|
Në prizmën e çështjes së miratimit të
ligjeve te reja nga ana e Kuvendit të Kosovës, shtrohen
vetëvetiu pyetje të caktuara në lidhje me përshpejtimin
e zgjidhjes së problemeve pronësore-juridike të grumbulluara
me dekada në Kosovë.Mos është rasti për
autoritetet vendore dhe partitë politike edhe për një
kohë të pacaktuar ta shtyjnë zgjidhjen e problemeve
në lidhje me pronat?! Para se të zbatohet privatizimi
në Kosovë a duhet autoritetet qendrore të bëjnë
përpjekje që t'u kthehet pasuria pronarëve të
mëparshëm, si një prej parakushteve të privatizimit
të ekonomisë dhe integrimit të Kosovës në
strukturat euro-atlantike dhe më vonë në Unionin
Evropian?
Ky proces i njohur në shtetet e ish-bllokut komunist si riprivatizim
(ku bëjnë pjesë deeksproprijimi, denacionalizimi
dhe dekonfiskimi) duhet ta përfshijë edhe Kosovën,ku
Kuvendi i Kosovës pa humbur kohë të mobilzohet në
nxjerjen e ligjit për denacionalizim. Ndërsa sistemi gjyqësor
në Kosovë duhet të angazhohet në implementimin
e procesit të denacionalizimit dhe mënjanimit të
pasojave të padrejtësive që u janë bëre
pronarëve të mëparshëm.Kosovës së
pari i nevojitet zhvillimi i procesit paralel të denacionalizimit
dhe privatizimit,ku edhe njera edhe tjetra të përfshihen
në agjendat e autoriteteve qeveritare vendore.Është
e papranueshme që së pari të zhvillohet procesi i
privatizimit e pastaj ai i denacionalizimit.Përvoja e disa
shteteve -sidomos e Sllovenisë na mëson se duhej në
fillim t'u rikthehej (t'u denacionalizohej) pasuria pronarëve
të mëparshëm, e pastaj ajo që do të ngelte
nga prona shoqërore të privatizohej në mënyrë
që kërkesat e parealizuara në saje të denacionalizimit
të mund të realizoheshin në saje të privatizimit
të pronës shoqërore.
Prandaj, ndihma dhe përkrahja kadrovike e bashkësisë
ndërkombëtare në këtë aspekt është
e domosdoshme dhe e pa shmangshme.Por, për ne është
një "pasqyrë e keqe" nga perspektiva e investitorëve
potencial.Ata që dëshirojnë të investojnë
në Kosovë,qëndrimin e vet nuk e krijojnë në
bazë të lajmeve të shkruara ose të pashkruara,por
ata vijnë këtu individualisht në teren për të
shiquar dhe mbledhur informata çka kanë parë dhe
ndëgjuar.Nuk është për tu habitur nëse
ata i lëshojnë shpejtë planet e tyre në lidhje
me investimet më parë të planifikuara, pikrisht për
shkak të pasigurisë dhe çështjeve kontestuese
pronsore-juridike.
lnvestitorëve të huaj më së shumti i intereson
niveli i arsimimit të fuqisë punëtore,shprehitë
e punës dhe prirjet e rrethit ndaj investitorëve të
huaj dhe siguria ligjore. Mu në këtë aspekt autoritetet
qeveritare duhet ta përqëndrojnë energjinë e
tyre, e jo të merren me çfarëdo forume-konferenca
dhe strategji madhore abstrakte.Nuk do të fitojmë asgjë
nëse ndërkombëtarëve iu ankohemi,ata i presin
edhe iniciativat tona,të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse
por edhe konkrete.Qeveria dhe departamenti i drejtësisë
duhet ta aktualizojnë nëpermjet medijave çështjen
e rikthimit të pronave duke përfshirë edhe përvojën
e disa shteteve që kanë kaluar këtë proces të
denacionalizimit.
Të gjithëve na është e njohur, se mungesa e
qartësisë përkitazi me të drejtën e pronësisë
për pronat në Kosovë është e përbërë
nga një sërë incidentesh të konfiskimit masiv
të pasurisë e cila ka ndodhur në të kaluarën
nga ana e ish regjimeve serbo-sllave, qoftë për arsye
etnike, apo për arsye tjera politike. Sidoqoftë, situata
në Kosovë që nga viti 1989 ka lënë një
trashëgimi të tërë të problemeve të
pazgjidhura pronësore.
Sistemi i pronave filloj të shkatërrohet sidomos nga
viti 1989 kur regjimi i egër i Beogradit kishte pruar në
fuqi një sërë ligjesh diskriminuese të pronave.
Si rezultat i kësaj, një numër mjaft i madh i shqiptarëve
të Kosovës humbi të drejtat e tyre të posedimit
ndaj pronave shoqërore, ku kohëpaskohe në shumë
raste i jepeshin serbëve të Kosovës apo refugjatëve
serb nga Kroacia. Si rrjedhojë e kësaj, shumica e shitblerjeve
të pronave të cilat ndodhnin ndërmjet grupeve të
ndryshme etnike gjatë kësaj periudhe ishin joformale (p.sh
pa shënime ligjore) e cila rezultonte me një fakt se dosjet
në lidhje me pronat dhe katastrat humbnin vlerën e tyre
si dokumentacion i saktë në lidhje me këtë problematikë.
Siç dihet sistemi i pronave më në fund u shkatërrua
si pasojë e ngjarjeve të periudhës së pas vitit
1998. Shkatërrimi dhe largimi i dosjeve të pronave nga
ana e autoriteteve serbo-sllave e kanë bërë shumë
të vështirë vërtetimin e pronësisë
ndaj një prone. Lufta e cila pasoi rezultoi me një shkatërrim
masiv të pronave, dhe në vitin 1999, me një dëbim
masiv të popullatës shqiptare.
Në nëntor të vitit 1999 UNMIK-u themeloi Drejtoratin
për Çështje Banesore dhe Pronësore dhe Komisionin
për Kërkesa Pronësore dhe Banesore institucione këto
të themeluara enkas për qëllim të zgjidhjes
së kërkesave pronësoro-juridike sa i përket
pronës banesore. UNMIK-ut iu nevojit gati një vit në
mënyrë që t'i biej në fuqi Rregullat e Procedurës
të këtyre dy institucioneve. Pa rregulla të tilla
institucionet në fjalë nuk mund të ushtronin mandatin
e tyre dhe si rezultat i kësaj kërkesat në lidhje
me pronën banesore mbetën të pazgjidhura. Në
nëntor 2001,administratori i Kosovës(PSSP-ja) nxorri Rregullat
e Procedurës dhe të Dëshmisë të Drejtoratit
për Çështje Banesore dhe Pronësore dhe Komisionit
për Kërkesa Pronësore dhe Banesore duke siguruar
në këtë mënyrë kornizën ligjore për
veprimin e institucioneve në fjalë. Gjatë atij viti
pas miratimit të rregullave të këtyre dy institucioneve
pasoi edhe hapja e zyreve nga ana e DPÇBP-së në
katër regjionet e Kosovës, të cilat pranonin shumicën
e kërkesve pronësoro-juridike të parashtruara përderisa
një numër i pronave banesore u vendosën nën
administrimin e DPÇBP-së. Gjatë kësaj periudhe
mekanizmi për mbrojtjen e të drejtave pronësore ishte
larg nga të qenurit plotësisht funksional.Pritet që
në këtë vit,ky institucion “kuazi-juridik”
pasi që është duke u ballafaquar me një krizë
të thellë financiare dhe shumica e aktiviteteve të
saj do të pushojë.
Bashkësia nderkombëtare duhet ta kuptoj, se Kosova është
një vend me një numër të madh të pronave
të nacionalizuara,eksproprijuara,konfiskuara, shkatërruara
dhe atyre të braktisura. Shumë prona kanë nga disa
persona të cilat parashtrojnë kërkesë për
vërtetimin e pronësisë, dhe vërtetimin i pronësisë
së një prone është një detyrë tejet
e vështirë. Duke marrur parasysh vakumin e krijuar ligjor
dhe institucional, nuk është edhe aq befasuese të
konkluidojmë se pse uzurpimet dhe ndërtimet e paligjshme
janë aq të përhapura në Kosovë.
Megjithatë nëse gjithë kësaj i shtohet edhe
fakti se kemi edhe paqartësi të mëdha në kuadër
të ligjeve ekzistuese, dhe fakti se ligjet e zbatueshme të
cilat janë pruar në fuqi para vitit 1989 janë krijuar
në bazë të nevojave dhe interesave të cilat
buronin nga ekonomia e kontrolluar, çdokush mund të
përfundoj se nevojitet të bëhet një reformë
e tërsishme ligjore në këtë drejtim.
Duhet të ceken edhe problemet të cilat burojnë nga
korniza e tanishme ligjore në Kosovë,sidomos kur është
në pyetje hierarkia e ligjeve. Rregullorja e UNMIK-ut 2000/59
shkakton konfuzion. Së pari, Rregullorja thekson se instrumentet
subsidiare të Rregulloreve të UNMIK-ut kanë fuqi
më të madhe ligjore se sa ligjet vendëse. Megjithatë,
pyetja se çka kualifikohet si “instrumente subsidiare”
është e hapur për interpretim, për shkak se
nuk është e definuar me tekstin e kësaj rregullore.
Së dyti, ajo thekson se ligjet të cilat kanë qenë
në fuqi para 22 marsit 1989, kanë fuqi më të
madhe ligjore ndaj atyre të cilat kanë hyrë në
fuqi ndërmjet asaj date dhe datës kur është
themeluar UNMIK-u më 12 qershor1999. A do të thotë
kjo se janë të pavlefshme aktet ligjore – për
shembull, shitblerjet e patundshmërive – të cilat
janë kryer në pajtim me ligjin gjatë periudhës
intervenuese? Së treti, ligjet në fuqi pas 22 marsit 1989,
janë të zbatueshme nëse mbulojnë baza të
reja ligjore dhe nëse nuk janë diskriminuese. Kjo përsëri
ngrit edhe çështje të tjera, siç është
çështja e interpretimit çka janë në
të vërtetë këto (‘bazat e reja’).
Më 5 nëntor 2001 administratori i Kosovëes ja zgjati
afatin për dorëzimin e kërkesave pronësoro banesore
prej 1 dhjetorit 2001 deri më 1 dhjetor 2002 në pajtim
me nenin 3.2 (a) dhe (b) të Rregullores së UNMIK-ut Nr.
2000/60. Zgjatja e këtij afati është pjesë e
marrëveshjes së arritur nga PSSP-ja dhe qeveria e Republikës
Federative të Jugosllavisë (RFJ) mbi ofrimin e sigurisë
dhe garancave tjera për minoritetin serb në Kosovë.
Sipas kësaj, në bazë të këtyre rrethanave
kompetencat për zgjidhjen e kontesteve të pronësisë
të parapara me nenin 1.2 të Rregullores së UNMIK-ut
Nr. 1999/23 duhet t’i kthehet gjykatave të rregullta
pas skadimit të afatit më 1 dhjetor 2002.
Prandaj,në këtë kontekst, në kohën kur
tashmë autoritetet e bashkësisë ndërkombëtare
haptas flasin per çështjen e statusit të Kosovës,
qytetarët e Kosovës presin prej Kuvendit të Kosovës
që t'i përshpejtojnë procedurat mbi nxjerjen e ligjeve
të reja mbi denacionalizimin,mbi marrëdhënjet themelore
juridike-pronësore, mbi qarkullimin e pasurisë së
palujtshme, mbi tokën ndërtimore, mbi marrëdhëniet
banesore, mbi bashkëpronësinë,mbi kodin civil, mbi
procedurën civile- ligje të cilat gjykatave të rregullta
do t'ju japin një mandat të gjerë dhe të sigurtë,
për ta implementuar procesin e denacionalizimit, deeksproprijimit,
dhe dekonfiskimit.Ky proces madhor nuk mund të realizohet pa
u gjykuar lëndët pronësoro-juridike në pajtim
me standardet më të avansuara të shteteve euro-perëndimore.
|