|
E
shtunë 26.01.02
Aktualisht
të gjithë e dimë se në Kosovë e kemi një
protektorat ndërkombëtar, ku pushtetin efektiv de facto
e kanë ndërkombëtarët, që zgjedhjet nacionale
u zhvilluan me sukses dhe ishin të lira, të drejta dhe
si rezultat i këtyre zgjedhjeve kemi përfaqësuesit
qendror, ku tashmë e kemi të konstituar Parlamentin e
Kosovës.Por, pas nje vakumi institucional,më në fund
është emruar edhe kryeadministratori i ri Kosovës
diplomati gjerman Mihael Shtajner (Michael Steiner). Në kohën
kur kompetencat e ndërkombëtarëve duhet kaluar në
duart e institucioneve qendrore, duke pritur pa durim, se liderët
tanë politik sa më shpejtë do të merren vesh
dhe të formohen institucionet demokratike aq të pritura
.Këta përfaqësues sa do të jenë të
suksesshëm në kryerjen e detyrave të tyre mvaret
prej asaj se nga cili kënd i vështrojnë hallet dhe
dertet, nga interesi i ngusht partiak apo më gjërë,do
të shohim. Vallë si do të zbatohet parimi i bashkëqeverisjes?!
Me çka justifikohet mbajtja peng e Parlamentit të Kosovës?!Kush
e ka çelsin për zhbllokimin e e këtyre proceseve
politike? Ata që nuk janë të kyqur askund "merakosen"
për njërin ose tjetrin krah politik. Besa, nuk është
lehtë!
Në këto rrethana nuk është me randësi
forma, me rëndësi është të lind një
koncept i ri faktori X; diçka që është me
përmbajtje dhe në këtë bllokadë të
proceseve politike t'i ndryshojmë botëkuptimet tona për
vetëvehten, para se të na ndryshojnë ndërkombëtarët.
Bartësit e faktorëve politik kanë nevojë për
diçka që është dinamike, e mëvehtësishme,e
jo t'i huazojnë kuturu klishetë e tejkaluara të disa
këshilldhënësve nolstalgjik,të cilët tashmë
janë të konsumuar profesionalisht dhe moralisht. Fakt
është se tërë ai aparat ndërkombëtarë
është arqitekt dhe projektues në një anë,ku
para disa ditësh,në një konference për shtyp
edhe vërejtjet e shefit të Misionit Gjerman,ambasadorit
Mihajl Shmunk drejtuar liderëve tanë politik sinjalizojnë
se kah po fryejne erërat.Por mos të harrohet, se në
anën tjetër materiali pa të cilën nuk mund të
bëjnë asgjë ndërkombëtarët,gjindet
në substancën tonë kombëtare.
Poenta qëndron në atë se si të ç´bllokohet
procesi i ndërtimit të institucioneve qeverisëse,si
të implementohen ato projekte,ide, premtime që janë
dhënë elektoratit nga ana faktorëve politik të
zgjedhur.A duhet ta hargjojmë energjinë duke i përdorur
frazat politike dhe idetë romantike?! Koha kalon në mënyrë
maramendëse,çdo gjë është në lëvizje,në
zhvillim e në transformim të përhershëm dhe
të pandalshëm.Asgjë nuk qëndron statike, asgjë
nuk është absolute,asgjë nuk është ideale
dhe e përkryer, asgjë nuk ka të dhënë njëherë
e përgjithmonë prandaj edhe shoqëria kosovare gërshetohet
me të kaluarën,të tashmen dhe me të ardhmen.
Në këto rrethana të reja vërehen disa procese
integruese dhe dezintegruese, ku gërshetohen njera me tjetrën,
krijohet njëfarë interakcioni racional ose iracional në
mes tyre. Bashkimi bën fuqinë- thotë fjala e urtë
popullore.Por bashkimi bëhet nga shkaqe,interesa dhe rrethana
të caktuara objektive dhe subjektive të indvidëve,faktorëve
vendor politik dhe atyre të huaj ndërkombëtar.Ky
integrim po nga rrethana e shkaqe të caktuara përmbrenda
saj riprodhon dezintegrimin-ndarjen. Mirëpo, për fat të
mirë ende egzistojnë njerëz që e kuptojnë
kauzën e njëmendësisë së re që tashmë
ka lindur,ku secili duhet të angazhohet në atë drejtim
ku energjia të fokusohet në drejtim të filozofisë
bashkëqeverisëse dhe natyrisht duke u respektuar parimet
demokratike.
Mënyra se si bëhet prezentimi i qëndrimeve, opcioneve
nga ana e faktorëve politik vendor dhe ndërkombëtar,
tregon qartë një tendencë serioze të veprimit
të tyre dhe në këto rrethana me qëllim apo pa
të krijohet një konkurencë ndërmjet tyre.Strukturat
politike vendore duhet të përfshihen në një
proces të gjithanshëm njohjeje të zhvillimeve politike
dhe të zotërimit të shprehive si:kompromisi,dialogu,toleranca,konsensusi,përshtatja
me situata dhe rrethana të reja,etj...
Pozicioni i këshilltarëve politik duhet të karakterizohet
nga një shkallë e lartë dialogimi dhe kompromisesh.Ndikimi
i ngjarjeve të paparashikuara parashtron nevojën e domosdoshme
që partitë politike të konsultohen me persona profesionistë
të lamive të ndryshme.Shkalla e nuhatjes politike të
faktorëve politik do të mvaret prej asaj se sa janë
të kyqur ekspertët vendor në fazën fillestare
të përgaditjes së materialeve që do të
shqyrtohen nga Parlamenti i Kosovës.
Elektorati prej faktorëve politik pret energji pozitive e
jo konfliktuese.Po që se nuk respektohen rregullat më
minimale të lojës dhe të ndërveprimit politik,atëherë
nuk duhet të çuditemi kur na tërheqin vërejtjen
ndërkombëtarët me punën joefikase të liderëve
tanë politik. Koha e pallavrave, muhabeteve ,thashethemeve
ka kaluar.Mungesa e qeverisjes efektive ,indiferenca ndaj të
drejtave dhe përgjegjësive të tyre qytetare,mospjesmarrja
e kuadrove profesionale në mënyrë aktive në
jetën politike,zgjidhja formale propagandistike dhe jo strukturore
e çështjeve qëndrore do të jenë faktorë
dhe gjeneratorë që do të rrezikonin realizimin e
atyre qëllimeve madhore që i janë premtuar elektoratit.
Forcat kreative intelektuale si pikësynim e kanë të
sensibilizojnë dhe të përkrahin ndërtimin e
një shoqërie demokratike pluraliste, ku do të mbizotërojë
ligji, liria e individit, inisiativa e lirë dhe respektimi
i të drejatave të njeriut në përputhje me standardet
ndërkombëtare. Zgjedhjet qendrore mbaruan me faqe të
bardhë, ndërkombëtarët u fascinuan dhe na lavdëruan.Tani
koha është t'i respektojmë dhe t'iu nënshtrohemi
rregullave të lojës.Askush nuk ka të drejtë
të monopolizojë skenën shoqërore-politike.Të
gjithë jemi lojtarë,nuk ka askush të drejtë
të luaj vetëm në fushë sporti. Referimi i mirëfilltë
është i mundshëm vetëm nëse respektohen
rregullat, ndërsa mediat elektronike le të masin pulsin
e këtyre proceseve politike.
Atmosfera në këtë hapsirë shoqërore dhe
politike të Kosovës, të shprehem hipotetikisht është
si një konglomerat, ku retorika e ndërkombëtarëve
dhe e përfaqësuesve të partive politike në disa
segmente ka filluar të bëhet më e drejtëpërdrejtë.
A do të paraqitemi më shumë si subjekte me synime
teorike, politike, religjioze,estetike,filozofike, ekonomike apo
sociale do të mvaret prej asaj se a do të pranojmë
t'i filtrojmë kokat tona apo të sillemi në rreth..Sa
xhiro i kemi bërë në sheshet tona nuk do të
ketë rëndësi, me rëndësi është
se reputacionin Kosovës do t'ja rrikthejnë vetëm
njerëzit vullnetmirë të lidhur me parime konstruktive
e jo me persona të caktuar.Jemi ngopur me fjalime.Tash është
koha të mbahen fjalët.
|