| Pas
dy vjetësh ajo rikthehet sërish në teatrin antik
të Butrintit ku dha një koncert madhështor me datën
5 korrik të titulluar “Inva live në Butrint".
Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula ka ideuar një tjetër
koncert të saj në këtë vend. "Kam dëshirë
ta vazhdoj këtë koncert veror që nisi si një
aventurë e vogël dhe u kthye në domosdoshmëri
të planeve të mia artistike" ka thënë ajo.
Sopranoja e njohur këndoi live gjatë gjithë koncertit.
Ariet e përzgjedhura për këtë koncert qenë
'ajka' e veprave që pëlqehen nga publiku dhe që i
përshtaten një skene në qiell të hapur. Koncerti
u çel me një uverturë festive të kompozuar
nga Nikolla Zoraqi.
Një nga të veçantat e koncertit ishte dhe arieja
e Avni Mulës “Agimet shqiptare”. Këtë
herë Mulën e shoqëroi një kor prej 24 vetash
i përbërë nga artistë të Akademisë
së Arteve të Bukura dhe liceut artistik “Jordan
Misja”. Mula ka sjellë në greqisht “luleborën”
e Shkodrës në koncertin e saj. Kënga është
interpretuar nga Inva Mula dhe tenori i famshëm grek Mario
Frangulis me kompozim të Simon Gjonit. Ai ndërkohë
u ftua në këtë koncert të interpretojë
krijimtarinë muzikore të Mitis Teodorakis, një emër
i njohur i muzikës klasike greke.
Megjithëse soprano shqiptare thotë se ka qenë vetëm
një eksperiencë e mëparshme, që ka patur me
këtë këngëtar, edhe pse jehona e të cilit
nuk ka mbërritur ende në Shqipëri, ai ka mundur të
ketë emër internacional. Dhe kjo është një
nga arsyet që ajo vendosi të bashkpunojë me këtë
këngëtar.
Në këtë koncert të dytë të saj në
Butrint, Mula u shoqërua nga Orkestra Filarmonike e Teatrit
të Operas dhe Baletit dhe dirigjenti francez Zherom Pilmo.
Dirigjenti i njohur thotë se "Kënaqësia dhe
emocioni i artistit është të shkojë një
një teatër të njohur dhe Butrinti është
një nga më të bukurit e botës, dëshirë
të cilën arrita ta realizoja nëpërmjet këtij
koncerti të madh të sopranos shqiptare".
Në 27 Qershor Inva Mula dha një koncert të madh
në Zyrih (Zvicër), ndërsa një ditë më
vonë ajo u nis drejt Tiranës, duke refuzuar gjithë
ofertat e tjera. "Për koncertin që u zhvillua në
Butrint kam lënë dhe mjaft vende të tjera si Italinë
dhe Francën", - shprehet Mula duke shpjeguar të gjitha
shkaqet e anullimeve të këtyre ofertave. "Gjithçka
e bëra vetëm se publikut të jugut të Shqipërisë
dhe atij të kryeqytetit i duhej një koncert veror”.
Sopranoja e njohur mendon që të kthehet live vit pas viti
në Butrint duke krijuar një traditë të re në
teatrin e ndërtuar 3400 vjet para Krishtit duke e “pushtuar”
atë me kryeveprat operistike botërore dhe shqiptare. |