|
Brengosja e opinionit kosovar që është paraqitur
kohëve të fundit në lidhje me veprat penale sinjalizon
se sistemi gjyqësor në Kosovë është vërtetë
para sfidave të mëdha.Misioni i Kombeve të Bashkuara
në Kosovë është i mveshur me të gjitha
fuqitë ekzekutive dhe legjislative,të cilat ushtrohen
nga Kryeadministratori i Kosovës.UNMIK-u ka mandatin të
administrojë sistemin e drejtësisë në Kosovë.OSBE-ja
si pjesë UNMIK-ut e mban përgjegjësinë për
sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut,që
t'i zhvillojë dhe t'i përkrahë mekanizmat nëpër
gjykata dhe struktura tjera gjyqësore në pajtim me standardet
ndërkombëtare.
Po të hedhim një vështrim praktikës gjyqësore
në Kosovë dhe ndikimit të saj në opinionin publik
vetvetiu parashtrohen disa pyetje në të cilat duhet përgjigjur.A
ndikon sistemi gjyqësor kosovar në mënyrë të
drejtpërdrejtë në sjelljen dhe jetën e përditshme
të qytetarëve?A kanë gjyqtarët vendor liri të
gjerë në përzgjedhjen dhe zgjidhjen e çështjeve?
A mos vendimet gjyqësore bazohen kryesisht në preferencat
ideologjike të gjyqtarëve? Cilat janë metodat e punës
të gjykatësve ndërkombëtarë dhe a iu përshtaten
rrethanave specifike që veprojnë në Kosovë?
A janë gjykatësit ndërkombëtar të prviligjuar
dhe të favorizuar kundruall gjykatësve vendorë?
Duhet të theksohet se ndërtimi i politikës gjyqësore
dhe çmueshmëria gjyqësore në Kosovë në
disa aspekte është e mangët. Kanë kaluar kohërat
kur qendrat e padukshme të vendosjes politike kanë udhëhequr
organet gjyqësore, ku gjykatësit janë zgjedhur në
bazë të përshtatshmërisë moralo-politike,ku
misioni i tyre nuk ka qenë të veprosh si gjykatës
i paanshëm por të veprosh dhe të punosh ashtu si
kanë kërkuar ata të cilët edhe i kanë vendosë
në këto organe të gjyqësisë.
Politika gjyqësore e Kryeadministratorit të Kosovës
për rrethanat kosovare është kundërthënëse
dhe diskutabile.Është e ngarkuar me paragjykime dhe stereotipe
ndaj kuadrove gjyqsësore vendore.Po që se vazhdohet edhe
më tej me politikën e emrimit të gjykatësve
pa miratimin e Kuvendit të Kosovës,do t'i lihet pak shteg
krijimit të mirëfilltë të politikës gjyqësore
kosovare.Në një anë të kërkosh ndihmë
prej qytetarëve të Kosovës në lidhje me dhënjen
e informatave përkitazi me zbardhjen e disa veprave penale,
e në anën tjetër të anashkalohet institucioni
më i lartë i këtyre qytetarëve është
joserioze dhe e iriton (ngacmon) opinionin kosovar.
Kryeadministratori si autoritet më i lartë kosovar politikën
gjyqësore duhet ta ndërton si çështje funksioni
dhe besueshmërie, e jo si çështje zgjedhjeje vetanake.Autoriteti
gjyqësor nuk ka nevojë të jetë dorë e zgjatur
e askujt. Në rast se politika ditore karakterizohet si konflikt
ndërmjet grupeve të ndryshme dhe nëse aktakuzat shikohen
si mënyra që këto interesa konkuruese të realizojnë
qëllimet e tyre, atëherë të mos çuditemi
nëse vendimet gjyqësore disa kërkuesve u japin fitoren
dhe të tjerët humbasin.Pavarësisht nëse gjyqtarët
bëjnë interpretimin e lgjit apo hapin rrugë vendimeve
të zyrtarëve-punëdhënësve të tyre,
në fund të fundit, nëpërmjet këtyre vendimeve
gjyqësore edhe disa interesa në të shumtën e
rasteve mbeten prapa.Kjo metodë e punës dhe e çasjes
gjyqësore gjithsesi do ta polarizojë shoqërinë
kosovare.
Në këtë kontekst kompetenca për të bërë
emrimet e personelit gjyqësorë është një
kontroll i rëndësishëm mbi sistemin gjyqësor
në përgjithësi- këtë tash po e bën
Kryeadministratori i Kosovës, duke injoruar edhe Kreun 9,Pjesën
4,pikën 9.4.8 të Kornizës Kushtetuese.Gjykatësit
dhe prokurorët e emruar nga Michael Steiner-i, u zgjodhën
qëllimisht, sepse filozofia politike e tyre,është
e ngjashme me të tijën.Kjo ndodh ndoshta për arsye
se autoriteti i Kryeadministratorit dhe ideologjia e të emruarve
janë tregues të rëndësishëm për mënyrën
se si do të votojnë gjyqtarët për liritë
dhe të drejtat e qytetarëve kosovarë.Mirëpo,
mënyra e emërimit të kandidatëve përmes
përshtatshmërisë politike dhe ideologjike e prish
imazhin e gjyqësorit në Kosovë.
Funksoni i legjitimitetit për praktikën gjyqësore
është një ëndër,që pritet të
aplikohet për ditët më të mira.Gjykatat vendore
nuk disponojnë instrumente adekuate për të rishikuar
rregulloret e Kryeadministratorit. Tashmë, funksioni legjitimitet-dhënës
i autoritetit gjyqësor duket i diskutueshëm, sepse ky
autoritet po paraqitet si rezultat i njëanshëm- si rezultat
i veprimeve të pamatura, si "rezultat i procesit të
solo emrimeve",duke e humbur besueshmërinë tek popullata
kosovare.
Është krijuar një përshtypje se gjyqtarët
bëjnë një jetë të ndarë,madje të
izoluar.Ata votojnë në mënyrën që ata duan
dhe më pas tërhiqen nëpër zyrat e tyre. Mosmarrëveshjet
ndërmjet gjyqtarëve vendor dhe ndërkombëtar
për problemet dhe rastet gjyqësore bëhen tepër
personale.Kontrolli i jurisdikcionit dhe formimi i përbërjes
së gjykatave nga ana e ndërkombëtarëve tashmë
ka bërë një emër të keq.
Kjo gjendje duhet të tejkalohet.Kompetencat e rezervuara të
UNMIK-ut përkitazi me sistemin e drejtësisë bien
ndesh në kohën kur duhet të barten këto kompetenca
tek vendorët. Raportet ndërmjet ndërkombëtarëve
dhe personelit gjyqësor vendor nuk përkrahen sa duhet
njëra prej tjetrës, gjë që ka bërë
që politika gjyqësore të anojë në favor
të ndërkombëtarëve. Është fituar një
përshtypje gjoja se gjykatësit shqiptarë nuk disponojnë
njohuri të mjaftueshme, mu për këtë edhe ata
janë këtu.Nëse kjo situatë do të vazhdojë
edhe më tytje atëherë do ta destabilizonte edhe vetë
strukturën e përkohshme administrative-do të thellohen
tensionet ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve.
Sikur kosovarët të disponojnë mjete të mjaftueshme
financiare, talent ligjor dhe përvoja juridike, me siguri edhe
proceset gjyqësore do të merrnin kahje tjetër.Ne
dimë pak në lidhje me raportin që ekziston ndërmjet
rolit të gjykatave me ndryshimet kohë pas kohe të
shoqërisë kosovare,të autoriteteve qeveritare,të
partive politike,të opinionit publik dhe të politikës
së qendrave të vendosjes ndërkombëtare.
A janë autonome gjykatat apo ndryshimet e politikës që
ato ndërtojnë,pasojnë apo i paraprijnë ndryshimeve
në opinionin publik dhe(ose) ndryshimeve politike në institucionet
vendore? A injorohet në gjykatat tona Parimi i së Drejtës
për Gjykim të Drejtë? Do të ishte me vlerë
të dihej nëse gjykatat reagojnë në mënyrë
të drejtpërdrejtë ndaj ndryshimeve të tilla
apo ndryshimet e politikës së tyre kushtëzohen vetëm
në rrugë indirekte nëpërmjet ndryshimeve që
mund të ndodhin në personelin e tyre,që mund të
shkaktohen si pasojë e ngjarjeve që ndodhin në një
sfond më të gjërë politik dhe social në
Kosovë.
Populli i Kosovës nuk e ka qëllim të nëpërkëmb
rolin dhe pozitën e UNMIK-ut,por ai dëshiron vetëm
t'iu përkujtojë se ata janë këtu për korrektësi,efektivitet
të mirëfilltë, dhe së bashku me kuadrot vendore
si një corpus të angazhohen me qëllim që sistemi
gjyqësorë në Kosovë të pësojë
ndryshime dhe përmirësime të mëtejme.Të
gjithë karshi ligjit duhet te kemi trajtim dhe status të
barabartë. Tash është momenti që ekspertët
vendorë të lamisë juridike së bashku me përfaqësuesit
e institucioneve qveritare t'iu ndëgjohet zëri i argumenteve,
e jo zëri i indiferencës profesionale, këtë
bashkëkombasit tanë e presin prej tyre.
|