DISA ASPEKTE TEORIKE-JURIDIKE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

Në kohën kur në Evropën Perëndimore ekonomia shënonte një shkall të lartë zhvillimi, atëherë kur si rrjedhim i këtij zhvillimi ashpërsohej edhe më tepër lufta për ndarjen terri-torfale të botës midis fuqive të mëdha, në Ballkan e sidomos në vilajetet e banuara me shqiptarë.Lëvizja Kombëtare apo Rilindja Kombëtare që zë fill në vitet '30 të shekullit XIX sa vinte e bëhej një lëvizje edhe më e fuqishme e më masive. Ajo i shtroi vetes për detyrë themelore luftën për çlirimin kombëtar nga sundimtarët osmanë për krijimin e shtetit kombëtar të pavarur.1

Kjo luftë, në fillim, kishte karakter partikularist me territor të kufizuar të shtrirjes dhe shpeshherë me paqartësi të duhur politike, për të vazhduar rritën dhe pjekurinë e saj në rajonet e banuara nga shqiptarët e me objektiva të qarta politike. Lidhja e Prizrenit ishte ajo shkallë kulminante me karakter të theksuar kombëtar e Rilindjes sonë, e cila u mbështet në masat e gjera popullore pasi që arenë ku u zhvillua ajo ishin trevat e banuara prej shqiptarëve, ndërsa aktor i saj vetë populli shqiptar. Vetë fakti se objektivat kryesore të saj ishin ruajtja e tërësisë territoriale dhe autonomia, përkatësisht pavarësia, flasin bindshëm për karakterin e avansuar kombëtar të saj.

Kuvendi i Lidhjes, i cili përfaqësonte popullin shqiptar të të gjitha krahinave të banuara prej tyre, i zgjodhi organet drejtuese të Lidhjes, si nevojë të domosdoshme për të vënë në jetë pro-gramin e saj politik.

Që në fillim u zgjodhën: Këshilli Qendror, Këshilli (komiteti) Drejtues dhe tri komisione: Komisioni i Punëve të Jashtme, Komisioni i Punëve të Brendshme dhe Komisioni i Financave, të gjitha këto me seli në Prizren.

Këshilli Qendror i Lidhjes ishte organ përfaqësues i shqiptarëve të të gjitha viseve, të cilit iu besuan autorizime të gjera për marrjen e vendimeve dhe dhënien e direktivave autoriteteve lokale të Lidhjes në terren. Në fakt Këshilli Qendror i Lidhjes ishte organi më i lartë në periudhën midis dy kuvendeve të prëgjithshme. Aktivitetin e vet e zhvillonte në dy mënvrë- në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet Këshillit Drejtues Ndër detyrat më me rëndësi të Këshillit Qendror ishin edhe këto- jepte kushtrimin për organizimin e forcave të armatosura, merrte vendim për aksionet ushtarake, për grumbullimin e armëve, të municioneve dhe të ushqimeve etj. Këshilli Qendror i Lidhjes sikurse edhe organet e tjera të saj, sidomos pas triumfit të rrymës radikale të përfaqësuar nga Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Sylej-man Vokshi, Shaip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë, i shtroi qartë objektivat e saj politike-kombëtare. U bënë ndërrime në vetë organet qendrore dhe në organet e pushtetit lokal të saj në terren. Njëherësh, u bënë edhe ndryshime rrënjësore në të gjitha viset, sidmos në Kosovë, ku forcat e Lidhjes përmbysën ose e paralizuan fare pushtetin turk.

Në rrugën e saj drejt organizimit dhe konstituimit të pushtetit, Lidhja zgjodhi Këshillin Drejtues. Ky ishte organ ekzekutiv i Lidhjes dhe veç të tjerash, kishte për detyrë të vente në jetë vendimet e Këshillit Qendror dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë t'i udhëhiqte aksionet e Lidhjes. Praktikisht, Këshilli Drejtues na del si një organ qeverisës i Lidhjes, me atribute të një pushteti ekzekutiv, qeveritar.

Këshilli Drejtues i Lidhjes ishte, sidomos pas riorganizimit të tij, organ themelor politik dhe fuqia kryesore aktive e pushtetit të Lidhjes. Ky ishte një element i ri e i rëndësishëm në rrugën e krijimit të shtetit të ri shqiptar. Në ato rrethana, vetëm në Këshillin Drejtues si organ me përbërje relativisht të vogël numerike, por në të njëjtën kohë homogjen, mund të përqëndrohej ushtrimi i funksionit ekzekutiv e administrativ të pushtetit. Varësisht nga aktiviteti i gjithmbarshëm i Lidhjes edhe roli i Këshillit Drejtues ndryshoi, kështu që, pas eliminimit të plotë të rrymës konservative proosmane nga udhëheqja politike e Lidhjes, mori formë dhe përmbajtje të re, u shpall „kuvernë e përdorme" (qeveri e përkohshme) në krye të së cilës u zgjodhën luftëtarët më të vendosur të çështjes kombëtare, siç ishin Haxhi Ymer Prizreni, kryetar, Shaip Spahiu, nënkryetar, Abdyl Frashëri, ministër i punëve të jashtme, Sylejman Vokshi, ministër i ushtrisë (punëve të brendshme), e të tjerë.

Shtrirja e pushtetit të Lidhjes u zgjerua edhe më tepër kështu që kjo u bë „zotnuesi i vërtetë i vendit".2 U forcuan lidhjet midis qendrave të ndryshme sidomos u përmirësuan dukshëm lidhjet midis Veriut dhe Jugut. Në këtë kohë në shumë qendra pushteti osman u përmbys, ndërsa në vend të tij u ngrit ai i Lidhjes. Edhe atje ku ekzistonin autoritetet turke, ato praktikisht nuk kryenin kurrfarë funksioni pasi që pushtetin e kishin marrë në dorë komitetet e Lidhjes.

Edhe komisionet, e më vonë ministritë e Lidhjes, ishin hallka të rëndësishme të pushtetit të Lidhjes që po krijohej. Atyre iu lanë në kompetencë tri fusha tejet të rëndësishme të aktivitetit
të saj.

Komisioni i Punëve të Jashme në krye të të cilit ishte Abdyl Frashëri, një ndër udhëheqësit kryesorë të Lidhjes, zhvilloi një aktivitet të gjallë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për po-pullarizimin e Lëvizjes sonë para Fuqive të Mëdha e njëherësh përgatiti dhe dërgoi shumë kërkesa e protesta në metropolet e Evropës dhe në Berlin, vendin ku ishin grumbulluar Fuqitë e Mëdha imperialiste për të „ndarë drejtësinë" sipas interesave të tyre. Përveç kësaj, ky Komision kontaktonte edhe me shqiptarët në emigrim si dhe me simpatizuesit dhe përkrahësit e huaj të përpjekjeve shqiptare.

Komisioni i Punëve të Brendshme i cili më vonë, për shkak të detyrave që i kryente dhe pas riorganizimit që iu bë, u quajt Ministri e ushtrisë, u muar me mbledhjen e ushtrisë, të armëve të municioneve, të veshmbathjes si dhe me ruajtjen e rendit e të qetësisë. Në të vërtetë ky ishte resor i „fuqisë zbatuese".3

Komisioni i financave kishte për detyrë mbledhjen e ndihmave financiare për fondet e armatimit të forcave ushtarake të Lidhjes dhe për ushqimet e tyre. Komisionet që u zunë ngojë më sipër, sikurse edhe organet e tjera të Lidhjes, patën vështirësi e ndërprerje në punën e trye, por pas qërimit të hesapeve me forcat fanatike, reaksionare e proosmane, luajtën një rol shumë të rëndësishëm drejt realizimit të autonomisë, përkatësisht pavarësisë. Ato s'ishin ministri në kuptimin e plotë të fjalës, por kishin elemente të një aktiviteti të tillë politik-administrativ.

Nuk mund të flitet në mënyrë të argumentuar se komisionet apo ministritë e Lidhjes patën kompetenca të prera pasi që, në rrethanat konkrete të kohës, nuk mund të bëhej ndonjë ndarje rigoroze e detyrave dhe kompetencave midis organeve të Lidhjes. Dega e Prizrenit, bie f jala, shpeshherë kryente edhe punë të përgjithshme të organeve qendrore të Lidhjes.4

Një punë të madhe bëri Lidhja në organizimin e komiteteve (degëve) të saj të cilat u organizuan në më se 34 qendra të ndryshme të vendit. Për organizimin e tyre u ngarkuan edhe anëtarët e Këshillit Qendror të Lidhjes. Kështu u formua një rrjet i gjerë i shtrierjes së pushtetit lokal të Lidhjes. Komitetet gradualisht e përforcuan pozitën e tyre. Në disa qendra ato, krejt të pavarura, ushtronin pushtetin administrativ lokal, ndërsa në qendra të tjera krahas me to ekzistonte edhe administrata e Portës, ekzistonte një farë dypushtetsie.5

Lidhja në kuvendet e saj mori disa vendime të cilat kishin forcën e akteve të përgjithshme juridike-ligjore siç ishin Kararnameja, Talimati e me vonë edhe Kanuni i ri. Dy të parat ishin akte me përmbajtje edhe panislamike ku shprehej edhe besnikëria ndaj sulltanit si rezultat i ndikimit të madh që ushtronte në fillim rryma proislamike e konservatore e Lidhjes ndërsa Kanuni i ri i cili u aprovua në fillim të korrikut të vitit 1878 edhe në aspektin juridik-normativ sanksiononte karakterin autonomist të Lidhjes,6

Respektimi i vendimeve të Lidhjes ishte i detyrueshëm për të gjithë, dhe sigurohej me sanksionet që parashikoheshin për të gjithë ata që i kundërshtonin. Lidhja kishte forca të armatosura të cilat garantonin zbatimin e vendimeve të marra. Monopol të forcës fizike kishin forcat e vetë Lidhjes. Nga këto dhe me vendimet e tjera që mori Lidhja mund të konkludohet se ajo kishte elemente të një pushteti ligjvënës.

Organizimi i pushtetit administrativ ishte një hallkë tjetër e rëndëssihme e aktivitetit të Lidhjes. Në krye të këtij pushteti qëndronte Këshilli Drejtues i Lidhjes, i cili ishte „forca zbatuese" e saj. Hallka të tjera të këtij pushteti ishin komitetet (degët) e Lidhjes të shpërndara për gjithë vilajeteve të banuara me shqiptarë. Organizimi i forcave të armatosura prej tyre, grumbullimi i armëve, i ndihmave financiare, i veshëmbathjes, i ushqimit, ruajtja e rendit dhe e qetësisë në emër të Lidhjes si dhe punët e tjera që ushtronin ato, ishin shprehje bindëse e pranisë së pushtetit administrativ të saj. Kuptohet, në kushtet e jetës dhe të veprimit të Lidhjes, gjithherë dhe gjithkund, intensiteti i ushtrimit të këtij pushteti nuk ishte në shkallë të njëjtë. Disa degë të Lidhjes u pavarësuan krejtësisht, pasi që më parë kishin përmbysur me forcë pushtetin turk.

Lidhja e Prizrenit i kushtoi kujdes të duhur edhe organizimit të gjykatave si rezultat i kërkesës së masave të gjera popullore të cilat e kishin humbur besimin në gjykimin e gjyqeve turke. Formimi i gjykatave të Lidhjes, të të ashtuquajturave gjykata popullore zë fill në Prishtinë, (maj 1879) dhe vazhdon të shtrihet edhe në qendra të tjera. Deri sa në Prishtinë, për shkak se këtu ishte qendra e vilajetit, krahas gjykatave popullore të Lidhjes ekzistonin edhe ato osmane, në disa qendra të tjera si në Prizren, Gjakovë, Pejë etj. gjykatat osmane u suprimuan fare. Në gjykatat e Lidhjes gjykimi bëhej sipas të drejtës së moderuar zakonore shqiptare. Karakteristikë e këtyre gjykatave është se ato ishin gjykata kolegjiale me një numër të madh gjyqtarësh, njerëz të dëgjuar për nder e burrëri, përkundër atyre turke të korruptuara.7 Kjo bëri që autoriteti i tyre të rritet shumë shpejt dhe si rezultat i kësaj, edhe atje ku ekzistonin formalisht gjykatat osmane, populli t'i braktiste fare. Kështu Lidhja krijoi një rrjet të tërë gjykatash të cilat jo vetëm që ishin një motiv i fuqishëm që i dha gjallëri edhe më të madhe asaj në vitet 1879-1881, por ato njëherësh dëshmonin pushtetin autonomist të saj.
Me gjykatat popullore shqiptare, Lidhja nuk arriti të krijonte një sistem unik gjyqësor për gjithë vendin, por megjithatë në disa vende ngriti një pushtet të vetin gjyqësor ku zgjidheshin konfliktet e ndryshme në frymën e së drejtës së risuar zakonore shqiptare që ruhej prej kohësh.

Kujtojmë se mund të nxjerrim si përfundim se: organizimi dhe mbajtja e kuvendeve të Lidhjes, që kishin një numër të madh pjesëmarrësish të të gjitha shtresave shoqërore, zgjedhja e Këshillit Qendror si organ përfaqësues më i lartë i Lidhjes në periudhën midis dy kuvendeve e me kompetenca të gjera në marrjen e vendimeve të nevojshme; zgjedhja e Këshillit Drejtues, organit ekzekutiv të saj, i cili, sidomos pas riorganizimit të tij, ishte organi themelor politik dhe fuqia kryesore aktive e pushtetit të saj; zgjedhja e tri komisioneve: Komisionit të Punëve të Jashtme, Komisionit të Punëve të Brendshme dhe atij të Financave, komisione këto që mbulonin tri fusha të rëndësishme të aktivitetit të Lidhjes, flasin në mënyrë të argumentuar për strukturën konstitucionale të pushtetit të Lidhjes, në një anë, ndërsa nga ana tjetër, vendimet që kishin forcën e akteve të përgjithshme juridike-ligjore të cilat i nxorri Lidhja, organizimi i pushtetit qendror (Këshillit Drejtues) dhe atij lokal (komitetet e Lidhjes) si dhe ngritja e gjykatave popullore të Lidhjes, dëshmojnë për atributet e pushtetit ligjvënës, administrativ dhe gjyqësor të saj.

Prania e strukturës organizative e konstitucionale dhe e formave të pushtetit të Lidhjes flasin qartë për atributet e shtetësisë së saj. Ishte pra ky një embrion i shtetësisë e i pushtetit të Lidhjes i cili i shërbeu si shembull popullit tonë në përpjekjet e tij për të fituar pavarësinë. Duke përfunduar duam të shtojmë se vlerësime të ngjashme mbi atributet e shtetësisë ndër serbët e malazezët hasim edhe në historinë e shtetit dhe të së drejtës së këtyre popujve që hulumtonte periudhën e para Kongresit të Berlinit.

----------------------
1 Pollo, S., Probleme të Lëvizjes kombëtare shqiptare, Studime hi-storike, nr. 1, Tiranë, 1965, 140.
2 Belegu, Xh., Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939, 177.
3 Po aty, 30.
4 Hafhi'vasileviq, J, ArtanasKa liça, Beograd, 1909, 86. 90.
5 F r a s h ë r i, K., Lidhja e Prizrenit, Tiranë. 1956, 22. ' Haxhivasileviq, J. vep. e cit. 96.

nga:
Zija Bylykbashi
Copyright www.agimi.com 2002