“Dallaverat” e drejtorëve të shkollave nuk do të kenë efektet e korrupsionit
Mbi 320 mijë nxënës do të fillojnë vitin e ri në gjithsej 1040 shkolla fillore dhe të mesme nëpër tërë territorin e Maqedonisë. Numër i vogël i tyre janë furnizuar me tesktet shkollore për këtë vit të ri. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është zotuar se drejtorët e shkollave nuk do të kenë mundësi që “kokë më vete” ta përpilojnë listën e autorëve të librave me çka do të kenë përfitime personale nga shtëpitë botuese
Shkup, 31 gusht - Përkundër fillimit të vitit të ri shkollor, shumica e shtëpive botuese akoma janë të zbrasura. Ato “lëvdërohen” se janë të furnizuara me të gjitha librat shkollore mirëpo nuk po vizitohen nga prindërit dhe nxënësit të cilët duhet të fillojnë me vitin e ri shkollor.
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme akoma nuk janë furnizuar me libra. Ata presin që së pari të fillojë viti i ri shkollor dhe pastaj të marrin listën me emrat e autorëve të librave që duhet të mësojnë për këtë vit.
Prindërit thonë se në vend që në fillim të shtatorit nxënësit të fillojnë mësimet e para, dy javë do të humbin përderisa t'i kompletojnë të gjitha librat. Të revoltuar ata habiten me vonesën e qëndrimit përfundimtar të drejtorëve për shpalljen e listës me emrat e autorëve të librave.
Sipas tyre, sejcila shkollë me urdhër të drejtorit i cili është edhe personi përgjegjës për formulimin e listës së autorëve të librave, kanë lidhur bashkëpunim me ndonjë nga shtëpitë botuese dhe pa asnjë kriter ligjor e arsimor kanë nënshkruar marrëveshje në “katër sy”.
“Mendojmë se çmimet e librave janë mjaft të shtrenjta. E dyta është se akoma s'po dihet se me çfarë libra apo të cilit autorë do të mësojnë fëmijët tanë. Ministria e Arsimit duhet t'i ndalojë dhe dënojë marrëveshjet midis drejtorëve dhe shtëpive botuese. Nga e gjithë kjo vetëm fëmijët tanë humbin kurse drejtorët po fitojnë”, thonë ata.
Ndërkohë, Abazi Beqiri, banor i kryeqendrës shprehet se përveç përgatitjes për në shkollë të nxënësve, prindërit duhet të sigurojnë një rrogë të plotë mujore për t'i siguruar fletoret, veshjen dhe çantën me të gjitha gjërat tjera elementare për nismën e vitit të ri shkollor.
MASH-i me procedurë dhe udhëzime për përpilimin e listës së autorëve
“Këtë vit shkollor, në sferën e teksteve shkollore do të jetë vit më i mbarë për dallim nga vitet tjera. Që para fillimit të muajit shtator, në libraritë e ndryshme mund të gjenden të gjitha tekstet shkollore si për arsim fillor ashtu edhe për gjimnaze. Librat tani janë të lejuara me vendime të posaçme të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë (MASH) për të gjitha nivelet dhe klasat”, deklaroi Agim Rushiti, këshilltar i ministrit Aziz Pollozhanit.
Kjo ministri sipas Rushitit, i ka të njohura bashkëpunimet dhe marrëveshjet midis drejtorëve dhe shtëpive botuese të cilët dëshirojnë të manipulojnë me listën e emrave të autorëve të teksteve shkollore.
“MASH-i deri më tani, për një lëndë mësimore dhe për çdo lëndë veçmas ka lejuar më tepër se një tekst shkollor për përdorim nëpër shkolla. Kriteret dhe vendimin se cili libër është i nevojshëm për nxënësit duhet të sillet nga shkolla konkretisht nga drejtori në pajtim me kolektivin profesional të asaj lënde dhe nga përfaqësuesi i prindërve në atë shkollë”, thotë Rushiti.
Për këtë arsyeje ministria ka përgatitur procedurën dhe udhëzimin e punës të nënshkruar nga ministri Pollozhani.
“Vitet e kaluara, drejtorët kanë manipuluar me nxënësit dhe prindërit me çka shumë profesor i kanë detyruar nxënësit që mësimi të zhvillohet me librat e tyre të cilët nuk kanë qenë të verifikuara nga ana e MASH-it. Duke e parë këtë gjendje, këtë vit i kemi ndaluar disa gjëra dhe fajin më të madh për këtë gjë e kanë inspektorët e arsimit rajonal të cilët asnjëherë nuk kanë lajmëruar raste të korrupcionit të drejtorëve dhe profesorëve tjerë”, shprehet Rushiti.
Sipas informatave të MASH-it, disa shtëpi botuese janë përgatitur që edhe këtë vit, librat e tyre, të autorëve të ndryshëm t'i shesin brenda objekteve shkollore.
Në ministri thonë se drejtorët e shkollave apo ndonjë nga profesorët kanë bashkëpunim me ata tregtarë të cilët librat e tyre i shesin nëpër objektet shkollore.
“Është bërë e ditur edhe më herët se drejtorët e koorruptuar kanë marrë përqindje të fitimit nga tregtarët e egër që kanë shitur libra me çmime të larta. Mirëpo, këtë vit, ajo përvojë e tyre nuk do të ketë efekt siç pretendojnë disa drejtorë”, bëjnë të ditur në ministri.
Mungojnë tekstet nëpër shkollat profesionale
Sipas MASH-it, vendimin përfundimtar për autorin e librit e sjellin kolektivi i profesorëve dhe përfaqësuesi i prindërve të asaj shkolle në baskëpunim me drejtorin.
Ndërsa, udhëzimi dhe procedura e listës së autorëve të librave ka filluar t'iu dorëzohët drejtorëve të 1040 objekteve shkollore nëpër tërë territorin e Maqedonisë.
Kjo ministri thotë se, problem tjetër paraqet mungesa e tekseve shkollore për shkollat e mesme profesionale siç është shkolla teknike, ekonomike dhe të tjera. Arsyet e mungesës se testeve, MASH-i i arsyeton me reformat që sillen gati për çdo muaj në këtë sektor të arsimit.
“Shtëpitë botuese nuk rrezikojnë që të shtypin tekste për shkollat e mesme profesionale, sepse reformat që vazhdojnë në këtë sferë bënë që tekstet të ndryshohen për gati çdo muaj. Kjo është një nismë e inicuar nga projekti CARDS-VET III, dhe besojmë se së shpejti edhe këto tekste do të gjenden në duart e nxënësve”, thonë në ministri.
Ndërsa, lista e emrave të autorëve të librave, sipas propozim-vendimit të ministrit Pollozhani, do të publikohet në derën hyrëse të çdo shkolle fillore dhe të mesme.
“Me keqardhje deklarojmë se edhe përkundër përpjekjeve maksimale të ministrisë, kemi mungesë të teksteve shkollore të autorëve shqiptarë. Me këtë na shtrohet dilema se a kemi intelektualë shqiptarë që shkruajnë tekste në gjuhën shqipe për shkollat fillore dhe të mesme”, thotë këshilltari i ministrit Pollozani, Rushiti.
Ndërkohë, është bërë e ditur se edhe këtë vit shkollor, shtëpia botuese “Prosvetno Delo” rradhitet në vendin e parë për nga numri më i madh i librave të shtypur dhe shitjen e tyre.
Ndryshe, mbi 320 mijë nxënës të mërkurën do ta fillojnë vitin e ri shkollor nëpër shkollat e mesme dhe fillore të Maqedonisë. |