| Ai
është një burrë intelegjent. Di të depërtojë
në thellësi të gjërave. Bota e tij është
përplot enciklopedi, është e mbushur plot nostalgji
për të kaluarën. Ai e beson, e sheh botën me
syrin e tij, larg, sikurse edhe mendon, dhe gjithçka që
përcjell është edhe brenda këtyre kontureve,
brenda këtij sinqeriteti… Fjalët e tij, gati gjithmonë
bien bukur, ngase bota e këtij aktori është e pastër,
e brishtë, por shumë e sinqertë…
Ka kohë që e thërrasin babi i Korabit, Zanës,
Ardit dhe Almës. Mirëpo e quajnë edhe burri i Dritës
dhe dhëndri i Skënderit. Ai gjyshen e “Familjes
Moderne” e ka vjehërr. Dini, “plaku” i serialit
shumë të përcjellë nga publiku kosovar “Familja
moderne” është njeriu që sfidon gjithçka
që i del para vetës. Ky është Dibran Tahiri,
njeriu shpirtbutë i përditshmërisë, dhe pushtetploti
i “Familjes moderne”, aktori që të lë
të kuptosh se është i kërkuari dhe më i
preferuar i kohës, i cili është i lidhur për
skenën, artin, dhe të bukurën që moti…
Personazhi më serioz dhe më i rreptë i “Familjes
moderne”, Dini, përmes një humori të hollë
pasqyron aktualitetin nëpër familjet kosovare , raportet
prind-fëmijë, të cilat përputhen në shumë
prizme me realitetin e ri kosovar. Thjeshtësia, origjinaliteti
në skenë, lëvizjet e tija plot gjallëri, nazet
e një udhëheqësi familjar, të cilat rimojnë
me kohën, e kanë bërë Dibranin, tashmë
të njohur si babai i “Familjes Moderne””,yll
të artit shqiptar dhe aktorin më të dashur të
elitës kosovare. Pedantëria dhe sinqeriteti i tij duket
sikur i jep një imazh të bukur artit shqiptar. Aktori
shpirtbutë mitrovicas, ka një numër të madh
të “elektoratit” të tij artëdashës.
Po ta tërheqësh një paralele nga Dibrani deri te
Dini, rruga është plot labirinthe për të arritur
deri te dy botërat, të cilat janë definitivisht të
kundërta. Dibrani në jetën e përditshme kurrë
nuk ka qenë baba dhe i martuar, është indiferent
ndaj politikës dhe është shumë tolerant. Në
krahasim me përsonazhin e “Familjes moderne”, Dibrani
në jetën e përditshme është shumë
i qetë, aspak nervoz, tolerant, ka shumë mirëkuptim,
dhe në qoftë se ai nuk mund të ndryshojë diçka
atëherë shumë thjeshtë tërhiqet dhe i përcjell
gjërat në heshtje. Kurse Dini është shumë
temperament, udhëheqës i një partie dhe njeri që
nuk lëshon pe dhe iu tregon fëmijëve të tij
të lazdruar herë pas here se ende është ai “ujku
i vjetër”. Fëmijët e “Familjes Moderne”,
e dinë atë dhe nuk ia teprojnë. Serioziteti i Dibranit
dhe burrëria e Shemsedin Gashit në “Familjes moderne”,
të lënë të kuptosh se Dibran Tahiri është
aktori që di të “notojë” në çdo
“oqean” qoftë edhe në atë që ndoshta
është vështirë të kalohet edhe me “barkë”.
Karriera… roli i parë…roli
në filmin kroat
Një burrë elegant, me mjekër të thinjur, sy
depërtues dhe paksa me një instikt të vacantë
që shprehin botën e një artisti, me sakon dhe pantollonat
e zeza, padyshim se është një Omar Sharif, por i
kohës sonë. E sheh të ulur në një qoshe
të restorantit te “Teatri Kombëtar”, një
çantë të vogël para tij, së bashku me
një çaj “hibiskus”.
Një palë syze komode, por me dioptri,
theksojnë edhe më shumë vështrimin e çiltër
dhe po aq të sofistikuar, të aktorit kosovar.
Ai është një burrë intelegjent. Di të
depërtojë në thellësi të gjërave.
Bota e tij është përplot enciklopedi, është
e mbushur plot nostalgji për të kaluarën. Ai e beson,
e sheh botën me syrin e tij , larg, sikurse edhe e mendon,
dhe gjithçka që përcjell është edhe brenda
këtyre kontureve, brenda këtij sinqeriteti… Fjalët
e tij, gati gjithmonë bien bukur, ngase bota e këtij aktori
është e pastër, e brishtë, por shumë e
sinqertë, …
Ngadalë me një zë të trashë tamam mashkulli,e
fillon tregimin e tij për fillimin e karierës. Fillon
me një thjeshtësi sa më shumë që është
e mundur, sepse siç thotë ai po të përshkruajë
në tërësi karierën, do të duhej një
gazetë e tërë.
Ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore, në
kohën e të ashtuquajturës “rindërtimit
të vendit”. Babai i tij ka qenë minator, punëtror
dhe prind i mrekullueshëm, i cili qysh atëherë e
kishte parasysh që duhet t’i shkollojë fëmijët
e vet. Ka qenë i bindur asisoj, shkollimi mund t’i shpien
fëmijët e tij përpara, dhe pas mbarimit të shkollës
fillore edhe gjimnazin në Mitrovicë, Dibrani i ishte drejtuar
kryeqendrës ku po atë vit në Prishtinë (1967),
ishte hapur studio për teatër, film dhe radiotelevizion.
Ishte gjenerata e parë ku ripërtërihej ansambli i
atëhershëm me aktorë të mrekullueshëm.
“Isha si gjeneratë e parë pas Shani Pallaskës,
Istref Begollit, Muharrem Qenës… ne ishim ata që
do të vinim vazhdimësi e këtyre aktorëve të
mëdhenjë të teatrit të atëhershëm
që quhej krahinor”, thotë Dibrani duke treguar se
kuadrot që ligjeronin atë kohë në atë studio
ishin nga gjithë ish-Jugosllavia, në mungesë të
kuadrove vendore.
Ishin profesorë për lëndë të aktrimit,
dikcionit, teknikës së zërit, të levizjeve skenike.
“Pas diplonimit unë pata fatin të punësohem
në Teatrin Kombëtar, dhe menjëherë erdh roli
im i parë në shfaqjen “ Duke pritur Godonë”.
Atëbotë ne korrëm një sukses të madh me
këtë shfaqje, shfaqja ishte shumë heterogjene, kjo
mblodhi disa gjenerata aktorësh të cilët dëshmuan
në një nivel të lartë të asaj kohe. Kjo
sigurisht se ishte shfaqja më mirë pas “Ervehesë””,
tregon aktori Tahiri.
U arrit ai sukses sepse jugosllavët shqiptarët i quanin
pakicat, ishte mënyrë e dhunshme, dhe padyshim aktorët
e atëhershëm kosovarë dëshmuan se nuk janë
pakicë, por fuqi kulturore.
Roli i Dibranit në shfaqjen “Duke pritur Godonë”
ishte roli i Likit.
“Ky rol kërkonte një përgatitje të madhe
psiko-fizike. Përpos asaj më duket se bashkë me regjisorin
jemi munduar të japim diçka më shumë se çka
kërkonte roli”, është shprehur Dibrani.
Atëbotë ishte vetëm 22 vjeçar. Ai ende edhe
sot e kësaj dite mbanë letra nga adhuruesit e tij për
falemenderimet dhe përshtypjet e tyre për atë rol
që ai kishte luajtur.
“Pas hapjes së Universitetit në Prishtinë,
unë e regjistrova gjuhën frenge, mirëpo nuk e kreva,
për shkak të angazhimit të madh që kisha në
Teatër”, thotë Tahiri.
Ai tregon për atë kohë kur “Teatri Krahinor”,
mblidhte të gjithë talentët më të mirë
të Kosovës.
Nuk ishte teatri i vetmi vend të cilin aktori Tahiri e kishte
shijuar. Ai ka marrë pjesë edhe në shumë filma.
“Viti 1971 në ish-Jugosllavinë përgatitej
filmi “Dashuria e parë”, gjirohej në bregdetin
dalmatin. Regjisori Zoran Gjalliq, i cili pati bërë një
serial të filmave më të shikuar për të
rinjë, ishte ai i cili përgatise atë film.
Në rolet kryesore ishin Faruk Begolli me disa aktore Lila
Llashiq, Vesa Mallohogjiq…nga Zagrebi, deshi fati që
një aktor nga Zagrebi u sëmur dhe atëherë më
ftuan mua në atë film që ta zëvëndësojë
atë përsonazh, ky ishte edhe roli im i parë në
film”, kujton me nostalgji Tahiri.
E kishte ftuar regjisori Zoran Gjalliq së
bashku me drejtorin e “Kosovafilmit” Abdurrahman Shala.
“I hipa trenit dhe shkova prej Splitit në Makarska,
edhe aty u vendosëm në një hotel në bregdet.
Ishte një pushim jashtëzakonisht shumë i mirë
por edhe onorari vinte.
Sekuenca ime xhirohej diku kur pritej një kohë me diell,
mirëpo nuk kishte ato ditë kohë me diell, kështu
që unë pushova një pesëmbëdhjetë (15)
ditë atje, në llogari të ekipit”, është
shprehur Dibrani.
Do të thotë që aty filloi kariera e tij e vogël
në film. Mirëpo gati në të gjitha projektet
e “Kosovafilmit” ai ka marrë pjesë.
“Kam marrë pjesë në filmin e Isa Qosës
“Proka”, “Përroi vërshues”, “Era
dhe Lisi”...”, tregon Dibran Tahiri.
Se cilën nga këto dyja do të zgjidhte, teatrin apo
filmin, ai thotë se para kamerës ndihet më mirë.
“Derisa erdh “Familja Moderne”, unë kam
menduar që në teatër e ndiej vetën më mirë,
kurse tash po e ndiej vetën më mirë në ekran.
Disi ky interpretimi intim më dukët më i natyrshëm,
më i thjeshtë, më i sinqertë, më shumë
po më përshtatet përpara kamerës”, thotë
Tahiri duke vazhduar se atij i përshtatet si natyrë, megjithëse
fshehtësitë e interpretimit para kamerës dhe në
skenë kurrë nuk mund të hulumtohen deri në fund.
Ai flet për rastin e Merlon Brandos aktorit holivudian i cili
e ka gjetur atë formulën e interpretimit të superstrukturimit,
formulën e aktrimit shumë të thjeshtë, dhe shumë
facionante, shumë bindëse.
Do të thotë ai mendon se më shumë i fle interpretimi
para kamerës edhe pse teatri për të mbetët dashuria
e parë dhe e paharruar.
“Familja Moderne”…
Duke treguar për serialin vendor, ku ai është mund
të themi në rolin kryesor, Dibrani tregon se si u fut
në këtë botë.
“Ishte ‘Viti i Ri’ 2002, producente në television
ishte z. Linda Abrashi – Shala, dhe ajo e kishte angazhuar
Virtyt Kelmendin skenaristin, ta shkruaj një komedi për
një familje aktuale kosovare.
Ai ia ofron skenarin dhe i pëlqeu ajo. Së bashku me Fatos
Berishën regjisorin janë koordinuar bukur dhe i kanë
ndarë rolet dhe në rolin e Dinit këta dy më
kanë propozuar mua”, tregon mënyrën e inkuadrimit
në këtë serial Dibrani duke u shprehur më tej
se ata e kishin ftuar në bisedë, Dibrani e kishte lexuar
skenarin dhe e ka parë që roli i ishte përshtatur.
“Cila është më interesante? Mua më pëlqeu
edhe ndarja e roleve tjera, të gjithë aktorëve të
cilëve u ishin ndarë rolet, mua më pëlqeu edhe
më shumë, angazhimi i atyre aktorëve të mrekullueshëm,
si ishte Leze Qena, Myrvete Kurtishi, Armond Morina , Luan Jaha,
Yllka Gashi, Vlora Merovci, Xhejlane Godanci, Nëntor Fetihu.
Ishte një ekip jashtëzakonisht i mirë, dhe ta them
të drejtën mu duk vetja se isha në një familje,
sepse me këta aktorë unë kisha punuar edhe më
herët”, ka thënë Dini i “Familjes Moderne”.
Ai thotë se ata pjesmarrësit e
“Familjes moderne” kanë pas një punë
shumë të vështirë.
Kanë bërë përpjekje që një “armatë”
të tërë shikuesish të serialeve të huaja,
latino-amerikane, do të thotë t’i kthejnë nga
një serial vendor. Dibrani këtu e sheh suksesin e këtij
seriali, sepse siç thotë ai merret me problemin e mentaliteteve
tona të cilat përballën përballë humorit.
Me këtë edhe Dibrani e sheh suksesin dhe thotë se
kjo pikërisht i ka shtyrë ata që të mobilizohen.
“Xhirimi te ne shkon shumë ngadalë, Fatos Berisha
punon me shumë përgjegjësi së bashku me Ilir
Bokshin dhe Mentor Shala të cilët edhe këta dy të
fundit i kanë bërë disa episode të këtij
seriali.
Dibrani flet edhe për marrëdhëniet dhe harmoninë
e “Familjes Moderne”.
Ai thotë se marrëdhëniet e
tyre deri më tani janë fenomenale të mira.
“Deri më tani janë punuar pesëdhjetë(50)
episoda, dhe të punohen kaq episoda pa asnjë problem kjo
më befason edhe mua dhe më çudit, nuk ndodh asnjë
ekces as edhe më i vogli ngase dëshira e madhe për
të kontribuar, dhe ngase ky është seriali i parë
në gjuhën shqipe që jepet në një television,
natyrisht duke pas parasysh edhe suksesin e madh në publik
të serialit”, shprehet Tahiri.
Ai thotë më tej se “Familja Moderne”është
një çast i vogël historik për ne, sepse megjithatë
serial shqip më të gjatë nuk ka pasur deri më
tani
Dini & Dibrani…jeta private…filmat
“Western”…
Është një rrugë përplot
zig-zage, që të shpien te dy botëra, te Dini i “Familjes
Moderne”dhe Dibrani i përditshmërisë.
“Unë në jetën e përditshme nuk jam baba,
në serial duhet ta luaj rolin e babait me disa fëmijë
të lazdruar të formoj raport me fëmijët, nuk
do të thotë se unë nuk e njoh ndjenjën e raportit
të prindit me fëmijën, sepse unë kam pas motra
dhe vëllezër shumë më të rinjë se
unë dhe kam marrë pjesë në zhvillimin dhe rritjen
e tyre”, tregon për jetën e tij Dibrani, aktori
kosovar.
Ai thotë se bota e Dinit dhe Dibranit ndryshon. Ndryshon në
shumë segmente. Në jetën private ai është
shumë i qetë, aspak nervoz, është tolerant,
ka mirëkuptim, dhe në qoftë se ai nuk mund të
ndryshojë diçka atëherë shumë thjeshtë
tërhiqet dhe i përcjell gjërat në heshtje.
“Deri diku pajtohem me Dinin se në të shumtën
e rastëve Dini tërheq dorë. Në pamundësi
për të ndryshuar diçka ai lëshon pe”,
bën dallimin e dy botërave Dibrani, duke treguar se Dini
është më temperament, ka kohë kur edhe shpesh
dominon në familje, dhe herë pas here të tregojë
se është ai “ujku i vjetër”. Dhe natyrisht
fëmijët e “Familjes Moderne”, e dinë
atë dhe nuk ia teprojnë. Këtu është edhe
ngjashmëria dhe dallimi mes personazhit dhe Dibranit.
“Në jetën private unë
nuk jam në asnjë parti politike, por edhe nuk jam apolitik.
Politika më ka interesuar që nga bankat shkollore. Kur
ne sot në Kosovë po e ndërtojmë gjithçka
nga fillimi, njeriu nuk guxon të jetë indiferent, por
jo në atë kuptimin të bëjmë të gjithë
politikë dhe t’i mësojmë politikanët të
bëjnë politikë. Por duhet përcjellë vazhdimisht
se çka po ndodh me fatin tonë. Vetëm një gjë
mua më brengos, lufta për pushtet”,- thotë
Dini i serialit.
Ai shprehet edhe më tej dhe futet në
ujërat që ndoshta nuk di të notojë, mirëpo
megjithatë mundohet të del deri në breg.
“Gjatë karierës time unë kam interpretuar
shumë role të politikanëve, dhe e di se çka
do të thotë të jesh pushtetar dhe e di se sa e butë
është karriga dhe pushteti. Njeriu që rri shumë
vite në karrigë, në një vend udhëheqës
është ai devertimi i tij, dhe njerëzit që janë
përreth tij fillojnë të sillen në mënyrë
të çuditshme. Ata mendojnë se atij ia ka dhënë
zoti pushtetin dhe duhet të vazhdojë sa të jet gjallë”,
ka thënë Dibrani.
Në jetën e përditshme Dibran Tahiri nuk është
i martuar, por gjithmonë në jetën e tij e ka pasur
dikë që ka bashkëjetuar. Mirëpo Dibrani nuk
ka dëshirë të flet më tepër për jetën
private të tij.
“Këtë formë të jetës unë vet
e kam zgjedhur me dëshirën time, mirëpo unë
nuk dua të jem shembull, dhe nuk do t’i preferoja dikuj
tjetër kështu, le të veprojë gjithkush ashtu
si mendon vet”, porosit Tahiri.
Ai edhe vëllezërve dhe motrave të tij iu ka thënë
që mos ta marrin shembull, por të gjithë ata sot
janë martuar, fejuar dhe e vazhdojnë jetën e tyre.
“Unë jetoj ndryshe, kurrë nuk i kam thënë
jo as martesës, as fejesës, unë më shumë
i jam përqendruar profesionit , nuk kam qenë i martuar
kurrë.
Tash jetoj me… ajo duhet të jetë
një pjesë e sekretit tim”, ka thënë Dibrani
duke qenë enigmatik sa i përket jetës së tij
private.
Dibrani sikur që moti e ka pasur një vërejtje. Ai
thotë dhe nuk beson as vet për aktorët që e
kanë interpretuar komplet Shekspirin, aktorët të
cilët e kanë interpretuar pjesën më të
madhe të dramaturgjisë botërore, rolet kryesore të
kësaj dramaturgjie, dhe të mos ftohen kurrë asnjëherë
para studentëve këta aktorë, jo për të
ligjeruar siç shprehet ai, por për të qenë
aty dhe të dëshmojë Dibran Tahiri ose ndonjë
aktor tjetër për sukseset, të dëshmojë
para studentëve të aktrimit, për sukseset që
ka pasur, por thjeshtë t’iu thotë studentëve
ku ka dështuar Dibran Tahiri dhe pse ka dështuar. Thjeshtë
shprehet Dibrani, aktorët e mëdhenjë jo të ligjerojnë
ndoshta aty, jo të marrin rrogë prej tyre, t’iu
marrin studentëve onorarin, por të këmbejnë
mendime në këtë profesion.
“Unë i gëzohem sukseseve të aktorëve,
jo vetëm te ne por edhe në botë, sepse marrja e çmimit
“Oskar”, ai e nderon edhe profesionin tim, është
nder për mua edhe unë duhet të gëzohem. Unë,
është e natyrshme që i gëzohem suksesit të
aktorëve të rinjë sepse përmes tyre edhe emri
jonë jeton më gjatë. Aspak nuk mendoj se ata janë
konkurentët e mi”, është shprehur Tahiri.
Duke pas fjalën te çmimi “Oskar”,
dhe tek aktorët e huaj, ai tregon edhe për mbresat dhe
cili aktor i pëlqen.
“Kam qenë i preokupuar me filmat “Western”,
thjeshtë kanë qenë filma për argëtim. Filmi
i cili “Ndodhi njëherë në perëndimin e
egër”, Henri Fonda, Çarls Bronson, Klaudia Kardinale,
në rolet kryesore, më ka lënë mbresa shumë
të mëdha, ishte film i cili u shfaq në kohën
e rinisë time, për shkak të peisazheve që kam
parë aty, dramës, dhe interpretimit të mrekullueshëm
të aktorëve në rolet e tyre, natyrisht edhe për
shkak të muzikës tepër të mrekullueshme të
Enio Morikone që kishte përgatitur për këtë
film të mrekullueshëm”, thotë Dibrani duke
treguar se ende i tingëllon në vesh ajo muzikë. Atij
i kanë pëlqyer dhe ende i pëlqejnë si Spencer
Tresi aktor i gjeneratës shumë të vjetër, por
gjithsesi, Henry Fonda, të cilin e dallon.
Dibrani dëgjon kryesisht muzikë
të mirëfilltë, atë e cila është bazë
e muzikës.
“E kam një cd-player, dëgjoj muzikë të
mirëfilltë, ajo që është bazë e muzikës,
klasike, është e pamundur që mos t’i kthehem
Rivaldit. Zakonisht edhe dëgjoj muzikë të filmit
e cila më pëlqen pa masë , mirëpo unë dëgjoj
çdo muzikë tjetër që është e mirë,
e adhuroj edhe çiftelinë kur dikush di ti bie”,
ka thënë aktori Tahiri.
Ai kohën e lirë e kalon në teatër, takohet
me miq, me kolegë, takohet pothuajse për çdo ditë,
shkojnë në kinema ndonjëherë dhe i pëlqen
të përcjellë televizionin, përcjellë çdo
gjë që jepet në këto tre (3) televizionet tona.
Ditëlindja: Shtator 1946
Vendlindja: Mitrovicë |