|
Reportazh
Çikërimën e fundit të kafesë në
filxhanin tipik anglez,axha Ramadan, 75 vjeçari nga Prishtina,
e thith duke të dhënë ndjenjën e një nikoqiri
prej vitesh.Ramadan Berisha, në fakt është krejt
ndryshe.Është ashtu siç na thotë vetë
ai:"E kam troshitur atë të mallkuar dinar, e kam
troshitur bre..., por më ndini, jo për salltanetet e serbit,
as për batakçillëqe, por për më shumë
arsimim, për më shumë shqip në familjen time
, për më shumë kulturë në Kosovën
tonë..."Ai, axha Ramadan me peshën e 75 viteve mbi
kurriz, ka gati të vulosur në ç'do rrudhë
të ballit me detaje ciflat e dy luftërave mbi shqiptarët.Është
prototipi i shqiptarit, që zbriti në Angli në kohën
e krizës dhe "trazoi" portretin e tij të vjetër
me një jetë të re, teksa i dukej edhe komode, edhe
inferiore, edhe zhgënjyese në fakt.Bashkë me të
,e shoqja dhe dy djemtë, vajza dhe pesë mbesat e nipi
i tij i vetëm i lindur në South Yorkshire.Veç këtij
të fundit, ata e ndjenë lirinë në hapësirën
e kaltër të qiellit, teksa lanë pas kampin e Stankofcit
në Maqedoni, kur një avion special i Mbretërisë
së Bashkuar i zhvendosi, si për fatin e tyre të shkruar
nga Zoti, siç shprehet axha Ramadan, dhe i pruri në
qytetin e Yorkut, në këtë ndërthurje të
mrekullueshme të lashtësisë me modernen, në
strofkën tashmë turistike të ish kryeqytetit të
parë anglez.Më pas këtu u lehtësuan dhimbjet
për dy të rrënët nga familja e tij në luftën
e paharruar për ne të gjithë.
Axha Ramadan, nuk e ka pirë kurrë duhanin, por tani se
lë paketën mënjanë.E nisa, thotë ai, në
kampin e Stankofcit në Maqedoni, pasi na dëbuan serbët
paramilitarë nga shtëpia në Prishtinë.Nuk e
kisha pirë duhanin as në momente më të vështira
të jetës sime, as në kampin nazist të Prishtinës
më 1944, as kur më burgosën serbët për
të më shtuar shërbimin ushtarak, as kur më humbën
në luftë dy të afërmit e zemrës sime.Por,
policët më të egër të Ballkanit, sivëllezërit
e serbëve, më lanë këtë dert.E.e, e, nejse,
tani dua t'a lë mënjanë këtë mizohistori...
Tani mëngjeseve të ftohta angleze, axha Ramadan me një
shkop në dorë, por ende trupmbajtur, ecën rrugës
ndanë shtëpisë ku jeton dhe përshëndetet
me të gjithë, ashtu siç di ai në fakt, t'i
bëjë për vete edhe më fanatikët e këtij
vendi ndaj të huajve."Është koha të harrojmë
të kaluarën e të ndërtojmë të renë.E
kaluara, ose më saktë koha jonë mbaroi",-shton
ai teksa e shoqërojmë në rrugën e tij të
mëngjeseve e të buzëmbrëmjeve të zakonshme
tashmë."Ne bëmë aq sa ditëm,- vazhdon ai,
aq sa mundëm.Tani të rrinjtë duhen lënë
të lirë, të paktën të mos u vëmë
gurrë nëpër rrota, të mos u thurrim kurthe,
e të mos ua bëjmë atë që as serbi s'do
t'ua bënte më.Unë jam kundra burgjeve për lirisjedhësit,
jam kundra heshtjes, se ajo është e njëjtë me
varrin e më e keqe se vdekja...Të rrinjtë janë
më shumë se një e thënë, më shumë
se një këngë, më shumë se një zanafillë,
ata janë e vetmja shpresë për një Kosovë
të re, ...për një Shqipëri të re...
E ndërsa lotët e tradhëtojnë, ashtu mbi bastun
në këtë ecje të shkurtër konfuze, tërheq
një degë jargavani ndanë rrugës dhe thotë
amanetin:"Për një grusht dhe ..., po, po, për
një grusht dhe të Kosovës kemi nevojë tani...,Atë
grusht dhe e dua aty tek varri im, aty në Prishtinë..."
KOHA NË MARTINS COURT
Jo rrastësisht restorant-bari në Martins Court të
Leicester Squares, ka marrë emrin "KOHA".Pronari
i tij nga Prishtina, Fadil Maqedonci, i vuri këtë emër
në gjuhën shqipe, këtu në zemër të
metropolit anglez, larg emërtimeve që sytë tanë
janë mësuar të shohin zakonshëm, jo për
ndonjë zgjedhje personale, por ashtu siç thotë
ai për "EUROZERI"-n, për vetë faktin e
kohës që solli shqiptarët në këtë
vend.Për "EUROZERI"-n më tej ai shprehet:"Ishte
koha e një shansi të ri për të gjithë shqiptarët,
koha që i dha trungut të përvuajtur shqiptar shanse
të reja, koha që hoqi retë e zeza mbi Kosovë".
Dhe përzgjedhja duket vërtet interesante.Tani mjaft klientë
janë miq të "KOHA"-s.Mjaft prej tyre shpenzojnë
jo pak minuta aty.Janë klientë shqiptarë, por ndoshta
edhe gjeneralë e ushtarë anglezë që hynë
me armë për të çliruar përfundimisht
Kosovën.Edhe të tjerë, vendas e të huaj janë
miq të "KOHA"-s, tashmë.
Dhe ndërsa shikon këtë emër në ballinën
e restorant-barit, mendja rreket tek burimi i saj, më saktë
tek bashkëjetesa e saj me ditët plot dhimbje në ditët
e tjera me shpresa të reja, por që ende mban të pathara
lotët dhe gjakun e plagëve.Ajo, sidoqoftë jeton në
të gjitha ditët e javës, muajit e vitit , si një
dëshmitare e heshtur në zemër të Mbretërisë
së Bashkuar, për t'i dëshmuar më tej edhe nesër
historisë.
Nesër restorant-bari "KOHA", mund të transformohet,
pronari i saj mund të krijojë më shumë vizion
për biznesin e tij, por koha nga mori emrin ky restorant, do
të jetë po ajo, e dhimbshme dhe prekshme, si koha që
shumëzoi ecjen konfuze të këtij shekulli me hapat
e një populli të gjakosur drejt lirisë.
|