| In Memoriam Simon Shiroka 1927-1994
Stafi redaktues AGIMI.COM me pietet e përkujton mjeshtrin e artit të filigranit Simon Shirokën, të cilit në moshën 67 vjeçare para dhjetë viteve më 9 gusht të vitit 1994 i pushoi së rrahuri zemra në moshën më të mirë të pjekurisë jetësore dhe krijuese, njëri prej artistëve autodidakt më të njohur të pikturës dhe skulpturës aplikative kosovare.
Për ta kuptuar jetën dhe veprën e Simon Shirokës,së pari duhet të njifemi me rrethanat historike dhe faktorët që kanë ndikuar në drejtimet esenciale shprehëse të këtij artisti autodidakt.Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, zeja e argjendarisë ishte një ndër zejet më të rëndësishme në Prizren, prodhimet e së cilës ishin të përmendura në shumë vende të Evropës. Në vitin 1866, në Prizren ishin 47 argjendari filigrane, 53 punishte tytash dhe çarqesh për armë zjarri, 155 punishte armësh luksi të zbukuruara me ar e argjend dhe 3 punishte llullash dhe pipash si dhe puntori speciale për përpunimin e argjendit.
Duke çmuar lart nivelin e kësaj mjeshtërie artistike një studiues i huaj shkruante:" janë interesante prodhimet e argjendarisë shqiptare dhe njihen mirë objektet e punuara nga artistët e Prizrenit, djepit të argjendarisë iliriane moderne, ato të Shkodrës, Pejës dhe të viseve të tjera, që bëjnë punime të shkëlqyera filigrani dhe me incizim." Depërtimi i kapitalit të huaj pasoi rënien e zejes së armëtarisë e bashkë me të edhe të zejes së argjendarisë. Në vitin 1914 në Prizren kishte 35 dyqane të zejes së argjendarisë.Shitoret e vjetra të argjendarisë ndodheshin në çarshinë Merxharit e cila quhej kështu qysh në shek. XVII. Çarshia ndodhej në anën e majtë të lumit, afër Urës së Gurit. Një pjesë e kësaj çarshie u rrënua krejtësisht në vitin 1967 dhe në vend të saj u ndërtua shtëpia e mallrave.
Stolitë prizrenase janë punuar me teknikën e skalitjes, të rrahjes të derdhjes dhe të filigranit. Këto teknika kanë qenë të njohura qysh prej kohëve të lashta. Shekujt XVII e XVIII karakterizohen nga punimet e argjendit me rrahje e skalitje si dhe në savat. Kurse, duke filluar nga shekulli XIX e më vonë mbizotëruese u bë teknika e filigranit, e cila shihet shpesh në objektet e kulturës ilire si dhe në ate të mesjetës së hershme shqiptare.
Argjendarët prizrenas punonin stoli për banorët e qytetit dhe të rrethinës. Ata i punonin dhe i meremetonin stolitë e fshatrave të rrethit të Sharrit, të Sreckës, të Therandës, të regjionit të Hasit të Prizrenit e të Anadrinit.Me zejen e argjendarisë në të kaluarën si dhe sot, kryesisht janë marrë dhe merren qytetarët e Prizrenit. Kjo zeje transmetohej brez pas brezi. Prej argjendarëve të vjetër prizrenas përmenden Nikollë, Pal dhe Pjetër Shahta, Kristë Shahta 1873-1960 , Zef Karasani, Ndue Bashota, Matej Vuçaj, Mark Delhysa, Fran Lumezi, Sebë Delhysa,Mark Spaçi, Luz Kolveshi, Luz Vica, Tush Bytyqi, familjet Mjeda, Mikel Lumezi, Bitër Shiroka dhe i biri Simoni.
Simon Shiroka u lind me 27 mars 1927 në Prizren, në një familje zejtarësh. Mjeshtrinë e filigranit së pari e mësoi në rrethin familjar dhe tek argjendari i njohur prizrenas Luz Kolveshi, mjeshtri më i vjetër dhe më i shquar i Prizrenit. Më vonë në Beograd mësoi edhe mjeshtrinë e optikës, ndërsa në Zagreb u specializua në këtë degë.
Interesimi i tij për pikturë dhe skulpturë ishte shumë i hershëm. Në fillim ajo ishte përpjekje që mjeshtrisë dhe traditës së lashtë të filigranit t'i shtojë kërkesat bashkëkohore, ndërsa më vonë, duke kombinuar elementet e vjetra të filigranit, me intuitën e tij të artistit, zgjeroi aktivitetin e vet dhe me të drejtë, konsiderohej njëri prej piktorëve dhe skulptorëve më të njohur autodidakt në Kosovë.Në sajë të këtij preokupimi ai ishte bërë stazhist i Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Zhenevë. Në vitin 1964 qëndroi dy muaj në Poloni, në qytetet Loxh dhe Varshavë, ku përveç punës specializuese, kohë pas kohe i ka ekspozuar edhe punimet e veta. Pas kësaj pasojnë disa udhëtime studiuese në Itali, në BRSS, në Japoni, në Meksikë etj.
Anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës bëhet në vitin 1967, ndërsa i Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës, në vitin 1973.
Për aktivitetin e tij Kuvendi i Komunës së Prishtinës në vitin 1970 i dha Mirënjohjen publike të nëntorit, ndërsa Enti për Kulturë ia dha Dinstinktivin e artë.
Ishte bartës i Medaljes për merita për popull dhe i Medaljes për trimëri.
Për të pasur një pasqyrim më të plotë mbi veprën dhe punën e të ndjerit Simon Shirokës bashkangjesim edhe shkrimin e veprimtarit të njohur nga lëmia e artit Shyqri Nimanit:
Mjeshtria e artit të filigranit
Shyqri NIMANI
Kosova është një truall i gërshetuar me një pajsazh të posaçëm poetiko-dramatik, ku shekuj me radhë është krijuar një fuqi e pathyeshme rezistuese dhe një prirje e stërholluar për art, duke krijuar kështu virtyte të larta dhe folklor të begatshëm popullor.
Njëra nga artet më të pasura të traditës së artit popullor kosovar është arti aplikativ, i cili përkah temperamenti koloristik, trajtat subtile, kompozicionet inventive dhe përkah origjinaliteti krijues, paraqet një thesar të begatshëm me kualitete të larta artistike.
Gjatë shekujve të kaluar në këtë truall lanë gjurmë edhe kulturat e ndryshme si romake, bizantine, islamike... duke e pasuruar thesarin e përgjithshëm kulturor.
Autorët klasik na flasin për llirët e vjetër, të përmendur për këngët e tyre dhe për përdorimin e fyellit në mënyrë të përkryer, për vallën e tyre «pyrrike», që ishte bërë e njohur në kohën e lashtë, për veshjen tipike ilire «Dalmatika», që e përhapën në botën mesdhetare në shekujt e parë të erës sonë.
Në mesin e disiplinave të ndryshme të artit aplikativ kosovar, mjeshtria e artit të filigranit zë vend të posaçëm, duke u shquar për nga pasuria e madhe e shprehjeve, për fushën e gjërë të përdorimit praktik, për lidhjet e ngushta me jetën dhe prodhimin si një manifestim karakteristik i ndjenjës artistike të popullit.
Mjeshtria e filigranit manifestohet gjatë shekujve me shembuj të shkëlqyer për stoli femrash dhe meshkujsh: kollona, unaza, kutia për ruajtjen e stolive, si dhe revole, shpata, thika. Të gjitha këto punime shquhen për nga gërshetimi i përsosur estetik, funksional, teknik e teknologjik prej fijesh të argjendëta, trajtash të stilizuara subtile të florës dhe faunës.
Sot, kjo traditë e lashtë zhvillohet në tri drejtime:
a) shumica e zejtarëve prizrenasë, gjakovarë, pejanë... e vazhdojnë traditën brez pas brezi dhe me dyqanet e tyre tanimë i kanë kaluar caqet e Kosovës dhe e kanë vërshuar bregun e Adriatikut.
Tani prodhimeve tradicionale u përshtasin kërkesat e shijeve të kohës duke u dhënë forma dhe motive të reja.
b) ca prej tyre orvatën të gjejnë shtigje apo kombinime të reja si në shprehje artistike ashtu edhe në ngritjen e cilësisë teknologjike.
c) ca të tjerë traditën e filigranit e kanë shndërruar në industri.
Në qytetin pitoresk të Prizrenit një periudhë të gjatë kohore zejtarët e filigranit janë të organizuar në një ndërmarrje «Filigran», të cilët traditën e filigranit e kanë vazhduar deri në ditët e sotme. Motivet, objektet dhe trajtat e këtyre prodhimeve pothuajse tërësisht iu përshtaten shijës dhe kërkesave të konsumatorëve të tregjeve të brendshme dhe botërore.
Simon Shiroka ka hyrë në radhën e atyre mjeshtërve të artit të filigranit, i cili duke i shfrytëzuar njohurit më cilësore të fshehtësive të këtij arti ngashnjyes ka krijuar vizione të reja me një fantazi të bujshme, duke u dhënë krijimeve të veta një tretman dhe notë kreative specifike që nuk është hasur më parë. Prirja, përvoja dhe dashuria e pasionuar për të krijuar diçka të re që e kristalizuar gufon nga invenca artistike, janë shtytje shqetësuese që mjeshtri i shquar Simon Shiroka i ka hulumtuar shtigjet e reja sintetizuese.
Kështu gjatë veprimtarisë tridhjetë vjeçare kryesisht dallojmë tri drejtime esenciale për kah të cilat është përqendruar vëmendja shprehëse e Simon Shirokës:
Teknika e kombinuar, e cila me materiale të ndryshme shprehëse si fije argjendi, gurë të fisnikruar ngjyrash të ndryshme dhe sfond të pikturuar ka zhvilluar gjer në pakufi mundësinë e shprehjës.
Tridimenzionalja, si mundësi tjetër totale ku prirja e autorit për plasticitet ka ardhur në shprehje, duke prezentuar kreacione figurinash bizare.
Ritmi magjik , si fenomen vital i krijesave e që artisti si preokupim frymëzimi ka pasur "Vallën shqiptare" të cilën e vështronte nga kënde të ndryshme për ta zënë dhe për ta shprehur sipas ndjenjës së tij shprehëse.
Ekspozitat personale të Simon Shirokës:
1965 -Prishtinë, Foajeu i Teatrit Popullor Krahinor
1966 -Prishtinë, Foajeu i Teatrit Popullor Krahinor (bashkë me Gjelosh Gjokajn)
1967 -Prizren, «Mbrëmjet e vëllazërimit»
1968 -Leskovc, Panairi i tekstilit
1971 -Nish, Qendra turistike
1972 -Beograd, Galeria e arteve të aplikuara
1973 -Lublanë, «Mestna galerija»
1974 -Kullë, Festivali VI i Teatrove Amatore të Serbisë 1974 Ferizaj, Galeria «Zef Kolombi»
1976 -Beograd, Universiteti i Punëtorëve «Gjuro Sallaj»
1981- Prishtinë, Galeria e Arteve,Pallati i Rinisë-«Simon Shroka-RETROSPEKTIVA»
Ekspozitat e përbashkëta:
1960 - 1974 - Prishtinë, ekspozitat e SHAFK
1970 - 1973 - Ferizaj, Galeria «Zef Kolombi»
1971 - Titograd, ekspozita e SHAFK
1972 - Sarajevë, ekspozita e SHAFK
1973 - Beograd, Biblioteka popullore
1974 - Zagreb, ekspozita e SHAFK
1974 - Vërnjaçka Banja, ekspozita e SHAFK
1974 - Shkup, ekspozita e SHAFK në Muzeun e arteve bashkëkohore
1976 - Valevë, takimet «K. Abrasheviq»
1975 - Beograd, Biblioteka popullore
1976 - Novi Sad, Galerija e UP 1976 - Nish, Galeria e UP
1976 - Bielsko - Biala - Çekosllovaki
Veprat artistike më të njohura të Simon Shirokës:
1. ROZETA «METOHIJA»
2. RAPSODIA E FILIGRANIT I
3. RAPSODIA E FILIGRANIT II
4. KOMPOZICION
5. MOTIVE KOSOVARE
6. VALLE
7. LOJA E RUGOVËS
8. NË LOG I
9. NË LOG II
10. NË LOG III
11. NË LOG IV
12. NË LOG V
13. LOJË PARA KULLËS
14. PËRCJELLJA
15. ZOGU NË KOKËN E ZANËS
16. SHËTITJA NË RRETH
17. MAGJISTARI ME GJUHË TË KUQE
18. VAJZA ETURPSHME I
19. VAJZA E TURPSHME II
20. KUJTIMI PËR MIKUN
21. TREMBESI I ZOGJËVE
22. BOTA E PERANDORIT
23. SHËNJTARI ME YLL NË DORË
24. NDERIMI
25. LOJA NËN QIELLIN E KALTËR
26. VAJZA FLUTUR I
27. VAJZA FLUTUR II
28. FUNDI I MARRË I BOTËS
29. NË TOKËN E FARAONËVE
30. LUFTËTARI
31. MASKA I
32. MASKA II
33. MONOUTETI I
34. MONOLITETI II
35. MUZIKTARI
36. ASOCIACIONI I
37. ASOCIACIONI II
38. TOTEMI I
39. TETEMI II
40. FLUTURUESI I
41. FLUTURUESI II
42. BASHKIMI
43. LAJMËTARI
44. NUSJA E FILIGRANIT
45. TJERRËSJA
46. PUNËTORI
47. DY VAJZA DY MOTRA
48. VAJZA DHE PËLLUMBI
49. DUKAGJINASJA
50. BISEDË
51. FAMILJA E LUMTUR
52. KTHIM NGA KRONI
53. BARIU
54. HASJANJA
55. LOJË ME FYLL
56. MAGJISTARI
57. SHITËSJA E VJOLLCAVE
58. SHPENDËT E PËRRALLAVE |