Deputetët e opozitës maqedonase pengojnë miratimin e ligjeve të decentralizimit
Ligji i ndarjes territoriale, Ligji i financimit të komunave, Ligji i qytetit të Shkupit dhe disa ligje tjera plotësuese kanë nxitur deputetët, kryesisht ato të opozitës maqedonase, të paraqesin afër 160 amendamente, gjë që vlerësohet se do të bëjë që kjo seancë të jetë maratonike
Shkup, 26 korrik - Nën masa të rrepta të sigurisë, Parlamenti i Maqedonisë ka filluar të hënën debatin rreth pakos së ligjeve të decentralizimit, projekte të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
Ligji i ndarjes territoriale, Ligji i financimit të komunave, Ligji i qytetit të Shkupit dhe disa ligje tjera plotësuese kanë nxitur deputetët, kryesisht ato të opozitës maqedonase, të paraqesin afër 160 amendamente, gjë që vlerësohet se do të bëjë që kjo seancë të jetë maratonike.
“Decentralizimi ka rëndësi të veçantë për proceset demokratike në vend, për ndërtimin e mirëbesimit midis qytetarëve dhe për ardhmërinë e përbashkët në rrugën drejt Evropës”, tha para deputetëve ministri i Pushtetit Lokal, Alekasandar Geshtakovski.
Kjo, sipas tij, i obligon të gjithë që të jenë të kujdesshëm dhe të tejkalohen kualifikimet politike me paraqitje euforike, qëllimi i të cilës është ritja e rejtingut partiak për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Akuza midis ministrit Geshtakovski dhe deputetëve të VMRO-së
Ekspozeja dy minutëshe e ministrit të Pushtetit Lokal, Aleksandar Geshtakovskit, rreth pakos së decentralizimit ishte shkaku kryesor i rritjes së tensioneve në mesin e deputetëve të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE.
Menjëherë pas ekspozesë, Gjorgji Trendafillov, deputet i VMRO-së, ka akuzuar ministrin duke e konsideruar atë si të paaftë dhe indiferent ndaj koordinimit me opozitën dhe qytetarët në përgjithësi rreth përpilimit të ligjeve për decentralizimin e pushtetit lokal.
Kërkesat dhe vërejtjet e shumta të opozitës maqedonase kishin të bëjnë konkretisht rreth rendit të ditës dhe ndaj spikerit Lubço Jordanovskit i cili shumë herë ndërpreu fjalimet e deputetëve të VMRO-së.
Pakënaqësia shkoi aq larg sa që në sallën e diskutimeve përveç përleshjeve me fjalë dhe fyerjeve filluan të hudhen edhe pamflete dhe propozim-ligjet nga ana e VMRO-së.
“Kërkojmë që seanca e sotme të vazhdohet në ndonjë seancë tjetër dhe të largohen disa pika nga rendi i ditës pasiqë për momentin janë duke u grumbulluar nënshkrimet për referendumin nga ana e Kongresit Botëror Maqedonas (KBM). Nëse jeni për një shoqëri më të shëndosh na lejoni ta ndëgjojmë zërin dhe vullnetin e tyre”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Propozimi i tij nga ana e deputetëve të LSDM-së dhe nga ana e spikerit Jordanovski u vlerësua si propozim pa bazë dhe qesharak i cili kontriuon në drejtime të ndryshme politike.
Njëkohësisht, edhe amendamentet e propozuara nga ana e opozitarëve, ministri Geshtakovski i llagariti si qesharake duke theksuar se “amendamentët janë aq qesharake, sa janë qesharak edhe propozuesit e saj”.
Ndërkohë, me çdo kusht deputetët e VMRO-së kërkonin që ministri Geshtakovski së bashku me deputetët tjerë t'i pranojë dhe rishqyrtojë amendamentet e propozuara nga ana e tyre se përndryshe ata nuk do ta respektojnë rregulloren paraprake gjatë debateve parlamentare.
“Besojmë se mirë ju ka ardhur në Mavrorë dhe në vende tjera kur keni diskutuar dhe kur i keni përpiluar ligjet në fjalë. Kërkesat dhe referendumet e qytetarëve që komunat e tyre të mbesin në kufijtë ekzistues as që i keni marrë parasysh. Ajo që është më tragjike se zëri i qytetarëve të Maqedonisë ka mbetur nën hijen tuaj dhe të pushtetit”, tha deputeti opozitar Gjorgji Orovçanec.
VMRO-ja zvarrit aktin e miratimit
Kryeparlamentari Lubço Jordanovski, ndërkaq nuk ka pranuar kërkesën e opozitares maqedonase VMRO-DPMNE që deputetët të mund të bëjnë debat të përgjithëshëm lidhur me ligjet, por të shfillohet vetëm të shqyrtohen amendamentet e propozuara. Arsyeja e tij ishte se debat rreth teksitit të propozim-ligjeve ka pasur gjatë fazës së parë parlamentare dhe se një gjë e tillë nuk parashihet edhe në fazën e dytë.
Kjo ka shkaktuar revoltë te deputetët e VMRO-së, të cilët për të reaguar janë mbledhur te vendi i kryeparlamentarit me ç'rast edhe është dhënë pauzë dyorëshe.
“Ne kërkuam që Parlament të punojë në pajtim me Rregulloren e punës dhe të respektohet neni 142 i saj, ku është definuar qartë se rreth propozimit të ligjit mund të hapet debat i përgjithëshëm. Aty po ashtu thuhet se gjatë debatit për tekstin debatohet edhe për amendamentet”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zharko Karaxhovski. Sipas tij, kryeparlamentari Jordanovski një kohë të gjatë e shkel këtë nen të rregullores dhe përherë kur kemi të bëjmë me debat rreth propozimit të ligjit ai fillon me debat rreth amendamenteve.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë shfrytëzuar gjatë debatit në maksimum kohën për të debatuar rreth amendamenteve, duke pamundësuar që të njëjtat të kalojmë më shpejtë. Deri në mbyllje të raportit, parlamentarët kishin shqyrtuar vetëm 7 nga 160 amendamentet e propozuara, të cilët nuk u pranuan nga shumica parlamentare.
Nga ana tjetër, burime partiake i thanë “Kohës ditore” se koordinatori i BDI-së, Rafiz Haliti, i LSDM-së Jani Makraduli dhe ai i PLD-së, Andrej Zhernovski janë marrë vesh para seancës që mos të ketë kufizime të debateve me qëllim që mos t'i jepet pretekst plus opozitës për të reaguar. Megjithkëtë, ato kanë rënë dakord që asnjëri nga amendamentet e propozuara të mos pranohen nga shumica parlamentare me qëllim që mos ndërhyhet në atë që tanimë janë marrë vesh partnerët e koalicionit qeverisës, pas bisedimeve disajavore.
Pjesën më të madhe të amendamenteve e kanë propozuar VMRO-DPMNE-ja, ku kërkohet që Maqedonia të mbetet me 123 komuna.
BDI-ja ka paraqitur vetëm një amendamnet rreth Ligjit për organizim territorial, edhe atë nga deputeti Ejup Rustemi, i cili kërkon që Xhepçishti të mbetet komunë në vete dhe e jo t'i bashkangjitet Tetovës.
Ndërkaqë, deputetët e PPD-së kanë paraqitur katër amandamente. Kjo parti me një amandament kërkon që Shkupit t'i bashkangjiten edhe komuna e Haraçinës dhe Studeniçanit me çrast do të ishte rritur numri i shqiptarëve në kryeqytetet. Ndërkohë, kundër ngjitjes me Shkupin të komunës së Kondovës dhe Sarajit është deputetja e partisë qeveritare PLD, Liljana Popovska, e cila e ka propozuar tre amendamente. Me dy amendamnetet tjera Popovska kërkon që komunat rurale të Strugës të mbeten komuna ne vëte dhe jo t'i bashkohen Strugës si dhe Qendra e Zhupës të mbetet komunë dhe jo të shkrihet në atë të Dibrës.
Kostovski thotë se Parlamenti është shndërruar në “Bondsteel”
Trifun Kostovski, deputet i pavarur, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në protestat e ditës së hënë përpara Parlamentit të Maqedonisë. Kërkesën e grupit parlamentar të LSDM-së për dorëheqjen e tij, Kostovski e ka vlerësuar si kërkesë “qesharake”.
“Nëse duhet unë të jap doërheqje nga posti i deputetit, atëherë dorëheqje duhet të japin edhe 12 deputetët e koalcionit të cilët janë zgjedhur në njësinë zgjedhore ku unë e kamë kryesuar listën e këtij koaliconi”, deklaroi Kostovski.
Ai ka pohuar se masat e ndërmarra për sigurim nga protestat, ngjan vetëm në kampin e “Bondsteel”-it
“Nuk e dijmë se nga kush ruhen, me siguri se nga populli”, ka thënë Kostovski.
Ndërkohë që forca të mëdhaja policore kanë siguruar ndërtesën e Parlamentit dhe rrugët për rreth duke qenë të gatshëm të pengojnë protestuesit në qëllimin e tyre për të bllokuar seancën parlamentare.
Përveç barikadave që kishte formuar përreth ndërtesës, Ministria e Punëve të Brendëshme (MPB) në afërsi kishte sjellë edhe disa automjete të shërbimit të zjarëfiksëve, për të qenë me e kompletuar dhe me e organizuar që situata gjatë protestave të mos dalë jashtë kontrollit.
MPB-ja ka paralajmruar se kontrollimet në të gjitha drejtimet e shtetit janë përforcuar, ndërsa komunikacioni në Shkup është zhvilluar sipas regjimit të posaçëm, për shkak të protestave që janë caktuar në kryeqytet.
Komunikacioni në Shkup, prej të dielës në mbrëmje, është i ndaluar në rrugët rreth Parlamentit, ndërsa sipas nevojës do të shkyçet edhe komunikacioni rreth ndërtesës së Qeverisë. Ministria iu apeloi pjesëmarrësve në protesta që pakënaqësinë e tyre ta shprehin në mënyrë dinjitoze dhe t'i përmbahen Ligjit për tubime në vende publike.
Ndryshe, me Propozimligjin për organizim territorial parashihet që numri i komunave prej 123 të zvogëlohet në 80, respektivisht në 76 deri në vitin 2008. Me këtë ligj dhe Ligjin për Qytetin e Shkupit propozohet bashkimi i komunave Saraj dhe Kondovë, me komunat e parapara në fazën e parë me çka sigurohet përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në kryeqytet. Për Kërçovën është paraparë zgjidhje kalimtare deri në vitin 2008.
Makraduli: Nuk ia kemi ndaluar Parlamentin praktikantëve të NDA-së
"Partia e LSDM-së ditë më parë i ka lajmëruar aplikantët dhe praktikantët e Parlamentit të Maqedonisë që ditën kur të fillojë seanca parlamentare rreth pakos së decentralizimit të mos jenë të pranishëm në sallë gjegjësisht të mos afrohen afër ndërtesës së Parlamentit meqë protestuesit gjoja kanë për t'i lënduar ata", deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-së, Koce Trajanovski duke kërkuar kështu llogari dhe shpjegim nga deputetët e LSDM-së.
Deklaratën e Trajanovski e demantoi koordinatori i LSDM-së, Jani Makraduli i cili theksoi se një paralajmërim i tillë ka ardhur nga vet organizata e NDA-së e cila i ka sugjeruar praktikantëve që të mos marrin pjesë në këtë seancë.
"Asgjë nuk ka të vërtetë në deklaratën e Trajanovskit. Ata mundohen që të përfitojnë politikisht në këtë drejtim. Më gjerësisht mund t'i drejtoheni edhe NDA-së", theksoi Makraduli. |