Protesta e partive opozitare para Parlamentit kanë kaluar në mënyrë demokratike

Me këngë nacionaliste dhe pankarta maqedonasit kundër decentralizimit

Nikolla Gruevski, Pavle Trajanov, Vasil Tupurkovski dhe disa liderë tjerë të partive më të vogla opozitare, kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër propozimit qeveritar që Shkupi dhe Struga t'i kenë kufijtë që i kishin deri në vitin 1996, respektivisht kundër propozimit zyrtar të gjuhës shqipe në kryeqendër dhe dominimit të shqiptarëve në qytetin e Strugës

Shkup, 27 korrik - Edhe përkundër shiut të madh që e kaploi Shkupin, disa mijëra maqedonas të hënën mbrëma kanë protestuar para Parlamentit të Maqedonisë, duke e shprehur pakënaqësinë kundër Ligjeve të decentralizimit që kanë filluar të shqyrtohen nga ana e deputetëve.

Kjo protestë ishte e organizuar nga disa parti opozitare, në krye partinë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, disa shoqata joqeveritare dhe intelektualë të ndryshëm maqedonas, të cilët që nga publikimi i teksteve të ligjeve për ndarjen e re territoriale kanë akuzuar Qeverinë se po tenton ta ndajë vendin në baza etnike.

Nikolla Gruevski, Pavle Trajanov, Vasil Tupurkovski dhe disa liderë të tjerë të partive më të vogla opozitare, kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër propozimit qeveritar që Shkupi dhe Struga t'i kenë kufijtë që i kishin deri në vitin 1996, respektivisht kundër propozimit zyrtar të gjuhës shqipe në kryeqendër dhe dominimit të shqiptarëve në qytetin e Strugës.

Flamujë kombëtarë maqedonas, pankarta të ndryshme ku akuzohet Qeveria për tradhti kombëtare, si dhe defilime të grupeve të ndryshme të të rinjve duke kënduar këngë nacionaliste, ka qenë ikonografia që ka rënë në sy gjatë kësaj proteste.

Protesta në fjalë është realizuar nën masa të forta të sigurisë, ku përrreth ndërtesës së Parlamentit dhe institucioneve të tjera shtetërore ishin të stacionuara forca të mëdha policore të cilët gjatë tërë ditës kanë vëzhguar situatën dhe kanë bllokuar të gjitha rrugët që çojnë drejt Parlamentit.

"Ne jemi për decentralizimin e pushtetit dhe njëkohësisht për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, detyrë primare për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Jemi për reforma akonomike dhe bashkëjetesë me shqiparët por nuk jemi për ndarje etnike", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE, duke iu drejtuar protestuesve përpara Parlamentit të Maqedonisë.

Ai i ka apeluar Qeverisë që ta tërheq propozimin për ndarjen e re territoriale dhe të mos e injorojë mendimin e qytetarëve, të ekspertëve, të akademikëve dhe të të gjitha subjekteve politike në Maqedoni.

"Nuk jemi kundër propozimit poqëse do të ishte i realizuar në kritere objektive. Apelojë dhe i ftojë të gjithë qytetarët e Maqedonisë që në mënyrë më energjike ta mbështesin referendumin e inicuar nga Kongresi Botëror Maqedonas (KBM)", theksoi Gruevski. Kryetari i Partisë Liberale, Stojan Andov, të hënë mbrëma ka theksuar se një grup politikanësh qeveritarë i kanë refuzuar mendimet dhe kërkesat e qytetarëve të cilët me anë të referendumeve kanë shprehur vullnetin e tyre për të qëndruar në komunat e tyre, siç kanë qenë më parë.

Duke u kthyer në ngjarjet e Strugës, Andov ka konsideruar se për protestat dhe demolimet që u bënë në zyrën e LSDM-së në Strugë, nuk janë fajtorë struganët, por fajtor është vetë ministri i Mbrojtjes, Vlado Buçkovski, i cili, sipas Andovit, i ka provokuar qytetarët. Ai njëherësh e ka akuzuar edhe presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovskin, për të cilin është shprehur se " në kohën kur duhet ta ndihmojë popullin e tij, ai niset për në Bruksel me të vetmin qëllim që të bëjë shpifje me ndërkombëtarët ndaj qytetarëve dhe partive opozitare të Maqedonisë". Thirrje për grumbullimin e nënshkrimeve ka bërë edhe kryetari i KBM-së, Todor Petrov. "Të vetmin rast për ta ndaluar këtë ndarje etnike në Maqedoni është grumbullimi i nënshkrimeve. Të gjithë së bashku duhet që ta mbrojmë shtetin dhe emrin e saj", tha Petrov para protestuesve maqedonas. Pavle Trajanov, kryetari i Lidhjes Demokratike ka bërë thirrje deri tek presidenti Cërvenkovski që të marrë guximin dhe të qëndrojë disa orë në mesin qytetarëve të rëndomtë dhe t'i tregojë atyre se në çfarë kritere po zbatohet ndarja e re territoriale.

"Le të vijë Cërvenkovski dhe të shpjegojë hollësitë e decentralizimit. Mundet që me vehte ta marrë edhe Ali Ahmetin. Ndoshta ky është çmimi që Cërvenkosvki të bëhet kryetar", tha Trajanov.

Ndërkohë, protestat e ditës së hënë kanë filluar në orën 21.00, dhe kanë mbaruar në orën 23.00 të natës. Gjatë tërë kohës sa mbahej protesta binte shi pa ndërprër. Pjesëmarrësit e tubimit gjatë çdo përmendje të pushtetit dhe propozimit të saj për decentralizim reaguan me pakënaqësi. Mitingu kaloi qetë me përjashtim të një incidenti kur një grup më i vogël i protestuesve ia thyen kamerën xhiruesit të TV Sitel.

MPB me falënderim publik

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të martën dërgoi falënderim publik deri te pjesëmarrësit në mitingun e mbrëmshëm në Shkup, të cilët kanë treguar se "pakënaqësia mund të shprehet qetë dhe pa incidente", si dhe deri te organizatorët e protestës për shkak të "bashkëpunimit me policinë".

Ministria lajmëroi se protesta, në të cilën sipas vlerësimit zyrtar kanë marrë pjesë rreth 8.000 banorë, ka kaluar qetë dhe pa prishje më të mëdha të rendit dhe qetësisë publike.

Incidenti i vetëm ka ndodhur pas përfundimit të tubimit, kur një xhirues i TV Sitelit është sulmuar prej një personi, me ç'rast i është thyer kamera profesionale. Ministria po ndërmerr aktivitete për gjetjen e kryrësit të kësaj vepre.

Në kumtesën e MPB-së shtohet se masat e ndërmarra preventive janë treguar si të arsyeshme, me ç'rast policia dje edhe një herë ka treguar se synimi i saj është që të jetë në funksion të sigurisë së qytetarëve.

Buçkovski: Tubimi nuk do të ndryshojë asgjë serioze

“Një pjesë e opozitës nxori mësime nga ngjarjet e pakëndshme që ndodhën të enjten mbrëma dhe të premten në mengjes në Strugë dhe me kohë i ndërmori të gjitha aktivitetet që protesta e qetë para Parlamentit të mos marrë përmasa të tjera”, deklaroi nënkryetari i LSDM-së dhe njëherësh ministër i Mbrojtjes, Vllado Buçkovski në vlerësimin e tij për tubimin e mbrëmshëm të opozitës.

"Mbështetje e vërtetë të nismave, të cilat i udhëheqë opozita do të jenë nënshkrimet e grumbulluara për organizimin e referendumit", potencoi Buçkovski.

Ai theksoi se tubimi i mbrëmshëm në përgjithësi nuk do të ndryshojë asgjë. "Për çdo rast do t'i përforcojë pozitat në atë pjesë të opozitës, të cilët me mënyrën me të cilën e organizuan tubimin distancohen nga ekstremistët dhe radikalët që ekzistojnë në opozitë dhe të cilët qëndruan pas të ashtuquajturave protesta spontane në Strugë", deklaroi Buçkovski.

shkruan:

Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com