|
” Fushata kundër Islamit është tentim i vetëdijshëm
dhe i menduar i sistemit ekzistues botëror se si ta diskreditojë
sistemin universal, i cili paraqitet si alternativë civilizuese
e sekularizmit perëndimor”
Lauay M.Safi
Shoqëria islame – ashtu si shoqëritë e tjera
– sot po kalon nëpër një periudhë transicioni
të rrezikshëm. Mirëpo, ajo që e dallon këtë
shoqëri, është se anëtarët e saj po ballafaqohen
me jetën bashkëkohore, me lirinë dhe shanset e saj,
për arsye se ata janë trashëgimtarë të
një thesari fetar unikat, burimi i të cilit janë:
Islami dhe imani (besimi). Po ashtu shoqëria islame dallohet
nga shoqëritë e tjera njerëzore për madhështinë
e së kaluarës së saj.
Shekulli njëzet në histori mbahet në mend për
zhvillimin e luftës së ftohtë ndërmjet Evropës
Perëndimore, me SHBA-në e cila ishte sinonim i botës
së lirë në krye, për sistem shumëpartiak,
liberalizmin, tregtinë e lirë, apo si quhej ndryshe, bota
kapitaliste, në një anë, dhe Evropës Lindore
me ish-Bashkimin Sovjetik në krye dhe shtetet e boshtit socialist
si sinonim i botës prapa perdeve të hekurta, ku sundonte
sistemi njëpartiak, qytetari ishte shndërruar në
robot, i tërë kapitali ishte në duar të shtetit,
qytetari nuk ishte i lirë.
Në fund të viteve pesëdhjetë, në arenën
ndërkombëtare u paraqit një lëvizje e re me
emërtimin Lëvizja e Shteteve të Painkuadruara, e
cila përpiqej të qëndronte jashtë ndikimeve
të dy blloqeve të lartpërmendura - atij kapitalist
dhe komunist. Mirëpo, edhe pse numri i këtyre shteteve
numerikisht ishte i madh, meqenëse ato në të shumtën
e rasteve ishin vende të porsaçliruara nga zgjedha kolonialiste,
ekonomikisht të dobëta, nuk patën mundësi të
luanin ndonjë rol me rëndësi në skenën
e politikës ndërkombëtare.
Shumicën e atyre shteteve e përbënin shtete nga Azia
dhe Afrika, ku një vend të konsiderueshëm zinin vendet
me popullsi muslimane.
Fillimi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të
kaluar mbahet mend për ndryshime të mëdha në
Evropë, siç ishte kolapsi i sistemit komunist, shkapërderdhja
e ish-Bashkimit Sovjetik, shkatërrimi i Paktit të Varshavës,
shembja e murit të Berlinit etj.
Konfrontimi i ardhshëm me Islamin
Pas vdekjes së Sekretarit të Përgjithshëm të
Paktit NATO, gjermanit Manferd Verner, në fillim të viteve
nëntëdhjetë, atë e zëvendësoi ish-ministri
belg i punëve të jashtme, Vili Klas, i cili në deklaratën
e parë për opinion tha: “Pas rënies së
komunizmit, tash konflikti i ardhshëm do të përqendrohet
me Islamin dhe muslimanët”.
Kjo deklaratë e Vili Klasit, nga pozita e tij e fuqisë
ushtarake më të madhe në botë, nuk kaloi pa
lënë pasoja në marrëdhëniet ndërmjet
Botës perëndimore dhe asaj Islame. Ndërsa autori
i deklaratës në fjalë, Vili Klas, së shpejti
ra nga skena politike.
Duke u bërë një vështrim ngjarjeve që po
ndodhin, qofshin ato në Lindjen e Mesme, në Azi e Afrikë,
por edhe në një pjesë të Evropës, ku të
shumtën e rasteve po atakohen interesat e Botës islame
dhe popujve muslimanë, pyetja që shtrohet shpesh është:
Pse Perëndimi, si forcë e vetme dominuese në botë,
nuk po ndërmerr diçka për të ndaluar gjakderdhjen
në ato vende dhe deri kur mund të vazhdojë një
gjendje e tillë? Përgjigjja më e thjeshtë sipas
mendimit të shumë analistëve është se vatrat
e tilla të krizave janë në interes të Perëndimit
dhe se ai nuk është i interesuar për shuarjen e tyre,
edhe pse në shikim të parë duket se ai po bën
çmos për zgjidhjen e problemeve në ato vatra të
krizave.
A e rrezikon Islami Perëndimin?!
Ndërsa pyetja tjetër, e cila shtrohet vitet e fundit,
është: A paraqet Islami rrezik për Perëndimin?
Interesimi aktual i Perëndimit për Islamin daton që
nga mesi i viteve 70 të shekullit njëzet, atëherë
kur mënyra islame e jetës u bë zgjedhje e shumë
anëtarëve të shoqërive muslimane. Përhapja
e ideve islame në të gjitha sferat brenda shoqërisë
islame, dhe sidomos në mesin e të rinjve e në mënyrë
të veçantë të rinisë universitare, ku
në zgjedhjet e organizatave studentore vazhdmisht fitonin studentët,
që përfaqësonin drejtimin proislam, edhepse regjionet
në pushtet përkrahnin dhe favorizonin organizatat studentore
sekulariste, që përkrahnin regjimet në pushtet, bëri
që Perëndimi të ndihet paksa i shqetësuar. Në
të njëjtën kohë ndodhi edhe lufta e tetorit
e vitit 1973, ndërmjet arabëve dhe Izraelit, në të
cilën luftë për herë të parë në
histori arabët e përdorën naftën si armë
tejet strategjike dhe të rëndësishme kundër
Perëndimit, i cili e përkrahte Izraelin, dhe sidomos SHBA-ja.
Vetëm atëherë arabët e kuptuan se sa e rëndësishme
ishte nafta e tyre të përdorej si armë strategjike
në interes të kauzës së tyre kombëtare.
Në të njëjtën kohë, Perëndimi e kuptoi
potencialin e madh ekonomik dhe strategjik që disponojnë
arabët, kur ata vendosin që naftën e tyre ta përdorin
si armë kundër Perëndimit.
Kurse, sa i përket pyetjes se a paraqet Islami rrezik për
Perëndimin në rrethanat e tashme, rreth kësaj si
përgjigjja më e saktë mund të merret mendimi
i një numri të shkencëtarëve eminentë të
Perëndimit, të ciëlt Islamin e vështrojnë
jo si fe paqësore me rëndësi ekskluzivisht historike,
por si forcë kolosale, e cila potencialisht rrezikon sistemin
botëror perëndimor. I këtij mendimi është
edhe Francis Fukajama1, i cili në librin e tij “Fundi
i Historisë” (The End of History), për Islamin thotë:
“Është e vërtetë se Islami përmban
ideologji koherente dhe sistematike pikërisht sikur liberalizmi
dhe komunizmi, me kodin moral të vetin si dhe me doktrinën
për të drejtën politike dhe sociale. Ftesa e Islamit
është potencialisht universale dhe depërton tek të
gjithë njerëzit si krijesa njerëzore, e jo vetëm
tek anëtarët e grupeve të caktuara etnike dhe nacionale.
Në të vërtetë, Islami e ka mundur demokracinë
liberale në shumë pjesë të Botës islame,
duke vendosur kërcënimin serioz ndaj praktikës liberale,
bile edhe në vendet në të cilat ka arritur dominimin
direkt politik. Fundi i luftës së ftohtë në
Evropë u zëvendësua menjëherë me sfidën
e Irakut ndaj Perëndimit, në të cilën Islami
ka qenë faktorë i rëndësishëm”.
Qëndrim të njëjtë rreth kësaj çështjeje
ka treguar edhe Zbigniev Bzhezhinski, këshilltar për siguri
kombëtare në administratën e presidentit Xhimi Karter,
në librin e tij me titull “Jashtë kontrollit”
(Aut of Controll), botuar menjëherë pas shkatërrimit
të Bashkimit Sovjetik. Bzhezhinski bën alarm të madh
kur tërheq vërejtjen për ekspansionin islam në
Azinë Qendrore, i cili ka marrë hov, siç konsideron
ai pasi shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik pati përj pasojë
vakuumin e fuqisë: “Duke marrë parasysh se natyra
nuk duron vakuum, është evidente se forcat nga jashtë,
në veçanti vendet fqinje islame, janë të gatshme
për përpjekje që ta plotësojnë boshllëkun
gjeopolitik në Azinë Qendrore të krijuar pas shkatërrimit
të pushtetit të imperializmit rus. Turqia, Irani dhe Pakistani
po shpejtojnë në zgjerimin e ndikimit të tyre, ndërsa
nga larg Arabia Saudite financon përpjekjen kryesore me qëllim
rivitalizimin e kulturës islame në rajon si dhe trashëgiminë
fetare. Prandaj, Islami po përparon nga veriu, duke pështjelluar
inercinë gjeopolitike nga dy shekujt e fundit”.2
Ngjarjet e 11 shtatorit dhe ashpërsimi i sulmeve ndaj Islamit?
Ngjarjet e 11 shtatorit të vitit të kaluar ishin përdorur
nga e djathta ekstreme e krishterë për sulme pa kompromis
ndaj Islamit dhe muslimanëve. Në këtë fushatë
kishin marrë pjesë edhe persona që kishin pozita
të larta dhe me rëndësi në jetën publike
amerikane. Kështu për shembull, Paul Weyrich dhe William
Lind kishin deklaruar se “Islami është fe e luftës”
dhe se ai paraqet rrezik për SHBA-në. Zotëri Lind
kishte shkuar edhe më larg duke propozuar që muslimanët
amerikanë “duhet të inkurajohen që ta lëshojnë
SHBA-në. Ata janë kolona e pestë në të”.
Ndërsa Frenklin Graham, një lider protestant shumë
i afërt me Administratën amerikane, kishte deklaruar “Islami
është shumë i dëmshëm dhe i keq”.
Ai është paraqitur në radio dhe në kanalet televizive
duke komentuar se si Kur’ani predikon “dhunë”
dhe se si “terrorizmi mbështetet nga muslimanët
kudo në botë”.
Ndër ata që i përkasin kësaj rryme tejet ekstreme,
kemi edhe propozime të atilla siç është ai
i Ann Coulter: “Ne duhet t’i pushtojmë vendet e
tyre, t’i vrasim liderët e tyre dhe ata t’i konvertojmë
në Krishterizëm.”3
Ndërsa çdo njeri që rezonon ashtu si duhet, nuk
do t’i pranonte këto mendime, sepse ato janë tendencioze,
qëllimkëqija” dhe shumë të dëmshme
për ardhmërinë e njerëzimit. Ashtu siç
nuk mund të jenë të gjithë muslimanët të
këqij, po ashtu edhe të gjithë të krishterët
nuk mund të jenë të mirë. Ashtu sikurse Krishterimi
dhe Hebraizmi e Islami si dhe aderuesit e tij, duhet të shikohen
si një tërësi, nëse dëshirojmë të
jetojmë në paqe me muslimanët atje ku këto konflikte
paraqiten”, - konstaton Patricia Wanrinoki në letrën
e saj për presidentin Bush.
Interesimi i madh për Islamin në SHBA
Ndoshta dikush nuk beson, mirëpo sulmet terroriste në
Nju-Jork dhe Uashington gjatë vitit të kaluar krijuan
një rast për amerikanët që ata të mësonin
më shumë për Islamin. Atyre iu dha rasti që
t’i qartësonin më mirë keqinterpretimet për
fenë, që e praktikojnë më shumë se pesë
milionë njerëz në SHBA dhe 1.200 milionë në
të gjitha anët e botës, - thotë Jevona Hadad,
profesoreshë e Historisë islame dhe Marrëdhënieve
Krishtero-Islame pranë Universitetit të Xhorxhtaunit në
Uashington. Ajo thotë se në mesin e popullatës pas
ngjarjeve të 11 shtatorit ka pasur reagime negative ndaj muslimanëve.
Mirëpo, ka pasur edhe shumë amerikanë, të cilët
janë interesuar për fqinjët e tyre muslimanë,
të cilëve u kanë ofruar çfarëdo ndihme
që është kërkuar prej tyre. Si ilustrim për
këtë ajo përmend vizitën që i kishte bërë
xhamisë në Lilwauke, ku ishte informuar se në kohën
kur muslimanët kishin marrë një numër të
madh kërcënimesh në fillim të sulmeve, Qendra
Islame kishte marrë edhe nëntëdhjetë thirrje
telefonike, ku pyeteshin: “A ishin mirë dhe a kishin
nevojë për ndonjë ndihmë që mund t’u
ofrohej atyre”.
Profesoresha Hadad, me prejardhje nga Siria dhe nga besimi i krishterë,
për Dosjen e shkrimtarëve të Uashingtonit, thotë:
“Është shumë lehtë të jetosh në
Amerikë dhe të jesh musliman, të mendosh si musliman,
të shkruash atë që dëshiron, të publikosh
çdo gjë që dëshiron (më mirë se
në çdo vend tjetër në botë)”. Ajo
pastaj shton: “Muslimanët jetojnë këtu për
më shumë se pesë-gjashtë breza. Ata morën
pjesë në Luftën e Parë Botërore, në
Luftën e Dytë Botërore, në Luftën e Vietnamit,
duke treguar me këtë se muslimanët janë pjesë
e Amerikës”. Në këtë kontekst ajo thotë
se qe edhe vizita e presidentit Bush në Qendrën Islame
në Uashington që i dha rëndësinë çështjes
së muslimanëve këtu: “Ai deshi t’i identifikonte
muslimanët si pjesë të Amerikës”.
Me gjithë kundërthëniet dhe ndjenjen antimuslimane
që mbretëron në Amerikë dhe në disa vende
të tjera të botës, interesimi për Islamin sa
vjen e shtohet. Të gjithë librat që kishin objekt
studimi Islamin, për një kohë të shkurtër
ishin shitur nga libraritë. Ndërsa, sipas raporteve të
shtypit, shtëpitë botuese shtuan vëllimin e botimit
të librave mbi islamizmin, universitetet kanë shtuar kurset
dhe vendet e punës për profesorët e islamizmit, të
cilët sot thuhet se janë më të kërkuarit.
Autori i librit Majkel Sells (Michael Sells), duke iu qasur Kur’anit:
“Zbulimet e hershme”, i cili në SHBA është
akuzuar për indoktrinimin e amerikanëve, thotë: “Këtë
vit kam mbajtur mbi 50 ligjërata (për islamizmin) jashtë
universitetit. Audienca që zakonisht do të ishte prej
20 vetash vitin e kaluar, sivjet është rritur në
200. Audienca që do të ishte e përbërë
prej 40 vetash, tani është bërë 400”.
Kështu thotë autori i librit që në Amerikë
ka zgjuar sa indinjatë tek disa, po aq edhe kureshtje, tek
të tjerët.
Në të njejtën kohë nuk duhet harruar se numri
i vizitorëve në Websaitet ku trajtohen tema islame, është
shtuar dukshëm. Në Websaitin Islam Online.net numri i
vizitorëve brenda vetëm një dite arrin në një
milion. Të gjithë këta njerëz dëshirojnë
të mësojnë të vërtetën për Islamin.
Ashtu siç kishte deklaruar Majkël Sells për librin
e tij të përmendur më lart ndaj akuzave të kundërshtarëve
të tij - libri nuk ka qëllim që ta indoktrinojë
Amerikën, por që ta arsimojë atë mbi Islamin,
një fe e përqafuar nga 1.2 milard njerëz në
botë.
Fusnotat:
1. Franeiz Fukajama: The End of History and the Last Man (New York,
Avan Books, 1992.
2. Aut of Controll: Global Turmail on Even of Twenty first Centyry
(New York: Maxell Macmillan, 1993) p. 159.
3. Patricia Koyce Waminski, Letter to President Bush,
|