|
"Që prej shekujsh rron e thëna,
qengji i urtë i thith dy nëna,
por s'e dini më të renë, pi servili të gjithë
kopenë!..." - (Popullore)
LDK-ja është në vlugun e zgjedhjeve partiake, përkatësisht
në rivlerësimin e punës së saj dhe në kualifikimin
e kandidatëve për funksione të reja brendapartiake
që nga niveli më periferik deri në Kryesinë
qendrore. Përvoja dymbëdhjetvjeçare e kësaj
partie na jep mundësi të besojmë se këto zgjedhje
do të kenë vlerën e saj në aspektin kualitativ,
duke ua mundësuar kuadrove të afta që të japin
kontributin e vet në avancimin e proceseve drejt aktit final
për pavarësinë e Kosovës. Kjo ide do të
sublimohet vetëm nëse arrihet një reformim cilësor
e kualitativ, ku njerëzve të mendjes dhe të dijes
do t'u besohen dhe do t'u mundësohet udhëheqja e reformave
graduale e proceseve demokratike që kanë filluar.
Mbase beteja themelore për pavarësinë e Kosovës
është mu tashti kur në Kosovë janë zgjedhur
organet vendosëse dhe legjislative të vendit. Tani faktori
kryesor në avancimin e aktit final janë shqiptarët:
përgjegjësia bie mbi secilin njësoj, sepse atyre
ua ka besuar populli këtë mision kaq fisnik, por si grupim
politik përgjegjësinë më të madhe e bart
pikërisht LDK-ja e cila ka fituar më shumë vende
në parlamentin e Kosovës. Ajo tani duhet të bëjë
reformën rrënjësore për vete, si shembull edhe
për partitë e tjera të cilat heret a vonë duhet
të reformohen, duke u liruar nga njeriu servil, i cili me apo
pavetëdije i ka shërbyer të së keqes dhe rrëmujës
së gjithëmbarshme. Prandaj, rrëmujat e krijuara me
formulën e Dan Evertsit kanë pasur kuptimin e saj deri
në çastin e nënshkrimit të dokumentit zyrtar
për pajtueshmëri në emërtimin e organeve udhëheqëse
të vendit.
Spekulimet nisin pikërisht tashti, me sabotime si kurs i një
avazi të vjetër të qarqeve dhe grupimeve të
caktuara, të cilat si duket janë të financuara nga
qarqe të ndryshme, të cilat kanë arritur përmes
organizatave të caktuara, klubeve ndërkombëtare,
apo edhe asociacioneve edhe më të larta nëpër
këto shtete e organizata që janë donatorët kryesorë
të rrëmujës në Kosovë, të cilat janë
propaganduar kryesisht përmes shtypit dhe informimit si leva
kryesore e këtyre qarqeve. Bile, tashti pas lufte kanë
marrë përmasa shqetësuese, ngase pozicionet janë
po ato, dhe aktorët e njejtë si para, si gjatë dhe
si pas luftës. Nuk ka nevojë të citohen emrat e atyre
mjeteve të informacionit, por shihet se linja e atij intergralizmit
jugosllav, që implikon struktura të caktuara të shoqërisë
shqiptare kanë përseri privilegje të jashtëzakonshme
për të bërë rrëmujë e kaos, dhe për
të shpallur linçe të njohura që prej parardhësve
të tyre. Si duket bosët e tyre, përsëri u kanë
dhënë urdhëra...
LDK-ja bëri kompromiset e mjaftueshme dhe të domosdoshme
për natyrën e pluralizmit të propaganduar. Po aq
bëri lëshime edhe subjekti relevant që kandidoi një
nga personalitetet e tyre që shpresohet se së paku do
të krijoj bazamentin e një fryme tolerante dhe të
bashkëpunimit ndërqeveritar dhe kjo u bë në
momentin e duhur nga të dy palët dhe sikur u kuptua nevoja
e domosdoshme për një qetësi relative në Kosovë.
Për më shumë ky gjest politik mund të llogaritet
si njëri nga vullnetet më të mira të veprimit
dhe angazhimit për paqe e qetësi në rajon.
Strategjia e lëshimit pe, favorizon moralisht subjektin e caktuar,
për këtë arsye triumfi politik i LDK-së në
zgjidhjen e problemit nuk do t'i kthehet bumerang, siç aludohet,
sepse vetëm kjo klimë tolerance brenda këtyre pak
jave ia ka hapur dyert për një perspektivë të
ndritur. Nuk ia vlen konfrontimi i mëtutjeshëm kur ka
mundur të rrezikojë edhe organizimin e vet si subjekt
politik. LDK-ja, me një përvojë të gjatë
në lëshimin pe për ta ruajtur substancën dhe
për ta arritur qëllimin final, bëri aktin më
të mençur në këtë "kaosin"
e kohës paszgjedhore. Kjo strategji politike duhet kultivuar
edhe në të ardhmen, sepse elektorati do ta vërë
jo rrallë para këtyre sprovave jo vetëm LDK-në,
por edhe subjektet e tjera që participojnë në parlament.
Lëshimi pe i LDK-së, nuk duhet cilësuar si "tradhti
e dëshprim" për elektoratin e saj, përkundrazi
veprimi i saj nxori në pahë veprimin e koalicionit serb
"Kthimi", duke shpëtuar nga gremina njërin nga
subjektet politike shqiptare, duke ua mbyllur gojën matrapazëve
dhe telallëve të këtyre doktrinave se akcili personalitet
a subjekt, u takua këtu apo aty dhe po bën marrëveshje
me serbët. Se kush nxitonte të shpifte dhe cilat gazeta
a media përhapnin dezinformata e gënjeshtra, duke iu dhënë
zjarr, nuk ka nevojë të theksohen, sepse ato i di edhe
lexuesi më i zakonshëm, që dita më më ditë
po i kupton edhe veprimet e fshehta që janë në funksion
të një politike që nuk i shërben Kosovës
dhe ardhmërisë së saj.
Shikuar sipas zhvillimeve të mëvonshme dhe të një
qetësie relativisht më të pranueshme nga gjithë
popullsia e Kosovës, veprimi politik i kryetarit Rugova ka
qenë kurdoherë i matur edhe me serbët si kundershtarët
më të egër, të cilët kishin synim kryesor
shfarosjen e substancës njerëzore shqiptare në këto
hapësira. Së paku me kundërshtarët e politikës
së LDK-së, nuk qëndrojnë në këto raporte
sepse edhe nëse mendohet si kundershtar i veprimit klasik,
ata nuk kanë programe klasike por kanë veprime të
caktuara për eliminimin dhe bllokimin e trurit dhe mendjes
së veprimit të mençur pranë LDK-së.
Prandaj, ashpërsia e veprimit publik dhe nervozizmi i tyre
deri në çastin e miratimit të dokumentit për
krijimin e institucioneve të Kosovës ka qenë akti
më interesant i një opozite, që nuk mund të
pajtohej me pozicionin që ia kishte caktuar vota e popullit
dhe që nuk guxon tashti të interpretohet shtrembër
për interesat e caktuara.
Nëse zhvillimet politike në Kosovë i shikojmë
nga ky prizëm do të nxjerrim përfundime të vyeshme
për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Tanimë
subjektet politike në Kosovë, siç janë LDK-ja,
AAK-ja dhe me sa di edhe PDK-ja, janë para kuvendeve të
tyre zgjedhore dhe tani shtrohet pyetja a do të janë të
zonja të bëjnë reforma cilësore, dhe sa do të
jenë në gjendje për t'ua besuar vendet udhëheqëse
mendjes dhe dijes. Në secilin subjekt politik shihet një
përpjekje që çon nga pozitivja, por pengesa kryesore
e këtyre proceseve janë mjetet e informacionit publik
që fatkeqësisht janë në duart e të padijshmëve.
Me më shumë rrezik duhet parë servisin e asaj kategorie
injorante, e cila është e paaftë, kurse disa prej
këtyre mjeteve dallohen për zhargonin fyes e agresiv me
një perfiditet të theksuar nga një kastë e implikuar
në "diplomaci të fshehtë" dhe që bën
të dyshojmë se janë të dirigjuar e që veprojnë
me gjithë forcen për t'i penguar reformat brendapërbrenda
subjekteve politike, e pastaj konfliktin për ta bartur drejtpërdrejt
edhe në parlament.
Tani shtrohet pyetja se si është e mundshme që e
njejta garniturë propaganduese të vijë përsëri
në vendet kyçe të informacionit publik dhe si mund
të shpjegohet fakti, kur gazetari i njejtë që prej
30 vjetësh ka vendin kyç në orientimin e opinionit
publik për procese të caktuara dhe po ky soj gazetari
ishte servis i komiteteve të LKJ-së, para pranverës
'81, dhe që pastaj po ky tip gazetari në emër të
LKJ ndoqi të gjitha zhvillimet politike që pasuan pas
këtyre ngjarjeve.
Nëse gjërat shikohen nga prizmi i perspektivës do
të venerohen lëvizje e gatishmëri politike për
reforma edhe brenda bllokut opozitar, edhe aty ka mendje të
ndritura dhe ka vullnet për të çuar proceset përpara,
ka gatishmeri për të bërë kompromise, por ka
pengesa pikërisht nga këto lidhje që i theksuam më
parë. Si gjeneratë më e re që ishte, dhe pa
përvojë intelektuale e politike, ata kanë futur vend
e pa vend në funksion energjitë të cilat nuk iu kanë
munguar.
Beteja për pavarsinë e Kosovës tanimë ka formën
institucionale. Subjektet politike të cilat e përbëjnë
Parlamentin e Kosovës, duhet shpalosur platformat e tyre për
t'u arritur ky synim, me punë dhe programe, me përpjekje
dhe angazhim serioz. Kjo do të arrihet vetëm duke i spostuar
injorantët dhe servilët nga vendet kyçe brenda
subjektit të caktuar. Po një shembull i mirë janë
ngjarjet brenda dhe përreth Kosovës, dhe nëse përcillen
me vëmendje dhe analizohen mirë përpjekjet e kualicioni
serb "Kthimi" për ta bllokuar punën e Parlamentit
të Kosovës.
|