|
BRUKSEL,
BERLIN, 9 QERSHOR - Krishterimi pa dyshim ka pasur rolin vendimtar
në krijimin e vlerave të sotme evro-perëndimore.
Por sot, pas zhvillimit kaq të madh të teknologjisë
dhe shkencës, ky religjion, i cili ka pasur aq ndikim në
formimin e vetëdijes shoqërore moderne, nuk ka më
ndonjë rol në jetën e përditshme të njerëzve.
Evropa Perëndimore sot ka hyrë në një fazë,
të cilën disa teologë e quajnë “fazën
postkristiane”, sepse manifestimi i fesë në Evropë
më nuk është aq shumë i dukshëm. Kishat
e vjetra katolike nëpër Evropë janë të
zbrazëta, në to hynë më shumë turistët
japonezë me fotoaparate në duar e krahëror sesa besimtarët
katolikë. Me një fjalë, kishat mbushen përplot,
vetëm dy herë në vit: për festat e Pashkëve
dhe Kërshëndellave! Në shumë vende të Evropës,
sidomos në ato që kanë arritur nivel më të
avancuar të modernizimit siç janë Holanda, Belgjika,
Danimarka e Suedia, të rinjtë vështirë e dinë
se të çfarë religjioni janë, madje është
turp të pyetet një gjë e tillë, e nëse
pyesni, nuk duhet të habiteni nëse të rinjtë
nuk do ta dinë ose edhe do ta injorojnë atë “nivel”
bisede. Përjashtim bëjnë shoqëritë më
konservative siç janë ato në Gjermani, Britani
të Madhe, Greqi, Itali ose Spanjë. Kisha katolike, si
institucioni dominant fetar në vendet e Bashkimit Evropian,
për shkak të nurmit më të madh të besimtarëve,
e ky numër i katolikëve do të rritet pas zgjerimit
edhe më shumë sepse shumica e shteteve që hyjnë
në BE janë me shumicë katolike, e kjo ende vazhdon
të ketë ndikim në shtet. Edhe pse shteti e kisha
janë të ndarë, zëri i Kishës gjithmonë
dëgjohet dhe mirret parasysh. Por, duhet pranuar po kështu
që edhe ndikimi i kishës po venitet dalngadalë. Për
shembull, edhe pse janë bashkuar të pesë religjionet
e mëdha: Katolicizmi, Protestantizmi, Islami, Ortodoksizmi
dhe Judazimi, nuk kanë mundur ende të bindin Konventën
Evropiane që në Kushtetutën e ardhshme të BE-së
të figurojë edhe Zoti. Sot, Evropa dëshiron ta shohë
vetën si një vend liberal, ku e drejta e individit është
e patjetërsueshme, ku askush nuk ka të drejtë t’i
imponojë askujt asgjë, ku normë e përbashkët
morale mbi të gjitha është ligji. Në bazë
të kësaj gjithkund në Evropë garantohet edhe
liria e shprehjes së besimit fetar dhe mundësia e manifestimit
të traditës dhe religjionit. Pasi që Evropa është
një gërshetim i traditave të ndryshme, edhe pse për
bazë kanë civilizimin kristian, ekzistojnë praktika
të ndryshme të mënyrës se si mësohet feja
në shkolla, e në shmicën e shkollave evropiane feja
mësohet.
Në Holandë dhe në Belgjikë mësohen
të gjitha fetë
Belgjika është një shtet dominant katolik. Kisha
katolike si institucion ka ende ndikim të madh në shoqëri
edhe pse katolicizmi si fe ka gjithnjë e më pak ndikim
në jetën e përditshme të njerëzve. Nëse
për diçka çmohet katolicizmi në Belgjikë
atëherë është për shkollat katolike që
janë më të mirat, por edhe më të shtrenjtat.
Në Evropë këto shkolla kanë certifikatat shtetërore,
janë shkolla të përgjithshme sikur të gjitha
shkollat, por në to mësohet feja. Kjo është
çështje e zgjedhjes personale. Para se të regjistrohen
fëmijët në shkolla, atyre u tregohet e shpjegohet
se çfarë shkollash janë ato, e ata pastaj vendosin
nëse do t’i dërgojnë fëmijët në
to apo jo. Në këto shkolla mësimi i fesë është
i obliguar, por gjatë mësimit të katolicizmit nuk
bën të sulmohen a denigrohen fetë e tjera. Ka madje
shumë raste kur edhe pjestarët e komunitetit musliman
i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të
tilla. Në shkollat publike, si në Belgjikë që
është dominante katolike ashtu dhe në Holandën
e përzier, mësohen të gjitha fetë, por po ashtu
në bazë të përzgjedhjes. Nxënësve,
pos mësimit të rregullt të përbashkët,
u ofrohet të mësojnë njërin nga religjionet,
krishterimin, judaizmin apo islamin, ndërsa ata që nuk
dëshirojnë ta zgjedhin asnjëren prej tyre u ofrohet
lënda e “moralit laik” apo “Etikës”,
ku mësohet ngapak nga secili religjion dhe historia e civilizimeve.
Në të gjitha këto shkolla të gjithë nxënësit
nxiten të respektojnë të gjitha religjionet, madje
kur ka festa islame fëmijët e këtij besimi sjellin
dhurata dhe festojnë në shkolla bashkarisht. Në shkollat
evropiane ku është i obliguar mësimi kristian. Shpeshherë
mësimi apo dreka fillojnë me lutje, dhe nga këto
lutje janë të liruar ata fëmijë që nuk
i përkasin këtij religjioni. Prej kur ka filluar mësimi
i fesë islame në shkolla në Belgjikë, ka filluar
edhe një debat i ri në shoqëri dhe tash ka propozime
që të gjitha fetë të hiqen nga mësimi shkollor
në shkollat publike. Lënda e mësimit të fesë
islame në shkolla është thjesht nën kontroll
të hierarkisë fetare e jo asaj të ministrisë
së edukimit. Për këtë arsye askush nuk e di
me saktësi se çfarë mësohet në këto
orë të mësimit dhe shpesh herë mësimi i
fesë islame në shkolla ka ndikuar në rritjen e diskriminimit
të fëmijëve të këtij religjioni dhe në
disa raste edhe në veshjen e vajzave me shami në shkolla.
Në Gjermani protestantizmi dhe katolicizmi janë
të obliguara të mësohen në shkolla
Gjermania,
shteti më i madh në BE, ka praktikë më të
ashpër të mësimit të fesë në shkolla,
sepse në këtë shtet kishat si institucione kanë
ndikim ende të madh në jetën publike dhe atë
politike. Në Gjermani qytetarët edhe paguajnë tatim
për kishat, në bazë të regjistrimit të
tyre si protestantë apo katolikë, i paguajnë njërës
apo kishës tjetër. Në të njëjtën mënyrë
edhe ndahen nxënësit në klasa kur vjen radha e mësimit
të fesë dhe në bazë të deklarimit të
tyre fetar dhe të pagimit të taksave kishës, janë
të obliguar të mësojnë ose katolicizmin ose
protestantizmin. Fëmijët myslimanë apo hebrenj janë
të liruar nga këto ligjërata obligative dhe atyre,
në vend të këtyre besimeve, u ofrohet të mësojnë
lëndën e “Etikës” ku mësohen të
gjitha fetë. Edhe në orët e mësimit të
fesë katolike apo protestante mësohen edhe fetë e
tjera, sidomos islami dhe judazimi, por edhe sektet e reja, sepse
për të gjitha duhet mësuar dhe sidomos duhet respektuar.
Në Gjermani kanë dështuar deri tash të gjitha
tentativat që edhe feja islame të mësohet në
shkolla publike pasi që numri i besimtarëve myslimanë
është rritur dukshëm me ardhjen e emigrantëve.
Kryeqyteti politik këtë gjë e ka rregulluar ashtu
që kompetencat për këtë temë të ngrohtë
t’ua lërë kryeqyteteve të 16 landeve gjermane
dhe këto kryeqytete vazhdojnë ta refuzojnë këtë
gjë. Edhe disa shtete të cilat tash do të hyjnë
në Bashkimin Evropian e kanë obligative mësimin e
fesë, si për shembull Malta, një shtet konservativ
katolik. Turqia në anën tjetër është shembull
i një shteti tipik sekular, ku feja është e ndaluar
të mësohet në shkolla, sepse feja atje është
parë si rrezik i sekularizimit të shtetit. Madje, disa
grupe islamike nga Turqia shpresojnë se hyrja e këtij
shteti në BE do të sjellë më shumë të
drejta për ta dhe sidomos shpresën që mbase mund
të mësohet sërish feja. Në anën tjetër
rast evropian i një shteti laik është ai i Francës
ku ndarja në mes të kishës dhe shtetit është
më se e qartë. Thjesht, kisha nuk ka shumë ndikim
në këtë vend. Në Francë feja nuk mësohet
në shkolla publike dhe vajzat myslimane e kanë të
ndaluar t’i mbajnë ferexhetë në shkolla.
Çfarë shembulli mund të (mos) nxjerrë
Kosova nga përvoja evropiane e mësimit të fesë?
Vlerat evropiane janë një gërshetim i shumë
vlerave e kulm i të gjitha këtyre është toleranca.
Liberalizmi evropian ka mundësuar që fetë, pa diskriminim,
të mësohen në shkollat publike, në shumë
vende në bazë të vullnetit, por e njëjta liri
e zgjedhjes ua pranon të drejtën në martesa edhe
homoseksualëve dhe legalizimin e prostitucionit. Shumë
klerikë, të krishterë, myslimanë dhe hebrenj,
shpesh e kanë quajtur liberalizmin evropian dhe komercializmin
si rrëzimin më të madh për njerëzimin,
duke e krahasuar madje atë edhe me komunizmin! Por, pasi që
BE-ja nuk ka një skemë unike të mësimit të
fesë, atëherë edhe këtu janë pranuar përvojat
individuale të shteteve anëtare, që janë pjellë
e traditës së popujve dhe shteteve në fjalë.
Në Kosovë debati për mësimin e fesë është
nisur gabimisht dhe është duke vazhduar gabimisht. Së
pari në Kosovë njeriu duhet të niset nga fakti se
nuk ekziston toleranca fetare. Ajo që shqiptarët e quajnë
“Shembull i tolerancës fetare në Kosovë”
nuk është tolerancë, por është më
shumë mobilizim etnik. Toleranca mes shqiptarëve të
besimeve të ndryshme është rezultat i dominimit të
ndjenjës kombëtare dhe identitetit kombëtar e jo
i respektimit të feve. Kosova duhet vetëm tash të
fillojë ta ndërtojë tolerancën dhe atë
jo vetëm fetare, por edhe ndëretnike. Në Kosovë
sa herë që të hapet një ide, menjëherë
po ajo sjell edhe polarizimin e pashmangshëm, qoftë në
vija partiake apo edhe tjetërfare. Kur të arrihet një
nivel evropian i tolerancës, në Kosovë vetëm
atëherë mund të flitet edhe për përvojën
evropiane të mësimit të fesë. Por edhe në
Evropën e krishterë gjithnjë e më shumë
po dominon ideja që feja i takon individit dhe familjes dhe
se atë duhet mbajtur larg nga shkollat publike. Kush do ta
kontrollonte se çfarë mësohet në lëndën
e fesë në shkollat në Kosovë? Çfarë
do të mësonin gjatë orëve të besimit islam
nxënësit për fetë e tjera, apo anasjelltas në
orët e mësimit katolik?! A ka Kosova një përvojë
aq të madhe në ushtrim të vetëkontrollit dhe
mosdaljes nga binarët e banaliteteve të rrezikshme? A
do të ketë të drejtë një prind mysliman
t’i dërgojë fëmijët në mësimin
e fesë katolike dhe anasjelltas!? A ka në Kosovë
kuadër të mjaftueshëm teologjikopedagogjik për
të dhënë mësim feje në shkolla? Janë
këto vetëm disa nga dilemat që do të duhej zgjidhur
para se të fillohej debati i mësimit të fesë.
Edhe në vendet evropiane ku mësohet feja, nëse vërehet
se kjo ndikon negativisht dhe mund të ketë rreziqe diskriminimesh,
atëherë mirren masa për të ndryshuar apo parandaluar
këso dukurish. Pra, nëse shihet shembulli evropian, Kosova
kur të arrijë të ketë ligjet e njëjta,
apo të nivelit të këtillë, gjë kjo që
edhe do ngjajë një ditë, atëherë kisha
katolike dhe bashkësia islame mund të themelojnë
shkolla të veta, mund t’i regjistrojnë ato dhe të
marrin certifikata, e në ato shkolla mund ta vendosin fenë
si lëndë obligative. Deri atëherë, feja në
Kosovë do të duhet të vazhdojë të mësohet
vetëm në lokalet e bashkësive përkatëse
fetare dhe këtë të drejtë, sipas normave evropiane,
nuk mund t’ua mohojë askush! |