PRAPASKENA GJYQËSORE

E premte 22.08.03 KAOSI LIGJOR NË KOSOVË


Valentin Batalaku

Gjyqësia vazhdon të jetë pikë e dobët për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, ku numri i të punësuarve në sistemin gjyqësor është tepër i vogël, që rezulton në vonesa të gjata në punën me rastet dhe zgjidhjen e tyre. Edhe kur gjykatat kanë përfunduar shqyrtimin e tyre të rastit dhe aktgjykimi ka marë formën e prerë, vonesa e UNMIK-ut për të themeluar apo emëruar pozitat e zyrtarit për ekzekutim në gjykatat civile ka pasur efektin t’i bëjë këto aktgjykime jo efektive pasi që askush nuk ka qenë përgjegjës për ekzekutimin e tyre.

Pagat e ulëta për gjykatësit dhe të punësuarit tjerë në gjykata, posaqërisht së bashku me kërcënimet për jetën e tyre dhe të familjeve të tyre nëse marrin vendime të caktuara, do të thotë që shumë nga këta punonjës profesional braktisin pozitat e tyre gjyqësore në mënyrë që të fillojnë praktikën ligjore private apo të kryejnë punë të tjera. Si rezultat, gjykatat në Kosovë nuk janë në gjendje të luajnë rol të rëndësishëm në administrimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

A ekziston kaosi ligjor në Kosovë? Gjer më tani është është bërë pak të qartësohet ligji i aplikueshëm në Kosovë. Një nga parakushtet themelore të sundimit të ligjit është ai që ligji duhet të publikohet në mënyrë që të mund të konsiderohet si ligj, në pajtim me standardet evropiane që qeverisin “ligjshmërinë” - qasja, parashikueshmëria dhe kualiteti i ligjit - të cilat bashkohen për ta mbrojtur individin nga veprimet arbitrare të qeverisë. Lidhur me qasjen, ligjet e lëshuara nga UNMIK-u apo të shpallura nga Kuvendi i Kosovës nuk publikohen në pajtim me ligjin e aplikueshëm që qeveris publikimin zyrtar të tyre. Duket që, edhe pse UNMIK-u e konsideron publikimin në faqen e tyre të internetit si një gjë që plotëson kushtet e kërkuara, ata prapëseprapë dështojnë të publikojnë Rregulloret e tyre edhe në këtë medium.

Aq ma kë keq disa ligje kryesore nga UNMIK-u publikohen vetëm në gjuhën angleze dhe serbe si për shembull:

UNMIK/REG/2003/26 - 6. јул 2003. године- О ПРИВРЕМЕНОМ ЗАКОНУ О КРИВИЧНОМ ПОСТУПКУ КОСОВА

UNMIK/REG/2003/25 - 6. јул 2003. године- О ПРИВРЕМЕНОМ КРИВИЧНОМ ЗАКОНУ КОСОВА

Fatkeqësisht, këto dy ligje shumë të rëndësishme- Ligji i përkohshëm mbi procedurën penale të Kosovës dhe Ligji i përkohshëm penal i Kosovës, ende nuk janë publikuar në gjuhen shqipe nëpër mediat e shkruara dhe elektronike. Deri në fund të qershor të vitit 2003, vetëm katër Rregullore të UNMIK-ut për këtë vit janë publikuar në faqen e tyre të internetit.
Në këtë kontekst,vlen të merret në konsiderim situata e palakmueshme e gjykatësve, zyrtarëve të gjykatave dhe të gjithë të tjerët që praktikojnë ligjin, kanë qasje shumë të kufizuar në internet. Edhe pse gjykatave, me vonesë të konsiderueshme, u shpërndahen verzionet me shkrim të ligjeve të aplikueshme, kopje të këtyre ligjeve nuk i ofrohen të gatshme publikut. Ligjet në Kosovë duhet të publikohen në të tri gjuhët zyrtare. Fatkeqësisht, mungesa e përkthimeve vazhdon të jetë një problem, dhe kualiteti i përkthimeve të atyre ligjeve që përkthehen është aq i dobët sa që ata që e praktikojnë ligjin dhe që punojnë në gjuhën shqipe shpesh nuk mund ta përcaktojnë kuptimin e tyre.Vallë, përkthyesi i mirrë a duhet të jetë njëherit edhe njohës i atyre materialeve që përkthen? Në Kosovë tashmë dominojnë lingustët dhe kjo tregon se ata po merren edhe me çështjet juridike.

Një problem tjetër i vazhdueshëm është mungesa e periudhës vacatio legis (periudha kohore prej nënshkrimit të ligjit deri në hyrjen e tij në fuqi) lidhur me Rregulloret e UNMIK-ut dhe ligjet e shpallura nga Kuvendi i Kosovës. Rregulloret dhe ligjet deklarohen të jenë në fuqi prej momentit të nënshkrimit nga ana e PSSP-së ose, në rastet më të mira, brenda disa ditëve nga data që nënshkruhen. Pothuajse të gjitha Rregulloret e UNMIK-ut përfshijnë një dispozitë përmbledhëse që deklaron që Rregullorja shfuqizon çdo dispozitë të ligjit apo Rregullores në fuqi që është në kundërshtim me Rregulloren e re. Shumë nga to, e në veçanti ato që marrin formën e deklaratave të paqarta mbi politikën e jo atë të strandardeve të qarta ligjore, gjithashtu përfshijnë dispozita që për qëllim të implementimit efikas të tyre lejojnë lëshimin e udhëzimeve administrative dhe akteve tjera nënligjore . Në anën tjetër, deri në atë kohë kur të lëshohen këto akte nënligjore, nga autoritetet qeveritare dhe ata që praktikojnë ligjin pritet ta zbatojnë atë Rregullore të paqartë.Ata që janë të ngarkuar me implementimin dhe zbatimin e ligjit ballafaqohen me vështirësi të mëdha gjatë përmbushjes së obligimeve të tyre profesionale. Prandaj, e tërë popullsia, si e tillë, gjendet në një paqartësi ligjore.

Një atribut i rëndësishëm i respektit të sundimit të ligjit është që dega ekzekutive e qeverisë të mos konsiderohet të jetë mbi ligjin. Në Kosovë, pasi që ekzekutivi dhe legjislatura janë një individ i njejtë, ky parim është automatikisht i rrezikuar. Largimi i një kategorie të caktuar të ankesave lidhur me të drejtat e njeriut nga juridikcioni i gjykatave, vendosja e tyre nën kontroll të organeve administrative të UNMIK-ut dhe pamundësia që vendimet e marra të shqyrtohen në pajtim me ligjin konfirmon që shkrirja e funksioneve ekzekutive me ato legjislative, së bashku me anulimin e rolit të gjyqësisë nuk ka shërbyer në interes të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës po përballen me një kategori të problemeve që kanë të bëjnë me pranimin kontradiktor të dokumenteve civile (certifikatat e lindjes, vdekjes ose martesës) të lëshuara nga UNMIK-u. Në Kosovë, individët që paraqiten për të pranuar përfitime të caktuara, për shembull ato që u takojnë individëve që janë paaftësuar apo familjarëve të personave që kanë vdekur gjatë konfliktit, duhet të paraqesin dokumente të UNMIK-ut në mënyrë që të konfirmojnë marëdhëniet e tyre familjare. Për shembull, autoritetet në Kosovë kanë refuzuar të pranojnë certifikata tjera të martesës përveç atyre të lëshuara nga UNMIK-u, edhe në rastet kur martesa është bërë shumë kohë para se të themelohet UNMIK-u si administratë “e përkohshme” civile në këtë territor.

Në anën tjetër, disa shtete të jashtme, për shembull Gjermania, refuzojnë të pranojnë certifikatat e martesës të lëshuara nga UNMIK-u, edhe kur martesa është bërë pranë autoriteteve të UNMIK-ut. E vetmja mundësi për një çift që dëshiron që martesa e tyre të pranohet jashtë Kosovës është që edhe njëherë të kalojnë nëpër ceremoninë e martesës pranë një autoriteti paralel në ndonjë rajon serb brenda Kosovës, në mënyrë që të marrin një certifikatë të martesës që është e pranuar në të gjitha vendet. Probleme të ngjajshme paraqiten edhe për individët që përpiqen të marrin vizat për udhëtime jashtë vendit në rastet kur ata mund të paraqesin vetëm certifikatën e lindjes të UNMIK-ut.Kjo që u cek më lartë ndryshe nuk mund të emërtohet përveçse KAOS LIGJOR.

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002