|
Ashtu si Sizifi ngjitej bashkë me gurin e tij deri në
majë të kodrës, ashtu edhe elektorati e ngjiti një
grupim politik në pushtet, duke menduar se kjo është
hera ku gjërat do të shkojnë siç duhet. Në
të vërtetë ashtu si Sizifi, votuesit u rrokullisen
edhe këtë herë në greminën e zhgënjimit…
Shkaku i krizës, amoraliteti politik
Politikën e kanë quajtur edhe "arti i së mundshmes".
Pavarësisht se ç’kuptojnë me këtë
fjalë politikanët, votuesit, kuptojnë që politikanët
kur premtojnë zgjidhjen e problemeve, kanë llogaritur
dhe përpunuar edhe mënyrat dhe mjetet për realizimin
e premtimeve të tyre. Pra, votuesit japin votën që
sinjifikon besimin e tyre, duke menduar se politikanët janë
luajalë në ato që thonë. Midis dy palëve
krijohet një raport moral. Nëse mund të krahasohet
me diçka ky fenomen, pa dyshim që më i përshtatshmi
është miti i Sizifit. Ashtu si Sizifi ngjitej bashkë
me gurin e tij deri në majë të kodrës, ashtu
edhe elektorati e ngjiti një grupim politik në pushtet,
duke menduar se kjo është hera ku gjërat do të
shkojnë siç duhet. Në të vërtetë
ashtu si Sizifi, votuesit rrokullisen edhe këtë herë
në greminën e zhgënjimit dhe shohin se, edhe këtë
herë, të zgjedhurit kanë abuzuar me besimin e tyre
dhe se nuk kanë synuar zgjidhjen e problemeve, por thjesht
pushtetin. Pra vërehet, për të satën herë,
se thelbi psikologjik i raportit votues-politikan ishte naiviteti
i të parit dhe mashtrimi i të dytit. Të zgjedhurit
janë fajtorë, veç të tjerash për faktin
se kurrë nuk kërkojnë falje për premtimet e
tyre të pambajtura. Është e qartë se shkaku
i krizës së politikës është amoraliteti
i politikës. Asaj, duke i munguar një tërësi
vlerash morale shkohet deri te papërgjegjshmëria e politikanëve.
Papërgjegjshmëria vjen së pari nga mungesa e ndjenjës
së të vërtetës dhe respektit për zgjedhësin,
të cilat janë në vetvete vlera morale. Këto
votime janë thjesht karrem për votuesin. Sigurisht që
kjo lojë ndodh për faktin se politika është
e zhveshur nga morali. Ajo që duhet ditur është se
dukuria nuk është eskluzivisht shqiptare. Çmoralizimi
i politikës është një dukuri botërore dhe
ka një histori të gjatë.
Domosdoshmëria e fetarizimit të politikës
Fjalën nuk e kam për ndonjë projekt teokratik, siç
mund t’i duket ndokuj. Fjala është thjesht për
atë se politika, duke qenë në krizë morale,
ka nevojë për moralshmëri dhe këtë mund
t’ia japë vetëm feja. Problemi i shoqërive
të sotme është se kultura nuk krijon vlera morale.
Zbigniev Brzezinski, në librin e tij "Jashtë Kontrollit",
shkruan: "Një kulturë dorëlëshuar në
rritje, duke shfrytëzuar parimin e ndarjes së fesë
nga shteti, zhduk faktorin fetar, por pa e zëvendësuar
me ndonjë "imperativ kategorik" shekullor, duke e
kthyer kështu në boshllëk kodin e brendshëm
moral".
Ai proces i nisur nga Makiaveli, i zhveshjes së politikës
nga vlerat morale të ngulitura në shoqëri nga feja,
erdhi duke u theksuar me kalimin e kohës falë kontributit
të filozofëve, në pamje të parë kaq të
ndryshëm, si Rusoi, Niçja, Durkhejmi, Veberi etj. Por
ndoshta ishte dashur thirrja e Niçes "Zoti vdiq!"
që t’u hapej rruga ideve të tilla arrogante si racionalizmi
veberian dhe diferencim durkhejmjan. "Besimi fetar do të
zëvendësohej me ideologjinë laike" thotë
historiani amerikan Pol Johnson në librin e tij "Kohët
Moderne". Besimi se politika mund të zhvillohet sipas
rregullave të një morali ekskluziv, të ndarë
nga morali fetar, qëndron në thelb të dështimeve
të ideologjive laike dhe këtu kam parasysh jo vetëm
komunizmin dhe fashizmin, por edhe demokracinë kur konceptohet
e ndarë nga feja. Joseph Schumpeter ka thënë se,
"përmirësimi laik që merret si i vërtetë,
si dhe i shoqëruar me pasigurinë vetiake, është
sigurisht receta më e mirë për nxitjen e turbullirave
sociale".
Ne pamë, siç thotë Brzeniski në librin e sipërpërmendur,
sesi "njeriu- i gjallëruar nga metamite irracionale- u
përpoq të pushtonte hyjnoren, por u flak në një
apokalips të cilin e kishte përgatitur vetë",
nëse modeli i atij që mund ta quajmë si fondamentalizëm
laik dështoi në gjithçka që i dha politikës,
modeli fetar i ka dhënë politikës gjithçka
të mirë që ajo ka patur dhe së pari vlerat morale
të sigurta. Shembulli i këtij raporti të fesë
me politikën janë para së gjithash Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. Këtë e vërejti edhe Aleksis
Dë Tokvilë, i cili e shprehu në librin e tij të
famshëm "Dmokracia në Amerikë": "Kur
arrita në SH.B.A. së pari më ra në sy aspekti
fetar i këtij vendi. Sa më shumë që po qëndroja
atje, vëreja rrjedhimet e mëdha politike që dilnin
nga këto fakte të reja. Kisha parë te ne (në
Francë) se si fryma e fesë dhe fryma e lirisë venin
gati gjithmonë në drejtime të kundërta. Këtu
i gjeja të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën:
ato sundonin bashkë në të njëjtin truall".
Shqetësimi i Zbigniev Brzezinskit, libri i të cilit ka
dalë një shekull e gjysëm pas atij të Dë
Tokvilë, vjen me siguri ngaqë ai vëren zbehjen në
kohën tonë të këtij modeli. Gjithësesi,
sekreti i prosperimit të shoqërisë amerikane dhe
i amerikanizimit si parim, qëndron tek ky model tradicional
i përshkruar nga Dë Tokvilë dhe i theksuar shumë
herë në vazhdim, deri në ditët tona, nga politikanët
amerikanë. Në Amerikë politika ka marrë nga
feja moralshmërinë, të cilën nuk mund ta siguronte
me asnjë mënyrë tjetër. Ndoshta që këtu
duhet të nisin ta imitojnë modelin amerikan politikanët
tanë, të të gjithë spektrit, të cilët
deklarohen aq të përkushtuar ndaj Amerikës. Por edhe
vetë shoqëria duhet që t’i bëjë presion
politikës para së gjithash për të adoptuar vlerat
e sigurta morale që janë ato fetare. Nëse votuesit
do të preferojnë të dëgjojnë prej politikanëve
për mirëqënie të gënjeshtërt, atëherë
këta votues janë fajtorë po aq sa politikanët
për dështimet politike. Kjo kërkon që shoqëria
të adoptojë vetë më së pari vlerat morale
fetare, në mënyrë që ato pastaj të reflektohen
nga politikanët që tek e fundit janë krijesa të
kësaj shoqërie. Kjo është sfida e së ardhmes.
|