Pasi është bërë përmirësimi i tekstit për votëbesimin e kabinetit qeveritar

PDSH-ja nënshkruhet në interpelancën e Qeverisë të inicuar nga përkrahësit e Georgievskit

Deputetët e PDSH-së e kanë nënshkruar interpelancën e Qeverisë të përgatitur nga deputetët e VMRO-së, atëherë pasi këta të fundit e kanë përmirësuar dhe i kanë hjekur disa pjesë të tekstit ku ka pasur nacionalizma kundër shqiptarëve

Shkup, 15 shtator – Njëzet e shtatë deputetë nga partitë politike opozitare e kanë nënshkruar interpelancën e Qeverisë të inicuar nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, kryesisht nga përkrahësit e ish-kryeministrit Lu bço Georgievskit.

Në listën e emrave të deputetëve mungonte emri i kryetarit aktuale të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit dhe përkrahësve të tij konkretisht, emri i nënkryetares Ganka Samoillova dhe deputetit Sashko Kedev.

Interpelanca e Qeverisë me 27 nënshkrime të mërkurën iu është dorëzuar kryeparlamentarit Lubço Jordanovskit, me çka pritet që brenda tre ditëve, saktësisht ditën e shtunë të fillojnë diskutimet dhe pyetjet midis opozitës dhe pozitës.

Interpelancën e Qeverisë të organizuar nga opozita maqedonase e kanë mbështetur edhe pesë deputetë të opozitës shqiptare, PDSH-së.

“Gruevski nuk është në Parlament, kurse deputetëve tjerë të cilët deklarohen se janë përkrahësit e politikës së Gruevskit i kemi ofruar ditën e parë të iniciativës, mirëpo akoma si duket nuk kanë qëndrim në lidhje me interpelancën. Ata interpelancën e marrin si iniciativë të njëjtë me referendumin”, deklaroi deputeti i VMRO-së, Gjorgji Trendafillov.

Zharko Karaxhovski, deputetet i VMRO-së duke e akuzuar Qeverinë ka deklaruar se koalicioni i LSDM-së me BDI-në ka treguar qartë se kjo Qeveri nuk ka koncept për integrimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

“Si rezultat i kësaj kemi edhe falimentime të shumë fabrikave dhe protesta në rrugë. Mbi 400 mijë persona kanë mbetur të papunë. Siguria e qytetarëve çdo ditë e më tepër po rrezikohet”, ka thënë Karaxhovski.

 

Gruevski: Interpelanca e Qeverisë mund të jetë kontrareproduktive

 

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka deklaruar se është herët që të ngritet interepelanca e Qeverisë kur në nëntor të këtij viti do të votohet për referendumin e organizuar nga Todor Petrovi dhe i mbështetur nga shumë parti tjera opozitare.

“VMRO-DPMNE në princip e mbështet iniciativën për votimin e besimit të Qeverisë, por konsideron se tajmingu nuk është i përshtatshëm, pikërisht për atë se të gjitha forcat duhet t'i drejtojmë kah referendumi për ndarjen teritorriale”, është shprehur Gruevski.

Ai ka deklaruar se interpelanca e Qeverisë nuk do të ketë sukses dhe këtë iniciativë do ta mposhtin votat e shumicës së deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë.

“Përderisa në këtë periudhë hapen disa çështje për të cilët jemi të njoftuar që më parë, atëherë me shumicë votash do të bie poshtë kjo iniciativë për besimin e Qeverisë. E gjithë kjo mund të jetë kontraproduktive ndaj referendumit pasi që, vëmendja e qytetarëve do të drejtohet nga Qeveria”, tha Gruevski.

Ndërsa, tre deputetët e VMRO-DPMNE-së, Adnan Qahil, Gjorgji Palloshkovski dhe Eftim Manev të cilët llogariten si përkrahës të Gruevskit, i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre nga lista e interpelancës. Në lidhje qeverisjen dyvjeçare të koalicionit qeverisës të LSDM-së me BDI-në Gruevski ka theksuar se “dita e 15 shtatorit është e njëjtë si 11 shtatori në Amerikë”.

Me interpelancën e Qeverisë, deputetët e VMRO-së shpresojnë se do të hapen shumë çështje për të cilët ata kanë theksuar se për shkak të dinamikës së punës së Qeverisë, kanë mbetur të paprekura.

Merret vesh se deputetët e PDSH-së e kanë nënshkruar interpelancën e Qeverisë të përgatitur nga deputetët e VMRO-së, atëherë pasi këta të fundit e kanë përmirësuar dhe i kanë hjekur disa pjesë të tekstit ku ka pasur nacionalizma kundër shqiptarëve. Bëhet fjalë për pjesët ku shkruante se “qytetarët maqedonas” e cila me insistimin e grupit parlamentar është zëvendësuar me “qytetarët e Maqedonisë” dhe është larguar pjesa ku shkruan se Qeveria e Kostovit dhe LSDM-ja i ka dhënë shumë të drejta shqiptarëve.

Ndërkohë, diskutimi i interpelancës do të zhvillohet ditën e shtunë kur pritet që më së voni deri në mesnatë të votohet “pro” dhe “kundër” besimit të Qeverisë.

 

Halimi: Qeveria aktuale nga fillimi i funksionimit e ka gabuar rrugën

 

Grupi Parlamentar i PDSH-së, të mërkurën e ka nënshkruar iniciativën e deputetëve të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, për interpelancën e Qeverisë.

Iljaz Halimi, nënkryetar i PDSH-së ka deklaruar se Qeveria aktuale dhe shumica e deputetëve në Parlamentin e Maqedoni i ka prishur principet të nënshkruara më parë. “E mbështesin iniciativën për shumë arsye. Të freskëta janë rasti i Sopotit dhe rasti i Brezës ku me urdhër të Qeverisë, u burgosën dhe u vranë të rinjtë shqiptarë për të cilët deri më sot nuk ka dhënë llogari askush. Qeveria e ka prishur principin dhe ligjet për decentralizim është dashur të votohen me koncenzus e jo me marrëveshje brenda partiake”, theksoi Halimi.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës nuk e ka respektuar Marrëveshjen e Ohrit dhe ajo që iu premtua qytetarëve të Maqedonisë gjatë zgjedhjeve parlamentare është harruar nga Qeveria. Pastaj korrupsioni ka bërë që mbi 400 mijë persona të shëtiten rrugëve”, ka thënë ai. Nënkryetari i PDSH-së njëherit e ka pranuar se edhe përkundër iniciativës dhe grumbullimit të nënshkrimeve për interpelancën e Qeverisë, shumica parlamentare, kryesisht deputetët e BDI-së, LSDM-së dhe LD-së do të votojnë kundër dhe iniciativa do të mbetet e pavlefshme.

“Mjafton që me këtë interpelancë të hapen disa çështje që deri më sot nuk janë prekur”, tha Halimi.

 

Janevska: Koalicioni midis VMRO-së dhe PDSH-së më funksional se LSDM dhe BDI

 

“Pas dy viteve qeverisje të koaliciconit LSDM-BDI dhe LD, mund të konstatojmë se Maqedonia është rrezikuar në të gjitha aspektet. Vetëm para dy viteve, me këtë datë, LSDM-ja e publikoi gënjeshtrën më të madhe në historinë e Maqedonisë. Me melagomani Qeverinë e udhëheqin dy struktura të ardhura nga mali dhe nga lufta të cilët edhe bëjnë terror në mesin e qytetarëve të saj”, ka deklaruar kryetarja e partisë VMRO-Popullore, Vesna Janevska.

Sipas saj, Qeveria është duke i mashtruar qytetarët se në Maqedoni është përmirsuar situata e sigurisë.

“Qeveria vetëm se është larguar nga terrenet të cilët më herët janë quajtur rajone të krizës. Atje tashmë mbretëron atmosferë terrori ku shumë grupe të armatosura shtrojnë dhunë mbi popullatë. Akoma vazhdojnë pastrimet etnike nga shumë fshatra dhe ajo që është më e rëndësishmja, të zhvendosurit maqedonas nuk kanë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Janevska.

Duke e komentuar deklaratën e kryetarit të PDSH-së, Arbën Xhaferit që shqiptarët duhet të dalin dhe të votojnë kundër referendumit, Janevska tha se “Arbën Xhaferi ka qenë politikani më korekt ndaj koalicionit të tij, VMRO-DPMNE-së”.

Sipas kryetares së VMRO-Popullores, deklarata e Xhaferit për daljen e shqiptarëve në referendum dhe të votojnë kundër tij, dëshmon qartë se referendumi i Kongresit Botëror Maqedonas (KBM) nuk është antishqiptarë.

“Jemi mirënjohës që Xhaferi i fton shqiptarët të shprehen për referendumin. Ndërkohë, Xhaferi ishte një politikan që ka punuar në drejtim të përmirsimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Koalicioni midis PDSH-së dhe VMRO-së ka funksionuar më mirë se koalicioni i LSDM-së me BDI-në”, nënvizoi Janevska.

Ajo mes tjerash ka thënë se bashkëpunimi i partisë së saj me PDSH-në është i mirëpritur. Ndërkohë, Janevska nuk e ka komentuar deklaratën e Xhaferit se e vetmja zgjidhje e problemit të Maqedonisë, është federalizimi i saj.

shkruan:

Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com