PRIVATIZIMI DHE GJYKATAT: KUSH DREJTON ?

Në vitin 2003 pritet që Kosovën ta përfshijë vala e transferit të pronës shoqërore në ate private- vala e privatizimit. A është e gatshme superstruktura juridike kosovare t'i përgjigjet kësaj vale? A do të ndëgjohet zëri i institucioneve të Kosovës përkitazi me procesin e privatizimit? Kush do t'i korrigjojë padrejtësitë mbi pronën që janë bërë në të kaluarën? Kush do t'i kompenzojë dëmet që Serbia u ka shkaktuar qytetarëve dhe ndërmarrjeve kosovare?

Se a do të ketë zhvillim ekonomik në Kosovë, kjo dë të varet edhe prej asaj, se në çfarë mase do të bëhen reforma, se a do të konsolidohen programet e partive politike, se a do të zvoglohet numri i tokave të mbetura djerrina dhe me çfarë tempoje kohore do të zgjidhen çështjet pronësore-juridike nga ana e autoriteteve vendore!

Derisa ekziston shpërndarja e tokës në parcela të vogla,deri sa po ulet redimenti i prodhimeve bujqsore,deri sa qytetarët e Kosovës po furnizohen me perime,fruta,prodhime qumshti nga vendet e huaja,deri sa bëhen ndërtimet e paligjshme nëpër tokat dhe trojet e zaptuara,derisa prona rrezikohet dhe nëpërkëmbet nga korrupsioni, deri sa e drejta e pronës nuk sigurohet dhe nuk mbrohet- atëherë Kosova do ta ketë vështirë që t'i bashkangjitet familjes evropiane.

Prandaj, kthimi i pronës pronarëve të ligjshëm nuk është çështje që i takon vetëm atyre.Ky është problem në radhë të parë i njohjes të së drejtës mbi të cilën mund edhe vetë autoritetet vendore ta kenë si një prioritet për t'u zgjihur.Të gjithëve na është e njohur, se në kohën e ish regjimeve serbo-sllave janë bërë keqpërdorime dhe masakrime të pronës nga rrjeti i zyrtarëve të korruptuar shtetëror dhe i personave të lidhur me ta, duke ndërhyrë në zyrat kadastrale komunale, duke bërë grabitjen e dokumentave të hipotekës, duke manipuluar dosjet e pronësisë, duke i ndryshuar hartat dhe duke bërë në mënyrë të paligjshme tjetërsimin e pronave të pronarëve të ligjshëm.

Tash në kohën kur pritet të filloj procesi i privatizimit edhe autoritetet komunale së bashku me ato qeveritare duhet nëpërmjet medijave ta senzibilizojnë çështjen e informimit të qytetarëve në lidhje me rolin, rëndësinë dhe funkcionimin e shërbimeve kadastrale. Pa transparencën e punës së shërbimeve kadastrale nuk mund të arrihen as qëllimet strategjike të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në shtetet perëndimore kadastrit të tokës ju kushtojnë vëmendje të posaçme, sepse ato shërbejnë për qëllime administrative,bankere,statistikore, tregtare, për hartimin dhe akordimin e kredive hipotekare, shërbejnë si bazë për konstatimin e të ardhurës kadastrale dhe shërbejnë për nevoja tjera të organizatave ose qytetarëve.

Kadastrat janë publike dhe çdo banor i Kosovës duhet të ketë çasje dhe t'i shohë ato.Mirëpo siç na është e njohur, se në kadastre nuk regjistrohen të drejtat reale mbi paluajtshmëritë, sepse këto regjistrohen në libra tokësore.Mirëpo, në Kosovë është karakteristike, se nuk kanë ekzistuar librat tokësore, por ka ekzistuar sistemi i tapive. Deri në luftat ballkanike në Kosovë ka qenë në fuqi sistemi turk i librave të tokave-tapive, sistem i cili nëpërmjet të drejtës së Jugosllavisë së vjetër ka hyrë edhe në të drejtën e pas luftës së dytë botërore.

Në ish Jugosllavinë e shpartalluar librat tokësore ishin më të zvilluara vetëm në Kroaci dhe Slloveni. Ndërsa sot situata në Slloveni brenda këtyre dhjetë viteve të fundit, sa i përket evidencës dhe regjistrimit të palujatshmërive bëhet në mënyrë elektronike.

Projekti mbi informatizmin e librave tokësore ka filluar qysh nga mesi i viteve të nëtëdhjeta. Atëherë ka qenë e qartë për Qeverinë e Sllovenisë, se nëse do të vazhdohej me mënyrën manuale të regjistrimimit të librave tokësore, do të dyfishohen ngecjet dhe do të grumbullohen lëndët para gjykatave të rregullta, kështu që me te do të zvoglohej edhe siguria juridike në qarkullimin e paluajtshmërive.

Tash, ky projekt udhëheqet nga Gjykata Supreme e Sllovenisë.Në vitin 1997 është themeluar grupi projektues, ndërsa në vitin 2000 kanë organizuar trajnimin e personelit mbi mirëmbajtjen e librave tokësore dhe kanë siguruar paisjet elektronike,duke i absorbuar mjetet financiare në shumën prej 1.2 miljon euro,të cilat kanë qenë të marruna nga programi Phare.

Një vitë më vonë, kërkesat për regjistrim në librat tokësore, kanë filluar në mënyrë sistematike, të transferohen në formën elektronike.Informatizimin e librave tokësore e kanë kyçur edhe në një projekt tjetër, që ka të bëjë me evidencimin e paluajtshmërive.Këtë projekt e ka sofinancuar edhe Banka Botërore, vetëm në atë pjesë,në të cilat duhet të tejkalohen ngecjet në lëndët që ende kanë mbetur pa u kyer.

Në Slloveni gjer më tani, librat tokësore në formën elektronike janë transferuar gati 57 % .Kjo është një mesatare,përndryshe gjendja prej një gjykate në gjykatën tjetër ndryshon.Është interesante se prej 44 gjykatave komunale sa ekzistojnë në Slloveni, vetëm para pak kohësh Gjykata e Idrijes - e para, e ka përfunduar plotësisht informatizimin. Të gjitha bartjet në formën elektronike sipas projekteve të parapara do të përfundojnë gjer në fillim të vitit 2004, kur edhe pritet që Sllovenia t'i bashkangjitet Unionit Evropian.

Në këtë kontekst, parimi themelor është se librat tokësore janë të hapuara për çdo qytetar slloven dhe është me ligj e garantuar çasja në to.Edhe tash është e zakonshme, se në të gjitha gjykatat e Sllovenisë janë të vendosura kompjuterë të posaçëm,të dedikuara vetëm për palët dhe qytetrarët të interesuar. Në bazë të ligjit në fuqi në Slloveni kadastri dhe librat tokësore ndërplotësohen në mënyrë që gjendja faktike nga kadastri shërben si bazë për regjistrim në librat tokësore.Prej ndikimit të tyre reciprok,del kompletsia e librave tokësore.Pra, në librin tokësor shënohen të dhënat nga kadastri, kurse në kadastër të dhënat mbi pronarin prej librave tokësore.

Prandaj, po të njejtën praktikë edhe autoritetet gjyqësore në Kosovë duhet qysh tash të mendojnë për informatizimin e gjykatve tona dhe shërbimeve kadastrale. Kur edhe kërkesat e qytetarëve në lidhje me paluajtshmërite të transferohen në formën elektronike,atëherë do të kenë dobi edhe personat juridik dhe fizik. Dobi do të kenë institucionet qeveritare, bankat,agjencitë, avokatët dhe në mënyrë të tërthortë edhe ekonomia kosovare do të ringjallet pikrisht për shkak të kësaj sigurie juridike.Edhe për bankat kosovare, kur duhet të vendosin mbi akordimin e kredive hipotekare, do të ishte më lehtë sikur të kishin shiqim dhe çasje reale nëpërmjet rrjetit elektronik, se sa t'i kenë para vehtes ekstraktet të cilat mund të jenë të vjetra edhe 3 muaj.

Cilat janë përparësitë e librit tokësor elektronik? Kjo mundëson më shpejtë tipizimin e regjistrimit të të drejtave reale, çdo shënim vendoset vetëm njëherë,zvoglohet mundësia e gabimeve, mundëson kontrollin logjik të regjistrave,mundëson marrjen automatike të shenimeve prej regjistrave të gjendjes civile të qytetarëve, të regjistrit gjyqësor etj.Shumë kohë dhe energji mund të kursehet nga ana e drejtorateve për gjeodezi dhe kadaster nëse çertifikatat lëshohen në formën elektronike,ndërsa punonjësit-referentët do të ishin në gjendje më tepër t'i kushtojnë detyrave të tyre kryesore, kryerjes së regjistrimit.

Vetëm atëherë kur në librat tokësore do të regjistrohen të gjitha të drejtat reale në të gjitha paluajtshmëritë, kjo evidencë publike do të jetë gjithashtu- e plotë dhe e përkryer.Mirëpo në këtë kontekst duhet ta dijmë,se e drejta e pronësisë në fakt është vetëm një e drejtë dhe se çdo subjekti i është lënë,që vetë të vendosë, se a dëshiron atë të drejtë ta regjistroj.Kjo për kushtet tona në Kosovë ndoshta do të dukej ideale,por për autoritetet qeveritare dhe gjyqësore qëndrimi duhet të jetë i prerë dhe i qartë: pronat në çfardo forme qofshin ato, duhet të kthehen apo kompensohen tërësisht pronarëve të ligjshëm.

Zatën në këtë mënyrë edhe superstruktura juridike kosovare më shpejtë do t'i ndihmojë procesit të privatizimit.Mirëpo,përkundër faktit se modeli i privatizimit “Spin-off ” për momentin është i qëlluar,por në të ardhmen i mbetet një barrë e madhe Odës së veqantë brenda Gjykatës Supreme të Kosovës, sepse në fakt pronësinë e ndërmarrjeve ka mbetur për ta zgjidhur për ditët më të mira. Ndërkombëtarët nuk janë këtu vetëm për të na paguar flautën- vendorët duhet të mësohen të lujanë në të!

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002