|
Për këtë kumtesë jemi bazuar në dokumentat
arkivale frënge të fondit të Ministrisë të
Punëve të Jashtme të Francës, të arkivit
diplomatik, të korrespondencës politike dhe konsulare,
Albanie-Shkodër Vol. 21 (1878—1879) dhe Vol. 22/1880—1883.
Numri i këtyre dokumenteve përafërsisht arrin 180
dhe sipas natyrës së tyre janë: telegrame, memorandume,
raporte, kërkesa etj.
Këtë ngjarje të rëndësishme të gjysmës
së dytë të shekullit XIX dhe një ndër ngjarjet
më të rëndësishme të kombit shqiptar për
pavarësi e ndjekin disa diplomatë frengë: Kolona
Xhekaldi (Colonna Ceccaldi), 1878—1879, drejtuesi i punëve
të konsullatës frënge në Shkodër, G. Pons
(1879), A. Le Rëe, (1879—1883). Korrespondenca e tyre
kryesisht bëhet me ministrat e punëve të jashtme
të Francës, si bie fjala me Wadingtonin, Barthëlemy
Saint-Hilaire, me kryetarin e Ministrisë së Punëve
të Jashtme të Fancës Dufaure, me anëtarin e
Komisionit për përcaktimin e kufive turko-malazez, D'Estournelle
de Constant, etj.
Vitet 1877—1882, paraqesin edhe në bazë të
këtyre dokumenteve frënge, vite më të vrullshme
të historisë kombëtare shqiptare. Turqia siç
e paraqesin diplomatët frëngë ishte „njeri
i sëmurë" (Homme malade), të cilës kërkonin
t'ia ndalin turrin e fuqisë së saj të dikurshme ekspansioniste,
e cila qysh në shekullin XIV iu kishte kërcënuar
Evropës. Ndërkaq, shqiptarët të informuar nga
agjensitë e huaja dhe posaçërisht nga HAVAS, u
ngritën duke kërkuar që të mirren parasysh interesat
e Atdheut të tyre, të mos lejohet asnjë shkëputje
nga trupi i përgjithshëm i cili do të vështirësonte
formimin e Shqipërisë si shtet sovran dhe të pavarur.
Këtij kushtrimi të shqipëtarëve, Bizmarku, kancelar
i Gjermanisë i përgjigjej: „nuk ekziston kombi shqiptar".
Shqiptarët vendosën që Fuqive të Mëdha
dhe asaj që thoshte Bizmarku t'ia provonin të kundërtën.
Një lidhje shqiptare formohet ku marin armët me mijëra
vullnetarë, për të cilën na informon drejtuesi
i konsulatës frënge në Shkodër (dok. 214 i 4
majit 1878), ku përveç të tjerave shkruan mbi negociatat
në mes të Prenk Dodës dhe valiut të Shkodrës,
mbi kundërshtimin e distrikteve shqiptarë për ndarjen
e disa territoreve të tyre sipas marrëveshjes së
Shën Stefanit. Ky ishte njoftimi që ai ia dërgonte
MPJ të Francës përkitazi me formimin e një Lidhjeje
Shqiptare.
Prandaj, diplomatët frëngë të cilët e
kishin ndjekur çështjen shqiptare prej fillimit shtojnë
se ajo kishte për qëllim:
1. Për të penguar doemos shkëputjen e tokave shqiptare
që Kongresi i Berlinit ua kishte sinjalizuar, dhe
2. Për të shkëputur çdo lidhje të vazalitetit
që ende e lidhte Shqipërinë me Portën e lartë.
Në vazhdim të ngjarjeve, konsulli i Francës Xhekaldi,
në telegramet dhe në raportet e tij e njofton Ministrinë
e Punëve të Jashme të Francës mbi veprimet e
Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Prizren, mbi qëndrimet
e anëtarëve të Lidhjes dhe mbi listën e delegatëve
të pranishëm në Prizren.
Është me interes edhe telegrami i Princ Nikollës
të Malit të Zi, i 9 qershorit 1878 i cili ia dërgon
drejtuesit të Konsullatës së Francës në
Shkodër, ku e njofton për Lidhjen e formuar nga banorët
e Gucisë dhe të Plavës, përkatësisht për
një Lëvizje të madhe që organizohet në
Grudë, Kelmend dhe Hot, dhe në tërë Malësinë,
nën udhëheqjen e Nikë Zef Pepës, Sokol Cilit
etj.
Dokumentet arkivale të datave 15, 16 dhe 17 qershor 1878,
(dok. 219 1878), në të cilat drejtuesi i konsullatës
së Francës i shkruan z. Duffaurit, kryetarit të Këshillit
të Ministrisë së P.J. të Francës e bëjnë
me dije sa vijon: „Lidhja është formuar prej banorëve
myslimanë të Shqipërisë së sipërme,
ajo është kundër çdo shkëputjeje... Sot
është akt i kryer, delegatët nga të gjitha distriktet
janë të mbledhura në Prizren, dhe e përbëjnë
Komitetin udhëheqës, disa prej tyre dëshirojnë
autonomi dhe disa dëshirojnë t'i ruajnë privilegjet
e Qeverisë së Portës".
Lidhja e Prizrenit, si çdo bërthamë e re shtetërore,
pati organet e veta, pikërisht, pati edhe shifren e vet, që,
në bazë të dokumentit të cekur më lartë,
është: 13.1630-1799-524-155.
Komiteti i Lidhjes qe i organizuar, ai kishte programin e vet.
Dok. nr. 222, i 14 korrikut 1878, flet për vendimet e këtij
komiteti, që ishin:
1. Formimi i një Komiteti qendror me seli në,Prizren,
i cili do të jetë mbikëqyrës.
2. Formimi i nënkomiteteve, në qendra të sanxhaqeve
të Shqipërisë, për regrutimin e njerëzve,
mbledhjen e të dhjetave, blerjen e ushqimeve, shpërndarjen
e armëve dhe të municionit.
3. Të gjithë njerëzit e shëndoshë dhe të
aftë për punë, së paku nga një për
çdo shtëpi duhet të marrin armët.
4. Sanxhaku i Shkodrës, duke përfshirë edhe Malësinë
duhet të furnizojë 30.000 burra.
5. Distriktet e Tiranës, Elbasanit, Ohrit do të grumbullonin
30.000 burra, për të formuar një korpus në vete.
6. Qendrat e takimeve do të jenë: Prizreni, Peja, Kosova,
Novi Pazari, dhe Shkodra.
7. Kjo pikë parasheh marrjen në shërbimin ushtarak
edhe të krishterëve, si edhe një taksë për
joluftëtarët, e cila do të mirret prej nënkomiteteve,
mu për këtë qëllim.
8. Posa Kongresi i Berlinit t'i shpallë vendimet e veta, dhe
nëse këto vendime parashohin copëtime territoriale,
t'u bëhet thirrje shteteve fqinje të tërhiqen në
territoret e veta.
Pika e 9-të, parashihte dënimin me vdekje në çdonjërin
nënkomitet për personat të cilët nuk i përgjigjen
thirrjes së nënkomitetit për t'i rrokur armët,
kundër atyre që ikin para syve të
armikut.
Turqia, e detyruar që t'i realizonte këto vendime dërgoi
Mehmet Ali pashën në Prizren, pranë Komitetit Qendror
të Lidhjes Shqiptare, me urdhër që të shpërndajë
Lidhjen, të shkojë në plavë, Guci, Podgoricë
dhe Shkodër, në mënyrë që të ulë
tensionin në popull për realizimin e idesë të
ekzekutimit të Traktatit të Berlinit. Konsulli francez
në Shkodër (dok. 229 i 16 shtatorit 1878), njofton në
detaje se Mareshalli Mehmet Ali pasha, i kishte burgosur udhëheqësit
e Lidhjes, ishte ndalur në Gjakovë e pritur prej Abdullah
pashës, ndërsa agjutanti i sulltanit shkon në Prizren.
Mehmed Ali pasha u vra në Gjakovë, bashkë me Abdullah
Pashën, dhe me disa mirditas, koka e tij u vu në maje
të hunit dhe u bart nëpër rrugët e qytetit si
triumf i fitoreve shqiptare — thotë ai.
Qëndrimi zyrtar i Qeverisë Frënge nuk i favorizonte
shqiptarët. Në bazë të dok. të 7 korrikut
1879, Ministri Wadington është kundër zgjidhjes së
favorshme të çështjes shqiptare.
Pra, në fillim Porta e Lartë e kishte inkurajuar Lidhjen,
duke menduar se do të mjaftohej me protestat shqiptare për
t'i mos realizuar obligimet e kontraktuara në Berlin.
Lidhja Shqiptare, me gjithë ndërprerjet e saj, ishte gjithnjë
në gjendje alarmi. Dok. nr. 19 i 6 tetorit 1879 përsëri
informon mbi ftesën e Lidhjes Shqiptare, ajo i fton myslimanët
e Manasti-rit, Selanikut, Janinës në një mbledhje
të ardhme në Prizren. Mirëpo, edhe një dokument
(nr. 33, i 28 marsit 1880) njofton gjerësisht mbi formimin
e Lidhjes së re, mbi emrimin e Hodo beut në krye të
vullnetarëve, mbi pajtimet dhe përçarjet në
mesin e tyre etj. Megjithatë, siç shihet edhe në
dokumentat frënge të tjera, shqiptarët kishin qenë
gjithnjë unanimë (dok. nr. 44, i 20 majit 1880), mbledhjet
e tyre të shpeshta kishin për synim formimin e një
Shqipërie të tërësishme.
Anëtarët e Lidhjes propozonin një guvernator të
përgjithshëm me qendër në Janinë, (dok.
nr. 45 i 11 qershorit 1880).
Lidhja Shqiptare ishte me vendosmëri kundër çdo
lëshimi të territorit të saj. Kur ajo mësoi
për ardhjen e komisarëve nga Stambolli, për ekzekutimin
e konventës së Berlinit, e bëri me dije Qeverinë
Turke se do ta kundërshtojë edhe me forcë (dok. n.
46 i 26 qershorit). Lidhja Shqiptare, kur njoftohet për zbarkimin
e anëtarëve të komisarëve nga agjencia HAVAS,
e cila do të bënte ekzekutimin e traktatit të Berlinit,
shkëputet nga autoritetet turke, nga ana tjetër e përfiton
Anglinë dhe Austrinë që të ndihmojnë në
zgjidhjen e udhëheqësve të Lidhjes, ndërsa Franca
me anë të konsullit të saj, mundohet edhe ajo të
të ndërhyjë për të bërë reforma
në Vilajetin e Shkodrës (dok. nr. 47 i 9 korrikut 1880).
Italia nga ana e saj nxiste popullsinë e Ulqinit, që
të bënte demonstrata në favor të Italisë,
në mënyrë që të kërkonte aneksimin
e tyre nën Mbretërinë Italiane (dok, no. 52 i 18
shtatorit 1880), me 22 shtator 1880, konsulli freng e njofton qeverinë
e tij mbi orvatjet e Riza pashës për t'i përvetësuar
anëtarët e Lidhjes, në mënyrë që dorëzimi
i Ulqinit të bëhet pa rezistencë. Ardhja e Dervish
pashës në Lezhë, emërimi i tij për guvernator
të përgjithshëm të Shkodrës, Manastirit
dhe të Kosovës, shkaktoi pakënaqësi të
madhe, mirëpo bejlerët shqiptarë përseri mblidhen
në Dibër për të diskutuar çështjen
e pavarësisë së saj, (aneks depeshi i 28 tetorit
1880). Megjithë rezistencën që bëri Lidhja,
Dervish pasha, pas një lufte prej katër orësh, arriti
të hyjë në Ulqin. Vullnetarët dhe malësorët
i bënë rrezistencë të madhe, por ky i fundit
siç lajmëron kosulli i Francës në Shkodër,
(më 28 nëntor 1880), e dorëzoi Ulqinin (dok. no.
57 i 25 dhjetorit 1880), i burgosi udhëheqësit e maleve,
bëri kërdi në popullsinë e pafajshme shqiptare
etj. Por, megjithë zullumet e mëdha, vrasjet e përditshme,
populli shqiptar nuk iu nënshtrua autoriteteve turke. Një
mbledhje e re përsëri formohet në fshatin Balldren
afër Lezhës, që të mos i paguheshin taksa Turqisë.
Lidhja nuk pushon, ajo arrin të bëhet sundimtare absolute
në Prizren, Pejë, Shkup, Gjakovë dhe Prishtinë,
dëbon autoritetet turke, i zëvendëson ata me shqiptarë
vendos të formojë dy korpuse me qëllim që të
marshojë në drejtim të Manastirit, Ulqinit dhe Podgoricës
(dok. nr. 60 i 5 marsit 1881).
Dervish pasha në tetor të vitit 1881, e ashpërsoi
gjendjen në Gjakovë (dok. nr. 71) burgosi krerët
më të mirë, zhduku dhe rrënoi fshatra duke u
hakmarrë mbi popullsinë e pafajshme shqiptare.
Kjo Lidhje pati një jehonë të madhe ndër të
gjithë shqiptarët, në çdo sferë, dhe
jehoi thellë në arenën ndërkombëtare.
|