KUR KËNAQEMI NË MUAJIN E KARNAVALEVE

  E shtunë 09.02.02

I vetmi institucion që është konstituar në Kosovë është Parlamenti dhe zgjedhja e kryeparlamentarit Z.Nexhat Dacit.Prandaj, falë mirëkuptimit dhe respektit ndaj këtij institucioni vendor,komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës gjeneralljetnant Agim Çeku dhe koloneli Sheremet Ahmeti si përfaqsues i Shërbimit Policor të Kosovës,para disa ditësh në mënyrë dinjitoze janë pozicionuar kundruall këtij institucioni.Përkundër faktit se disa organe vendore janë nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare,në takimin zyrtar të këtyre tre autoriteteve vendore është konfirmuar se të gjitha vendimet që do të nxjerrën në të ardhmen në Parlamentin e Kosovës do ta kenë përkrahjen e njëri tjetrit.Ndonëse, Kosova këtyre ditëve është në qendër të vëmendjes të bashkësisë ndërkombëtare,kjo vëmendje e tyre është edhe si pasojë e incidentit që ka ndodhur në Bruksel.Ky icident ka ndikuar shumë në prishjen e imazhit të Shqipërisë, ku pothuajse të gjithë liderët politik shqiptarë kishin ndjekur në heshtje kritikat e ashpra të deputetëve europianë.

Fakti se në Shqipëri ishte tronditur fort besimi tek politika, se ishte luhatur stabiliteti politik,se ekziston korrupsioni në masa shqetësuese,se ekziston një situatë shumë e vështirë ekonomike.Dhe mbi të gjitha, është shumë karakteristike dhe dalluese,se politikanët shqiptarë shtegëtojnë nga një takim në tjetrin,prej dhjetë vitesh me të njejtin fjalor dhe të njejtat ide politike. Kjo situatë e hidhur në një anë është reflektuar domosdoshmërisht edhe në Kosovë,por në anën tjetër qendrat e vendosjes ndërkombëtare këtë rast e shfrytëzuan si rast të volitshëm,për të tërhequr paralelizmat me Kosovën, se gjoja qenka në pyetje kryeneqësia politike brenda përbrenda faktorit shqiptar, se për nga natyra kemi predispozita konfliktuese, se gjithmonë e nëpërkëmbim njëri tjetrin.Pra, apostrofohet në atë se kemi të bëjmë me një mentalitet tipik mesjetar të kohës së bajraktarizmave.

Në prizmën e këtyre ngjarjeve edhe partitë tona politike në Kosovë duhet të ripozicionohen dhe ta ndryshojnë aktivitetin e tyre,duke u profilizuar karshi autoriteteve ndërkombëtare, si partner serioz dhe të barabartë,që nuk pranojnë asnjë diktat politik, që eventualisht do të servohet nga jashtë.Por, gjithashtu edhe popullata iu falenderohet bashkësisë ndërkombëtare për ndihmen që iu ipet Kosovës në përgjithësi.

A është në pyetje papjekuria dhe moseksperienca jonë politike?!Me sjelljet e liderëve politik a i vemë në rrezik interesat tona nacionale?Kush dhe në ç´mënyrë do ti mbërojë këto interesa?!
Homogjenizimi i popullatës që po paraqitet këtyre ditëve në Kosovë është një përgjigje spontane dhe e kuptueshme.Kjo protestë që po bëhet,për shk?k të arrestimit të pjesëtarëve të TMK-së,për ndërkombëtarët është diçka e pritur dhe e zakonshme,mirëpo popullata këtë e përjeton si një rivetëdijësim kombëtar. Ndërkombëtarët duhet ta kuptojnë faktin se te popullata kosovare është lartësuar dhe ngulitur vetëdija për të qenë zot i vetëvetës, e kjo arrihet vetëm nëse mbrohen vlerat e luftës çlirimtare të ish UÇK-së dhe tani të pjesëtarëve të TMK-së.

Duhet t´iu përkujtojmë këtyre zotërinjëve ndërkombëtar se deri para bombardimit të Serbo-Jugosllavisë Evropa nuk ishte angazhuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare,as globalisht dhe as pjesërisht,as parimisht dhe as konkretisht.Politika e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me krizën në ish-Jugosllavi,ishte përgjithësisht e paefektshme.Ajo nuk ndërmori pothuajse asgjë për ta parandaluar gjendjen e rëndë në Kosovë. Kush ¨e detyroi¨ Evropën që të fillojë ¨të merret seriozisht¨ me çështjen tonë? Të gjithë e dimë se vetëm protestat e studentëve dhe veprimet e UÇK-së dhanë një dritë dhe shpresë që Kosova përfundimisht të hynë në agjendat ndërkombëtare.

Prandaj, nëse vazhdohet me komprometimin dhe nëpërkëmbjen e pjesëtarëve të TMK-së atëherë do të rrezikohen proceset e filluara politike,për çka situata politike edhe më tej do të elektrizohej.Në këtë kontekst detyrimisht shtrohen pyetjet e caktuara para opinionit kosovar:
E para,deri kur do të vazhdojnë përpjekjet e ndërkombëtarëve për ti vetëdijësuar liderët tanë politik që të bashkëpunojnë njeri me tjetrin?
E dyta, a ka ndonjë afrim qëndrimesh dhe zgjidhjesh ndërmjet tyre?
E treta, a ekziston ndonjë shpresë se do të ketë ndonjë marrëveshje paraprake ndërmjet partive politike me të mëdha?
E katërta,çka mund të pritet në të ardhmen,nëse edhe më tej vazhdohet kjo bllokadë institucionale?!
Vallë, nuk na ka mbetur gjë tjetër, veçse të këndellëmi me emisonet pro et contra të RTK-së, apo ti bashkangjitemi karavanit të karnavaleve të shkurtit.

Asgjë nuk ka të keqe nëse këtë muaj i vejmë maskat,për tu dalluar njeri prej tjetrit.Nëse me mendime,ide dhe pikëpamje nuk pajtohemi,atëherë të paktën maskat dhe karnavalet do të na bashkonin dhe freskonin. Mos të harrojmë, se politika nuk është karnavale,si kundër politika nuk buron nga padrejtësia.Nëse insistojmë që ti masim qëndrimet me¨peshoret e argjendarëve¨ atëherë, qorrsokaku është i pashmangshëm për tërë spektrin tonë politik kosovar.

Popullata kosovare dhe e tërë diaspora shqiptare pret prej faktorëve politik që të ndërmirret një hap me kohën.Dallimet,pikëpamjet dhe këndvështrimet që ekzistojnë ndërmjet partive kryesore politike nuk guxon të peshohen në skajshmëri me të bardhën dhe të zezën,por duhet të bëhet fuzioni i tyre për hir të perspektivës së Kosovës.Mbasi jemi në tokën tonë dhe në shtëpinë tonë,partitë tona ja tash ja kurë duhet bërë një lëvizje të parë, për hir të paraardhësve dhe pasardhësve tanë. Ndërsa, observuesit e rastit dhe ata të qendrave të vendosjes ndërkombëtare le të bëjnë sehir me ne, se kosovarët nuk kanë nevojë për maska të çfarëdo lloji. Sidoqoftë, ndoshta mund edhe të keqkuptohemi prej tyre- se muaji i shkurtit është edhe muaji i kungujve të zier, specialitet tradicional i këtyre trevave, që padyshim edhe ndërkombëtarët do të befasoheshin nëse do ta shijonin këtë ëmbëlsirë.Prandaj, kështu të paktën të gjithë kemi rastin të kënaqemi në muajin e karnavaleve.

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002