DHUNA NË FAMILJEN DHE SHOQËRINË KOSOVARE

E hënë 29.09.03
Po të bëhet një anketë anonime e grave dhe fëmijëve kosovar në lidhje me dhunën në familje,të dhënat që do të përmblidhëshin mesiguri do të dokumentonin se në familjet tona dhuna është prezente,e fshehur dhe viktimat janë të izoluar.A i ndalon krimi i fshehur gratë dhe fëmijët që të kyqen në rrjedhat e shoqërisë kosovare? A martohen vajzat kosovare me shpresën për një jetë më të mirë apo ato gjejnë veten pre e kurthit me burra të dhunshëm që i rrahin,i përdhunojnë,torturojnë,i kërcnojnë në forma të ndryshme?

Shumë martesa që janë lidhur pas lufte,që fillonin të lumtura,shumë shpejtë ato janë duke u kthyer të dhunshme,ku sipas perceptimeve të bashkëshortëve,gratë kanë dështuar diku në përmbushjen e detyrimeve ndaj burrave të tyre dhe pikërisht këtu abuzimi fillon.Shumë burra kosovar nuk i vlerësojnë gratë.Ata i shohin gratë si shërbëtore të cilat duhet të përkujdesen vetëm për fëmijët,për shtëpinë,të kryejnë të gjitha punët dhe të bëjnë lepe-peke vjehërrave dhe kunatave.

Dhuna në familje paraqitet në shumë forma- nga poshtrimi,fjalët fyese e deri tek marëdhëniet seksuale me forcë,tërheqja e flokëve,rrahje me grushta,plagosje me mjete të ndryshme.Pra, dhuna në familje dëmton rëndë edhe fëmijet po aq sa dhe gratë. Studimet tregojnë se fëmijet që kanë pësuar dhunë ose që kanë qenë dëshmitarë të dhunës midis prindërve shfaqin probleme emocionale të sjelljes. Ata kanë më pak shokë dhe marrin më pak pjesë në aktivitetet e organizuara jashtë shtëpisë së tyre. Ata mund të adaptojne sjelljet e te rriturve duke dashur të mbrojnë nënat e tyre, ose mund të kenë sjellje agresive.
Të dhënat e plota zyrtare nga autoritetet vendore mungojnë, raportet e mbledhura nga disa organizata joqeveritare aty këtu tregojnë që, dhuna në familje ka pësuar një rritje gjatë ketyre viteve të pasluftës. Në kushtet e një papunësie të madhe, burrat ndjehen të pamundur në përpjekjet e tyre për të siguruar bukën e gojes për familjen. Problemet aktuale të shoqërise kosovare kanë zbehur rolin tradicional të burrit për të mbajtur familjen dhe kane minimizuar rolin tradicional të barazisë gjinore duke mos krijuar asnjë hapësirë për formimin e sjelljeve pozitive ndaj ketij fenomeni.
Duke marrë parasysh pasojat e luftës dhe prezencën e ndërkombëtarëve gratë kosovare dhunën e shohin si një problem social që buron nga një shoqëri që po zhvillohet duke u kapur midis traditës dhe modernes.Mirëpo, në Kosovë është prezente edhe një dukuri që fare nuk po trajtohetet nga autoritet vendore në lidhje me fëmijët me aftësi të kufizuara. Ku ndodhen dhe si trajtohen fëmijët me aftësi të kufizuara? Cilët janë problemet e fëmijëve me aftësi të kufizuara?
Fëmijët me aftësi të kufizuara janë të padukshëm. Në kuptimin që shoqëria i njeh dhe i sheh pak për shkak se prindërit i mbajnë larg këta fëmijë nga sytë e botës. Edhe kur janë në moshë për punë (dhe pse mund të bëjnë punë të caktuara) rrallë të takon të shohësh punonjës me aftësi të kufizuara në Kosovë. Askujt nuk i pëlqen të shohë në rrugë një “ngërdheshje patologjike” të një personi me aftësi të kufizuara dhe njerëzit zakonisht këtyre personave u largohen sikur të kishin ndonjë smundje të rëndë infektive. Është krijuar një përshtypje gjoja se familjet kosovare parapëlqejnë etiketimin “i sëmurë” për njerëzit me aftësi të kufizuara, duke iu afruar atyre shërbim brenda familjes por duke i fshehur ose përjashtuar nga jeta normale për t’i shpëtuar frikës së të qenit “pikë diskriminimi dhe talljeje”.
Janë të paktë fëmijët me të meta fizike që shkojnë në shkolla ose që mund të shihen në rrugë. Kësisoj ata bëjnë një jetë të izoluar. Këta fëmijë duket se i pret një e ardhme e vetmuar dhe ndonjëherë e frikshme.Daçit ta pranojmë apo jo-ata në fakt janë viktimë e dhunes familjare në një anë dhe e rrethit shoqëror në anën tjetër. Rekomandimet e specialistëve në shtetet perëndomore sugjerojnë që shkollat të përpiqen të ofrojnë shkollim në shtëpi për këta fëmijë. Kështu, për shembull fëmijët e verbër (të cilët në shumë raste kanë edhe probleme mendore) shumica prej tyre nuk shkojnë në shkollë.
Prindërit duhet të organizohen dhe t'ju drejtohen autoriteteve vendore dhe donaonatorëve që të mendojnë për mënyra origjinale duke përodrur teknologji moderne për shërbime të decentralizuara e të arritshme që fëmijët në nevojë të ndihmohen në shtëpi, në spitale ose në mjediset e tyre “të mbyllura”. Ka shumë fëmijë “të padukshëm” të cilët nuk kanë pse të rrinë të mbyllur; ata kanë nevojë për shërbime të veçanta. Ata kanë nevojë për mirëkuptim dhe përkujdesje. E ardhmja e këtyre fëmijëve me aftësi të kufizuara është mjaft problematike.
Shqetësimi më i madh i prindërve është e ardhmja e fëmijëve të tyre. Kush do të kujdeset më vonë për ta? Nëse secili prej nesh t'i ndajmë paratë anash vetëm një ditë që i harxhojmë për një pako cigare këtyre familjeve do t'ju zgjidhej problemi dhe këta fëmijë do të kishin tretman të barabartë dhe një të ardhme të mirë në shoqërinë kosovare.

shkruan:

Valentin Batalaku
Copyright www.agimi.com 2002