| Aspak
e ndryshuar nga lindja e Rianës, këngëtarja shkodrane
Vjollca Luka, me taka të larta dhe me buzëqeshje që
nuk i perëndon nga fytyra, përherë duket elegante.
Me një burrë simpatik në krah që e ka edhe koleg,
ajo edhe tash, pas dhjetë vitesh që është bërë
e njohur, vazhdon të jetë modeste. Janë rikthyer
në Ulqin nga SHBA, në qytetin e lindjes së Gjovanit,
në qytetin ku janë njohur për herë të parë
dhe ku janë bërë së pari shokë e më
vonë edhe të dashur. Amerika i ka bukuritë e saj,
komoditetet, por çifti i ri bashkë me vajzën e
tyre simpatike kanë vendosur të rikthehen në atdhe.
Ajo është shkodrane tipike e ai ulqinak i pashëm,
por jo pirat siç i njohim, por tepër i ndjeshëm
jo vetëm në këngë por edhe në jetë.
Ndoshta edhe më i ndjeshëm se sa poezitë e Vjollcës
të cilat ajo ende nuk e ka guximin t’i botojë.
E zgjedhur si njëra nga më të mirat interprete shqiptare
të këngës popullore në spektaklin “12
në Holivud”, ajo për asnjë çast nuk
iu nda këngës.
Grimi: E përdor mjaft edhe pse e di se nuk
është aq i këshillueshëm. Grimi më pëlqen
dhe më duket si një art në vete. Në kohën
kur rri në shtëpi, atëherë grimi është
më i lehtë, kurse në mbrëmje kuptohet, bëj
grim skenik për shkak të dritave. Rimelat, buzëkuqin,
lapsat dhe pudrën i përdor të firmës “L’oreal”.
Parfumet: Kam dëshirë që të
ndërroj shijen e parfumeve. Kohët e fundit po me pëlqen
më shumë shija e parfumit “J’adore”.
Veshja: Shija ndryshon. Kuptohet se veshja nuk
do të mbetet përherë e njëjtë. Në
përditshmëri, më shumë veshje sportive, kurse
në skenë veshje që i shkojnë skenës, që
natyrisht varet nga disponimi. Edhe nëpër programe dhe
dasma ku këndoj, nuk më pëlqen të veshi fustane
që janë të rënduara me vezullimë dhe stoli
të tepërta.
Çantat dhe këpucët: Çantat
i kam pak pikë të dobët. I zgjedh dhe i blej në
masë jo të vogël. Pjesën më të madhe
të çantave i kam blerë në SHBA dhe nëse
ndalem në ndonjë vitrinë, atëherë do të
jem ndalur që të shikoj një çantë. Këpucët
zakonisht kam dëshirë që t’i mbaj pak me taka,
kurse nga të gjitha më së shumti rehat ndjehem me
sandalet elegante, gjithsesi në kombinim me çantën.
Aksesorët:
Janë pjesë e veshjes sime dhe kam dëshirë që
t’i ndërroj shpesh. Zakonisht nuk vë stoli ari por
aksesorë të ndryshëm si: unaza, byzylykë, varëse,
kurse rripat e brezit më pak. I kam në qejf edhe syzet
e diellit dhe ato zakonisht i mbaj të firmës “Versace”,
sepse janë të kualitetit të mirë. Dikush si
pjesë të aksesorëve e mban edhe telefonin kurse unë
nuk e parapëlqej shumë atë sepse më mirë
ndjehem pa telefon në dorë dhe pa cingërimën
e tij.
Moda: Sa kam qenë në SHBA vazhdimisht
kam ndjekur një stacion televiziv për modën më
të re. Edhe nëse nuk veshi nganjëherë veshje
të modes, gjithsesi kam dëshirë që të shoh
dhe të jem e informuar rreth modës më të re
në botë.
Më çfarë e plotësoni të dashurin
tuaj: Jo vetëm njëri tjetrin që e plotësojmë
në jetë, por mendoj se njeriu gjatë gjithë jetës
do të plotësohet sepse askush, asnjëherë nuk
mund të jetë krejt i përsosur.
Gjëja pa të cilen nuk mundesh: Humori shkodran. Shumë
situata jetësore të pakëndëshme i kam kaluar
me humorin shkodran.
Pushimet: Nuk kam edhe aq shumë kohë
për pushimet sepse gjatë verës edhe unë edhe
im shoq jemi të angazhuar mjaft nëpër dasma. Gjithashtu
edhe gjatë pushimeve të dimrit jemi të zënë
me programet televizive dhe të videokasetave të Vitit
të Ri. Pushim bëj zakonisht nga fundi i verës, tash
në shtator. Pushimin më të bukur e mbaj mend atë
të muajit të mjaltit ku bashkë me tim shoq ishim
në Majami.
Aerobia: Zakonisht nuk ushtroj sepse nuk kam
kohë, por edhe për arsye se nuk e kam pasur shumë
të nevojshme.
Dhuratat: Më pëlqen shumë edhe
të bëj dhurata, por edhe të marr dhurata. Më
shumë se sa dhuratën unë e vlerësoj mendimin
për atë dhuratë. Kur jap dhuratë gjithëherë
e rivlerësoj idenë se a ia kam qëlluar apo jo. Nga
dhuratat më së shumti dhuroj parfume.
Riana: Është gati dy vjeç. Ma
ka ndryshuar pak a shumë mënyrën e jetesës.
Prania e saj çdo ditë më sjell diçka të
re. E dua më së shumti në botë.
Gjovani: Është këngëtar i
njohur në Kosovë dhe në diasporë. Jam e lumtur
që kam gjetur një njeri që më kupton mirë.
Vendlindja: Shkodra është pika ime
e dobët. Por edhe në Ulqin që është afër
Shkodrës e kam gjetur një ngrohtësi që më
plotëson pak a shumë Shkodrën time. Edhe pse rruga
është shumë e keqe, shkojmë shpesh me burrin
tim deri në Shkodër, qoftë edhe për një
kafe.
|