|
Beogradi ka financuar shtetet-kukull
Dëshmitarët kanë thënë
se një sasi e madhe banknotash janë përdorur për
të mbështetur zonat e kontrolluara nga serbët në
Bosnje dhe Kroaci
Në gjykatë është thënë javën
e kaluar se Serbia e Millosheviqit ka mbështetur financiarisht
republikat e serbëve në Bosnje dhe Kroaci.
Eksperti i prokurorisë Morten Torkildsen ka thënë
në gjyqin ndaj Millosheviqit se pas shpërthimit të
luftës në vitin 1992, qeveria serbe ka dërguar shuma
të mëdha parash në republikën e serbëve
të Bosnjes, RS, dhe në republikën e serbëve
të Kroacisë, RSK.
Shumat e parave për regjimet-kukull serbe u ndërprenë
vetëm kur Beogradi uli ndjeshëm shtypjen e banknotave,
në një përpjekje për të vendosur nën
kontroll inflacionin tepër të madh.
“Kur në fund të janarit të vitit 1994 u ndërpre
shtypja e banknotave, është vënë re një
ulje e ndjeshme e ndihmave për RS dhe RSK,” ka thënë
Torkildsen.
Oficerët e Ushtrisë së Serbëve të Bosnjes
– VRS – nuk janë paguar nga Bosnja, por direkt
nga Beogradi, një praktikë e cila sipas Torkildsenit ka
vazhduar deri në vitin 2002.
Torkildsen është kontraktuar nga prokuroria për
të kontrolluar dhjetë mijë faqe dokumente financiare
të transaksioneve ndërmjet Serbisë dhe shtetit të
saj amë, Jugosllavisë, nga njëra anë dhe RS
e RSK nga ana tjetër.
Prokurorët duan të përdorin përfundimet e tij
për të provuar se megjithëse Millosheviqi, si president
i Serbisë dhe më pas i Jugosllavisë, nuk ka pasur
lidhje zyrtarisht me shtetet rebele, ai në fakt i ka kontrolluar
ato duke qenë se ka paguar për mbajtjen dhe funksionimin
e këtyre shteteve.
Torkildsen ka thënë se të dyja entitetet kanë
qenë të varura krejtësisht nga Beogradi. “Unë
nuk kam gjetur asnjë burim tjetër financimi për RS
dhe RSK,” ka thënë ai.
Mbrojtja e Millosheviqit ka qenë disi e pazakontë: ai
e ka pranuar këtë vlerësim duke thënë se
“Nuk ka diskutim se RS dhe RSK i kanë kërkuar Jugosllavisë,
Serbisë dhe Malit të Zi ndihmë. Gjithashtu nuk ka
diskutim se ne i kemi ndihmuar ato. E ku tjetër mund të
drejtoheshin për ndihmë?”
Por kjo ka qenë e vetmja pikë ku ai dhe dëshmitari
kanë rënë dakord gjatë një séance
pyetjesh maratonë e cila ka zgjatur mbi tre orë e gjysmë.
Torkildsen ka thënë se sipas dokumenteve është
e qartë se ka pasur “një plan të vetëm
financiar” nga i cili financoheshin të tri ushtritë
– ajo e Jugosllavisë, e RS dhe e RSK-së.
Plani ka hyrë në veprim në vitin 1990 kur Jugosllavia
ka filluar të shtojë ndjeshëm sasinë e monedhës
që shtypte – dhe 80 për qind e këtyre parave
shkonin për ushtrinë.
Jo të gjithë zyrtarët kanë qenë të
kënaqur me këtë veprim dhe ish-kryeministri federal
Ante Markoviq ka dhënë dorëheqjen për këtë
arsye, duke thënë se ekonomia nuk mund të përballonte
një veprim të tillë dhe duke paralajmëruar për
shtimin e inflacionit.
Dëshmitari ka pranuar se nuk kishte prova që të vërtetonin
se Millosheviqi – në atë kohë president i Serbisë,
republika më e madhe e Jugosllavisë – e ka mbështetur
këtë plan.
Në fakt, dokumentacioni i një takimi të presidencës
jugosllave të asaj kohe kanë treguar se Millosheviqi e
ka kundërshtuar këtë plan – duke votuar kundër
një plani për të ulur shumën e parave rezervë
të cilat bankat tregtare ishin të detyruara t'i mbanin
për llogari të tyre.
Këto rezerva, të quajtura rezerva të detyrueshme,
bënin që të mos prodhoheshin sasi të reja parash
nëse nuk mbështeteshin nga një sasi në monedhë
të fortë ose në ar.
Torkildsen ka thënë se superprodhimi i monedhës
ka qenë një ndër burimet kryesore të mbështetjes
financiare te Beogradit për zonat e kontrolluara nga serbët
në Bosnje dhe Kroaci.
Më pas, Banka Kombëtare e Jugosllavisë, në
vend që të jepte direkt fondet, u ka dhënë kredi
bankave qendrore të RS dhe RSK.
Dokumentet e zbuluara tregojnë se në një rast Beogradi
ka dhënë dy miliardë dinarë për zonat e
Banjallukës dhe Bijelinës; një miliardë për
Zvornikun dhe Tebinjen dhe pesëqind milionë për Foça
dhe Sokolac.
Të gjitha këto shuma nuk kanë qenë të
mbështetura nga rezerva të monedhave të huaja apo
ari dhe si rezultat dinari është zhvleftësuar ndjeshëm.
Një dokument i datës 30 shtator 1993, tregon se Ministria
e Mbrojtjes së Jugosllavisë i ka thënë RSK se
mbi 480 miliardë dinarë – në atë kohë
rreth 5.6 milionë marka gjermane – janë miratuar
për ndihmë për RSK.
Torkildsen ka arritur në përfundimin se Millosheviqi
ka qenë i përfshirë personalisht në vendimin
për të mbështetur financiarisht zonat e kontrolluara
nga serbët në Kroaci dhe Bosnje.
Ai gjithashtu ka paraqitur prova për përfshirjen e të
pandehurit në sigurimin ushtarak të RS dhe RSK.
Në vitin 1992 ushtria jugosllave ka lënë sasi të
mëdha pajisjesh ushtarake në Bosnje për serbët.
Në një raport të asamblesë kombëtare të
RS, të cilit i është referuar Torkildsen, komandanti
i Ushtrisë së RS, Gjeneral Ratko Mlladiq thotë: “Ushtria
jonë është një ndër të rrallat në
histori e cila ka filluar luftën çlirimtare me një
bazë materiale tepër solide”.
Torkildsen ka thënë se, në një takim të
mbajtur në zyrën e tij në nëntor të vitit
1992 me presidentin e RSK Goran Haxhiq dhe ministrin e brendshëm
Millan Martiq, Millosheviqi ka pranuar një projektplan për
mbrojtjen e entitetit dhe ka thënë se ai do të porosiste
forcat federale për të mbështetur personelin ushtarak
dhe civil të cilët kanë mbetur në Krajina.
Ai gjithashtu ka paraqitur një letër të dërguar
Millosheviqit nga Haxhiqi, në qershor 1993, në të
cilën presidenti i RSK ka paraqitur një listë të
gjatë pajisjesh ushtarake për të cilat kishte nevojë.
Letra përfundon me një kërkesë për Millosheviqin
“të përdorë autoritetin dhe influencën
e tij (për të realizuar) kërkesat tona”.
Torkildsen ka përdorur gjithashtu deklarimet e bëra nga
vetë Millosheviqi për të mbështetur provat e
tij.
Në prill të vitit 2001, Millosheviqi në burg në
Beograd i akuzuar për përvetësim fondesh, ka bërë
një deklaratë në të cilën thuhej se paratë
të cilat akuzohej se i kishte vjedhur ishin dërguar për
të ndihmuar ushtritë e RS dhe RSK.
Por gjatë seancës së pyetjeve, Millosheviqi ka thënë
se në fakt akuzat për përvetësim fondesh kishin
të bënin me paratë e dhëna ushtrive të
RS dhe RSK në vitet 1994 dhe 1995, dhe jo gjatë viteve
1992 dhe 1993 – periudhë për të cilën
ai akuzohet për krime lufte.
Millosheviqi ka shtuar se ai i kishte dhënë paratë
si ndihmë dhe nuk ishte përpjekur të kontrollonte
se si shpenzoheshin. “Kush vendos se si të ndahet ndihma:
ata të cilët e japin apo ata të cilët e përfitojnë
atë?”, ka pyetur ai.
Por Torkildsen është përgjigjur: “Ata të
cilët e kanë dhënë duhet ta kenë pasur
të qartë se një pjesë e madhe e saj është
përdorur për ushtrinë”.
(Autori është gazetar i IWPR-së) |