Vazhdonë seanca kundër dhjetë të akuzuarve shqiptarë për "kidnapim"

PËRVEQ DHUNËS, DY TË AKUZUARIT KOSOVARË I DETYROJNË TË RRAHEN MES VETI

"Kjo është gjykatë dhe këtu tregohen të vërtetat. Nuk jemi në dijeni se çfarë kërkoni. Nuk mund ta përfillim kërkesën tuaj për mbrojtje dhe siguri sepse askush smundet të ju kërcënojë", ishte përgjigja e gjykatëses Dimova dhënë kusherinjve Ramaj të cilët kërkuan mbështetje nëse i tregojnë të vërtetat që kanë ndodhur ditën e parahetimeve dhe autorët e veprës së vrasjes së policëve në Çellopek të Tetovës

 

Shkup, 16 korrik - "Nëse gjykata dhe trupi gjykues më siguron mbështetje dhe siguri të plotë, jam i gatshëm të tregojë gjithë atë që ka ndodhur ditën kur na kanë arrestuar e deri atë ditë kur na kanë dërguar në burg. Maltretimet kanë qenë shtazarake dhe për këtë kërkojë mbrojtjen e juaj, nëse ma mundësoni", më këto fjalë u regjistrua edhe kërkesa e dytë e kusherinjve Ramaj nga Istogu i Kosovës në seancën e pesëmbëdhjetë përpara trupit gjykues në Gjykatën Penale të Shkupit.

Kryetarja e trupit gjykues, Gordana Dimova, nuk e përfilli kërkesën e Bedri Ramaj dhe Nexhdet Ramaj, dy kosovarëve të dënuar nga 14 vite burg për procedurë penale "terrorizëm" dhe të akuzuar për gjoja kidnapim të ndodhur në mars të vitit 2002 në magjistralen Tetovë-Gostivar.

"Kjo është gjykatë dhe këtu tregohen të vërtetat. Nuk jemi në dijeni se çfarë kërkoni. Nuk mund ta përfillim kërkesën tuaj për mbrojtje dhe siguri sepse askush smundet të ju kërcënojë", ishte përgjigja e gjykatëses Dimova dhënë kusherinjve Ramaj. Seanca në fjalë u anulua për shkak të mos arritjes së informatave të propozimit për mendimin për kontrollim të klientit Muamet Musliu nga rrethina e Tetovës, i akuzuari i gjashtë për "kidnapim".

 

Inspektori shqiptar ka shtruar dhunë mbi kosovaët

 

Kjo ka ardhur si pasojë e kërkesës së avokatit të Muametit, Osman Kadriut që ndaj tij të kryhet kontroll mjekësor dhe të vërtetohet gatishmëria për të dëshmuar dhe deklaruar në gjykatë pasiqë në trupin e tij akoma janë të ndieshme plagët e marra nga përleshja e armatosur e para dy viteve në Gostivar."Kur isha për herën e fundit në vizitë të Bedriut dhe Nexhdetit, ata më në fund i shpalosën dhimbjet dhe maltretimet që i kanë përjetuar gjatë kohës së parahetimeve. Pasi i kanë rrahur në mënyrë më çnjerëzore, inspektorët e sigurimit shtetëror duke përfshirë këtu një shqiptar me emrin Blerim, i kanë detyruar të rrahen mes veti të dy kusherinjtë", transmeton fjalët e Bedriut, i ati i tij Jashari.

Jashari ka thënë se Bedriu e Nexhdeti janë të gatshëm të ballafaqohen me inspektorët e sigurimit shtetëror të cilët kanë ushtruar dhunë të paparë ndaj tyre.

"Djali rregullisht e përmend njëfarë Blerimi, inspektor shqiptar nga rrethi i Shkupit. Ata dojnë që të ballafaqohen dhe të tregojnë në gjykatë se deklaratat e tyre kanë qenë të dhunshme. Për të vërtetuar këtë djali për së dyti herë ka kërkuar mbështjetje dhe siguri nga gjykata, mirëpo kjo nuk iu lejua", tha Jashari.

Siç tregon Jashari, inspektorët maqedonas kanë kërkuar që Bedriu dhe Nexhdeti ta pranojnë vrasjen e policëve se përndryshe do ti hedhin nga kati i gjashtë apo do ti veshen me uniformë të UÇK-së dhe t'i vrasin kinse kanë qenë pjesëtar të ndonjë organizate terroriste.

"Nuk mërzitem për akuzën e dytë. Më mërzit akuza e parë për vrasje që nuk e kanë bërë djemt tanë. Këtë e dijnë edhe struktura e lartë e UÇK-së së bashku me ministrin e Drejtësisë, Ixhet Memeti. Shumica prej këtyre që i përmenda e kanë pranuar se djemt tanë nuk janë autorët e veprës por kjo ka mbetur vetëm shkresë me gojë. Askush deri më sot nuk na ka ndihmuar përveç avokatit", thotë Jashari i cili nën ethe e pret gjykimin e Bedriut dhe Nexhdetit, dy kosovarëve të cilët për më shumë se dy vite dergjen në burgun e Idrizovës. Absurdi më i madh dhe më tragjik është se të dy të lartëpërmendurit janë të plagosur me disa plumba nga policia e maqedonisë dhe nga fillimi e deri në seancën e ditës së premte, prezenca e tyre në gjykatë është e dhunshme.

 

Spitali i burgut nuk përgjigjet ndaj kërkesave të avokatëve shqiptarë

 

"Si është e mundur që në kohë prej 20 ditëve të mos arrijë shkresa nga spitali i burgut se a kanë sjellur vendim apo jo për mundësinë e kontrollimit të klientëve të cilët me karroca invaliditeti arrijnë në gjykatë. Këtu shifet qartë se manipulohet me kohën dhe bëhet shkelje flagranet e Ligjit për vepër penale", deklaroi avokati i kosovarëve, Numan Limani.

Ai thotë se për këtë duhet të kërkohet kërkesë në bazë për ekspertizë në spitalin e shtetit. "Nuk mundet që mjeku i burgut ta ndalojë ekspertizën e klientit në spitalin shtetëror dhe mendoj që ekspertiza bëhet në mënyrë direkte e jo pjesë-pjesë. Në asnjë ligj nuk është e parafrazuar kjo mënyrë siç na u përgjigjë gjykatësja", tha Limani.

Sipas tij, e vërteta mundet të dalë në sheh vetëm atëherë kur gjykatësja sjell vendim për pranimin e dëshmitarëve që i ka propozuar pala mbrojtëse duke përfshirë këtu edhe dy inspektorët e Ohrit dhe të Strugës të cilët, siç thekson Limani, kanë manipuluar me fotografitë gjatë identifikimit të të akuzuarve.

Irfan Xhelili, avokat mbrojtës i Refik Zeqiri dhe Fuat Nezirin ka deklaruar se për të vërtetuar pafajësinë e klientëve të tij, gjykata duhet të marrë parasysh të gjitha dëshmitë e ofruara nga ana e tij.

"Fuati i cili akuzohet se ka qenë pjesëmarrës ditën kur u kidnapuan maqedonasit ka qenë në Itali me marrdhënie të rregullta pune. Këtë e mbështes në bazë të dokumentacioneve të vulosura nga Ambasada e Maqedonisë në Romë ku thuhet se Fuati në kohën kur ka ndodhur vepra ka qenë në Itali. Të gjitha faktet janë në favor të klientit tim dhe besoj se akuza kundër Fuatit do të merret si e pa bazë dhe pres që gjykatësja ta shqipton lirimin e tij nga akuza", tha avokati Xhelili.

Ndërkaq, kur kusherinjve Ramaj iu shqiptua dënimi i parë me 20 vite burg për të dytë, të akuzuar për vepër "terrorizëm", seanca gjyqësore ka zgjatur vetëm 5 minuta. Ajo që bën të dyshosh është se gjykatësja kryesore e cila ia shqiptoi dënimet dy kosovarëve nuk arriti që deri në fund ta lexojë dhe paraqesë deklaratën e avokatëve dhe fjalën përfundimtare të prokurorit.

Ndërkaq, seanca e ardhshme gjyqësore kundër dhjetë të akuzuarve shqiptarë për lëndë "kidnapim" do të mbahet më 30 gusht të këtij viti.

"Edhe unë si gjykatës kam nevojë për pushime verore. Kështu që nuk e pranoj kërkesën tuaj dhe nuk mendoj se dita e ardhshme e seancës është shtyrë për afat të gjatë kohor. Poqëse e plotësoj çdo dëshirë të avokatëve atëherë s'do të më bie asnjë orë pushim", deklaroi gjykatësja Dimova me çka dha urdhër për anulimin e seancës dhe vazhdimin e saj për në fund të muajit gusht të këtij viti.

shkruan:

Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com