|
1. Lidhja ishte një organizatë politiko-ushtiarake, e
cila, me shtrirjen, organizinim dhe veprimtarinë ideologjike
e politike të saj shënonte një etapë cilësorisht
të re, etapën më të lartë të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare në shek. XIX. Ajo nuk ishte një
dukuri e rastit, një pjellë ekskluzive e rrethanave të
veçanta që u krijuan në periudhën e Krizës
Lindore të viteve '70. Lidhja e Prizrenit ishte vazhdimi i
një tradite kombëtare të formuar para saj, por të
zhvilluar në kushtet e bashkëveprimit të faktorëve
të rinj historikë, që lanë vulën e tyre
në programin e në veprimtarinë e saj dhe në
ritmet e konsolidimit kombëtar të popullit shqiptar.
Lidhja Shqiptare lindi në një truall ku vazhdonte të
ishte i ndezur zjarri i kryengritjeve antiosmane, të cilat
e bënin Shqipërinë një faktor të rëndësishëm
aktiv dhe pozitiv të Krizës Lindore të viteve '70.
Ekzistonin mundësitë objektive për bashkërendimin
e lëvizjeve të popujve të shtypur të Ballkanit,
për krijimin e një fronti të bashkuar antiosman,
gjë që do ta shpejtonte çlirimin e bashkimin e
tyre kombëtar. Dhe përpjekjet në këtë drejtim
nuk munguan të bëheshin. Por ato ishin të destinuara
të dështonin për shkak të ndërhyrjes brutale
të Fuqive të Mëdha dhe të politikës ekspansioniste
të shteteve borgjeze të Ballkanit. Ishte pikërisht
kjo ndërhyrje që i dha Krizës Lindore një drejtim
tjetër, në kundërshtim me interesat e popujve e,
në mënyrë të veçantë, në kundërshtim
me interesat e popullit shqiptar.
Kriza Lindore, me drejtimin e ri që mori, krijoi për
shqiptarët rrethana dramatike kontradiktore. Lufta e Serbisë
dhe e Malit të Zi kundër Turqisë e dobësonte
armikun shekullor kurse fitoret e ushtrisë ruse paralajmëronin
shembjen e Perandorisë Osmane. Për këtë arsye
shqiptarët nuk pranuan të rekrutoheshin si vullnetarë
në radhët e ushtrisë turke, me gjithë masat
e rrepta që mori administrata për t'i dërguar ata
në frontin malazez e rus. Por lufta kundër Turqisë
dhe fitoret ruse, ndonëse mund të dukeshin pozitive për
një popull të shtypur siç ishte populli shqiptar,
do t'i sillnin atij jo vetëm një zhgënjim të
hidhur por edhe rrezikun e tmerrshëm të copëtimit
të territoreve të tij. Ky rrezik u ndie thellë, atëherë
kur vërshuan me dhjetëra mijë shqiptarë, të
shpërngulur me forcë nga vatrat e tyre prej ushtrive serbe
e mala-zeze dhe kur Traktati ruso-turk i Shën-Stefanit e sanksiononte
këtë copëtim me kalimin e viseve të tëra
shqiptare Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi. Nuk ishte
fjala për zona të veçanta kufitare, por për
copëtimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare,
që vinte në pikëpyetje vetë qenien e kombit
shqiptar, që krijonte premisat për zhdukjen e tij nga
harta e Ballkanit. Një rrezik i tillë çoi pesh
klasa e shtresa të ndryshme shoqërore, masat e gjera popullore
që u mobilizuan për vetëmbrojtje. Copëtimi i
trojeve kombëtare mbeti një rrezik kërcënues
edhe me vendimet antishqiptare të Kongresit të Berlinit.
Në këto rrethana, Lëvizja Kombëtare Shqiptare
mori një shtytje të fuqishme, por detyrat e saj u ndërlikuan
së tepërmi. E drejtuar deri atëherë kundër
sundimtarëve osmanë ajo duhej të përballonte
tani edhe armiq të rinj e të zhvillonte një luftë
të vështirë në dy fronte, madje në disa
fronte, sepse, siç e treguan ngjarjet, kundër të
drejtave të ligjshme kombëtare të popullit shqiptar
ishin edhe Puqitë e Mëdha, edhe monarkitë ballkanike,
edhe Perandoria Osmane.
Një luftë e tillë kërkonte një organizim
të ri të forcave patriotike dhe formulimin e një
strategjie e taktike politike që të lejonte manovrimin
me shkathtësi në labirintin e kontradiktave që sillte
me vete Kriza Lindore.
Këto detyra i kryen Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave
të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll
më 1877 dhe sidomos Lidhja Shqiptare, që u themelua në
Prizren më 10 qer-shor.1878.
2. Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë e njësuar
politiko-ushtarake kombëtare që u shtri në të
gjitha trojet shqiptare. Kuvendet e lidhjet kanë qenë
forma tradicionale organizimi e drejtimi të lëvizjeve
çlirimtare të popullit shqiptar. Edhe kryengritjet antiosmane
të viteve '30—'70 të shek. XIX kishin organizuar
kuvende e kishin formuar lidhje. Nevoja për të përballuar
një armik shumë më të fuqishëm e të
organizuar, siç ishte Perandoria Osmane, por edhe për
të dalë përpara tij si një entitet me kërkesa
të përbashkëta, i kishte mësuar kryengritësit
shqiptar të dilnin tej caqeve lokale, të vendosnin lidhje
ndërkrahinore. Të tilla ishin „Lidhja shqiptare"
e Beratit e vitit 1828 dhe ajo e Mesaplikut të Vlorës
më 1847. Por këto nuk arritën të ktheheshin
në lidhje kombëtare. Përpjekjet për një
bashkim të organizuar midis dy lidhjeve të mëdha
ndërkrahinore të Veriut dhe të Jugut, të cilat
patën një farë rezultati, ishin ato të vitit
1834. Si pasojë edhe kryengritja antiosmane e vitit 1835 mori
karakter të përgjithshëm. Por kjo ishte më tepër
një lidhje federative ushtarake feudalësh se sa një
front i përbashkët politiko-ushtarak kombëtar.
Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 shënoi një kthesë
në këtë drejtim. Ajo u mbështet në një
lëvizje të gjerë e të fuqishme popullore, së
cilës i dha një strukturë të njësuar me
komitet qendror e komitete lokale, të krijuara në të
gjitha viset shqiptare, Lidhja u shndërrua në një
organizatë kombëtare e aftë për të bashkërenduar
veprimet politike, ushtarake dhe administrative dhe për të
përfaqësuar në arenën ndërkombëtare
vullnetin e gjithë kombit shqiptar. Shpejtësia me të
cilën u ngrit më këmbë kjo organizatë mbarëshqiptare,
me përfaqësues të shtresave e të viseve të
ndryshme të atdheut, me rrjetin e dendur të komiteteve
lokale që lidheshin me komitetin qendror e vareshin prej tij,
me formacionet ushtarake vullnetare që u vunë në
dispozicion të saj, gjen shpjegimin e vet kryesisht në
tre faktorë themelorë: në ngritjen masive e të
njëkohshme të shtresave më të gjera të
popullsisë në veri e në jug të vendit dhe në
gatishmërinë e tyre për të mbështetur organizatën
e re që përfaqësonte aspiratat e tyre, në ndërgjegjen
e formuar kombëtare, procesi i maturitetit të së
cilës ishte shpejtuar nga ngjarjet e Krizës Lindore dhe
në pjesëmarjen aktive e në rolin udhëheqës
në lëvizjen popullore të forcave të reja shoqërore
siç ishin, në radhë të parë, përfaqësuesit
e përparuar të shtresave shqiptare dhe të atyre çifligarëve
që, të nisur nga interesa ekonomike e kombëtare,
përqafuan platformën e Lidhjes.
Me zhvillimin e stuhishëm të ngjarjeve, duke u shkrirë
gjithnjë e më tepër me masat patriotike, në
ndeshje me armiq të jashtëm e të brendshëm,
Lidhja u forcua organizativisht e fitoi një autoritet të
padiskutuçshëm në mbarë vendin.
Një meritë e veçantë në krijimin e kësaj
organizate, në krijimin e komiteteve lokale e vendosjen lidhjeve
midis krahinave të ndryshme i takon ideologut dhe organizatorit
të palodhur të Lidhjes, Abdyl Frashërit, i cili i
ra Shqipërisë tejembanë e nuk la krahinë pa
shkelur për të mobilizuar e organizuar forcat popullore
patriotike.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë luftarake dhe
ajo e ruajti këtë karakter të saj deri në fund.
Dinamizmi i saj u shpreh në rrafsh të brendshëm e
të jashtëm. Për të realizuar programin, ajo
ndoqi rrugën e luftës së armatosur, si rrugën
e vetme e të efektshme të afirmimit të kombit dhe
të mbrojtjes së qenies së tij, në kushtet kur
Fuqitë e Mëdha , Perandoria Osmane dhe shtetet fqinje
ndiqnin politikën e mohimit të kombit shqiptar dhe të
të drejtave të tij. Nëpërmjet kësaj lufte
Lidhja realizoi bashkimin e popullit shqiptar nën një
udhëheqje të vetme dhe me një program të përbashkët
kombëtar, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare.
Evolucioni politik i Lidhjes, ashpërsimi gjithnjë më
i maih i konfliktit me Portën e Lartë, krahas luftës
së pandërprerë për mbrojtjen e tërësisë
tokësore kundër copëtimit, u shpreh edhe në
evclucionin organizativ, në përtëritjen e përbërjes
politiko-shoqërore të komiteteve të saj. Diferencimi
në radhët e Lidhjes, që u manifestua qysh në
muajt e parë, vazhdoi të thellohej në vitet e mëvonshme
e të bëhej shkak për ndryshime të herëpashershme
në përbërjen si të Komitetit Qendror, ashtu
edhe të komiteteve lokale të saj dhe, për krijimin,
në disa raste, e komiteteve të reja me elementë „radikalë",
të aksionit e të autonomisë, të cilët përfaqësonin
kryesisht „shtresat e ulta", siç e vënë
në dukje dokumentet e kohës.
Demokratizimi i Lidhjes si organizatë politike dhe ushtarake
ishte pasojë logjike e vetë luftës së saj të
vendosur për të realizuar qëllimet që i kishte
vënë vetes. Në zjarrin e kësaj lufte, duke gëzuar
mbështetjen e vegjëlisë patriote, Lidhja mposhti
lëkundjet e elementëve turkomanë, çifligarë
e klerikë, të cilët e përqafuan platformën
kombëtare vetëm në rastin e në masën që
ajo përputhej me interesat e ruajtjes nga copëtimi të
tokave shqiptare, pra edhe të kufijve të Perandorisë
Osmane, por nuk ishin për ndryshimin e marrëdhënive
me Portën e Lartë.
3. Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për të realizuar
tri kërkesa themelore të saj: a) njohjen e kombit shqiptar
si një e të pandarë dhe respektimin kundrejt tij
të parimit të kombësisë në të gjitha
drejtimet, b) ruajtjen e paprekshmërisë e të tërësisë
së trojeve kombëtare shqiptare dhe c) bashkimin e tokave
të Shqipërisë në një njësi të
vetme autonome shtetërore.
Problemi i tërësisë territoriale kombëtare dhe
i luftës për mbrojtjen e saj zë vend të dorës
së parë në mendimin politik dhe në gjithë
veprimtarinë e Lidhjes si një problem jetik për kombin
shqiptar.
Përkatësinë kombëtare të territoreve të
banuara nga shqiptarët Lidhja e argumentonte me karakterin
historik të tyre, me shumicën e popullsisë që
i banon e që flet të njëjtën gjuhë dhe
me kompaktësinë e saj.
Në përcaktimin e karakterit historik të territoreve
shqiptare Lidhja nisej me të drejtë nga fakti i pamohueshëm
se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve. Si
të tillë ata janë autoktonë në tokat e
banuara prej tyre dhe pra zotër të pakontestueshëm
të këtyre tokave. Argumentimi i karakterit historik shqiptar
të territoreve të banuara nga shqiptarët në
periudhën e Lidhjes ishte i nevoj-shëm për të
hedhur poshtë propagandën dhe teoritë e qarqeve shoviniste
të shteteve borgjeze fqinje që ose ua mohonin kombësinë
shqiptare popullsive të krahinave jugore të atdheut ose
i konsideronin krahinat verilindore të vendit si të pushtuara
vonë nga fiset shqiptare.
Karakteri historik shqiptar i këtyre territoreve përforcohej
me dy argumentet e tjera: që në to shqiptarët përbënin
pjesën më të madhe dhe kompakte.
Duke argumentuar teorikisht përkatësinë kombëtare
të territoreve të banuara prej shqiptarëve, Lidhja
formuloi edhe zgjidhjen praktike të problemit. Kufijtë
e tokave shqiptare, sipas saj, përfshinin katër vilajetet
e atëhershme: të Shkodrës, të Kosovës,
të Manastirit dhe të Janinës, ku pranë ose midis
shqiptarëve që përbënin shumicën kishte
edhe popullsi jo shqiptare. Kërkesa e Lidhjes për të
përfshirë në konceptin Shqipëri katër vilajetet
nisej nga praktika e ndjekur në politikën ballkanike,
e cila në përcaktimin e përkatësisë kombëtare
të territoreve merrte për bazë ndarjen më të
madhe administrative të Turqisë - vilajetin. Faktin që
Lidhja luftoi në disa raste për të mos lejuar cënimin
edhe të ndonjë territori me popullsi të huaj, të
përfshirë në një vilajet me shumicë shqiptare,
shpjegohet, siç del prej akteve të saj, kryesisht me
konsiderata politiko-strategjike të karakterit mbrojtës
përballë synimeve të shteteve borgjeze fqinje për
të copëtuar territorin shqiptar. E megjithalë, kjo
nuk e mbyllte shtegun për një saktësi të mëtejshme
të kufijve në traktativa dypalëshe even-tuale, me
kusht që të sigurohej tërësia e trojeve shqiptare,
siç e shfaqte shprehimisht Abdyl Frashëri, në bisedimet
shqiptaro-gre-ke të 1877-ës.
Duke e njohur territorin kombëtar si pjesë përbërëse
e të paprekshme të kombit, Lidhja luftoi me pushkë
e me penë për të mbrojtur tërësinë,
paprekshmërinë e këtij territori nga orvatjet e shteteve
fqinje, të përkrahura nga Fuqitë e Mëdha, për
të copëtuar atë. Një veprim i tillë i ligjshëm
buronte nga një kuptim i drejtë i realitetit shqiptar
të kohës. Në gjysmën e dytë të shek.
XIX po kryhej procesi i konsolidimit të kombit shqiptar si
një bashkësi territoriale, gjuhësore, ekonomike e
shpirtërore. Është meritë e Lidhjes së
Prizrenit që e konsideronte cënimin e territorit të
kombit shqiptar si një shkelje të rëndë të
së drejtës së tij për ekzistencë. Prandaj
duhet konsideruar jo i drejtë pohimi se, në luftën
për mbrojtjen e tërësisë territoriale në
periudhën e Lidhjes, ishin të interesuar vetëm disa
çifligarë, të cilëve u prekeshin pronat e
tyre, ose disa „fise" anësore.
Me luftën e saj për të ruajtur të paprekur
tërësinë e territoreve shqiptare, Lidhja ia hoqi
formalisht të drejtën Portës së Lartë dhe
sulltanit për të disponuar mbi to, duke ia kthyer këtë
të drejtë zotit të tyre të vërtetë
- popullit shqiptar.
Kërkesa tjetër themelore e programit të Lidhjes
ishte bashkimi i tokave të Shqipërisë në një
njësi të vetme administrative autonome. Një kërkesë
e tillë buronte jo thjesht nga konsiderata të karakterit
etnik.
Territori dhe popullsia shqiptare ishin ndarë në katër
vilajete. Një ndarje të tillë të popullsisë
shqiptare, Porta e Lartë zbatonte me qëllim që ta
copëtonte administrativisht atë, të largonte rrezikun
që mund t'i vinte nga një bashkim i saj dhe ta kishte
më lehtë të provokonte, kur ia donte nevoja, konflikte
midis elementëve të ndryshëm etnikë brenda një
vilajeti ose midis tyre. E provon këtë më së
miri fakti që gjatë periudhës së Lidhjes së
Prizrenit, me qëllim që ta mposhtte më lentë
qëndresën shqiptare, Porta e Lartë bëri ndryshime
administrative të vilajeteve shqiptare e sidomos të vilajetit
të Kosovës, që në këtë periudhë
ishte vatër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare.
Bashkimi administrativ tërësor i territoreve shqiptare
në një vilajet, provincë ose shtet të vetëm,
ishte kushti i parë i domosdoshëm për bashkimin kombëtar
dhe për njësinë kombëtare. Bashkimi ishte njëkohësisht
një kërkesë objektive që rridhte nga vetë
zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit, nga vendosja e lidhjeve
të ngushta ekonomike midis trevave shqiptare, që kishin
çuar në formimin e një tregu të përbashkët
kombëtar.
4. Pjesë përbërëse e kërkesës për
një vilajet ose shtet shqiptar ishte përcaktimi i karakterit
të marrëdhënieve me Portën e Lartë e sulltanin.
Kryengritjet antiosmane shqiptare të viteve '30-70 i kishin
lënë si trashëgim Lidhjes, krahas urrejtjes kundër
adminisratës së centralizuar e të korruptuar të
Turqisë, edhe aspiratën e përgjithshme popullore
për t'u veçuar nga ligjet e reja osmane, për t'u
administruar sipas zakoneve të vendit dhe nga njerëzit
e vet, në kuadrin e Perandorisë. Kjo aspiratë nuk
ishte formuluar ende në nivelin e një programi politik
kombëtar të qartë e të plotë. Këtë
e bëri Lidhja e Prizrenit.
Në gjirin e Lidhjes ishin të pranishëm të dy
konceptet: ai i pavarësisë dhe ai i autonomisë nën
sovranitetin e Turqisë. Udhëheqësit më të
ndritur e të përparuar të saj si Abdyl Frashëri,
Sami Frashëri etj. shkëputjen e plotë të Shqipërisë
nga Turqia e shihnin si variantin që mund e duhej të realizohej
menjëherë në rast se krijoheshin kushte të favorshme.
Ndërkohë, autonomia territoriale administrative, si etapë
për të kaluar në pavarësinë e plotë,
u bë platforma zyrtare e Lidhjes, e shprehur pothuajse në
gjithë aktet themelore të saj.
Koncepti autonomist i Lidhjes ka pësuar evolucionin e vet,
që nga Kararnameja, akti kushtetues i Lidhjes, e deri në
formimin e qeverisë së përkohshme e në luftën
e hapur kundër Turqisë në etapën e fundit të
saj. Ky evolucion ka qenë përcaktuar nga rrjedha e ngjarjeve,
nga rritja e mobilizimit dhe e luftës popullore dhe nga zhvillimi
i përgjithshëm i ndërgjegjes kombëtare. Megjithëse
Komiteti i Stambollit kishte qenë për autonominë
ose pavarësinë e vendit qysh para themelimit të Lidhjes,
Kararna-meja nuk e formuloi atë në mënyrë të
qartë e të plotë. Detyra e saj ishte të organizonte
në luftën për mbrojtjen e tërësisë
territoriale të Atdheut, që ishte detyra themelore imediate,
të gjitha forcat shoqërore të interesuara, duke shfrytëzuar
edhe interesin që kishte Porta e Lartë në ruajtjen
e kufijve të Perandorisë dhe sidomos duke mos provokuar
një reagim të menjëhershëm të administratës
osmane dhe të atyre elementëve lokalë çilfligarë
e klerikalë turkomanë që mund ta shtypin Lidhjen
që në vezë. Por qysh në këtë akt,
duke mos e lejuar Portën e Lartë të përzihej
në asnjë mënyrë në punët e Lidhjes,
sanksionohej e drejta e vetëveprimit të Lidhjes pa pyetur
Portën e Lartë dhe, siç e treguan ngjarjet, në
kundërshtim me të. Ngjarjet që e pasuan menjëherë
10 qershorin, shpërthimi i patriotizmit popullor kundër
venditneve të Kongresit të Berlinit, e rritën së
tepërmi brenda pak javësh autoritetin e Lidhjes dhe i
dhanë asaj mundësinë që të dilte qysh në
muajin korrik me kërkesa të karakterit autonomist për
t'i formuluar ato në një kuvend të përgjithshëm
në Dibër, me 1 nëntor 1878, ku kërkohej formimi
i një vilajeti ose province autonome shqiptare dhe me kuvendin
e Gjirokastrës më 23 korrik 1880 ku u bë një
hap i ri përpara e u kërkua krijimi i një shteti
autonom shqiptar me qeveri, administratë e ushtri Kombëtare.
Për Komitetin e Stambollit dhe për udhëheqësit
e përparuar të Lidhjes autonomia shqiptare jo vetëna
mbështetej mbi një territor të caktuar kombëtar,
por edhe kishte një përmbajtje ekono-mike shoqërore
e kulturore që u përgjigjej interesave të zhvillimit
demokratik të vendit. Ky koncept i autonomisë, që
përshkohej fund e krye nga një frymë kombëtare
e progresive, kapërcente jo vetëm krahinarizmat e interesat
e ngushta lokale, që binin në kundërshtim me idenë
e bashkimit e të njësisë kombëtare, por edhe
prirjet për t'u kthyer tek institucionet shoqërore të
së kaluarës (te kanuni i Lekë Dukagjinit, Sheriati
etj.), të cilat, ndonëse ishin shprehje e rezistencës
ndaj legjislacionit të ri të administratës së
sundimtarëve të huaj osmanë e tërhiqnin shoqërinë
shqiptare prapa. Lidhja pati meritën historike t'i ngrinte
kërkesat e masave popullore në shkallën e kërkesës
për autonomi kombëtare.
Lufta e Lidhjes për nojhjen e kombit shqiptar si një
e të pandarë dhe për respektimin kundrejt tij të
parimit të kombësisë, për ruajtjen e paprekshmërisë
e të tërësisë së trojeve kombëtare
shqiptare dhe për bashkimin e tokave të Shqipërisë
në një njësi të vetme shtetërore autonome,
i përgjigjej një kërkese të ligjshme objektive
e subjektive të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Tri detyrat themelore të platformës së saj përbënin
tri hallka të pandashme nga njëra-tjetra. Kombi shqiptar
si një bashkësi territoriale, gjuhësore, ekonomike
e shpirtërore, ishte prej kohe një realitet. Njohja zyrtare
e tij nuk ishte një akt i thjeshtë regjistrimi. Në
rethanat kur ekzistencën e tij e mohonin si Turqia ashtu edhe
Fuqitë e Mëdha e aq më tepër shtetet fqinje,
ajo merrte një kuptim të madh politik. Me njohjen e kombit
shqiptar lidhej domosdoshmërisht njohja e territorit të
shtrirjes së tij, e kufijve të tij. Me këtë
bëhej hapi i parë i nevojshëm për të dalë
tek ideja po aq e rëndësishme e ruajtjes së tërësisë
dhe njësisë së këtyre territoreve, si një
kusht themelor për njësinë kombëtare. Në
bazë të luftës që bëri Lidhja për
mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare dhe
për bashkimin e tyre në një njësi të vetme
administrative qëndron koncepti i drejtë se nuk mund të
ketë komb pa territor të vetin dhe nuk mund të ketë
njësi kombëtare pa njësi territoriale. Këto
ide të Lidhjes gjenin plotësimin logjik të tyre në
detyrën e tretë, në atë të realizimit të
kësaj njësie territoriale kombëtare në kuadrin
e një shteti kombëtar shqiptar autonom ose të pavarur. |