IDETË E ÇLIRIMIT KOMBËTAR TE IDEOLOGËT E RILINDJES SHQIPTARE NË VITET PARA DHE GJATË LIDHJES SË PRIZRENIT

Ngjarjet e viteve 1878-1881, hovi kryengritës dhe patriotik që ngriti në këmbë brenda një kohe të shkurtër masat e gjera shqiptare në të katër anët e Atdheut, nuk kanë qenë të rastit e as të papritura. Ato i kishin rrënjët thellë në historinë e gjatë plot luftëra dhe trimëri të popullit tonë, në mbrojtje të lirisë kundër pushtuesve të huaj. Ato ishin përgatitur nga i gjithë procesi i mëparshëm ekonomik-social, që kishte sjellë formimin dhe konsolidimin e kombit shqiptar.

Njëlloj si ngjarjet politiko-ushtrake të viteve 1878-1881 dhe ideologjia që i frymëzoi ato, edhe kultura që ndriti me aq shkëlqim gjatë atyre viteve e më vonë, ka pasur parapërgatitjen e saj, është paralajmëruar në disa drejtime.

Veqilharxhi, Jubani e të tjerë qysh para 1878 e ndien, e kuptuan se po piqeshin kushtet, po afroheshin momentet që Shqipëria të këpuste vargonjtë e robërisë dhe të delte e lirë dhe e pa-varur, komb më vete midis gjithë kombeve të tjerë të Evropës. Idetë e Rilindjes së hershme janë një jehonë e drejtpërdrejtë e lëvizjeve të gjera kryengritëse që morën shkas nga reformat e Tanzimatit dhe, në të njëjtën kohë, një përpjekje e njerëzve më të përparuar dhe më largpamës për të formuluar ato ide që i duheshin kryengritjes çlirimtare për të marrë hov dhe për të shkuar drejt fitores.

Parulla qendrore e kohës, ajo që i përgjigjej më së miri momentit aktual nga i cili varej në një shkallë të gjerë suksesi i luftës çlirimtare shqiptare, ishte parulla e bashkimit të popullit, e unitetit politik dhe luftarak të tij. Në bashkimin qëndronte forca e popullit, nëpërmjet tij ai do të bëhej i pathyeshëm edhe do t’u qëndronte të gjitha orvatjeve robëruese e asimiluese që atëherë kishin nxjerrë krye dhe po bëheshin gjithnjë e më kërcënuese. Idenë e bashkimit e gjejmë shumë kohë para ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, te Veqilharxhi dhe te Jubani. Veqilharxhi qysh në letrën që i dërgon të nipit më 1846 shpjegon se përçarja fetare e shqiptarëve nuk buron nga thelbi i tyre si komb, se ajo mund të zhduket fare mirë dhe kombi të arrijë atë unitet që e kerkonte çlirimi kombëtar.Idenë e bashkimit Vqilharxhi e quante krejt të natyrshme dhe të realizueshme.

Nevojen dhe mundësinë e bashkimit të popullit shqiptar për të cilënVeqilharxhi flet në mënyrë të përgjithshme, ngjarjet e 1878-es do ta shtrojnë si një kërkesë të ditës, si një kusht sine qua non per suksesin e lëvizjes çlirimtare. Nën ndikimin e ngjarjeve të Lidhjes Shqiptare dhe nën frymëzimin e tyre të drejtpërdrejtë Samiu më 1881, në letrën drejtuar De Radës, shkruante: „Shqipëria duhet të jetë një dhe e pandarë", ... të gjithë shqiptarët duan të quhen vëllezër dhe djemt e një mëmëdhethi të dashur".1 Në emër të bashkimit Samiu qysh në këto vite del në mënyrë intransigjente kundër fesë jo për dogmën e saj, por për atë rol përçarës e negativ që ajo kishte luajtur dhe vazhdonte të luante në jetën e popullit tonë. Samiu ngulte këmbë se ndarja sipas feve ishte një sajim i armiqve të Shqipërisë, ishte një diçka artificiale që nuk pajtohej as me interesat e Shqipërisë, as me gjendjen reale. Samiu vërente se Shqipëria nuk është e ndarë sipas feve, dhe shqiptarët nuk kanë luftuar asnjëherë midis tyre për punë feje. Historikisht, vërente Samiu, populli shqiptar ka qenë i bashkuar, shqiptarët kanë jetuar si vëllezër. Prandaj duhet të jemi të bashkuar „sikundrë kemi qënë qëmoti".2

Në qoftë se drejt bashkimit njëra rrugë, kalonte nëpërmjet luftës dhe demaskimit të rolit përçarës të fesë, rruga tjetër, kalonte nëpërmjet lartësimit dhe afirmimit të gjuhës shqipe dhe të përhapjes së diturisë në gjuhën shqipe. Një rol të veçantë të pazëvendësueshëm për bashkimin politik të popullit shqiptar, për edukimin e tij patriotik dhe çlirimtar do të luante „Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip" e Stambollit që u krijua në zjarrin e ngjarjeve të Lidhjes më 1879.

Përpjekjet për të realizuar bashkimin politik të popullit shqiptar, për të bërë edukimin patriotik dhe revolucionar të tij, e nxorën Rilindjen Kombëtare në mbrojtjen e gjuhës shqipe, në shkrimin e saj, në përhapjen e arsimit dhe të diturisë në gjuhën shqipe. Kontributi i shquar që dhanë për mbrojtjen dhe përhapjen e diturisë në gjuhën shqipe i bëri rilindasit të pavdekshëm dhe u siguroi atyre një vend nderi në historinë e lëvizjes çlirimtare të popullit tonë dhe të kulturës së tij. Por dhe iluminizmi patriotik që mori hov dhe u përhap me aq vrull dhe entusiazëm gjatë dhe pas viteve 1878-1881 kishte zënë fill dhe ishte shpallur shumë vjet më parë në veprën dhe në veprimtarinë e Veqilharxhit dhe të Jubanit.

Faktori i parë që dallon Veqilharxhi në rrugën e zhvillimit të njeriut dhe të shoqërisë është dituria. Dituria është për të kushti më i rëndësishëm, mjeti më i fuqishëm i progresit. ,,Më të mirën gjë që njohu e që kuptojti njeriu, thotë ai, ish të mësuarit".3 Bile ai e çmon aq shumë të mësuarit dhe diturinë sa i obsolutizon ato dhe shpall në mënyrë kategorike se „vetëm të mësuarët e gjuhës e nderon njeriun".4

Në lartësimin e diturisë dhe vlerësimin e saj Veqilharxhin e sjell jo vetëm gjendja e rëndë e Shqipërisë, por dhe përvoja e vëzhgimet nga jeta e popujve të tjerë. Ai vëren se „gjithë farët e çdo njerëzve mundohen pareshtur si të mundënjë të ndërtojnë e të shtojnë gjuhën e tyre edhe të mësuarit".5 Nga arsyetimi i përgjithshëm filozofik, nga vëzhgimet në jetën e popujve të ndryshëm, Veqilharxhi ulet në terrenin konkret të Shqipërisë dhe jep e argumenton një nga një të dhënat e problemit. Siç kanë dhe bëjnë të gjithë popujt, arsyeton ai, edhe populli shqiptar duhet të marrë rrugën e arsimit dhe të diturisë, por për këtë duhen shkolla amtare, të cilat nga ana e tyre nuk mund të bëjnë asnjë hap pa gjuhën e shkruar, e cila, nga ana e saj, ka nevojë për alfabetin shqip. Me Veqilharxhin filloi ajo traditë që do të karakterizojë gjithë Rilindjen Kombëtare: uniteti i f jalëve dhe i veprave, i mendimit dhe i veprimit. Pasi argumenton nevojën e shkrimit të gjuhës shqipe dhe të alfabetit shqip ai i përvishet punës për krijimin e tij, për hartimin e abetares, për shpërndarjen e tyre në viset e ndryshme të atdheut. Abetarja e Veqilharxhit ishte dallëndyshja që paralajmëronte pranverën e gjuhës së shkruar dhe të letërsisë shqipe, që do të lulëzonte veçanërisht pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Alfabeti i Veqilharxhit do të pasohej nga alfabete të tjerë më të përpunuar, abetarja e tij nga abetare më të pasura dhe nga një shumicë tekstesh shkollorë. „U përpoqa, - thoshte Veqilharxhi n'ato ditë kur botonte abetaren e parë, - t'u bënj veglën e ju tashti e tutje vini pëlhurën".8 Kjo pëlhurë u end shumë shpejt, ashtu si e ëndërronte Veqilharxhi. Atë e endën mëndje të tilla të ndritura dhe zemra të tilla të zjarrta si ajo e Samiut, e Naimit dhe e dhjetëra rilindasve të tjerë që e shpunë me ritme shumë të shpejtë përpara çështjen e gjuhës shqipe, të shkollës shqipe, të kulturës së re shqiptare në shërbim të lirisë dhe të lartësimit material dhe moral të popullit shqiptar.

Ideologjia e Rilindjes Kombëtare që lindi dhe u zhvillua në gjysmën e dytë të shekullit XIX ishte thellësisht patriotitke. Ajo u bë lajmëtarja dhe bartësja e një ideali të ri politik në thelbin e tij çlirimtar dhe revolucionar. Ky ideal frymëzon që „Evetarin" e parë të Veqilharxhit deri traktatin politik të Samiut "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhetë".

Ideja e parë politike, ajo që do t'i nënshtronte të gjitha të tjerat dhe në emër të së cilës këto do të mbroheshin, ishte idëja e daljes së Shqipërisë më vete, ideja e ringjalljes së Shqipërisë, po të flasin me gjuhën e kohës. Kjo ide frymëzon qysh para ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit Veqilharxhin; këtë ide e thoshte qysh atëhere qartë dhe në mënyrë eksplisite Jubani. Ai hedh parullën e përpjekjeve për ta ngritur Shqipërinë në një rang kombi, siç ishte në kohën e Madhërisë së tij...".7 Fjalën Jubani e ka për Shqipërinë e kohës së Skënderbeut dhe me këtë kupton një Shqipëri të lirë dhe të pavarur, pa pushtues turq apo të tjerë.

Liria dhe pavarësia e Shqipërisë, që ata e quanin ringjallje të saj, nuk do të ishte rezultat i një akti të vetëm, por një proces i gjatë dhe i ndërlikuar gjatë të cilit do të përgatiteshin dhe do të formoheshin të gjitha forcat politike e shoqërore që do ta realizonin atë, dhe, në përputhje me pjekurinë dhe forcën e tyre, do të hidhnin gradualisht dhe parullat përkatëse politike.Plot realizëm Zef Jubani në veprën e tij del me kërkesën që të zhduken të gjitha privilegjet dhe ligjet e veçanta që rregullonin jetën politike në ato kohë e të okupacionit osman dhe të vendosen ligje të reja, ligje të përbashkëta për të gjithë shqiptarët „pa marrë parasysh ndryshimet e besimit e të racës, për arsye se ato janë të një gjaku dhe janë të njëjtë nga gjuha, zakonet, aspiratat, e bile deri ndër veprimet më të hollësishme shtëpijake".8 Jubani në mënyrë konsekuente bën dhe hapin tjetër në këtë drejtim dhe kërkon që drejtësia të jetë jo vetëm e barabartë për të gjithë, por edhe të administrohet në bazë kodesh në gjuhën shqipe që të kuptohet nga të gjithë shqiptarët.

Më tëpër se në ligjet, mendimi çlirimtar dhe patriotik do të drejtojë vëmendjen në gjendjen e arsimit, i frymëzuar nga bindja iluministe e përhapur qysh në shekujt XVII dhe XVIII se për-tërirja e jetës së popullit dhe progresi shoqëror mund të realizo-hen nëpërmjet përhapjes së arsimit dhe dritës së diturisë. Duke paralajmëruar plot optimizëm se „nuk do të jetë larg ajo ditë që do të na çojë prej gjumi" Jubani del me kërkesën demokratike dhe kombëtare që arsimi të bëhet i detyrueshëm me ligj, që të hapen shkolla në gjuhën kombëtare dhe me mësues kombëtarë.

Është e qartë se nëpërmjet kërkesave të Jubanit që drejtësia të administrohet në gjuhën shqipe nga shqiptarët, që të hapen shkolla shqipe ku të japin mësim mësues shqiptarë, lëvizja çli-rimtare shqiptare shkonte drejt atyre kërkesave që do të përbëjnë përmbajtjen e autonomisë. Bile Jubani ka përdorur dhe vetë termin autonomi, e cila sipas tij do të bënte të mundur krijimin dhe zhvillimin e letërsisë në gjuhën përkatëse. Por do të vijë viti 1878 dhe këto ide të Jubanit do të marrin një kuptim të ri. Ato, nga dëshirat e një patrioti që mendon për rrugët e daljes së Atdheut të vet nga situata e rëndë e robërisë, do të shndërrohen në parulla politike të ditës që duhet të realizohen sa më parë. Lëvizja çlirimtare e viteve 1878-1881 vuri në flamurin e saj autonominë politike, dha përmbajtjen dhe detyrat e saj, kaloi nga fjalët në veprat, nga programet në realizimet praktike. Memorandumet e vitit 1878 si asnjëherë më parë, me një qartësi të plotë dhe vendosmëri të madhe shpallin kërkesën e autonomisë dhe detyrat e saj imediate siç janë: të mos u jepet asnjë pëllëmbë tokë shqiptare të huajve, të bashkohen tokat shqiptare të katër vilajeteve në një adrninistratë në vete, në gjyqet të caktohen njerëz që të njohin gjuhën e vendit, të hapen shkolla në gjuhën shqipe, të organizohet ushtria kombëtare. Memorandumet e shumtë të organeve dhe të organizmave të Lidhjes Shqiptare janë jo vetëm dokumente zyrtare të kërkesave të lëvizjes çlirimtare por dhe një shpallje e argumentim i aspiratave të masave të gjera shqiptare që me armë në dorë luftonin për të drejtat e tyre. Në këto vite si asnjëherë më parë ishte bërë bashkimi organik i mendimit politik me vetë lëvizjen praktike çlirimtare. Ideologët e lëvizjes çlirimtare që i hartonin memorandumet dhe deklaratat ishin dhe vetë pjesëmarrës dhe udhëheqës të saj.

Megjithëse këto kërkesa lidhen me dy detyrat më të rëndësishme programatike të Rilindjes Kombëtare siç janë ruajtja e tërësisë territoriale të Atdheut dhe bashkimi i tokave shqiptare në një njësi të vetme administrative autonome, ato nuk janë konsideruar si qëllimi i fundit i lëvizjes çlirimtare, por si një etapë përgatitore drejt qëllimit të fundit, drejt lirisë dhe pavarë-sisë së plotë. Atë që e presupozonte Lidhja Shqiptare e formuar në Prizren e ka thënë haptazi Sami Frashëri më 1881 kur shkruante se shkëputja nga Perandoria, „që nuk do zgjuarjen e shqiptarëve dhe lindjen e Shqipërisë", duhet të jetë fundi logjik i të gjitha përpjekjeve dhe objektivi i të gjitha synimeve. „Lidhja e Prizrenit, shkruante Samiu, pa nevojë të bashkojë Shqipërinë e t'a bëjë një me autonomi, mbase me shkëputje (independance) fare, pas punës".9 Aq ishte i bindur Samiu se puna shkonte drejt pavarësisë sa që ai qysh atëhere shtronte problemin se si do të qeveriset Shqipëria e shkëputur nga Perandoria dhe kërkonte që të hiqej dorë përfundimisht nga mbretërit dhe princërit për të kaluar në organizimin dhe drejtimin demokratik të vendit.

Dhe idetë e veprimet taktike të lëvizjes çlirimtare gjatë dhe pas vitit 1878 do të jenë në lartësinë e orientimeve të saj të përgjithshme. Lidhja Shqiptare në memorandumet e saj si dhe në veprimet e saj praktike nisej nga ideja e drejtë se në këkesat e saj për autonomi ajo duhet të mbështetet në vetvete, se rruga e realizimit të tyre është rruga e forcës, rruga e veprimit të drejtpërdrejtë.

Sami Frashëri që ndiqte me kujdes dhe nga afër ngjarjet u jep miratimin e tij të plotë veprimeve të Lidhjes, iniciativave të saj të drejtpërdrejta. Qysh në këto vite ai shkruante: „Lidhja Shqiptare ka tre vjet që po kërkon bashkimin e Shqipërisë në një krahinë autonome. Atë që nuk e bëri mbretëria, e mori ajo vetë përsipër ta bëjë", „përzuri të gjithë guvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës, edhe nga Prizreni, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra.. .",10 u shndërrua vetë në një kuvernë të përdorme, krijoi një forcë të armatosur në mbrojtje të realizimeve dhe të kërkesave të saj. Duke përgjithësuar këtë përvojë historike,Sami Frashëri formuloi një varg parimesh që zunë vend të qëndrueshëm në Rilindjen tonë Kombëtare dhe e frymëzuan për dhjetëra vjet.

Mësimi politik i Sami Frashërit dhe i gjithë Rilindjes Kombëtare shqiptare që shqiptarët ’’të përpiqën vetë për punët e tyre’’,që ’’t’i kërkojnë të drejtat e tyre me fjalë me fjalë, por të kenë edhe pushkën plot"11 tregoi gjithë vlerën dhe rëndësinë e tij qysh gjatë viteve të Lidhjes. Me atë jetoi dhe u zhvillua më tej lëvizja çlirimtare shqiptare për të arritur në vetë qenien kombëtare, në lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Për t'i dhënë popullit shqiptar një besim të ri, për të ngritur lart krenarinë e tij kombëtare, për të brumosur ndërgjegjen e tij patriotike, të cilën e kërkonin me ngulm ngjarjet e viteve të Lidhjes, Rilindja Kombëtare ndoqi disa vija. Njëra vijë ishte ajo e vlerësimit të lartë të popullit shqiptar, të virtyteve dhe aftësive të tij shpirtërore dhe intelektuale. Përpjekjet për këtë i gjejmë qysh në veprën e Jubanit. Ajo që Jubani çmon më shumë tek shqiptarët është trimëria e tyre, aftësia për të qëndruar dhe për të mos u mposhtur në asnjë rrethanë. Për Jubanin populli shqiptar është i panënshtrueshëm. Këtë e kishte vërtetuar përvoja e largët historike, këtë e vërtetonte dhe përvoja e afërt. „Përvoja na ka provuar, shkruante Jubani, se në këto 40 vjetë janë ndruar afro 52 sundimtarë, disa prej të cilëve, me gjithëse në mbështetje të autoritetit të tyre kishin një ushtri të fuqishme, humbën dhe humbja e tyre e shtoi edhe më tepër guximin e këtij populli të panënshtrueshëm".12

Forcën e karakterit, bukurinë dhe krenarinë shpirtërore, thekson Jubani, shqiptarët nuk e humbasin në asnjë moment, bile edhe në momentet më të rënda. „Deri përpara vdekjes, vëren Jubani, shqiptari malësor kthehet aty për aty në poet dhe pa prit e pa kujtue thur vargje me temën e motiveve që e sollën n'atë veprim dhe, duke kënduar me guxim, dorëzohet pa u shqetësuar në duart e xhelatit".13

Bukurinë dhe forcën shpirtërore të burrave Jubani e sheh dhe tek gratë shqiptare. „Pjesë të një vetmohimi të çuditshëm, thotë Jubani, gjenden edhe ndër gratë. Janë të parat që i dalin përballë rrezikut me qëllim që të shpëtojnë farefisin e tyre dhe, në rast lufte, bashkohen me burrat duke i ndihmuar sipas forcave të seksit të tyre".14

Dashuria për Shqipërinë, krenarin e të qenit shqiptar, besimi në aftësinë historike të popullit shqiptar për t'u ngritur në luftën çlirimtare dhe për ta futur Shqipërinë në rrugën e lirisë dhe të progresit, do të përbëjnë përmbajtjen ideore të të gjithë ideologjisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Idetë çlirimtare dhe patriotike që lindën dhe u përhapën me forcë në të katër anët e vendit i sistemoi me talent të rrallë dhe me shpejtësinë që e kërkonin ngjarjet dhe situatat Pashko Vasa në veprat që kanë hyrë në fondin e artë të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare „E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët" dhe „O mori Shqypni, e mjera Shqypni", të shkruara më 1879, në ditët e zjarrta të Lidhjes. Ato ishin një manifest i vërtetë ideologjik dhe politik i Lidhjes, një shpallje e vendosur e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar. Nuk mund të lexohen pa një ndjenjë respekti për autorin e tyre idetë dhe arsyetimet e këtyre veprave, fjalët plot patriotizëm të kulluar me te cilat Pashko Vasa mbyll arsyetimet e tij për shpëtimin e Shqipërisë, progresin e saj të gjithanshëm në liri dhe pavarësi: „A është krim të duash vendin tënd? Ajo që është një cilësi, një virtut për të tjerë, nuk mund të jetë gjë tjetër as për ne. Kemi guximin e mendimit dhe zemrën që digjet nga dëshira për ta parë Atdheun tonë të lumtur dhe të madh, ne do të donim që atij të mos kishte pse t'i skuqej faqja para kombeve të qytetëruar, të ndershëm dhe punëtorë".15

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe ngjarjet historike të viteve 1878-1881 shënuan një kufi edhe në ideologjinë e Rilindjes Kombëtare, por një kufi që nuk e ndali veprën e filluar nga Veqil-harxhi, Jubani e patriotët e tjerë, por që krijoi kushtet më të favorshme për ta vazhduar dhe për ta ngritur atë më lart, për të mbërrijtur në vepra të tilla madhore të letërsisë shqipe e të me-ndimit politik e shoqëror shqiptar si „Bagëti e Bujqësi", „Lulet e Verës", „Historia e Skënderbeut" të Naimit, „Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e çdo të bëhetë" e Samiut, „E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët", „O mori Shqypni, e mjera Shqypni" të Pashko Vasës që frymëzuan një popull të tërë në luftën për liri e pavarësi.
---------------------
1 Buletini për shkencat shoqërore, Tiranë 1954, nr. 2, f. 115.
2 Po aty.
3 M. Islaml, Naum VeqUharxhi, Tiranë 1977, f. 133.
4 Po aty, f. 137.
5 Po aty, f. 133.
6 Po aty, f. 136.
7 Z. Jubani, Vepra të zgjedhura, Tiranë 1966, f. 77.
8 Po aty, f. 61.
9 Buletini për shkencat shoqërore, Tiranë 1954, nr. 2, f. 115.
10 Po aty.
11 S Frashëri Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhetë, Tiranë 1962, f. 71
12 Z. J u b a n i, vep. e cit., f. 59.
13 Po aty, f. 82.
14 Po aty.
15 Vassa Effendi, La veritë sur l'Albante et les Albanais, Paris 1879, f. 101.

nga:
Zija Xholi
Copyright www.agimi.com 2002