VMRO-DPMNE kërkon që nxënësit shqiptarë të mos i festojnë festat e tyre
Plotësimi i Ligjit për arsimin e mesëm, kryesisht ndryshimet në nenet ku definohen ditët e festave të bashkësive etnike në Maqedoni, ka shkatuar reagime të ashpërta në mesin e deputetëve të VMRO-DPMNE, të cilët kanë theksuar se shqiptarët në Maqedoni, me miratimin e këtij Ligji do të festojnë data historike të vendeve tjera, duke menduar kështu në datat historike të Shqipërisë apo Kosovës
Shkup, 14 shtator - Parlamenti i Maqedonisë pas një debati tre orësh, e ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për arsimin e mesëm, që është i lidhur ngushtë me procesin e decentralizimit në Maqedoni.
Në kuadër të këtij Ligji, deputetët e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, kanë paraqitur disa amendamente të cilët ministri i Arsimit, Aziz Pollozhani i ka konsideruar si të pavlefshme dhe të panevojshme.
“Plotësimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Komisioni për arsim i Parlamentit të Maqedonisë janë zgjidhje të cilët arsimin e drejtojnë drejt depolitizimit dhe decentralizimit. Për këtë arsye duhet ta mbështesim propozimin e ministrit”, deklaroi Sonja Lipitkova, deputete e partisë Liberale Demokratike.
Ndryshe, Ligji për arsimin e mesëm në Maqedoni, për herë të parë është sjellur në vitin 1995 kurse deri më tani ky ligj është plotësuar dhe ndryshuar pothuajse për çdo vit me radhë.
“Ndryshimet nuk janë vendtëm ndryshime mekanike të decentralizimit të arsimit. Me këtë Ministria e Arsimit ka dëshmuar se arsimi mund të decentralizohet vetëm nëse bëhen ndryshime plotësuese dhe të kapshme për të gjithë”, theksoi Sllavica gërkova, deputete e LSDM-së.
Me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe me ndryshimet kushtetuese të Maqedonisë, Ministria e Arsimit ka përgatitur sërë reformash të reja për sa i përket ligjit për arsim të mesëm. “Ndërsa, ndryshimet plotësuese që u bënë në kuadër të këtij ligji, hyn edhe përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat e mesme ku ekzistojnë paralale shqiptare”, tha ministri Pollozhani.
Sipas tij, plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për arsim të mesëm është në pajtim me standardet arsimore evropiane dhe në pajtim me sistemin arsimor në Maqedoni.
Në plotësim-ndryshimin e Ligjit, thuhet se “pjesëtarët e nacionaliteteve të ndryshme, mësimin do ta mësojnë në gjuhën e tyre ndryshe nga maqedonashjta”.
Ndërkohë, në këtë ligj është paraparë që programi mësimor të zgjatë jo më tepër se 40 minuta për një orë mësimore.
Shqiptarët me të drejtë mund ta festojnë ndonjë datë të tyre historike edhe atë duke u mbështetur me mjete financiare nga shkolla përkatëse ku mësojnë ata.
Kjo ka shkatuar reagime të ashpërta në mesin e deputetëve të VMRO-DPMNE të cilët theksuan se shqiptarët në Maqedoni, me miratimin e këtij Ligji do të festojnë data historike të vendeve tjera, duke menduar në datat historike të Shqipërisë apo Kosovës.
“Në Maqedoni duhet që të kemi një ditë ku do të posaçme ku do të merret si ditë e arsimit dhe kjo të festohet. Ndryshimet e këtij Ligji do t'i mundësojë që të gjitha bashkësitë etnike në Maqedoni të festojnë ditën e tyre tradicionale të ndonjë feste. Pastaj ndryshimet gjatë emërimit dhe kualifikimit të drejtorëve. Keni propozuar provim për drejtorët por se keni rrumbullaksuar se çka do të përmbajë ai provim”, u shpreh deputetja e VMRO-së, Marija Kojzekliska.
Për financimin e shkollave, ministri Pollozhani ka sqaruar se mjetet do t'i ndahen komunës e cila me ingerencat që i fiton me Ligjin për ndarjen e re teritorriale, do të kujdeset edhe për financimin e shkollave.
Ndërsa, do të ndahen aq mjete sa ka edhe nxënës nëpër shkollat e mesme.
Këtë e kundërshtoi deputetja e opozitës maqedonase, Silvana Boneva e cila ka theksuar se nataliteti në shumë komuna është i vogël dhe se migrimi i nxënësve nëpër qytete të ndryshme do të bëjë që shumë shkolla të mbyllen për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe numrit të vogël të nxënësve. |