|
Anës detit i palarë
Ndër pashmangësitë që u kanë rënë
në hise shqiptarëve në shekuj, gjeografia zë
vend nderi, në kuptimin që historia e këtij populli
mund të skicohet edhe thjesht duke ia kundruar pozicionin në
hartë: të qenët midis Greqisë dhe Romës,
Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut, Katolicizmit dhe
Ortodoksisë, Krishtërimit dhe Islamit, kampit socialist
dhe botës së lirë; pa përmendur pezulltinë
mes maleve dhe detit, e cila sugjeron nomadizëm, blegtori,
tribalizëm, kusari, kryengritje, dyndje popullsie dhe përzierje
dramatike në qytetet.
Pothuajse të gjitha qytetërimet e kulturat e Evropës
dhe të Mesdheut e kanë lënë gjurmën e tyre
në trojet shqiptare: deri edhe fenikasit, avarët, normanët
e bogomilët. Shqiptaria ia detyron thelbin e vet sa qëndresës
ndaj këtyre ndikimeve e interferencave, aq edhe joshjes së
parezistueshme ndaj tyre; prandaj edhe sa më tepër që
shtyhemi në të kaluarën aq më vështirë
e kemi të ndajmë historinë e shqiptarëve nga
ajo e popujve të tjerë në Evropë; derisa arrijmë
atje ku dallimi midis arbërores dhe joarbërores është
thjesht akademik, domethënë i kotë, në mos manipulativ.
Anës dritës i paparë
Pas parantezës së tejzgjatur osmane, evropianizmin ua
risollën shqiptarëve rilindësit, së bashku me
vetëdijën kombëtare; Shqipëria u zgjua, si të
thuash, në shtrat të Evropës. Miti i Skënderbeut
e luajti në këtë rast rolin e atij principi organizues
të psikologjisë popullore që do të ishte përgjegjës
për orientimin e mëpastajmë të shqiptarëve
si komb. Jo më kot ky mit do të vihej në themelet
e shtetit të porsalindur shqiptar, si i vetmi koleksion simbolesh
romantike të garantuara; e më pas do të shërbente
si truall pjellor për mite të tjera rreth lashtësisë
e fisnikërisë kombëtare sic e provojnë edhe
mitet kadarejane të evropianizmit mesjetar të Arbërit.
Epoka e Skënderbeut do të pikturohej kështu si moment
kuintesencial në historinë shqiptare; sado e shkurtër
dhe jotipike që ishte, në të patën rast të
përvijohen të gjitha ato elemente që më pas
do të integroheshin në programet iluministe të elitave
rilindëse romantike dhe atyre post-rilindëse liberale:
krenaria kombëtare, uniteti përballë një rreziku
të jashtëm, mohimi i fillesave osmane e deri diku edhe
bizantine në ngjizjen e kombit, fytyra vendosmërisht e
kthyer nga Perëndimi, vetëdija e përkatësisë
evropiane dhe sidomos e pjesëmarrjes aktive në historinë
e kontinentit.
Megjithë adhurimin universal të Skënderbeut gjatë
periudhës së totalitarizmit, miti i Perëndimit ndër
elitat liberale të Tiranës e të qyteteve të
tjera bregdetare u kultivua doemos në mënyrë klandestine
dhe kitsch, duke u shndërruar shkallë-shkallë në
një lloj feje surrogato (mbetet për t’u hulumtuar
sa i përgjigjet ky mit kujtimit të Evropës mbijetuar
ndër të ashtuquajturit "të përmbysur").
Për këtë arsye, elitat që kanë në
duar fatet politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë
së sotme në thelb janë produkte të një
dukurie që do ta quaja neurozë të ndrydhjes totalitare.
Në të vërtetë, për gati gjysmë shekulli
regjimi komunist bëri të pamundurën për t’ia
prerë kulturës shqiptare lidhjet e natyrshme me Perëndimin,
sidomos duke ndaluar qarkullimin e lirë të njerëzve
dhe të informacionit (media, literaturë, art) e duke ndëshkuar
penalisht cdo shfaqje publike të nostalgjisë e të
dashurisë për Evropën. Filo-evropianizmi në
politikën e sotme shqiptare, në atë masë që
është idealist, i detyrohet kësaj neuroze të
vjetër. Vullneti për ta quajtur Shqipërinë pjesë
e Evropës ia detyron kështu ekzistencënt për
t’u distancuar nga tmerri i izolimit dhe i autarkisë
totalitare.
Konkurrencë polesh
Historikisht, orientimi pro-perëndimor i shqiptarëve
gjithnjë u është detyruar parive dhe elitave. Pushtetarët
e sotëm (dhe krejt klasa politike) priren ndaj Evropës
jo thjesht ngaqë janë idealistë ose të motivuar
filozofikisht, por ngaqë shohin se interesat u shërbehen
më mirë duke u integruar në kontinent. Duke u munduar
me mish e me shpirt që ta paraqitin veten në publik si
"interface" të Shqipërisë me Evropën,
këto elita tani kërkojnë në thelb stabilizimin
ose legjitimimin e sundimit të tyre, nëpërmjet akreditimit
në kontinent.
Përndryshe, për masën e votuesve ose "publikun
e gjerë" Evropa nuk ekziston aq si mit i vetëmjaftueshëm
sesa si një "tjetërkund", ose vend gjeometrik
jetërsimit (mërgimit) post-totalitar. Duket sikur për
vetëdijën e shqiptarit standard, Evropa priret të
mbetet skaji i përkundërt i një dipoli të tipit
"ne-ata"; ose "këtu-atje"; duke vijuar
të konotojë të huajën, të jetërsishmen,
të panjohurën; dhe duke depërtuar jo aq si kulturë
ose mesazh sesa në trajta të aureolës që rrethon
objekte ose mallra të dëshiruara.
Në atë masë që mediat vendase e tejngopin infosferën
duke i shtyrë në plan të dytë televizionet evropiane,
edhe vetë pozicioni i Evropës në psikologjinë
popullore vjen e dobësohet, përkundrejt skajit vërtet
të fortë: Amerikës. Kësisoj, në një
kohë që elitat me dhe pa pushtet i referohen Evropës
dhe luftojnë për integrimin evropian të Shqipërisë,
masat (publiku) vijojnë t’i referohen Amerikës,
duke e vënë këtë instinktivisht në piedestalin
ku dikur adhuronin Enverin, Stalinin, Musolinin (përkatësisht
Sulltanin). Miti i Amerikës, “edhe si hakmarrje ndaj
logokracisë "të urryer" të elitave dhe
kremtim i revanshit të vulgut” po tregohet palodhshëm
tërheqës e joshës për mendësinë patriarkale
autoritare që vijon të mbizotërojë ndër
shqiptarët.
Drejt Evropës pa evropianizim?
Nga ana e vet, elitat nuk kanë pse t’i përbetohen
orë e cast Evropës për besnikëri e përkushtim;
detyrë e tyrja e mundimshme është, përkundrazi,
që ta evropianizojnë Shqipërinë, për ta
bërë të pranueshme për standardet kontinentale.
Kjo do të arrihet njëlloj sikurse u arrit dikur zgjimi
i ndërgjegjes kombëtare ndër shqiptarë gjatë
Rilindjes: duke i bindur masat (publikun) se evropiania është
e vetmja alternativë mbijetese për Shqipërinë
si komunitet, si kulturë dhe si projekt. Me fjalë të
tjera, që Shqipëria të hyjë në Evropë,
është e domosdoshme të sillen prova jo për filo-evropianizmin
e elitave, por për evropianizimin kapilar të shqiptarëve
si të tillë. Dëgjohen ndonjëherë argumente
se stepja e Evropës ndaj shqiptarëve gjithsesi lidhet
me myslimanizmin e këtyre të fundit, në kuptimin
që Evropa e bashkuar i ka rrënjët në të
kaluarën e krishterë të kontinentit.
Këto argumente vijnë nga ato qarqe për të cilat
e sotmja është jo vetëm fatalisht e përcaktuar
nga e kaluara, por edhe e frymëzuar prej saj; nga ana tjetër,
brenda kësaj kornize konceptuale, shpesh vihet re si përzgjedhja
e së kaluarës historike është po aq vendimtare
sa edhe vetë principi i të kthyerit kokës prapa.
Në të vërtetë, ideja e një Evrope të
bashkuar është po aq pjellë e Rilindjes (post-mesjetare)
sa edhe e mendësisë së krishterë; madje për
nga etosi i detyrohet së tepërmi edhe Iluminizmit të
shekujve XVII e sidomos XVIII, një lëvizje e cila hodhi
shtat në ballafaqim të ashpër me krishtërimin
e me fenë në përgjithësi.
Por edhe pa iu drejtuar për argumente historisë, mund
të arsyetohet se Islami i kish shkëputur shqiptarët
nga ai shkëmbim informacioni e produktesh kulturore që
doemos qëndron në themele të Evropës së
sotme e të nesërme; duke i lënë në një
gjendje pak a shumë primitive, në rastin më të
keq, ose duke i kulturuar sipas një sistemi vlerash të
papajtueshëm me botëkuptimin evropian, në rastin
më të mire, dhe kjo do të ishte e vërtetë,
sikur të mos kish treguar Islami në Shqipëri një
varg tiparesh të cilat e afruan me Perëndimin në
një kohë kur Ortodoksia zyrtare kishte rezerva të
mëdha për këtë, ndërsa Katolicizmi po zyrtar
e denonconte liberalizmin përtejdetas me zell të papërshkrueshëm.
Për këtë dhe për shumë arsye të tjera,
argumenti fetar tingëllon kallp dhe nuk janë xhamitë
fshatrave ato që do t’ua bllokojnë shqiptarëve
rrugën drejt Evropës, ashtu sic nuk janë kishat ato
që do t’ua celin shtegun.
Frytet majhoshe të shantazhit
Për elitat në pushtet, shantazhi është fisheku
i fundit, karta e ruajtur në mëngë, shpresa e mbrame
për ta bindur Evropën se shteti i tyre i është
destinuar bashkësisë evropiane: pse një Shqipëri
e lënë forcërisht jashtë strukturave politike
dhe ekonomike të kontinentit rrezikon të kthehet në
një burim të pashterrshëm kriminaliteti, prostitucioni,
emigracioni klandestin, trafiku droge; pa përmendur rrezikun
tjetër që shqiptarët, të neveritur nga ato elita
që nuk ua siguruan dot "prosperitetin", tua japin
votëbesimin forcave politike të tjera, anti-evropiane,
perspektivisht fondamentaliste (ose që edhe vetë elitat
në pushtet, të zhgënjyera nga Evropa, të ndërrojnë
flamur).
Gjatë dhjetëvjecarit të shkuar shantazhi si mjet
presioni ndaj kancelarive evropiane është treguar vecanërisht
i suksesshëm dhe gjasat janë që të ndodhë
kështu edhe në të ardhmen, sidomos për sa kohë
që stabiliteti politik i Shqipërisë mbetet i varur
nga ndihmat e Evropës e nga stabiliteti i vetë elitave
në pushtet. Kjo është një lojë që
shqiptarët kurdoherë kanë ditur ta luajnë me
virtuozitet, edhe pse, afatgjatësisht, nuk i ka dhënë
shumë as Shqipërisë, as imazhit të shqiptarëve
në botë.
Shtrëngim dorashkash
Integrimi në Evropë jo vetëm garanton një numër
investimesh jetike për ekonominë e vendit, por edhe tërthorazi
në stabilitetin e klasës politike që do të mbikqyrë
realizimin e këtyre investimeve. Shqipëria ende nuk është
gati, politikisht, për të hyrë në Evropë;
sepse mendësia e forcave politike dhe e votuesve ende nuk duket
ta pranojë pluralizmin dhe diversitetin si një sistem
të natyrshëm që nuk mund të polarizohet moralisht;
dhe largimi nga pushteti ende perceptohet si një katastrofë
me pasoja shpesh të pallogaritshme.
Shumë politikanë evropianë që kanë të
bëjnë me Shqipërinë, dhe jo vetëm në
fushën e diplomacisë, duket se marrëdhëniet
duan t’i ndërtojnë mbi baza individuale, pse u besojnë
më shumë personave të caktuar sesa sistemit; cka
do të thotë edhe se ende vijon të ekzistojë
në vend një farë disociimi dramatik midis eksponentëve
të sistemit dhe sistemit vetë. Një skizofreni e tillë,
megjithatë, pritej në atë masë që demokracia
u zbatua në Shqipëri nga lart, nëpërmjet recetash
të gatshme të pakolauduara me rrethanat specifike të
vendit.
Për Evropën, Shqipëria do të mbetet edhe për
shumë kohë një truall i panjohur, enigmatik, i mbarsur
me rreziqe, kurthe e të papritura; por që gjithsesi është
në dorë të një klase politike të lidhur
me njëmijë fije me Perëndimin për nga botëkuptimi,
vlerat dhe interesat, pikësynimet afatshkurtra dhe afatmesme,
ndjeshmëria. Nga kjo pikëpamje, duket sikur elitave me
pushtet në Shqipërinë e sotme u është falur
“prej tutorëve evropianë” deri edhe korrupsioni
i pashembullt (i vërtetë dhe i përfolur) dhe ambiguiteti
ndaj shtetit ligjor, për sa kohë që ato elita mbeten
i vetmi ndërfolës njëfarësoj i besueshëm
për institucionet e kontinentit të bashkuar.
Bota në një pikë uji
Megjithatë, në Shqipëri mitit të Evropës
nuk është se i duhet të ballafaqohet me ndonjë
sistem imunitar armiqësor; sepse as anti-evropianizmi i elitave
konservatore filoislamike as mosbesimi instinktiv ndaj Perëndimit
ndër elementet e ricikluar prej strukturave politike totalitare
nuk duket të kenë ndonjë ndikim për të
qenë në mendësinë popullore.
Për elitat filoevropiane të Tiranës, zgjimi dhe
këndellja e vetëdijes evropiane ndër shqiptarë
do të lidhet, para së gjithash, me mënyrën si
do të trajtohet kulturorisht miti i vetvetishëm i Amerikës.
I përforcuar nga ndërhyrjet e fundit nga SHBA në
favor të shqiptarëve në Ballkan e nga protagonizmi
amerikan në arenën ndërkombëtare, ky mit duket
se ka gjetur truall të favorshëm në mendësinë
patriarkale tradicionale ndër shqiptarë, e cila doemos
do të joshet nga machismo-ja, fuqia ushtarake, zgjidhja e konflikteve
me dhunë, dora e fortë, forca goditëse dhe krejt
rituali naiv i sjelljes publike të presidentëve.
Nga ana tjetër, Amerika tradicionalisht ka luajtur rolin e
Tokës së Premtuar për të gjithë ata që
në Shqipëri nuk kanë mundur a dashur të jetojnë
dot më. Miti i Amerikës i shkon mirë për shtat
mendësisë hiper-materialiste të një pjese të
madhe të shqiptarëve, madje deri atje sa të kompensojë
për mungesën e përmasës spirituale në jetën
e tyre; dhe sidomos turmave që ende ruajnë në kujtesën
kolektive memin totalitar të vijës së masave dhe
të refuzimit të meritokracisë.
Me teprimet, teatralitetin, kultin e materiales dhe të teknikës,
mashkullizmin dhe apoteozën e banales Amerika mit është
shumë më e pranueshme për masat sesa Evropa aristokratike,
estetike, buzëhollë, kulturorisht mospërfillëse
e madje përbuzëse ndaj fqinjëve frymëqelbur
e kokëpalarë. Kontradiktat e fundit shpesh dramatike midis
SHBA dhe Evropës, nuk kanë mbetur pa u shfrytëzuar
nga forcat politike në Shqipëri; pse konflikti i mësipërm
është gjithëpërfshirës, në një
kohë që, për shembull, zemërimi i njërit
a tjetrit tutor nga pushtetarët nuk mund të kalojë
pa u vënë re e pa u përdorur nga opozita.
Pse Evropa?
Pse është domosdoshmëri integrimi evropian i Shqipërisë?
Vallë ky integrim do të jetë thjesht në favor
të elitave në pushtet, duke ua përjetësuar sundimin;
apo do të përmirësojë ndjeshëm nivelin
e jetesës jo vetëm në Tiranë, por edhe në
Llëngë, Shishtavec e Frashër? Cfarë do të
ndodhë me kulturën shqiptare në këtë perspektivë?
A është e rrezikuar kultura shqiptare dhe vetë thelbi
shpirtëror i kombit shqiptar nga ky integrim?
Në të vërtetë kultura shqiptare, ashtu sic
e njohim, është tanimë e kërcënuar për
vdekje; jo aq për shkak të konkurrencës vdekjeprurëse
nga ana e artit masiv global (filma dhe superheronj të Hollyëood-it,
muzikë e MTV-së, letërsi bulevardesh, rrëgjim
i gjuhës letrare dhe i aftësive të saj shprehëse,
kopjim flagrant formash pamore dhe zanore nga kultura të tjera,
vulgarizim i folklorit qytetar dhe atrofizim i folklorit fshatar,
perëndimorëzim i mjeteve shprehëse të mediave),
por edhe e sidomos pse dalëngadalë po i humb arsyet e
ekzistencës së vet. Duan apo nuk duan elitat me dhe pa
pushtet, integrimi i Shqipërisë në struktura mbikombëtare
është i pashmangshëm, edhe ngaqë agjentët
dhe mjetet shprehëse mbikombëtare janë funksionalisht
superiore ndaj analogëve të tyre tradicionalë; në
kuptimin që kitara, për shembull, është superiore
ndaj lahutës ose ciftelisë.
Në atë masë që modernizohet, Shqipëria
doemos merr pjesë në lëvizjen e përbotshme të
globalizimit dhe cështja nuk është nëse kjo
lëvizje mund të kundërshtohet apo jo (nuk mund dhe
nuk ka pse të kundërshtohet), por në cmënyrë
do të rithemelohet kultura kombëtare gjatë këtij
procesi integrues shumëshkallësh. Me fjalë të
tjera, Rilindja e De Radës, Naimit dhe Fishtës nuk do
të na udhëheqë dot kulturorisht gjatë shekullit
XXI.
Integrimi në Evropë kthehet kështu në një
mundësi të papërsëritshme për ta rimarrë
në kontroll Shqipërinë, sado të përfshirë
në rrjedhën e rrëmbyer të globalizimit. Evropa
e Bashkuar, të paktën ashtu sic e shoh unë, nuk është
dhe aq mohim i identitetit kulturor të popujve të mëdhenj
e të vegjël që derdhen në të, sesa e vetmja
mënyrë sesi ky identitet mund të mbijetojë në
kushtet e globalizimit teknologjik dhe mediatik, prandaj Evropa
e Bashkuar të paktën mëton të jetë një
integrim inteligjent, i harmonizuar nga lart dhe i drejtpeshuar
në dobi të interesave reciproke të të gjitha
palëve; jo një proces i verbër evolutiv darvinian,
i përkufizuar vetëm e vetëm nga nevoja për mbijetesë.
*Autori është studiues, linguist, kritik letrar, eseist
dhe jeton në SHBA
|