|
Reagim i intelektulëve shqiptarë ndaj përpjekjeve
për ta bërë Nënën Tereze "maqedonase"
Tiranë, Prishtinë, 14 korrik - Një grup intelektualësh
shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare u kanë drejtuar
një letër të hapur zotit Alfred Moisiu, President
i Republikës së Shqipërisë, Prof. Ylli Popa,
kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
zonjës Arta Dade, ministre e Kulturës, Rinisë dhe
Sporteve të Shqipërisë dhe zotit Edi Rama, kryetar
i Bashkisë së Tiranës, me të cilën kërkojnë
që në Tiranë të ngrihet një monument për
Nënën Tereze. Poashtu ata reagojnë edhe kundër
përpjekjeve të pahijshme që bëhen për t'i
mohuar shqiptarsinë Nënës Tereze dhe mbi disa përpjekje
për ta bërë Nënën Tereze "maqedonase".
Më poshtë po japim letrën e plotë të 38
intelektualëve shqiptarë dhe emrat e tyre.
Me bindjen se shprehim shqetësimin, ndjenjën dhe dëshirën
e rretheve të gjera të bashkatdhetarëve, po Ju drejtohemi
për sa vijon:
Viti 2003 është vit gjatë të cilit në shumë
vende të botës zhvillohen ceremoni të shumta, fetare
dhe laike, në përkujtim dhe nderim të bamirëses
së madhe shqiptare, çmimit Nobel për Paqen, Nënës
Terezë,
Kjo “Bijë e zgjedhur e popullit shqiptar”, siç
e ka quajtur Papa Gjon Pali II, “kjo grua e vogël e madhe
që mbart dhe ruan brenda saj humanizmin e popullit shqiptar”
është bërë një simbol i admiruar dhe i
respektuar në shkallë botërore nga njerëz të
besimeve dhe kombësive më të ndryshme.
Ajo është një nga personalitetet më të
mëdha të kombit tonë shqiptar dhe këtij kombi
i përket e drejta dhe detyra ta nderojë denjësisht,
jo vetëm si të mbarë botës, por edhe si tonën.
I është vënë emri i saj sheshit të madh
para Universitetit të Tiranës, aeroportit ndërkombëtar
të Rinasit, kompleksit spitalor të Tiranës. Në
Kosovë i është vënë emri i saj sheshit
kryesor të Prishtinës dhe është vendosur aty
shtatorja e saj. Por Sheshi “Nënë Tereza”
në Tiranë pret ende të ngrihet aty shtatorja e saj,
sipas vendimit që është marrë.
Ne nuk e dijmë se cilat janë arsyet e vonesës, por
Ju drejtohemi Juve, me thirrjen që ngritja në Tiranë
e monumentit të Nënës Terezë të shkëputet
nga çdo qerthull burokratik, të realizohet ashtu si
i përket dhe monumenti të përurohet në festën
kombëtare të 28 Nëntorit 2003.
Një nga zgjidhjet e mundshme, me kuptim edhe simbolik, do të
ishte ndoshta që, ashtu siç u çua në Prishtinë
kopja e monumentit të Skënderbeut nga Kruja, të sillet
në Tiranë kopja e monumentit të Nënës Terezë
nga Prishtina.
Ndërkohë lexojmë në shtypin e ditëve të
fundit mbi disa përpjekje për ta bërë Nënën
Terezë “maqedonase”. Nënës Terezë
mund t’i ngrihen monumente në çdo qytet të
botës, ashtu edhe në Shkup, ku ajo ka lindur, por ajo
në asnjë mënyrë nuk mund të quhet “maqedonase”,
vetëm sepse ka lindur atje. Bijë familjeje brez pas brezi
shqiptare nga Prizreni, me të jatin veprimtar të pavarësisë
së Shqipërisë, të helmuar nga pushtuesit serbë,
me nënën dhe motrën të varrosura në Tiranë,
Nënë Tereza deklaronte në ceremoninë e marrjes
së çmimit Nobel më 10 dhjetor 1979: “Atdheu
im është Shqipëria”.
Shprehim mendimin se opinioni publik shqiptar duhej të ishte
vënë më parë në dijeni, si për përpjekjet
e pahijshme që bëhen për t’i mohuar shqiptarsinë
Nënës Terezë, ashtu dhe për ndërhyrjet
e drejta të organeve të shtetit shqiptar në Romë,
Vatikan e Shkup. I mbështesim fuqimisht këto përpjekje
dhe kërkojmë që ato të vazhdohen kudo ku duhet,
me të gjithë forcën e duhur dhe me të gjithë
argumentat e drejtë e të pakundërshtueshëm historikë,
juridikë dhe etikë.
Tiranë, 11 korrik 2003.
Me respekt:
Në rend alfabetik: Afërdita Onuzi, Ali Aliu (Shkup), Ali
Podrimja (Prishtinë), Arbër Xhaferri (Shkup), Basri Çapriqi
(Ulqin), Bashkim Hoxha (Durrës), Bashkim Kuçuku, Edit
Mihali, Fatos Arapi, Eleni Laperi, Eva Brinja, Gjergj Sinani, Hivzi
Islami (Prishtinë), Jovan Basho, Kim Mehmeti (Shkup), Koçi
Petriti, Kristaq Prifti, Lazër Stani, Leonard Zisi, Luan Mulliqi
(Prishtinë), Luljeta Lleshanaku, Mehmet Myftiu, Mirush Kabashi,
Moikom Zeqo, Natasha Lako, Nexhat Mustafa (Strugë), Pandeli
Çina, Pano Taçi, Ramiz Kelmendi (Prishtinë),
Rexhep Ismajli (Prishtinë), Romeo Gurakuqi (Shkodër),
Sherif Delvina, Shqipe Zani, Tajar Kokalari (Gjirokastër),
Tish Daija, Xhevahir Spahiu, Yllka Beçi, Zef Rakacolli. |