Këngëtarja kosovare Ema Bytyçi, fituesja e çmimit të parë në Festivalin e “Këngës Magjike”, rrëfen ndonëse me pak vonesë emocionet e asaj nate dhe planet e saj për të ardhmen, që padyshim lidhen me muzikën dhe Tiranën.
Ku je ti?, do të pyesja Erma Bytyçin, pak ditë më parë në një bar të Tiranës. “Ku je ti” është kënga që e bëri të njohur, pas marrjes së çmimit të parë në festivalin “Kënga Magjike”. Pas asaj nate Ema humbi nga Shqipëria, madje nuk ishte e pranishme në asnjë nga faqet e shtypit shqiptar. Këtë e shpjegon me një nisje urgjente për Kosovë, për arsye pune.
Pas triumfit të arritur nëntorin e kaluar, rikthehet në Shqipëri, por tashmë vjen vetëm për të pushuar në shtëpinë e saj në Durrës.
Edhe pse kanë kaluar pak më shumë se tetë muaj nga ajo natë magjike ku në çastet e fundit të saj, Ema u bë protagonistja kryesore, ajo rrëfen se ende i ka të gjalla ato emocione. Sapo e përmend, tulatja nga përvëlimi i diellit i largohet dhe sytë i marrin tjetër shkëlqim teksa thotë: “Nata e këngës magjike nuk harrohet, për mua është nata më e rëndësishme e jetës sime. Ishte realizimi i një ëndrre të merrja pjesë me gjithë ata këngëtarë të mëdhenj, aq më tepër të fitoja çmimin e parë.”
Më tepër e entuziazmuar ndihej sepse vlerësimi iu bë nga këngëtarët e tjerë konkurues. Edhe pse ishte hera e parë që vlerësimi në festivale jepej në atë formë, ajo habitej që gjithë ata kolegë që e votuan vazhdonin t'ia lavdëronin këngën edhe shumë kohë më pas. Kjo nuk i kishte ndodhur kur kishte marrë pjesë në Festivalin e Këngës dhe në Maratonën e Këngës Popullore. Akoma i ka mbetur në mendje kujdesi i veçantë që ka treguar ndaj saj regjisorja Vera Grabocka, duke u interesuar për të deri në detaje. “Unë kisha marrë një fustan të shkurtër e pak ekstravagant, dhe kur ma pa Vera tha se ishte fare i papërshtatshëm me këngën, e cila ishte pak më dramatike. Kështu u përpoq shumë për të më dhënë një tjetër pamje, që me sa duket pati sukses.”
Përsëri Ema e ka pak të sikletshme të flas për veten; gjithçka që përmend është se jeton në Gjermani prej 20 vjetësh me vëllezërit e motrat, pa i shkëputur asnjëherë lidhjet e saj me Kosovën, ku ende jetojnë prindërit e saj.
Është historia e një familjeje artistësh me tradita kosovare, të cilët janë përndjekur prej dhjetëra vitesh nga regjimi serb, vetëm sepse nuk pranonin rregullat e diktaturës. Këtu erdhi shkëputja e Emës nga Kosova, ende fëmijë. Do t'i mungonin festivalet e këngës për fëmijë, ku ajo ishte mësuar të mos mungonte, duke jetuar me ëndrrën për t'u bërë një këngëtare e famshme, duke pushtuar gjithë botën me këngën e saj. Muzika kënga dhe poezia janë për të ajri që thith. I pëlqen të përdorë zërin, edhe pse nga gjithë motrat e vëllezërit e saj është e vetmja që ka trashëguar nga i ati dhuntinë për muzikë. Beyonce Knowlees, është modeli i saj dhe e adhuron për vetë faktin që përveçse këndon është vetë producente e këngëve të saj. Ndërkohë Ema vazhdon studimet për të dalë pedagoge muzike për fëmijë.
Thotë se është tip i tërhequr që e ka të vështirë të ekspozojë punën e vet e aq më tepër t'u thotë tjerëve: “Hej, unë jam këtu”.
Nga gjumi e zgjoi e ëma e saj, Drita Duraku, aktore humori e njohur në Kosovë, teksa i tha të vinte të merrtë pjesë në Polifest 2001. “Eja se nuk ka ngel kush pa këndu”, ishin fjalët që vërtetuan intuitën e nënës. E në të vërtetë mori çmimin e parë me këngën “Ëndërr”.
Akoma nuk e ka vendosur, por mendon se ky do të jetë titulli më i përshtatshëm për albumin e saj të parë, të cilin është ende duke e punuar.
Pas suksesit te “Kënga Magjike”, do të vazhdojë bashkëpunimin me Adrian Hilën për të cilin thotë se arrin të bëjë me zërin mrekullira aq sa e ka të vështirë ta njohë në fund. Pro nuk do të mungojnë dhe emra të tjerë të njohur si Alfred Kaçinari, Ilir Shaqiri, etj.
Por sesa e lehtë është të nxjerrësh një album të ri në treg, më mirë se Ema këtë e di nëna e saj Drita, që ka marrë përsipër të bëjë menaxheren e artit të së bijës. Drita thotë se ë shtë e vështirë të punosh, aq më tepër në këtë situatë ku artit sot nuk çmohet. Por më keq ndihet teksa duke trokitur në dyer producentësh e përcjellin me fjalinë: “Më vjen keq, nuk ta marrim, është shumë artistik.”
“Është për të vënë duart në kokë, kur sheh sesi janë katandisur shijet e shqiptarëve. Ne si familje kemi qenë shumë të lidhur me muzikën e bukur shqiptare, madje emrin Emës ia kemi vënë prej Ema Qazimit”.
Këtë album e kanë mbuluar me shpenzime të familjes, por ato dyshojnë në fitimet që do të marrin. Janë të bindura se më shumë vend në treg ka për këngët komerciale. “Ndoshta për këto arsye, me këto këngë do të mund të jetë albumi i dytë”, shprehet paksa me dyshim Ema, por që nuk ia aprovon aspak Drita.
E në fakt Drita thotë që të punosh me Emën, nuk është se e ka dhe aq të lehtë: “ Ema bëhet shumë nervoze kot pa ndonjë shkak, është rebele dhe në përgjithësi nuk është e përpiktë, sidomos kur ka inçizime. Nuk ka shumë kujdes për zërin.”
Por kur mbaron kritikat, me krenarinë e një nëne të shpërblyer shprehet:
“Megjithatë ka karakter të hekurt dhe gjithmonë e arrin qëllimin që i ka vënë vetes, deri tani nuk më ka zhgënjyer.”
Në të ardhmen, nëse çdo gjë shkon mirë me këngën mund të lë pak mënjanë pedagogjinë. Mund t'ju duket pak e çuditshme, por në planet e të ardhmes së Emës bën pjesë dhe Tirana. I p ë lqejnë ndryshimet që janë bërë dhe për të është qyteti “perfekt”, ku veç të tjerash ke dhe detin afër, gjë që i mugon Kosovës. “E dua shumë vendin tim dhe nuk e di sesi rezistoj të jetoj larg. Shpresoj që një ditë të vij të jetoj në Tiranë, pasi gjithmonë e kemi pasur ëndërr Shqipërinë. Për mua nuk duhet të ketë kufij mes shqiptarëve.”
Për momentin ka zgjedhur që të jetë e pranishme në Shqipëri vetëm për pushime dhe nëpërmjet dy videoklipeve që ka futur rishtaz në disa nga ekranet më të njohura shqiptare. |