| Çiljeta
ndërron imazhin me silikon
E
vendosur për të studiuar diplomaci evropiane, për
të nxjerrë një album me këngë dhe për
të pozuar në skena provokuese
Jo për gjoksin por për flokët. Silikoni që
ka përdorur i ka rikthyer Çiljeta Xhilagës imazhin
e vajzës sensuale, më pak agresive se në trasgresionin
e saj të fundit me “look rock”. Eksperimentet e
saj me look-un megjithatë nuk kanë mbaruar. Tek e fundit
sapo ka mbushur 18 vjeç. “Edhe ngjitja e flokëve
me silikon qe një eksperiment dhe askush para meje nuk e ka
provuar këtu, madje edhe jashtë vendit janë të
paktë ata që e provojnë një gjë të
tillë. Është një torturë e vërtetë
të ngjisësh flokët pasi i ke prerë një
herë ato aq të shkurtër sa ç’i kisha
unë. Tani më duhet ta laj kokën vetëm një
herë në javë, ndër të tjera”, - shpjegon
duke qeshur Çiljeta eksperimentin e kushtueshëm dhe
të lodhshëm, të cilit iu desh t’i nënshtrohej
për hir të spektaklit që prezanton çdo të
dielë në ekran. Nuk ishte aspak dëshira e saj këtë
radhë. “Unë dua t’i bëj një herë
flokët platin fare, pastaj jeshile, ndoshta edhe blu, do t’i
provoj të gjitha”, - na thotë. “Ajo duket
shumë më mirë me flokët e gjata dhe imazhi i
saj është më i kompletuar si prezantuese kështu”,
- shpjegon Alda Bida, skenaristja e spektaklit, që duket se
e ka bindur Çiljetën për t’u bërë
prapë ashtu siç ishte. “Kam përdorur flokë
origjinalë, por me tre ngjyra të ndryshme, një palë
të bardhë, një palë jeshile dhe një palë
të kuqe, ndërkohë të gjitha i kam lyer prapë
dhe kam ndjekur seanca të gjata trajtimi me silikon tek parukieri
Gazmend Ujkashi”, - tregon ajo. Megjithatë në ekstravagancën
e saj të radhës, në një klip me regji të
Petri Bozos, Çiljeta shfaqet me imazhin shokues të biondes
së ekzagjeruar. Si në kalendarin e fundit, skenat provokuese
nuk mungojnë. “Janë në natyrën time”,
- shpjegon ajo, ndërsa shton se i ndodh shpesh që përpara
kamerave harrohet, dehet dhe e tepron. “Vetëm më
pas e kuptoj që e kam tepruar dhe përpiqem të censuroj
ndonjë plan të ekzagjeruar. Kështu kam bërë
edhe me klipin e fundit, që në bruto ishte shumë
më provokues”, - tregon ajo. “Por tekilat nuk i
kam pirë me të vërtetë, në vend të
tekilës ktheja ujë, do të ishte e papërballueshme”,
- thotë. Megjithatë skenat “skandaloze” nuk
i kanë shpëtuar teleshikuesve. Loja vishu-zhvishu para
pasqyrës, tangat e zeza, fokusi i zgjatur tek vithet, tek gjoksi,
pjesë nga filmimet për kalendarin e fundit, të gjitha
këto imazhe më shumë se artistike për sytë
e teleshikuesve shqiptarë ishin erotike. “Çiljeta
u shfaq aty si shou-girl, më e rritur, jo më fëminore
dhe e pafajshme. Klipi ka kushtuar rreth 4500 dollarë, një
pjesë e xhirimeve
janë bërë në Napoli. Bëhet fjalë për
tre minuta e gjysmë kohëzgjatje të klipit. Për
skenat dhe planet ka vendosur Petri, por sigurisht edhe Çiljeta
ka rënë dakord”, - shpjegon Alda Bida. Megjithatë
Çiljeta nuk mendon se është më e guximshmja
ndër vajzat shqiptare të spektakleve, as për sa i
përket skenave të tilla. Sa i përket shfaqjes nudo,
ajo thotë se i pëlqen më mirë të shfaqet
gjysmë ose treçerek nudo se e gjitha, ndërsa shton
se nuk do të ishte ajo e para femër që ka pozuar
nudo në Shqipëri. “Ingrid Gjoni ka pozuar nudo e
para”, - thotë Çiljeta. Ndërkaq plane të
tjera ka filluar të thurë përtej botës së
spektaklit. Ndoshta është një tjetër ekstravagancë,
por ajo është e vendosur të studiojë Diplomaci
Evropiane në Romë. Thotë se nuk bën shaka. Aktualisht
është në vitin e katërt në gjimnaz dhe
po përgatitet për provimet e maturës, por deri në
maj, megjithatë impenjimi i saj kryesor do të jetë
spektakli i Klipit dhe look-u, megjithëse prej pesë muajsh
ka hequr dorë nga fitnessi për të rifilluar kur të
ketë më shumë kohë. Ndërkohë është
duke përgatitur një album me këngë, disa prej
të cilave do të shoqërohen edhe me videoklipe pikante.
|