PËR NJË SISTEM KOSOVAR TË DREJTËSISË - KUR DO TË HIQEN MASKAT ?!

Në kërkim të çelësit të funksionimit të sistemit gjyqësorE shtunë 14.06.03 Ditëve të fundit nëpermjet mediave të shkruara dhe elektronike qytetarët e Kosovës ashiqare patën rastin të shohin se si është bastisur zyra dhe shtëpia e drejtoreshës së përgjithshme të Posttelekomit të Kosovës Leme Xhema nga policë të njësitit "Guardia di financa"- njësia hetuese për financa.UNMIK-u me veprime spektakulare tashmë po e thellon mosbesimin e qytetarëve tek gjyqësori. A mund të fitohet respekti dhe besimi i qytetarëve pa ngritjen e një sistemi gjyqësor efektiv dhe të drejtë? A duhet politikanët tanë ta vlerësojnë dhe të nxisin lirinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor?A janë të kyqur ekspertët vendor në sistemin për të hetuar dhe gjykuar krime?A duhet gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë të zëvendësohen me gjykatësit dhe prokurorët vendorë?Deri kurrë gjykatësit vendorë do të jenë hyzmeqarë të ndërkombëtarëve?

Siç na është e njohur, kur UNMIK- hyri në Kosovë, ajo u përball me detyrën e vështirë të rikrijimit të strukturës gjyqësore. Sistemi i mëparshëm,duke përfshirë personelin, pajisjet e gjyqit, dosjet, dhe arkivat, thuajse u morën tërësisht nga forcat militare serbe. Shumica e shqiptarëve nuk ishin lejuar të punonin në administratën civile gjatë periudhës së Milosheviçit, kështu që atyre me arësye u mungoi eksperienca profesionale.Prandaj,në këtë kontekst është e nevojshme edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.Por, tashmë, pas katër vitesh Kosova nuk bën të trajtohet si një ''foshnje në pelena''.Ajo tashmë ka filluar të ecën me këmbët e veta drejtë rrugës së realizimit të aspiratave shekullore. Ekspertët vendor e kanë dëshmuar veten se janë të aftë dhe t'i marrin përgjegjësitë dhe kompetencat nga ndërkombëtarët.

Pavarësisht se çfarë do të bisedohet në Selanik, Kosova duhet ta ketë një sistem gjyqësor autonom, dhe ky sistem do duhet të jetë i fortë dhe i pavarur. Ende mbetet shumë për të bërë që të arrihet ky synim. Sistemit të tanishëm i mungon aftësia e plotë për të hetuar dhe gjykuar krimet në mënyrë efektive. Për më tepër, shfrytëzimi i gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë nuk duhet të zëvendësojë aftësimin - përmes trajnimit dhe udhëzimit - e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë. Mostrajtimi efektiv i problemeve aktuale të këtij sistemi do të pengojë zhvillimin e Kosovës në një shoqëri normale.

Të gjithë pajtohemi, se duhet të rritet besimi dhe respekti i kosovarëve për ligjin. Aktualisht, qytetarët kanë pak besim në institucionet e drejtësisë. Shumëkush beson se gjykatësit dhe prokurorët janë të korruptuar, bëjnë gjykime të politizuara, dhe se disa nga ata që kanë ushtruar praktika diskriminuese janë ende pjesëtarë në këtë sistem.Mirëpo,për çudi këto akuza ende nuk po shqyrtohen nga autoritetet e UNMUK-ut.Pse tolerohet kjo situatë nga ndërkombëtarët?

Politikanët vendor dhe udhëheqësit e shoqërisë civile duhet të vlerësojnë rolin që luan në shoqërinë demokratike një sistem gjyqësor i pavarur. Departamenti i Drejtësisë duhet të përpiqet dhe të bëjë të qartë se askush nuk është mbi ligjin. Filozofia – ''të kërkosh prej të tjerëve të respoktosh ligjin,e vetën t'a përjashtosh nga kjo kërkesë'' është cinike dhe e papërgjegjshme.Prandaj, Suksesi i UNMIK-ut në ndërtimin e shoqërisë kosovare do të varet edhe nga këto përpjekje.

Në Kosovë shpeshherë, në mënyrë jokritike i imitojmë modelet dhe njohuritë juridike të huaja,ndërsa i anashkalojmë specifitetet e rrethit,në të cilën jetojmë,i përbuzim iniciativat e ekspertëve vendorë.Kjo mendësi juridike duhet sa më shpejtë të tejkalohet.Pra, pa kyqjen e drejtrpëdrejtë të ekspertëve vendorë, të ardhme të mirë për Kosovën nuk do të ketë.Vëtëm në këtë mënyrë do të kultivohet respekti dhe besimi i kosovarëve tek sistemi i drejtësisë.Maskat duhet hequr njëherë e përgjithmonë.

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002