|
Kërkesa më e fundit e ish-kampionit të Milanit,
Roberto Donadoni, i ka prishur mendjen mesfushorit të talentuar...
Në ndjekje të talentit 18-vjeçar nga Kosova Valon
Behrami vihen edhe Liverpul e Kievo
Interi në kërkim të kosovarit
Mesfushori preferon të luajë me skuadrën e Donadonit
Inter, Liverpul dhe Kievo në kërkim të
talentit kosovar Valon Behrami. Lojtari i skuadrës së
Luganos, është bërë ditët e fundit objekti
kryesor i merkatos në Zvicër, duke u përfolur si
një nga lojtarët më të kërkuar për
momentin.
Dukej se fati i tij ishte orientuar drejt Premier Ligës, te
Liverpul, por një gjë e tillë nuk është
arritur ende, ndërkohë që edhe Interi ka këmbëngulur
për të blerë kartonin e 18-vjeçarit nga Gjakova,
që luan në krah të mesfushës. Ndërkohë
që kërkesa më e fundit e ish-kampionit të Milanit,
Roberto Donadoni, i ka prishur mendjen mesfushorit të talentuar.
Një tjetër futbollist shqiptar do të luajë sezonin
e ardhshëm në kampionatin italian. Bëhet fjalë
për një talent të ri kosovar, i cili është
thirrur nga trajneri i ekipit të serisë C1, Roberto Donadoni.
18-vjeçari Valon Behrami, nga Gjakova, por që jeton
prej vitesh në Zvicër, ka zgjedhur ekpin e ish-kampionit
të madh të Milanit dhe Kombëtares italiane për
të luajtuar sezonin e ardhshëm, duke iu bashkuar Florian
Myrtajt në këtë kategori të futbollit italian.
Futbollisti kosovar Valon Behrami, 18 vjeç, nga shumë
ekspertë të futbollit vlerësohet si njëri ndër
lojtarët më të talentuar në Evropë për
këtë moshë. Një gjë të tillë
e vërtetojnë edhe ofertat e shumta të klubeve të
mëdha, të cilat në këtë verë kanë
dëshiruar ta angazhojnë në radhët e veta këtë
mesfushor të ri kosovar. Futbollisti, që luan në
kategorinë e parë zvicerane me Lugano, ende nuk ka firmosur
zyrtarisht për ekipin xhenovez, por vetë ai ka shprehur
dëshirën për t´u bashkuar me idhullin e tij,
Roberto Donadoni. Agjenti i tij është kontaktuar nga drejtuesit
e klubit të serisë inferiore italiane, por ende nuk është
arritur që të nënshkruhet ndonjë gjë e
sigurtë. Megjithatë, ai fillimisht ka refuzuar ofertën
e Zherar Ullies, trajnerit të Liverpulit, e më pastaj
një përgjigje negative ia ka dhënë edhe trajnerit
të Interit, Hektor Kuper, si dhe drejtuesve të skuadrës
së Kievos. Dhe, në vend se të luaj në Premiere
Ligë të Anglisë, apo në Serie A të Italisë,
Valoni ka vendosur të largohet nga Lugano dhe ta pranojë
ofertën e skuadrës Xhenova, e cila luan në kategorinë
e tretë italiane. Arsyeja, pse Valoni ka marrë një
vendim të tillë të çuditshëm, është
se kjo skuadër italiane drejtohet nga Roberto Donadoni, ish-ylli
i Milanit dhe i Kombëtares italiane. “Donadoni është
idhulli im. Luaj në të njëjtën pozicion që
ka luajtur ai, në krahun e djathtë të mesfushës.
Mendoj se nën udhëheqjen e tij do të përparojë
shumë shpejtë. Në moshën time, kjo është
më e rëndësishme sesa të luajë për
ndonjë skuadër të madhe”, ka pohuar Valon Behrami
për një të përditshme zvicerane. Duhet theksuar
se krahas këtij futbollisti të talentuar, në skuadrën
e Luganos, luan edhe një tjetër futbollist i ri kosovar,
me nënshtetësi zvicerane. Është fjala për
mesfushorin tjetër, Rrahim Shala. Në këtë skuadër
ka luajtur edhe Rijat Shala, i cili muajin e kaluar kaloi në
radhët e Grashopersit.
Gazeta “Frankfurt Rundchau” vlerëson
shqiptarin
“Mehmet Dragusha njeriu që do çojë përpara
Eintrahtin”
E ashtuquajtura “zemra” e Kombëtares shqiptare,
treshja Çipi-Dragusha-Skela, do të jetë e padiskutueshme
në formacionin fillestar të Eintrahtit të Frankfurtit.
Mediat gjermane nuk kanë dyshime në lidhje me cilësinë
e tre kuqezinjve. Madje, sipas tyre, Dragusha do të jetë
njeriu që do ta shtyjë përpara skuadrën e Bundesligës.
Dragusha do e shtyjë përpara drejt suksesit Eintrahtin.
Me këtë titull, njëri nga gazetarët e njohur
të së përditshmes prestigjioze “Frankfurter
Rundshau”, ka analizuar atë që ka qenë periudha
përgatitore e Eintrahtit të Frankfurtit. Padyshim, zbulimi
i madh është kosovari Mehmet Dragusha, i cili përkundër
asaj që pritej, jo vetëm që ka fituar një vend
të padiskutueshëm në formacionin fillestar, por edhe
është kthyer në një shpresë të madhe
për skuadrën e Vili Rejmanit. Futbollisti i Kombëtares
sonë ka qenë i papërmbajtshëm në krahun
e majtë, duke shënuar madje edhe mjaft gola. “Krahu
i majtë do të jetë me siguri i tij. Do të jetë
ai që do ta shtyjë përpara Eintrahtin këtë
sezon”, shkruhej në “Frankfurter Rundshau”.
Ndërkohë po kjo gazetë theksonte se ashtuquajtura
zemra e Kombëtares shqiptare, treshja Çipi-Dragusha-Skela,
do të jetë titullare në këtë sezon. |