoktone, e me funksion edukues e qytetërues, nuk janë krijuar. Rrjedhimsht, shqiptarët do të kremtojnë pas pak ditësh, edhe Ditën e Shën Gjergjit, që është një festë pagane, e identifikuar edhe si festë e romëve.
Sidoqoftë, kjo shfryrje masive në natën e Një Majit, me zjarre të mëdha, tregoi se sistemi i kaluar totalitar, ishte një ndotës i madh moral e kulturor, e prej andej edhe ekologjik. Kremtimi me zjarre të mëdha, duke ndotur ambientin, është shenjë e mosndryshimit të sistemit të vlerave morale e kulturore, e mospërfilljes së një realiteti të ri social e kulturor e shoqëror, në të cilin Kosova jeton prej katër vitesh.
Në këtë zallamahi festive kaotike, afërmendësh që protestat e punëtorëve, nuk tërhoqën vëmendjen e qyetarëve. Liderët sindikalë folën para radhëve të rralluara të pjesëmarrësve, sepse populli ishte në festë. Populli nuk ua kishte ngenë shifrave që thonë se mbi 60 për qind e popullsisë së aftë për punë është e papunë, se korrupsioni ka fituar të drejtën qytetare në vend, dhe se privatizimi po dështon.
Në zhurmën e kremtës, këto fjalë nuk u dëgjuan. Por edhe kremta kalon dhe edhe ajo në fund mbyllet me një faturë që ka një çmim në fund. Kur është fjala për faturën vlen kjo përkujtesë: thonë se pijanecët e kanë më së lehti sepse nuk e shohin shumën në fund të faturës. Prandaj e paguajnë symbyllyr. Pak a shumë ashtu bënë edhe kremtuesit kosovarë të Një Majit të sivjemë.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002