|
Fillimi i shekullit
1.
Do të ketë, brenda këtyre ditëve intepretime
të ndryshme se kush e vrau Zoran Gjingjiqin, kryeministrin
e parë të Serbisë pas Milosheviqit. Besoj se brenda
teorive të ndryshme të konspiracionit nuk do të jetë
lehtë të plasohet interpretimi im, e ai është
se Gjingjiqin e vrau Serbia. Ai ishte njeri kyç në rrëzimin
e Milosheviqit nga pushteti, dhe njeri kyç në vendosjen
e një rendi pas Millosheviqit, duke shkuar hap pas hapi në
largimin e njerëzve të ish-pushtetit, duke filluar prej
dorëzimit të vetë autokratit në Hagë. Ky
rend prodhoi një gjendje të re në Serbi. U largua
Milosheviqi por nuk u larguan njerëzit që e përkrahen
idenë e tij, e ata ishin shumica. Shumica që bërtiste
se do gjak kroati, boshnjaku a shqiptari, apo shumica që heshtazi
e përcillte këtë ngritje të fashizmit serb.
Shoqëria serbe, me dinamikë fashizmi për më
shumë se dhjetë vjet, përnjëherë gdhiu,
në tetor të vitit 2000 me mundësinë që
më në krye të saj të mos jetë Milosheviqi,
apo një ideologji që propagon luftën për territore
etnike. Kjo gjendje nuk ndihmohet as me ligjet e fizikës. Nuk
ka kalim të menjëhershëm prej fashizmit në demokraci.
Një trup që lëviz me një shpejtësi nuk
mund të ketë ndalje të plotë në vend. I
nevojitet hapësirë dhe kohë për t’u ndalur.
Në këtë hapësirë dhe kohë gjendej
Zoran Gjingjiqi, dhe e pësoi.
2.
Vrasja e kryeministrit është maja ilustrative për
gjendjen në shoqërinë serbe. Kjo shoqëri ballafaqohet
me të tri rrafshet e kohës. Ekziston një dosje e
gjatë e ballafaqimit me të kaluarën. Serbia e sotme
nuk bëri përpjekje sado serioze për të parë
se ç’ndodhi në dhjetë vitet e fundit në
ish- Jugosllavi, si ishte i mundur gjenocidi i inspiruar nga Beogradi.
Në rrafshin e së tashmes, për Serbinë vazhdonin
të mbeteshin të hapura çështjet e sovranitetit
të saj të jashtëm: a do të jetë apo jo
shtet i pavarur, si do t’i rregullojë marrëdhëniet
me Malin e Zi e Kosovën, dhe si të bëhet krejt kjo
duke u përpjekur të sanohen pasojat ekonomike e politike
e dhjetë vjet stagnimi apo degradimi shoqëror. Të
mos flasim për të ardhmen: perspektiva evropiane e tërë
rajonit ishte pak më e largët për Serbinë, me
të gjitha telashet që i kishte. Politika e Gjingjiqit
ishte e projektuar që të mos merrej shumë me të
kaluarën, posaçërisht ngase në anën e
errët të kësaj të kaluare kishte marrë
edhe vetë pjesë, duke ngrënë mish kau me prijësin
e serbëve të Bosnjës, Karaxhiqin, përderisa
forcat serbe gjuanin me topa popullatën civile në Sarajevë.
Ishte gjithsesi e përqendruar në të tashmen, duke
dashur të forcojë vijën e vet për shtet të
pavarur serb, duke arritur marrëveshje me Malin e Zi, përjashtuar
Koshtunicën nga funksionet publike dhe inicuar çështjen
e Kosovës. Dhe kishte projeksion të së ardhmes, me
një orientim, së paku pro-forma evropian. Atentati kundër
tij vetëm dëshmon se sa vështirë është
të merresh, qoftë edhe sipërfaqësisht me problemet
e Serbisë së sotme.
3.
Nga perspektiva e vetë Gjingjiqit, dhe në formë paradoksale,
vrasja e tij konfirmon formën e të vepruarit. Kur unë
e njoha në vitin 1989 kishte frizurë me bisht kali dhe
një vath në vesh. Analizonte në formë brilante
shkatërrimin e ardhshëm kushtetues të Jugosllavisë
komuniste dhe angazhohej për një proces demokratik. Me
të ecur të kohës, u bë bashkëbisedues dhe
pjesëmarrës në marrëveshje të fshehta me
shumë njerëz, prej Milosheviqit e deri te njësitë
speciale të njohura për vrasje në Kroaci, Bosnjë
e Kosovë. Prej bindjeve demokratike kaloi në ato të
pragmatizmit të përditshëm: çfarëdo aleati
është i mirë për qëllimin. Qoftë ai
liberal-demokrat, shkrimtar, vrasës apo kontrabandist me cigare.
Si kryeministër, kishte kombinuar bindjen e tij pro-evropiane
me pragmatizmin e të vepruarit me çdokë, dhe çdokund.
Vazhdonte me një dualitet: do të mund të zhvillonte
njëkohësisht bisedë të thellë intelektuale
dhe bisedë biznesi që i afrohej skemave kontrabande. Duke
përfunduar jetën kështu, vetëm sa vërtetoi
se në konstelacionet e tanishme në Serbi, me gjithë
kompromiset e bëra, dhe larg imazhit të një demokrati
e më afër të një njeriu që bën pakte
me dreqin, megjithatë nuk do të kënaqte Serbinë.
4.
Kosova nuk do ta ketë lehtë pas vrasjes së Gjingjiqit.
Ai këto ditë u bë personazh negativ në jetën
tonë publike për shkak të një ofensive të
paramenduar mirë, nga perspektiva e tij, për nxjerrjen
e çështjes së Kosovës në favor të
interesave të Serbisë. Problemet që ai i nxori, përkundër
interpretimeve që i bëri, megjithatë, kishin tumirje
të heshtur në kancelaritë botërore, dhe në
disa qarqe në Kosovë. Por, shkuarja e këtillë
dramatike e Gjingjiqit nuk do të thotë stabilitet, as
për Serbinë e as për Kosovën apo ndonjërin
prej fqinjve të Serbisë. Për një kohë të
gjatë, Serbia do të ballafaqohet me transformimin e brendshëm
dhe për një kohë të gjatë Serbia nuk do
të jetë vend stabil. Në vend të stabilitetit,
Serbia do të konsumojë jostabilitet, e madje këtë
do ta eksportojë, pikësëpari në Kosovë.
Së pari nëpërmjet të serbëve të Kosovës
e pastaj edhe nëpërmjet të marrëdhënieve
me UNMIK-un e Kosovën në tërësi, Serbia nuk
do të jetë një partner i shëndoshë, për
marrëveshje.
|