VIOLETA XHAFERRI - EKSPOZITA NË TIRANË

Violeta Xhaferri, është artistja e njohur nga Prishtina që vjen me ekspozitën e saj të parë vetjake në Tiranë. Është një ekpozitë ku përfshihen punë të periudhës 1994-2002. Përveç ekspozitës, ajo rrëfen edhe për jetën e saj personale, lidhjen e saj me të shoqin Arbër Xhaferrin dhe fëmijët e saj artistë, violinistin Ilir Xhaferrin dhe vajzën që studion regji, Vlorën
Zonja e Arbër Xhaferrit, në një ekspozitë në Tiranë

Është gruaja e politikanit të njohur Arbër Xhaferri. Por asaj nuk i pëlqen të bëjë një prezantim të tillë. Parapëlqen ta njohin më shumë si artiste.“Deri para pak vitesh Arbrin e prezantonin si burri i Violeta Xhaferrit. Ndërsa tani pas emrit që ai bëri në politikë, parapëlqejnë të më prezantojnë mua si gruan e Arbër Xhaferrit”. Kështu thotë piktorja e njohur prishtinase, Violeta Xhaferri, e cila sapo ka ardhur në Tiranë për të hapur ekspozitën e parë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve. Herë-herë bën shaka , duke e “kritikuar” veten pse i la terren politikanit Arber Xhaferri për të fituar këtë forcë, pra që njerëzit ta njohin përmes tij. Megjithatë ajo, nuk mund ta kalojë pa një të qeshur këtë “përplasje” të këndshme mes saj si piktore mjaft e njohur në Kosovë dhe në Norvegji ku po jeton aktualisht, dhe politikanit Arbër Xhaferri.

Një vizitë në Tiranë
Është veshur me shumë shije. Flokët e dredhur, i mban të mbledhura shkujdesur dhe shoqërohet gjithkund nga e bija Vlora. Kësisoj Violeta Xhaferri po shijon për pak ditë Tiranën. Ekspozita e saj e parë këtu, është një ngasje e lindur prej kohësh, që në verën e vitit të kaluar. “Në verë isha këtu dhe vizitova Galerinë Kombëtare të Arteve. Pikërisht atëherë më lindi ideja të vij në këtë galeri me një ekspozitë vetjake”. Kështu thotë artistja, ndërsa shton se e gjithë ekspozita është ngritur muaj më parë në Norvegji, dhe pikërisht e tillë, në dy cikle, ka ardhur edhe në Tiranë. “Në fakt, ideja ka qenë e kahmotshme. Por mua m’u desh të largohem nga Kosova, atëherë kur sa nisën kohët e vështira aty. U largova së bashku me fëmijët për në Norvegji, ku ende jetoj”, – rrëfen Violeta, ndërsa shton se pikërisht këtë ekspozitë që ka sjellë në Tiranë e ka hapur në vitin 2002 në Norvegji. Atje ka një studio të mahnitshme, që mund të jetë ëndërr për të gjithë artistët e artit pamor. “Është e ngritur pikërisht në një vend turistik, ku ndalojnë të gjitha varkat e turistëve, që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Përpara studios ku unë punoj shtrihet një pamje magjepsëse. Atje mund të gjesh pemë nga të gjithë vendet e botës. Mbaj mend njëherë kam parë edhe fiq, në një pemë aty afër”. Kështu shpjegon artistja Xhaferri, duke sjellë detaje mbi gjithë punën e saj në atë studio.

Familja e Violetës
Fillesa e kësaj familjeje gjenden larg që në vitet e studimeve në Beograd kur ajo u njoh për herë të parë me Arbër Xhaferrin. Atëherë ajo ishte studente e kostumografisë në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd dhe nga njohja me Arbër Xhaferrin kujton vetëm momentet dhe detajet që i sjellin ndërmend këtë njohje. Më tej martesa me politikanin e ardhshëm, nuk i kujtohet. “Ndoshta është për të qeshur por nuk më kujtohet data e saktë e martesës sime e as hollësi të tjera rreth saj. Për mua kurrë nuk ka pasur rëndësi kurora martesore. Mjafton që isha njohur me njeriun e duhur dhe kaq”,- thotë Violeta, ndërsa rrëfen se megjithëse janë shpesh të ndarë, në familjen e saj gjenden gjithmonë energjitë për të qenë afër kur është e nevojshme. “Ne nuk na mban larg vetëm hapësira mes artit dhe politikës. Në fakt, mbi supe ne mbajmë hera herës edhe largësinë fizike, këto vite që unë po jetoj në Norvegji”. Kështu pohon artistja ndërsa rrëfen se njëkohësisht gjendet larg me studime edhe vajza e saj, Vlora, e cila studion për regji kinemaje në Romë dhe djali i saj Iliri, violinist, që është i martuar dhe sapo është bërë baba në Prishtinë. E ndërsa rrëfen mbi këto largësi të përkohshme në jetën e saj, dhe mbi ato fije që i lidhin fort, Violeta pohon se mbi të gjitha e kupton bashkëshortin e saj politikan, dhe ka bindje të njëjta politike me të. “Shpesh fëmijët më ngacmojnë e më thonë je bërë dhe ti patriote e madhe... Por unë mendoj se për një nënë patriotizmi më i madh është të mbrojë fëmijët e saj”,- thotë artistja.

Piktura
Me pikturën ka 8 vjet që merret rregullisht. Në fakt është një art që e ka dashur gjithmonë, por puna e saj deri para disa vitesh ishte e lidhur ngushtë me kostumografinë dhe kësisoj artistja nuk ka pasur shumë aktivitet me pikturën. Kam punuar për shumë vite në teatrin e Prishtinës si kostumografe”,- thotë Violeta, duke theksuar se këtë punë e ka nisur që në kohën pas mbarimit të studimeve.
Ajo ka realizuar kostumografitë e rreth 100 shfaqjeve teatrore dhe për dy filma të “Kosova filmit” si “ Kur pranvera vonohet” dhe “Proka”. Po ashtu ka realizuar edhe kostumet në filmat televizivë “Trimi” dhe në serialin “Migjeni”. Ndërsa në vitin 1994-1995 filloi të merrej vetëm me pikturë. Në vitet e jetesës së saj në Norvegji ka mundur të nxjerrë nga duart mjaft piktura goditëse. Është shfaqur sa në një ekspozitë atje në Norvegji, në Prishtinë, në Beograd, e së fundi edhe në Tiranë.
Për këtë ekspozitë thotë se është munduar të mbledhë së bashku dy periudha të artit të saj. “Pjesa e parë e ekspozitës përmbledh punime nga viti 1994 deri në vitin 2000. Në këtë pjesë, tematika që e ngërthen është e gjithë ajo çka ndodhi në Kosovë gjatë kësaj kohe”,- pohon artistja. “Një krijues e ndien veten pak fajtor pse është larg asaj çka ndodh. Dhe e gjithë kjo tek unë u kthye në një obligim, të cilin mendoj se e kam hedhur në punët e kësaj periudhe”,- thotë Violeta, duke theksuar se largimi i saj nga Kosdova në atë kohë lidhej vetëm me gjendjen e pasigurt që rendte çdo ditë e më shumë drejt familjeve kosovare. “Ndërsa në pjesën e dytë të ekspozitës kam përmbledhur punë të vitit 2000 deri në vitin 2002. E kam quajtur gjithë këtë pjesë të ekspozitës “klik”. Mendoj është e qartë, jam munduar të jap gjendjen e nderë që na servirin mediat çdo ditë. Dhe “klik” do të thotë klikoj, kërkoj në kanalet e shumta televizive”,- thotë artistja, duke theksuar se është munduar të bëjë një llojë satire me mediat, ku njeriu është gjithmonë i bombarduar nga lajmet që nga dhuna brutale e deri tek erotika e shfrenuar .

Çfarë është piktura e Violeta Xhaferrit?
Violeta Xhaferri ka vendosur t’i mbulojë muret e galerisë me një satirë politike, e cila mbështetet në një realitet të përditshëm medial që pasqyron këtë botë të fragmentizuar dhe të ndarë. Mediat vetë nuk janë objekt i trajtimit të saj, por thjesht janë një motiv në krijimtarinë e saj artistike. Pikturat me efekte fotonegativi janë të veshura me ngjyra të ndezura që shkëlqejnë me heqje brushe të papërfunduar, ajo arrin të kapë ritmin dhe fërëllimën të cilat pandërprerë na e vjedhin aftësinë për të ndërtuar një botë si një tërësi harmonike”. Kështu shënon në një kritikë mbi veprën e Artistes Xhaferri, kritikja norvegjeze, Kristi Brovig.
Ajo thekson se në këto vepra, kontrastet janë të forta. Ndërsa sytë bien ndesh diku me një reklamë instante për higjienën trupore, pastaj me një dashuri romantike, që përfundon me pornografi vulgare, me heronjtë e famshëm të futbollit, refugjatë duke ikur, demonstrata e dhunë policore, e kështu me radhë. Pastaj shfaqet një skenë prekëse që të djeg shpirtin- një nënë e pafuqishme vajton për të birin e masakruar. Dasma e princit trashëgimtar i fronit dhe nusja e tij kanë rëndësi të njëjtë sa edhe Kullat Binjake të shkatërruara. Nuk ka pushim mes lajmeve të mira dhe tragjedive. Është si një mallkim i amëshueshëm, ferri i një tragjedie të hidhur, i cili në qetësi është duke na bluar, ndërsa në prapavijë dëgjohet një muzikë që të gjithë neve na bën të lumtur. Ky është një art që të miklon, është lutja jonë e çakorduar e mbrëmjes që flet shumë më tepër se sa një sërë analizash shkencore për vakumin e mjerë shpirtëror, ku edhe pse të lirë e të pasur jetojmë gati të gjithë ne”. Kjo është nëj analizë e shkurtër mbi disa nga punimet e Violeta Xhaferrit nga kritikja e artit, norvegjezja Kristi Brovig, e cila thekson se i duhet dhënë një duartrokitje me doemos kësaj gruaje artiste, “e cila vjen nga jashtë dhe merr guximin t’i vërë në spikamë normat tona se ç’është art i mirë. Me temat e përditshme me të cilat ajo merret: pra ngjyrat sugjestive dhe lëvizjet e ashpra të brushës së saj, ajo ka vendosur të marrë një qëndrim kritik ndaj civilizimit dhe mediave”.

 

shkruan:
Admirina Peçi
Shekulli
Copyright www.agimi.com 2002