|
29 qershor 2003
Se Kisha ortodokse serbe ka qenë strumbullari kryesor (i të
keqës) që ka inspiruar dhe që ka vënë në
veprim hegjemonizmin ultranacional-shovinist serb në Ballkan,
sidomos ndaj kombit shqiptar dhe ate për të satën
herë me rradhë gjatë historisë së vjetër
dhe të re, këtë e dëshmoi qartë tubimi
i Saborit të kishës serbe i mbajtur pardje në Graçanicë
me rastin e shënimit të një feste fetare. Vetë
pjesëmarrja në këtë tubim e patriarkut Pavle
bashkë me sinodët tjerë nga Serbia si dhe fjalimi
i tij politik para besimtarëve, i cili më së paku
kishte të bëntë më fenë, e ku ishte i pranishëm
edhe koordinatori për çështje të sërbëve
të Kosovës, nënkryetari i qeverisë së Serbisë
N. Çoviç, fletë për karakterin nacional-shovinist
të këtij tubimi “fetar” i organizuar në
zemër të Kosovës nga kishtarët serbë.
Para së gjithash, është i qartë fakti se tubimi
i pardjeshëm i serbëve në Graçanicë vie
menjëherë pas mbajtjes së samitit të BE-së
në Selanik, të cilit i kishte paraprirë vrasja e
tre minoritarëve serbë në Kastriot (Obiliq), pra,
vie në kohën kur në qarqet politike ndërkombëtare
gjithnjë e më shumë po flitet për fillimin e
dialogut shqiptaro-serb, në kohën kur në opinionin
ndërkombëtar çdo ditë në mënyrë
më të theksuar po shumohën zërat se zgjidhja
e vetme e drejtë dhe e qëndrueshme e statusit final të
Kosovës është pavarësia e saj. Kjo, sepse edhe
zogjët në mal e kanë kuptuar se shqiptarët e
Kosovës nuk do të pranojnë kurrë që sërish
të jetojnë nën thundrën dhe hegjemonizmin serb.
Pra, pjesëmarrja e patriarkut Pavle (i linur në Kosovë)
në tubimin e pardjeshëm në Graçanicë
dëshmon për përpjekjet e vazhdueshme të tij
dhe të kishës të cilën ai udhëheq, se serbët
pas gjithë atyre krimeve që kanë bërë në
Kosovë, ende nuk janë mbushur mendë që njëherë
e përgjithmonë bashkë me politikanët serbë
të heqin dorë nga politika e hegjemonizmit dhe nacional-shovinizmit
ortodoks ndaj tokave shqiptare, ose thënë më ndryshe;
që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë
dhe pranojnë faktin historik se Kosova nuk ka qenë, nuk
është dhe kurrë nuk do të jetë tokë
serbe, ashtu siç e kanë gënjyer (serbët) Europën
përgjatë 10-të shekujve të kaluar.
Patriarku Pavle dhe të gjithë serbët padallim duhet
ta pranojnë përfundimisht edhe faktin tjetër se të
gjitha kishat në Kosovë janë ndërtuar në
trevat iliro-dardane qysh në shekujt e parë të erës
sonë (shek. –I-IV-), dhe që të gjitha kanë
qenë pronë e shqiptarëve të kristianizuar të
cilët me përsosjen e organizimit kishtar në qytetet
kryesore ndërtuan kishat dhe peshkopatat që shtrinin jurisdikcionin
e tyre fetar në të gjitha dioqezat shqiptare deri në
fillim të shekullit të –V-të, kur u shtuan
përpjekjet e Patrikanës së Konstadinopojës për
t’i shkëputur peshkopatat e Ilirikut Lindor nga Roma
e për t’i futur nën varësinë e saj, siç
ndodhi në praktikë në vitin 1054, kur përfundimisht
bëhët ndaraja e kishave, në ate katolike të
Perëndimit dhe në ate ortodokse të Lindjes. Përpjekjet
e kishës ortodokse serbe për t’i përvetësuar
kishat e shqiptarëve nuk janë ndërprerë asnjëherë
deri në shekullin e –XIII-të, kur pothuajse gati
të gjitha kishat e shqiptarëve në Kosovë do
të sllavizohen (lexo: uzurpohën) nga dinastitë serbe
duke filluar që nga koha e Stefan Dushanit, e që do të
ngelin nën pushtimin dhe diktatin e kishës ortodokese
serbe deri në ditët e sotme.
Nuk ka asnjë dyshim se pjellë e mendësisë uzurpuese
të kishës ortodokse serbe kanë qenë më
vonë të gjitha programet serbe antishqiptare siç
ishte ai i ministrit serb Ilia Garashanin, i shpallur në vitin
1844, dhe i njohur me emrin “Naçertania” me të
cilin synohej që principatën e vogël serbe ta shndërronte
në një shtet të madh jugosllav, në të cilën
do të përfshiheshin të gjitha tokat shqiptare nga
Veriu i Shkumbinit, së bashku me Kosovën, të cilën
atëbotë filluan ta quanin “Serbi e vjetër”
(Stara Srbija), dhe kështu me radhë (?!). Pra, lirisht
mund të thuhet se që nga shekulli i –V-të e
deri në ditët e sotme përpjekjet e kishës ortodokse
serbe për sllavizimin e tërë hapësirës
shqiptare në Ballkan nuk kanë pushuar për asnjë
çast, si gjithnjë e bazuar në modelin piratesk-grabitçar
dhe kolonialist të shprehur qartë në thënjën
e tyre bizare: “se aty ku jeton vetëm një serb,
aty është tokë serbe”?! Këtë shprehje
fashizoide serbët gjatë historisë u përpoçën
disa herë që ta bëjnë realitet duke u grabitur
shqiptarëve tokat e tyre, dhe poashtu të inspiruar nga
predikimet absurde të klerit ortodoks serb se: “serbët
janë popull hyjnor të zbritur nga qielli”, d.m.th.
se janë të privilegjuar nga Zoti, të cilëve,
gjithnjë sipas kësaj logjike raciste, iu takon e drejta
që t’i nënshtrojnë popujt joserbë?!
Siç thamë më lartë, të gjitha kishat
e shqiptarëve në Kosovë janë ndërtuar në
kohën e forcimit të kristianizmit tek shqiptarët
(shek. –V-të p.e.r.), siç ishin kishat në
Butrint, Lezhë, Bylis, Apoloni, Vlorë, Nikopojë,
Sarandë, Ohër, Rubik, Shkodër, Shkup, Prizren, Deçan,
Pejë, Trepçë, Graçanicë, etj, të
cilat me rastin e pushtimit të tokave shqiptare në kohën
e zhupanit serb Stefan Nemanjës, i cili arriti t’i shtrijë
kufijtë e shtetit serb deri në Shqipërinë e
sipërme, duke përfshirë Dioklenë dhe Kosovën,
do të shndërrohën me dhunë në kisha ortodokse
serbe. Pra, “në vendet e pushtuara, paria shqiptare u
shpronësua, qytetet u ngarkuan me tatime të rënda,
ndërsa në Kosovë dhe Diokle kishat e manastiret shqiptare
u uzurpuan nga pushtuesit që dëbuan nga andej klerin vendas
shqiptar duke vënë pranë këtyre kishave klerikë
sllavë (lexo: serbë, v.j.). Shumë shpejtë mbretërit
serbë e zhvendosën rezidencën e tyre në qendrat
e pasura të sapopushtuara. Me 1250 edhe kisha serbe, tashmë
autoqefale, e transferoi selinë e saj nga Ziça në
Pejë. E mbeshtetur fuqimisht nga mbretërit serbë,
ajo iu vu punës për asimilimin fetaro-kulturor të
popullsisë shqiptare nëpërmjet konvertimit (ndërrimit)
të dhunshëm të saj në ortodoksinë serbe”,
(Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme, f. 32,
Tiranë, 1994).
Prandaj, sot e gjithë ditën për shqiptarët ishte
dhe mbetet e qartë politika uzurpuese dhe hegjemoniste e kishës
dhe shtetit serb ndaj tyre e ushtruar gjatë gjithë shekujve,
nga e cila çmenduri, siç duket serbët nuk e kanë
ndërmend të heqin dorë, as pas ndërrimeve të
mëdha historike të cilat pasuan pas ramjes së Murit
të Berlinit me 1989, gjegjësisht pas ramjes së perandorisë
komuniste me 1990, kur bota hyri në fazën e ndërtimit
të marrëdhënieve krejtësisht të reja në
të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërkombëtar,
kur popujt e Europës me intensitet të shtuar vazhdojnë
ta ngrisin objektin e quajtur “Bashkësi europiane”
(BE), ndërtimin e të cilit po e bëjnë ekskluzivisht
mbi principe të barazisë etnike, fetare dhe kulturore
midis popujve.
Pra, po bëjnë ndërtimin e një Bashkësie
multikulturore në të cilën vlerat e demokracisë
do t’i gëzojnë të gjithë popujt njësoi,
ku më nuk do të ketë popuj të sunduar dhe të
diskriminuar nga njëri-tjetri, ku tolerenca etnike dhe konfesionale
do të jenë vlera konstante mbi të cilat do të
zhvillohet bashkëpunimi midis popujve, pa marrë parasysh
gjenezën dhe prejardhjen e tyre kombëtare e rajonale,
ku ligji dhe drejtësia do të respektohen dhe zbatohen
njësoi nga të gjithë dhe ndaj të gjithëve.
Por, ku në të njëjtën kohë secili popull
do të kultivojë dhe ruaj edhe mëtej vlerat dhe specifikat
e veta kombëtare, fetare dhe kulturore, të cilat nuk mund
të tjetërsohën, por as të shërbejnë
si shkak për përçarje dhe hegjemoni “moderne”,
vlera këto që do të trajtohen si pasuri natyrore
e dhuruar nga Zoti për secilin popull veç e veç,
që në fakt përbëjnë dhe paraqesin koloritin
më të bukur njerëzor i cili vetëm sa do t’i
begatojë dhe përparojë edhe më shumë marrëdhëniet
midis popujve dhe kulturave të tyre.
Kjo është rruga e të ardhmës së Europës
dhe popujve të saj, e jo ajo që predikonte pardje kreu
i kishës ortodokse serbe në Graçanicë, nga
i cili tubim opinionit iu bë edhe njëherë e qartë
se bartësit e nacional-shovinizmit serbo-ortodoks në krye
me patriarkun Pavle nuk kanë hequr dorë për asnjë
milimetër nga politika e tyre gllabëruese-pushtuese ndaj
Kosovës dhe shqiptarëve. Sepse, të predikosh në
një tuim të tillë “fetar” fakte të
rrejshme dhe trillime të pacipëta se “para katër
viteve në Kosovë janë shkatërruar të gjitha
faltorët (kishat) serbe, siç nënkuptohej nga konteksti
i fjalimit të tij nga “terroristët” shqiptarë,
të flasësh vetëm për vuajtjet e serbëve
në Kosovë dhe me tone aq vajtuese siç bëri
kryekleriku serb Pavle në këtë tubim, ose të
lansosh çdo ditë në mjetet e informimit serb tezën:
“se serbët që kanë ikur nga Kosova gjatë
luftës së fundit (1998/99) nuk do të pranojnë
kurrë të kthehën në një Kosovë të
pavarur”, etj, ashtu siç ka agjituar gjatë këtyre
katër viteve të pas luftës N. Çoviç
bashkë me shovinistët tjerë serbë të Kosovës
dhe ata të Beogradit, etj, etj, pa i pranuar krimet masive
dhe gjenocidin që kanë bërë ushtria dhe policia
serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë para dhe gjatë
gjithë shekullit të 20-të, përfshirë këtu
edhe gjenocidin e vitit 1998/99, së paku pa iu kërkuar
falje publike shqiptarëve, dëshmon në mënyrë
të prerë se për çfarë raportesh me shqiptarët
angazhohet aktualisht kreu i kishës ortodokse serbe, por edhe
udhëhqësit zyrtarë të Beogradit.
Nuk ka dyshim se serbët (pa dallim niveli dhe pozite) do të
bëjnë ç’mos që ta pengojnë pavarësinë
e Kosovës, do të ndërmarrin të gjitha hapat
e mudshëm politik dhe diplomatik, qoftë përmes ndikimit
të kishës në opinionin ndërkombëtar, qoftë
përmes politikës zyrtare të shprehur përmes
zavendëskryeministrit serb Çoviçi, që Kosova
të mos pavarësohet kurrë. Dhe ky bashkëdyzim
i rolit të kishës me pjesën e politikës zyrtare
të shtetit serb, kur është në pyetje Kosova
dhe shqiptarët, tregon katërcipërisht se bëhët
fjalë për një koordinim të thellë qëndrimesh
dhe veprimesh midis këtyre dy faktorësh brenda politikës
serbe ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, të cilët
(faktorë) këtu dhe 13-të shekuj më parë
kanë bashkëvepruar (në duet) me qëllim që
shqiptarët dhe tokat e tyre përgjithmonë t’i
mbajnë nën hegjemoninë dhe pushtimin serb, bashkë
edhe me objektet e kultit fetar të shqiptarëve me qëllim
të asimilimit të tyre dhe zhdukjes së elementit shqiptar
nga hapësirat e Ballkanit. Ndaj, takimi serbëve në
Graçanicë tregoi edhe njëherë se Kosova dhe
i gjithë Ballkani edhe mëtej vazhdojnë të mbetën
peng e mendësisë së kalbur dhe hegjemoniste serbe,
pa ndryshimin e së cilës (politikë) vështirë
se në rajonin e Ballkanit perëndimor do të dominojë
paqja dhe stabiliteti i mirëfilltë. Këtë, para
së gjithash, duhet ta kenë të qartë faktorët
ndërkombtarë që veprojnë në Kosovë,
në të kundërtën nuk u mbetet tjetër veçëse
edhe në të ardhmën të ballafaqohen me sfida
të reja të kurdisura nga Beogradi zyrtar dhe kisha ortodokse
serbe!
|