|
E
diel 23.05.04
Shoqëria kosovare po përballet me argumente shumë të forta për vëmendjen e veçantë që duhet treguar për problemet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke përfshirë sidomos problemet që shkakton ngarkesa e çështjeve në gjyqësinë kosovare. Gjykatat si të tilla e luajnë rolin kryesor në zgjidhjen e konflikteve juridike në shoqëri me të cilat njerëzit më së shpeshti kontaktojnë. Për këtë arsye funksionimi i gjykatave ka ndikim të madh në atë se si e percepton opinioni publik administrimin e drejtësisë si tërësi-pra korrektësinë dhe efikasitetin e tij.
Është fakt i pamohueshëm, se brenda këtyre viteve të fundit, më tepër jemi përqëndruar në mbrojtjen tradicionale të të drejtave të njeriut.Thjesht jemi përqëndruar më shumë në vetë shkeljet e të drejtave të njeriut.Kjo gjendje, si pasojë, ka shkaktuar që të mos parandalohet padrejtësia dhe shpërdorimi i pushtetit nga ana e UNMIK-ut. Moskorigjimi i gabimeve të shkaktuara nga ana e autoriteteve nderkombëtare dhe vendore ka shkaktuar mosefikasitetin e sistemit gjyqësor në përgjithësi.
Autoritetet gjyqësore po dështojnë në aplikimin e saktë të ligjeve përkatëse dhe standardeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.Ato nuk po marrin vendime të cilat do të ishin obligative dhe të ekzekutueshme brenda fushëveprimit të saj.Shoqëria kosovare tash po përballet me problemin e mjeteve juridike.Institucioni i Ombuspersonit po anashkalohet dhe se ajo tash vepron jashtë sistemit gjyqësor.Ankesat e parashtruara pranë këtij institucioni nuk paraqesin mjet juridik për shkak se vendimet e Ombuspersonit nuk përfillen dhe nuk kanë kurfarë karakteri obligativ për autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.
Sa janë të rëndësishme çështjet penale për t'u zgjidhur po aq janë të rëndësishme edhe çështjet civile.Prandaj,duhet përshëndetur angazhimin e Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (The National Center for State Courts, NCSC),e përkrahura nga Qeveria e SHBA përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët më 6 maj me disa përfaqësues të institucioneve ku është diskutuar për identifikimin e problemeve dhe për nxjerrjen e rekomandimeve për përmirësimin e zbatimit të vendimeve civile në Kosovë. Duhet përmendur edhe Studimin e Riinvest-it të vitit 2002,e cila ka identifikuar shumë të meta në procedurat e zbatimit të vendimeve civile.Sa është e rëndësishme kjo lëmi edhe Plani për Zbatimin e Standardeve të Kosovës e ka vënë në pah këtë si fushë problematike që ka nevojë për vëmendje të posaçme.
Çështjet penale dhe civile janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.Pa shfrytëzimin adekuat dhe të përpikët të mjeteve juridike as që mund të flasim për avansimin e sistemit gjyqësor kosovar.Njëra prej atyre mjeteve juridike për situatën aktuale në Kosove është edhe Kompenzimi për paraburgimin apo arrestimet e paligjshme të cilat nuk rezultojnë me ndjekje penale.Njëra prej çështjeve që kanë mbetur për t'u zgjidhur është edhe problemi i ngarkesës së punës së gjykatave.A janë dhënë tablo cilësore të qëndrueshme për ngarkesën e punës në gjykatat kosovare mbi bazën e analizës sasiore të të dhënave për shkallën e ngarkesës?
Administrimi i drejtësisë nëpër gjykatat kosovare vuan nga një sërë të metash, të cilat mund të ndikojnë dëmshëm në të drejtën e të akuzuarit në gjykim të drejtë. Problemet kryesore lindin me aspekte kryesore lidhur me të drejtën për gjykim të drejtë, respektivisht, të drejtën e gjykimit brenda kohës së arsyeshme, të drejtën e gjykimit nga tribunali i themeluar me ligj, të drejtën për gjykatë të paanshme, të drejtën në gjykim publik dhe të drejtën e marrjes në pyetje të dëshmitarit.
Me hyrjen në fuqi të Kodit të procedurës penale të Kosovës, me 6 prill 2004, janë eliminuar disa prej të metave ligjore. Mirëpo, shumica e problemeve kanë mbetur të pazgjidhura, prandaj ende do të ketë nevojë që të identifikohen çështjet ligjore,praktike dhe strukturore.
Misioni i OSBE-së në Kosovë në muajin Mars ka lëshuar një Raport në lidhje me administrimin e drejtësisë nëpër gjykatat komunale,duke ofruar një numër rekomandimesh të cilat kanë për qëllim zhvillimin e sistemit gjyqësor komunal, si nga aspekti i efikasitetit ashtu edhe i drejtësisë së gjykimeve. Sa do të inkurajohen autoritetet vendore që t'i implementojnë këto ndryshime dhe t'i marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e duhur të administrimit të drejtësisë nëpër gjykata do të mvaret edhe nga vetë pozicioni dhe përkrahja e autoriteteve nderkombëtare ndaj strukturave gjyqësore vendore.Mirëpo,duhet theksuar,se Raporti paraqet në mënyre fragmentare listen e vështërsive me të cilat përballen gjykatat komunale dhe e njejta ofron zgjidhjet për sistemin gjyqësor në stilin hokus-pokus?!
Në raportin e përmendur potencohet problemi kryesor lidhur me administrimin e drejtësisë dhe pamundësia e gjykatave që të merreshin me numrin e lëndëve të paraqitura dhe vonesat gjegjëse.Theksohet se të dhënat statistikore lidhur me lëndët penale, tregojnë se nga 2,894 lëndë të përfunduara gjatë pjesës së parë të vitit 2003, 56% prej tyre kishin përfunduar brenda 6 muajve nga data kur është caktuar kryetari i trupit gjykues, ndërsa për 27% të lëndëve është nevojitur më shumë se 12 muaj për t'u përfunduar. Shumë prej lëndëve penale të proceduara nga gjykatat komunale kanë pasur të bëjnë me vepra të lehta penale dhe kanë mundur të kryheshin në procedurë të shpejtuar. Mirëpo vonesat dhe shtyerjet që ndodhin mjaft shpesh në këto raste mund të rezultojnë në mos respektim të të drejtës së të akuzuarit për t'u gjykuar brenda kohës së arsyeshme.
Raporti thekson se vonesat pjesërisht shkaktohen edhe nga aspektet organizative të sistemit gjyqësor komunal. Shumë prej gjyqtarëve të intervistuar kanë sugjeruar se arsyeja e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura është numri i vogël i të punësuarve nëpër gjykata. Krahasuar me vitin1989 tani ekziston një zbritje e numrit të përgjithshëm të posteve prej 21% - pra, prej 209 në vitin1989 në 165 në vitin 2003. Punësimi i gjyqtarëve për të plotësuar vendet e lira padyshim do t'ju ndihmonte gjykatave ta procedojnë ngarkesën e punës.Efikasiteti më i madh mund të arrihet edhe me numrin dhe sistematizimn e tanishëm të gjyqtarëve të angazhuar.Pra,këto janë përafërsisht pikat që na adresojnë ndërkombëtarët.
Mirëpo,duke i analizuar problemet e sistemit gjyqësor dhe kur kërkojmë të zhvillojmë një metodë për studimin e ngarkesës së çështjeve është e rëndësishme të shqyrtojmë se për çfarë bën fjalë çështja dhe çfarë kërkohet nga gjykatat?
Në këtë këndvështrim,çdo çështje duhet të shikohet si rast shumëdimensional për gjykatat.Çështjet përbëjnë një konflikt ndërmjet ndërgjyqësave dhe ndoshta të tjerëve që mbështesin njerën apo tjetrën anë të çështjes.Ky konflikt ngrihet mbi bazën e kushteve ose marrëdhënieve të shoqërisë kosovare që njëra ose të dyja palët kërkojnë t'i zgjedhin,rregullojnë,përshtasin ose t'i përfundojnë.
Shkrimtari i mirnjohur Fransi thekson:'' Lëmosha e përul në mënyrë të njejtë si atë që merr ashtu edhe atë që jep''.Në këtë rast ndërkombëtarët në Kosovë nuk kanë ardhur që shoqëria kosovare t'ju kërkojë lëmoshë.Çështjet gjyqësore përbëjnë në vehte konfliktet ndërpersonale apo sfida ndërmjet grupeve të caktuara për burime-para,prestigje,avantazhe politike ose ekonomike.
Vëzhgimi juridik në fjalë nuk ka për qëllim të paraqesë një tablo të plotë të mbrojtjes të të dejtave të njeriut dhe të ngarkesës së çështjeve.Megjithatë,piksynimi dhe angazhimi ynë është të përshkruajmë shumëllojshmërinë e faktorëve që do të japin një shpalosje sistematike dhe të plotë për të shpjeguar rrënjet e ngarkesave të çështjeve në gjyqësinë kosovare.Të jesh gjyqtar apo avokat - kjo është çështja!
|