PËR NJË KONCEPT TË RI TË PRAKTIKËS GJYQËSORE NË KOSOVË

E mërkurë 03.12.03
Respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit është bazë e një shoqërie demokratike dhe paraqet një kornizë të qartë të trajtimit të njeriut.Prandaj, me të drejtë autoritetet vendore e përkrahin kërkesën e Qeverisë për shpallje të pavlefshme të 53 ligjeve diskriminuese serbe të cilat ende zbatohen në Kosovë.Derisa sistemi ligjor bazohet në dy rrafshe as që mund të flasim për një gjyqësi efikase dhe kulturë të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Sistemi ligjor është një nga institucionet më kritike në Kosovë.Autoritetet vendore tashmë e kanë kuptuar, se sistemit ligjor i nevojitet një intervenim kirurgjik, me qëllim që të eliminohet fizikisht kanceri normativ-ligjet diskriminuese serbe. Situata vazhdimisht po ndryshon në Kosovë,por, tash është e papranueshme edhe më tej të tolerohet zbatueshmëria e ligjeve diskriminuese serbe. Kuvendi i Kosovës ka për detyrë që të krijoj sistemin ligjor,e cila do të veproj në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë nuk po ndërmarrin hapa pozitivë për të krijuar politika të reja dhe sofistikuese në fushën e shërbimeve të inteligjencës dhe të hetuesisë së pavarur.Atentati i fundit tragjik në magjistralën afër Raushiqit të Pejës ndaj pjestarëve të SHPK-së është një indikacion se policia vendore është në gjurmë të kryesve të veprave më të rënda penale.

Në këtë kontekst, nëse policia kosovare sulmohet për shkak se po zhvillon hetimet për krimet dhe strategjia e eliminimit fizik të hetuesëve vendor tregon,se në Kosovë duhet të krijohen çasje dhe praktika të reja gjyqësore.A duhet shoqëria kosovare t'i adoptoj dhe t'i përhapi novacionet gjyqësore?A duhet të krijohet një koncept i ri i praktikës gjyqësore?

Derisa plotësisht nuk barten kompetencat e UNMIK-ut tek vendoret do të jetë gjithmonë aktuale çështja e ndarjes së përgjegjësisë ndërmjet ndërkombëtarëve dhe vendorëve.Kjo situatë ndryshe mund të përceptohet si një ''teori e ndarjes së tregut'', që në fakt ,edhe është duke na lënë shumë pyetje pa dhënë përgjegje?!

Teoria e ndarjes së tregut është një shembull i praktikave të reja në gjykata të disa shteteve perëndimore: Në fillim është një gjykatë që pranon një praktikë apo rregull ligjor dhe këto të fundit më pas transmetohen dhe pranohen nga gjykatat e tjera.Një novacion mund të përkufizohet si një praktikë ose rregull e re,përhapja si proces nëpërmjet të cilit një novacion komunikohet në gjykatat e tjera dhe pranohet nga ato,ndërsa novatorizmin si procesin tërësor të pranimit fillestar dhe përhapjes.Pse mungon novatorizmi në sistemin gjyqësor kosovar?

Novatorizmi në sistemin gjyqësor kosovar duhet të akceptohet si një fenomen i ri, ku të gjithë qytetarët do të kenë dobi,do të kenë çasje të pashmangshme në punën e gjykatave.Tashmë, Kosova e ka krijuar një doktrinë gjyqësore kosovare,nëpërmjet dy ligjeve: KODI I PËRKOHSHËM PENAL I KOSOVËS dhe KODI I PËRKOHSHËM I PROCEDURES PENALE I KOSOVËS, të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 prill të 2004.

Doktrina gjyqësore kosovare duhet ta ketë për synim themelimin e rregullave ligjore që mund të influencojnë jo vetëm çështjet e ardhshme të gjykatave por edhe praktikat e legjislaturës dhe të degës ekzetkutive,si dhe veprimtarinë e njerëzve dhe institucioneve jashtë qeverisë.Në një farë mënyrë,kjo doktrinë do të duhej të përmbante thelbin e ndërtimit të politikës gjyqësore; për këtë arësye është më se e nevojshme që të informohen qytetarët e Kosovës për këto dy ligje kapitale.

Prandaj,me Parimin e ligjshmërisë,zbatimin e ligjit më të favorshëm, sanksionet penale,veprat penale dhe përgjregjësia penale si dhe shumë rregulla të procedurës penale të cilat janë të paraparë me ligjet e përmendura duhet të informohet opinioni i gjërë kosovar.Për këto çështje qytetarët e Kosovës duhet të njoftohen në mënyre të plotë dhe me kohë.Përndryshe, është rrezik që konfuzioni të bëhet stil i shoqërisë kosovare.

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002