|
E shtunë 23.02.02

Iniciativat që po ndërmerren kohëve të fundit
nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendore,në lidhje
me organizimin e tribunave dhe seminareve një(dy)ditore,për
përvojat e jetës parlamentare të disa shteteve që
kanë kaluar fazën fillestare të tranzicionit,kur
po publikohen të dhënat nga OSBE-ja mbi zbulimin dhe mënyrën
e shpenzimeve të mjeteve financiare të subjekteve politike
të zgjedhjeve 17 Nëntorit të vitit të kaluar,
tregojnë shenjat e para të pjekurisë profesionale,të
vetëndërgjegjsimit të kuadrove, dhe se klasa politike
kosovare ka filluar të kuptoj se tani është koha
të vetëdijësohet,të profilizohet dhe të
jetë kundruall elektoratit transparent dhe më funkcional.
Popullata kosovare i përshëndet deklaratat e disa politikanëve
tanë të cilët prononcohen se shoqëria kosovare
nuk është në krizë,mirëpo kur jipen këso
lloj deklaratash,ata së pari duhet të jenë në
gjendje të dëshmojnë se janë administrator të
aftë dhe njerëz me vizion që shohin më larg
se përkatësia e tyre partiake dhe të kenë parasysh
se çfarë sakrificash u deshën për Kosovën
për të arritur deri këtu. Qëndrimi i piktorit
të mirënjohur Van Gog i cili thekson:''se disa njerëz
mbajnë votër të madhe në shpirtin e tyre,por
kurrë nuk vjen kush për t'u ngrohur në të''
është shumë domethënëse dhe aluduese për
elitën e partive tona politike.
Ne të gjithë e dijmë,se e kemi mjaft të kufizuar
mandatin për të qeverisur në mënyrë sa
më të plotë në bazë të Kornizës
Kushtetuese e aprovuar në maj të vitit të kaluar.Megjithatë,
krerët tanë politik duhet të shfrytëzojnë
me mençuri boshllëqet dhe paqartësitë ligjore
si dhe karakterin e paqartë dhe të hapur të rezolutës
1244 që rregullon administrimin aktual të Kosovës.
Në fund të fundit, urtesia politike, patriotizmi dhe mosharrimi
i historisë së kaluar të Kosovës kërkohet
sot nga politikanët kosovare për të shkuar drejt
destinacionit final të pavarësisë.
Duke u ndërlidhur me qëndrimin që dha para disa
ditësh për opinion kyeadministratori i Kosovës Mihael
Shtajner,se qorrsokaku në të cilin ndodhet procesi politik
i institucioneve të Kosovës nuk mund të vazhdojë,se
formimi i qeverisë së Kosovës dhe zgjedhja e kryetarit
të saj nuk janë detyra të lehta,se stërgjatja
e procesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës
nuk duhet dramatizuar,se koha po kalon në mënyrë
maramendëse dhe duke shtuar në fund se nuk ka shoqëri
funksionale dhe nuk mund të gjendet askund një shoqëri
e tillë pa qeveri funksionale dhe të qëndrueshme.Këto
qëndrime të tija,na shtyejnë të vetëdijësohemi
dhe pozitivisht na provokon të gjithë neve,se Kosova ka
mundësi,ka potencial dhe kuadro të mjaftueshme për
t'u qeverisur në mënyrë të përgjegjshme
dhe profesionale.
Cilat jane përparësitë tona dhe si duhet të
profilizohemi përballë shuttle-diplomacisë të
qendrave të vendosjes ndërkombëtare? Nëse bëhet
një analizë e mirrëfilltë do të shihej
çartë se këtu në Kosovë e kemi një
kompaktësi dhe koherencë të madhe midis popullsisë
së këtushme krahasuar me hapsirat tjera të rajonit.Zgjedhjet
lokale dhe parlamentare kanë qenë të rregullta dhe
kanë pasqyruar vullnetin e vërtetë të votuesve,ku
si pasojë ka dalë edhe legjitimiteti i klasës politike,
që tash duhet të demonstroj qasje kooperuese e jo konfliktuese.Prania
e administratës ndërkombëtare në Kosovë
ushtron ndikim pozitiv në krijimin e strukturave profesionale
në administrim dhe drejtim duke përfituar nga përvoja
perëndimore.Kjo më së miri tregon fakti se tashmë
KFOR-i dhe UNMIK-u kanë pranuar propozimin e komandantit, Agim
Çeku, që pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse
të Kosovës të kenë grada, që do të
merren sipas parimeve të ngjashme me ato në Shërbimin
Policor të Kosovës.Por,edhe inkuadrimi i etniteteve, pra,
kroatëve, ashkalive,egjiptianëve, turqve dhe së fundi
edhe serbëve në radhët e TMK-së, tregon se tashmë
ka filluar të kuptohet reliteti i ri në Kosovë,se
institucionet shtetërore vendore po ndërtohen dhe po profesionalizohen
në harmoni me standardet e shteteve perëndimore.
Po të mirret parasysh eksperienca e bashkëkombasve tanë
që kanë qëndruar në shtetet perëndimore
brenda dy dekadave të fundit, dhe siç na është
e njohur, si rrjedhim kanë adaptuar një mentalitet të
menduari dhe të punuari më të përparuar në
krahasim me pjestarët e komuniteteve tjera,ku shumica prej
tyre kanë pasur mbështetjen dhe përkrahjen e ish
struktuarve serbo shtetrore-policore, kjo ekspriencë e brendshme
e kuadrove dhe ajo e diasporës duhet të plotësohen
njera me tjetrën,me qëllim që të tejkalohen
rreziqet gjatë ndërtimit të institucioneve shtetërore
vendore.Secili prej nesh në Kosovë duhet të kemi
qëndrim burimor vetanak,pa qenë dorë e zgjatur e
askujt,dhe vetëm në këtë mënyrë do
të arrihet mbarvajtaja e procesit politik.Krerët politik
me më përvojë duhet të tregojnë mirëkuptim,të
jenë largpamës dhe të shprehin gatishmëri për
konsensus ndaj kundërshtarëve tjerë politikë.Por,e
mira do të ishte që tre forcat kryesore politike të
Kosoves të qeverisin në bllok të paktën për
këtë mandat të parë. Megjithatë,duhet të
kemi kujdes se nuk përjashtohen ''intrigat dhe prapaskenat''
e kancelarive perëndimore prosllave për të futur
disa serbë me prapavijë të dyshimtë politike
në qeveri për ti dhënë një dekor multietnik
administratës së re kosovare dhe të krijohet një
imazh i rrejshëm se gjoja tashmë i kemi njerëzit
e moderuar që do të dëshironin të bashkëpunojnë
me trabantët e Beogradit.
Sidoqoftë, popullata kosovare gjer më tani,me pjesëmarrjen
dhe përgjegjësinë ndaj zgjedhjeve lokale dhe atyre
qendrore ka treguar një shenjë të pjekurisë
politike,se lirinë dhe demokracinë e ka në shpirt,ku
ende është duke pritur që kjo pjekuri të shkrihet
në formësimin dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore.Kjo
është një faktor i cili duhet të nxit dhe të
rrit përgjegjësinë e secilit prej nesh.Ndërtimi
i institucioneve nuk krijohet e as nuk aplikohet vetëm në
aktet solemne dhe protokolare, as në dëshirën e përfaqësuesve
të grupeve politike, por për më tepër në
përgjegjësinë individuale, profesionale dhe përgjegjësinë
e përbashkët të të gjithë partive politike
të cilët duhet ta rrespektojnë vullnetin e elektoratit.
Në përgjithësi, një shoqëri e cila synon
kah ndërtimi i institucionve të veta shtetërore,
të arrijë mirëqenien ekonomike,sociale dhe politike,
t'i jetësojë dhe t'i rrespektojë të drejtat
themelore të njeriut, quhet në fakt edhe shoqëri
demokratike.
Prandaj, krerët tanë politikë duhet ta kuptojnë
thelbin e zanatit të tyre ,se politika është realitet
dinamik që nënkupton pjesëmarrjen e të gjithë
faktorëve (ekspertëve) në formimin dhe strukturimin
e tyre. Me votën e tyre, qytetarët e Kosovës kanë
vendosur për dy gjëra: për veten dhe për fatin
e Kosovës. Duke u nisur nga ky ideal, zgjedhjet paraqesin përgjegjësi,
"obligim" të shenjtë dhe moral të çdo
qytetari në pjesëmarrjen e zgjedhjeve. Në këtë
vështrim të gjerë,për momentin ia vlenë
barra qeranë që konceptet tona politike të jenë
transparente,të kenë përmbajtje të begatshme
por edhe të jenë të kapshme për opinionin.
Politika duhet të kuptohet si teori, si fuqi dhe si art apo
shkencë,por të mos harrohet se ajo parasëgjithash
në vehte ngërthen edhe përgjegjësinë morale
dhe kombëtare të krerëve tanë politikë.Autoritetet
ndërkombëtare janë fokusuar dhe po aludojnë
në atë, se duhet ta kemi parasysh, se votimet nuk paraqesin
kulminimin e demokracisë, por procesin e nevojshëm drejt
ndërtimit dhe demokratizimit të shoqërisë kosovare.
Kështu, votimet në rend të parë janë proces,
mësim dhe përpjekje e përhershme për realizimin
e të mirës së përbashkët shoqërore
e kombëtare.Këtë dimension duhet ta kenë parasysh
partitë tona politike, me qëllim që në të
ardhmen të mos befasohen me rezultatet e zgjedhjeve.Filozofia
''hyp e zhdryp shkallëve'' nuk është aq e preferueshme
për momentin. Fazat dhe proceset politike nuk janë të
mbylluara, por të hapura,për çka edhe duhet të
ulemi në "sofrën kombëtare", në mënyrë
që secili lirisht t'i shpreh mendimet dhe qëndrimet e
vata. Prandaj, mendësia dhe përgjegjësia individuale
e secilit prej nesh ndodhet para sprovës historike kombëtare
dhe asaj ndërkombëtare. Përndryshe, nëse vazhdohet
me fjalorin e sintagmave politike ekskluziviste atëherë
do të jemi peng i paragjykimeve tona.Këtë as vendorët
dhe as ndërkombëtarët nuk e dëshirojnë.
|