Equinox, apo historia e mediave shqiptare, në kamerën e Kujtim Çashkut
Një ëndërr e keqe, jo thjesht e një individi, por e një shoqërie pastotalitare e cila përjetoi një nga diktaturat më të egra në Europë. Filmi "Equinox" i regjisorit të njohur Kujtim Çashku, i shfaqur së fundi në Kinema "Millenium 2" riktheu edhe njëherë, emocionet e një dekade të kaluar përmes tronditjesh sociale, politike dhe psikologjike. Një histori e vërtetë dhe tejet e vështirë e një populli në tranzicion, e parë përmes rindërtimit të një gazetarie të re të shkruar edhe elektronike, është rrëfyer nga një gazetare e cila ka përjetuar dy kohërat. Filmime të vjetra e të reja që përpiqeshin të tregonin me zërin e aktores së njohur Yllka Mujo, historinë e tronditur të një kombi që ka kaluar kaq shumë vuajtje, kaq shumë halle e kaq shumë probleme, vetëm në një kohë kaq të shkurtër. Prononcime botuesish e gazetarësh, të cilët përpiqen të rrëfejnë nisjen, vijueshmërinë dhe të rrëfejnë projektet e tyre për të ardhmen e mediave shqiptare, qofshin këto televizive, radiofonike apo të shkruar. Përmes imazhesh rrëqethëse, të një historie 10-vjeçare rrjetesh televizive shqiptare, jepet tablloja e shpresës, zhgënjimet dhe sfidat e njerëzve që përpiqen të çlirohen nga kllapia e ëndrrës dhe e lirisë kaotike. Filmi i promovuar në prani të njerëzve të njohur të kulturës shqiptare, përbën në vetvete dramën dhe përjetimet e një kombi i cili gjithsesi në daljen e tij nga kllapia dhe në kërkim të mbijetesës kërkon edhe të ndërtojë historinë e vendit të tij edhe përmes shtypit. Një film kolazh ku jepen dokumente të shtypit të shkruar, përkufizime domethënëse të përsonazheve më të njohura të publicistikës shqiptare, të vullnetit për të krijuar një shtyp krejt tjetër dhe të pavarur nga influencat ideologjike të regjimit totalitar, sa edhe të përpjekjeve profane fillimisht për ndërtimin e medias elektronike private në Shqipëri, për të kaluar në një media elektronike gjithsesi më të pjekur. I ndërtuar mbi një koncept regjisorial të veçantë, filmi i Çashkut, përmes një arkive të pasur, sjell tranzicionin shqiptar me fytyrën e tij të vërtetë, ashtu si pak kush ka guxuar ta shohë. Duke filluar nga tragjikomedia e parakalimeve të viteve të komunizmit, nga censura dhe autocensura ideologjike që përshkonte ato vite frike dhe hermetizmi kombëtar, për të rrëfyer me kalimin e viteve të demokracisë, ngjarjet rëqethëse të vitit '97, kur Shqipëria pati një "çmenduri masive" si rrallë ndonjëherë apo në ngjarjet e shtatorit të vitit 1998, në luftën e Kosovës në pranverë të vitit 1999… Të gjitha këto ngjarje të kapura në celuloid, shoqërohen me një rrëfim të gazetares që herë pas herë shpalos emocionet e saj prej akuzatoreje, nacionalisteje, viktime apo protagonisteje të ngjarjes. E gjitha kjo bëhet me qëllimin e mirë për të reflektuar mbi atë që kemi lënë pas, por që duhet të na nxisë të analizojmë mënyrën me të cilën po ndërtojmë edhe të ardhmen. Filmi i shkruar dhe drejtuar nga regjisori i mirënjohur Kujtim Çashku, ka pasur për drejtor fotografie, artistin e palodhur Spiro Ilo ndërsa është punuar në montazh nga Andri Xhitoni. Eno Milkani ka realizuar miksazhin, ndërsa muzika i është besuar artistit alternativ, Kristit. Regjisori i njohur në botë me filmin "Kolonel Bunker", i nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk harroi të falenderojë me këtë rast bashkëpunëtorët e tij të cilët i takojnë një brezi të ri në formim, ndërsa pohoi se "si më i vjetri", ishte i lumtur që kishte punuar me këta të rinj. Premiera e këtij filmi u organizua si një bashkëpunim i Bashkisë së Tiranës, Institutit Shqiptar tëMedias,dheKinema"Millenium"
"Tuneli" i Ilir Butkës, udhëtimi vicioz i një njeriu në tranzicion
"Tuneli", filmi dokumentar i cili disa muaj më parë prezantoi Shqipërinë për herë të parë në edicionin XV-të të Festivalit të Filmit Mediteran, në qytetin historik të Tanger-it (Marok), është prezantuar së fundi në Kinema "Millenium 2". Filmi i parë dokumentar i Ilir Butkës, me një kohëzgjatje 17 minuta, është interpretuar nga aktori Artur Gorishti. I ndërtuar me një fabul të thjeshtë, filmi me metrazh të shkurtër tregon udhëtimin e një njeriu i cili jeton në një rreth vicioz të paqartë se çfarë kërkon dhe që çuditërisht, kur mbërrin diku kupton se ka ndaluar pikërisht aty ku është nisur. I realizuar në bardhë e zi, filmi në pak minuta ndërton historinë e vështirë të tranzicionit shqiptar, personazhe dhe fenomene që bluajnë shoqërinë shqiptare në 10 vitet e fundit. Efektet filmike të filmit, kamera e cila fokuson heshturazi Shqipërinë dhe problemin social kombëtar të emigrimit dhe të mungesës së shpresës, në fare pak karaktere arrin të ndërtojë një dramaturgji tronditëse. Me skenarin dhe regjinë e Ilir Butkës, filmi është realizuar edhe falë punës së drejtorit të fotografisë, Agron Domi, mjeshtërit të montazhit Mihal Rama, nga formulimi muzikor i Erion Zaloshnjës dhe me kostumografe, stilisten e njohur Anila Zajmi. Kineastët e cilësuan filmin "Tuneli", si "një sprovë të re dhe të parrahur në kinematografinë shqiptare". Mesazhi i këtij filmi i fokusuar në tranzicionin e vështirë shqiptar ngre pyetjen nëse "tuneli po vjen brenda nesh apo ne po futemi në tunel". Premiera e këtij filmi u zhvillua në prani të emrave më të njohur të kinemasë shqiptare, personaliteteve të kulturës, artit dhe mediave shqiptare.
shkruan
Teuta Meçi
Copyright www.agimi.com 2002