| Ka
vendosur t'i rikthehet pak e nga pak një pasioni të vjetër,
të cilin e kishte lënë të ndrydhur për
vite e vite me radhë…e detyruar nga rutina e ditës,
nga angazhimi për muzikën klasike (dhe të lehtë),
nga ambicja për të qenë gjithnjë në krye.
Por, atë pasionin e vjetër, nuk e kishte tretur për
fare, gjithsesi. Ngacmohej sa herë që në ekranin
e ndonjë televizioni privat rishfaqeshin filmat "Rikonstruksioni"
dhe "Eja", sa herë që shihte veten në rolet
e saj të para e të vetme. Kujtonte kohën kur nisi
të ndihej pak e nga pak aktore filmash, kohën kur nisi
të ndihej dhe prezantuese spektaklesh dhe emisionesh televizive.
Ishin pikërisht ato kohë që nuk i ishin përsëritur
më në jetën e saj. E sa herë ia thoshte vetes
këtë të vërtetë aq më shumë i
ndillej dëshira për të qenë dhe një herë
ashtu….aktore filmash ose më e pakta, prezantuese spektaklesh.
Për ta realizuar një ditë këtë dëshirë,
Manjola Nallbani vendosi të priste kohën e duhur e të
gjente vendin ku do të mund të ndihej më mirë…nëse
i rikthehej vërtet atij pasioni.
* * *
Ishte viti 2000 kur ajo regjistroi në kasetën e saj personale
rikthimin në pasionin e saj të heshtur. Ishte në
Zyrih kur prezantoi spektaklin e bukurisë "Mis Shqipëria
nëpër botë". Kur u kthye nga ai vend, ndihej
mirë sa herë që shihte të regjistruar në
vidion e saj, veten si një herë e një kohë…prezantuese
në një spektakël televiziv. "Çdo artist
ka dëshirë të jetë i kompletuar. Tek unë
kjo dëshirë është edhe më e madhe sepse
e kam provuar ndiesinë që të lë kamera ndërsa
xhiron një film ose drejton një emision televiziv. Edhe
pse kanë kaluar shumë kohë unë nuk i kam humbur
ato ndiesi, përkundrazi ato u ripërtërinë në
spektaklin e "Miss shqipërisë nëpër botë""-Manjola
tregon se ky ishte fillimi. Më pas koncertet që ajo ka
drejtuar në vende të ndryshme (jashtë Shqipërisë)
kanë pasuar njëri tjetrin-"Së fundi kam prezantuar
dhe telebingon që organizohet në televizionin shtetëror
të Kosovës"-Herë herë i vjen keq që
këtë rol ka nisur të luajë jashtë vendit
të saj-"Ç'është e vërteta e kam
pasur më të lehtë të shfaqem si prezantuese
jashtë vendit ku njerëzit nuk më njohin aq sa më
njohin këtu në Shqipëri, ku njerëzit nuk janë
mësuar të më shohin në skenë vetëm
si këngëtarja Manjola Nallbani. Unë po i mësoj
sytë e tyre të më shohin edhe ndryshe, pra edhe si
prezantuese. Ndërsa këtu kanë kaluar shumë vite
që njerëzit më njohin vetëm kështu, pra
si këngëtare dhe unë do ta kisha të vështirë
ta thyeja këtë imazh, përnjëherësh".
Shprehet se do të donte shumë të niste pak e nga
pak ta thyente këtë "tabu" por ia ka lënë
rastësisë këtë zgjidhje-"Të them të
drejtën nuk është se i jam vënë shumë
kësaj gjëje sepse për mua mbetet kënga primare
gjithsesi. Veç kësaj më pengon dhe fakti se në
spektaklet tona prezantimi realizohet me tre-katër persona,
gjë kjo që i ngatërron paksa pozicionet që ka
secili prej prezantuesve. Unë do të doja diçka
ndryshe nga kjo rutinë". Ende nuk e ka menduar seriozisht
shfaqjen si prezantuese edhe në syrin e publikut shqiptar (brenda
kufijve)-"Nëse shoh ndonjë projekt interesant pse
jo",-pohon ajo duke shtuar se nuk do t'i lërë më
vitet t'i ikin kështu prej duarsh sepse e ndien se sa më
shumë të ikin ato, aq më të vështirë
do ta ketë të thyejë imazhin "vetëm të
këngëtares" në sytë e shqiptarëve
(brenda kufijve)
* * *
Në të vërtetë nuk do të jetë dhe aq
e vështirë sepse një herë e një kohë
njerëzit e kanë parë dhe ndryshe, këngëtaren.
Atëherë kur ajo ishte një nxënëse në
vitin e katërt të Liceut Artistik, u shfaq në ekranin
e TVSH-së për të drejtuar programet e rinisë-"Nuk
e kujtoj se kush më tërhoqi drejt studiove të televizionit
por mbaj mend se e gjithë kjo ndodhi rastësisht, ndërsa
ecja një ditë në rrugën mes liceut dhe televizionit"-kujton
Manjola. Pas këtij fillimi të rastësishëm do
të vazhdonin ofertat e tjera-"Ishte viti 1994 kur më
ofruan të prezantoj festivalin e pranverës së këtij
viti. Në po këtë vit kam prezantuar dhe festivalin
"Nota fest" që u organizua për herë të
parë në Shkup të Maqedonisë"-ky festival
do të shënonte dhe fundit e kësaj "aventure".
Pas vitit 1994, dëshira për ta vazhduar këtë
"aventurë" u mbyll në sirtar, sepse të
tjera qëllime u vunë në krye të listës.
Tani që të gjitha ato qëllime kanë zëne
vendin e duhur në jetën e saj, Manjola kërkon të
shlyejë dhe borxhin ndaj dëshirës së ndrydhur.
Pse jo, kur ndien se koha ka ardhur, atëherë kur duhej.
Hapat e parë janë hedhur në vitin 2000, në skenën
e një spektakli të madh bukurie. Të tjerët nuk
dihet se ku do hidhen…ndoshta në ndonjë spektakël
këtu brenda kufijve. Ndoshta edhe në ndonjë film-"Do
të më pëlqente që të mund të realizoja
një film brenda të cilit të ishte dhe muzika. Këtu
në Shqipëri mungojnë filmat që trajtojnë
jetën dhe ngjarjet e ndryshme të muzikës. Nëse
dikush do të ngacmohej nga kjo ide, edhe unë do të
isha shumë e interesuar të angazhohesha, brenda atij filmi."-Ndoshta
ndodh edhe kështu. Koha do ta tregojë surprizën e
saj.
Shqetësimi
Artistja (si edhe të tjerët) ndihet e harruar në
vendin e saj Varfëria e jetës artistike benda kufijve
i nxiti artistët të marrin udhët. Ca ikën për
fare, ndërsa të tjerët ikën e vazhdojnë
të ikin sa herë i ftojnë për koncerte. Ky është
i vetmi burim nga i cili diçka fitojnë. Nisi vite më
parë ky udhëtim, atëherë kur përmes transmetimit
në sateli organizatorët jashtë kufijve gjuanin më
të mirët e Shqipërisë. Atëherë ata
nisën që andej të parat ftesa, të parat oferta-
"Janë pikërisht këto oferta që i japin
një ndihmë të madhe gjithë artistëve shqiptarë.
Të mendosh se këtu numërohen me gishta aktivitetet
që organizohen brenda një viti…është një
festival i fundvitit me pagesën e të cilit nuk siguron
dot as veshjen, është një "Kenga magjike",
është një spektakël "Porta e fatit"
ose "Telebingo" nga të cilët merr 250 ose 300
mijë lekë të vjetra dhe kaq. Mendo se çfarë
mund të bëjë një artist me kaq. Ndaj zgjidhja
është gjetur jashtë këtij vendi…në
Angli, Gjermani, Prishtinë…Tani së shpejti, në
dhjetor unë do të iki sërish në Zvicër
së bashku me Gazmend Gjokën (ky do të prezantojë
koncertin). Kjo është kontrata më e rregullt që
kemi lidhur me organizatorët për 10 koncerte me radhë.
Ndërsa në nëntor do të jem për festat e
nëntorit të Gjermani së bashku me Kastriot Tushën."
Nallbani pohon se i vjen keq që në gjithë këto
vite të karrierës së saj artistike nuk ndihet se
jeton në një vend ku dikush kujdeset për artistët-"Në
gjithë këto kohë nuk kemi ndier asnjë shenjë
respekti nga ana e shtetit për artistët e tij". Artistja
e lë me kaq rrëfimin, pasi nuk dëshiron të shfryjë
më shumë. E kalon bisedën në një tjetër
projekt të saj-"Po punoj për të nxjerrë
në treg albumin tim të tretë. Jam gati në përfundim
të tij"
|