ZGJIDHJA E NYJES NËPËRMJET KOMPROMISIT NDËRPARTIAK

E shtunë 12.01.02

Shoqëria kosovare në përgjithësi dhe ajo lokale në veçanti ndodhet në një udhëkryq,ku në një anë është duke u administruar nga bashkësia ndërkombëtare,ndërsa në anën tjetër ne jemi duke i shijuar frytet e lirisë. A e kemi fituar lirinë formalo-juridike me elemente të shtetësisë? A është e mundshme të krijohet spektri i gjërë politik për një bashkëqeverisje të mirëfilltë? A i nevojitet partive politike ndonjë ndërmjetës i jashtëm për ti krijuar institucionet vetëqeverisëse demkratike në Kosovë? Në këto pyetje duhet të përgjigjen vet ekspertët dhe liderët tanë politik. Idealet tona askush nuk mund të na i uzurpojë, dhe falë këmbëngulësisë dhe pragmatizmit të popullatës së Kosovës ato dita ditës po realizohen.

Na gëzon fakti, se RTK-ja dhe përfaqësuesit tjerë të mediave elektronike në Kosovë kohëve të fundit më mirë po e qfaqin profesionalizmin e tyre,duke i mbrojtur dhe promovuar me besnikëri vlerat civilizuese të shoqërisë së qytetëruar, të atyre kombëtare dhe ndërkombëtare. Gazetarët e rinjë, po bartin me vehte ide të reja, po kanë elan dhe qëndrim pozitiv ndaj zgjidhjes së problemeve. Moto e punës së tyre është: se nuk është me rëndësi ''punëdhënësi'', sa është me rëndësi që opinionit kosovar dhe më gjërë t'iu drejtohen në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi. As iniciativat qytetare nuk bën të nëpërkëmben. Qëllimi i njërës dhe tjetrës është që t'iu ndihmohet njerëzve të cilët nuk janë të përfshirë në asnjë parti politike, shoqatë ose struktura tjera vendore,të cilët nuk kanë kujt t'i drejtohen në zgjidhjen e problemeve të tyre. Alfa dhe omega e medijave është liria e të shprehurit dhe përgjegjësia. Prandaj,edhe gazetarët kanë nevojë për liri më të madhe të të shprehurit,sepse janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi më të madhe.

Shoqëria civile duhet të jetë domosdoshmëri, pa të cilën nuk mund të shkojmë përpara. Kushdo qoftë ka të drejtë të ndërmerrë ndonjë iniciativë,që atë lirisht dhe publikisht ta shpreh.Iniciativat qytetare dhe medijat duhet të shkojnë së bashku dorë për dore, ato duhet të kryqëzohen njëra me tjetrën, e para duhet të jetë vazhdim i së dytës. Ndërsa, liderët tanë politik të mos ''merakosen'', nëse gazetarët tanë pikëpamjet e tyre i shprehin publikisht dhe në mënyrë korrekte, se këtu asgjë nuk ka të keqe. Ata vetëm e japin kontributin e vet. Bashkëkombasit tanë nuk kanë nevojë për informata senzacionale "bombastike", që vijnë nga mbrenda dhe jashtë pa kurfarë kritere dhe vlerësime profesionale.

Ndërkombëtarët e bëjnë një punë të madhe, ne të gjithë e mirëpresim dhe iu falemnderohemi për angazhimin e tyre në Kosovë. Është një shembull i mirë për ne, se si kuadrot ndërkombëtarë ndërrohen ndërmjet vehtes. Për ta, funkcioni është diçka e zakonshme,të pësojë ndrrime dhe ndryshime.Ata e njohin logjikën e rrokadës, por nuk e njohin ''tapinë e vendit të punës'', ku dikur për ne ka qenë e zakonshme të disponosh me të deri në pension. Përfaqësuesit e autoriteteve qendrore tash kanë rastin të lirohen prej paragjykimeve të akumuluara. Të gjitha modelet e vlerave shoqërore dhe kombëtare para se të sprovohen në praktikë, duhet së pari vërtetuar dhe konstatuar se a janë në pajtim me qëllimet dhe prioritetet tona. Këto qëllime dhe prioritete më së miri i dijnë institucionet përkatëse universitare dhe kulturore. Kemi qenë të paralizuar në sistemet e mëparshme jugo-serbo-sllave. Pas zgjelljeve qendrore të nëntorit 2001,kur tashme është inauguruar Parlamenti i Kosovës, kur pritet ndërtimi i organeve tjera vetëqeverisëse, janë krijuar rrethana krejtësisht të reja,ku edhe kreativiteti i liderëve politik,deputetëve dhe grupeve parlamentare duhet të çfaqet në çdo lami të jetës,në pajtim me synimet dhe idealet tona kombëtare.

Përgatitja intenzive dhe realizimi i planeve me përmbajtje të ndryshme të vlerave nuk do të jetë punë dhe obligim vetëm i autoriteteve vendore por edhe atyre qendrore që do të pasojnë më vonë pas konstituimit të Qeverisë së Kosovës.Gjithmonë në të kaluarën,traditë e kemi pasur të dalim me programe dhe vlera origjinale para opinionit. Ai sens për origjinalitet na këndell dhe qelikos,bëhet veti e përditëshme për ne dhe joshëse për ndërkombëtarët. Lehtë është t'i shkëmbejmë mendimet dhe përvojat tona në prapavijë, më vështirë është t'i tregojmë njeri tjetrit aftësitë tona në skenën publike. Do të jetë e pafalshme për ne nëse kryeneçësia jonë partiake të reflektohet në atë kolektive. Gjeneratat e ardhshme nuk do të kenë me çka të krenohen. Pra, duhet ta çrrënjosim egocentrizmin tonë partiak në vijë vertikale dhe horizontale,me qëllim që në rrethin tonë të mos përjetohen këto qarje dhe fërkime të panevojshme.Vetëm bashkëqeverisja ndërmjet partive politike siguron balancin e interesave të tyre politike në ndërtimin e institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës. Instrumenti i vetëm që të mos vie deri te i ashtuquajturi outvoting-i, përkatësisht diktati i një partie më të madhe kundruall partive më të vogla është kompromisi ndërpartiak. Sidoqoftë, asnjë parti që ka fituar besimin e elektoratit, nuk është aq e vogël dhe e pa rëndësishme, për tu përbuzur dhe margjinalizuar.

Po që se mendimi im kritikohet, nuk do me thënë se është atakuar personaliteti im! - Kjo është ajo formulë, që i hap dyert e shumë bashkëkombasve tanë,që të kyçen në rrjedhat dhe proceset shoqëroro-politike. Talentët e çfare do lloji i kemi para sysh. Që të zbulohen ata, ne duhet të jemi më të qetë, me qëllim që ta kuptojmë pulsin dhe ritmin e jetës së tyre. Potencialet intelektualo-profesionale do të vijnë në shprehje, vetëm atëherë kur secili veç e veç do të kuptojë, se pa i angazhuar ekipet profesionale nuk është e mundur të realizohen objektivat që ia kanë parashtruar vehetes partitë politike. Në interesin tonë është që ekspertët vendorë ta shijojnë lirinë e profesionit, por ajo nënkupton edhe përgjegjësinë e tyre për atë se çka eksponojnë para rrethit të vet. Nuk kemi nevojë për imitime,ato tashmë janë të tejkaluara.Tash vlerësohemi me ate se sa jemi burimor-origjinal si individ vis-a-vis njeri tjetrit.

Është e natyrshme se një ditë do të bëhet bilanci mbi punën e autoriteteve komunale vendore dhe atyre qendrore. Për momentin, me rëndësi është që të gjithë banorët e Kosovës të informohen, të jenë aktiv dhe të jetë e qartë për të gjithë ne, se vetëm një sofër e kemi, ku secili prej nesh ka çka të ofrojë, por edhe ka çka të merrë, varësisht prej prioriteteve,kritereve dhe ligjeve që do të aprovohen prej institucioneve vetëqeverisëse. Ajo rregullativë ligjore, që tash është në fuqi, nuk e obligon vetëm popullatën kosovare, por, i obligon edhe partitë politike dhe ata ndërkombëtarë. Sa na jep të drejtë kjo sofër, aq edhe na obligon. Gravitimi i të gjitha forcave tona duhet të bëhet brenda rrethit të saj, e kurrsesi jashtë. Këto punë madhore i kanë filluar paraardhësit tanë, tash detyra jonë është ta vazhdojmë rrugën e tyre. Prandaj, edhe përgjegjësia e liderëve tanë politik konsiston në ate se patjetër duhet zgjidhur nyjen nëpërmjet kompromisit ndërpartiak, e jo në prapavijë.

 

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002