SOLIDARITETI I POPULLIT RUMUN ME IDEALET E LIDHJES SË PRIZRENIT

Elena Gjika

Në një punim monumental rreth luftës ruso-turke të vitit 1877, lidhur me kritikën që i bëhet Traktatit të (Shën Stefanit thuhet me të drejtë, se: „... përshtypja që u bë në Lindje pas Traktatit të Shën Stefanit s'kishte asgjë të mirë për Rusinë. Serbët, boshnjakët, armenët ishin të pakënaqur, grekët dhe rumunët ishin të zemëruar, shqiptarët ishin në prag të kryengritjes.. ." 1

Për shkak se as Fuqitë e Mëdha nuk ishin dakord me këtë traktat, u thirr Kongresi i Berlinit. Por, fatkeqësisht, as Kongresi i Berlinit s'i mori parasysh kërkesat e drejta të popullit shqiptar për krijimin e një shteti të pavarur, ashtu që, barra e kësaj detyre të madhe kombëtare u mbeti vetë shqiptarëve, të cilët kishin për të luftuar ende për pavarësinë e atdheut.

Si rrjedhim i kësaj u themelua „Lidhja e Prizrenit", e cila u bë një lidhje kombëtare e vërtetë. Në dritën e këtyre fakteve do të mundohemi që, shkurtimisht, të nënvizojmë disa aspekte të solidaritetit të popullit rumun me kauzën e popullit shqiptar.*

Midis iniciatorëve të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare shqiptare duhet të permendim edhe shkrimtaren rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika (Dora d'Istria) e cila fliste me hidhërim për kombet e Evropës Lindore, viktima të një sundimi shekullor", dhe e cila, në punimin e saj shumë interesant „Gratë në Orient", në kapitullin „Shqiptaret", duke përshkruar kushtet e vështira, por edhe fisnikërinë dhe trimërinë e gruas shqiptare, tregonte me f jalë plot krenarie për historinë e shqiptarëve „... të parët e Shaqiptarëve i kanë dhënë Filipit të Maqedonisë, Aleksandrit të Madh, Pirros së Epirit, mbretëreshës Teuta dhe Skënderbeut ata trupa të famshëm që e kanë pushtuar Greqinë dhe Prandorinë e „mbretit të mbretërve", kanë qëndruar përpara Romës grabitçare dhe e kanë ndaluar marshimin fitimtar të Mehmetit të Dytë, pushtues i Konstantinopojës. Shqiptarët nuk e humbën trimërinë e baballarëve të tyre. Edhe sot ata konsiderohen si ushtarët më të mirë nga Orienti". 2

Për meritat e saj të pamohueshme në ndihmën dhe njohjen e çështjes shqiptare në botë, shkrimtarja Elena Gjika u quajt nga shqiptarët „Ylli i Shqipërisë", 3 ose „Ylli më i ndritshëm në qiellin e Shqipërisë së pafat". 4

Në një shkresë të gjatë, por shumë interesante, të paraqitur nga Lidhja e Prizrenit lordit Beaconsfield, përfaqësuesi i Anglisë në Kongresin e Berlinit, me datën 13 qershor 1878, ishin dhënë shumë qartë kërkesat e shqiptarëve: „Prindërit tanë u mundën, por ne, me gjithë sundimin turk do të ruajmë pavarësinë tonë, karakterin kombëtar, traditat, gjuhën dhe, megjithëse me fe të ndryshme, shqiptari katolik dhe ai orthodoks ose mysliman urren edhe turkun, edhe çfarëdolloj sundimi të huaj". 5

Por, sikurse dihet, Kongresi i Berlinit s'e mori parasysh çështjen shqiptare „duke vazhduar të konsiderojë Shqipërinë si një territor turk". 6

Qarqet patriotike shqiptare, sidomos pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, fillojnë të organizojnë shoqata kulturore me detyrë të zhvillojnë dhe të forcojnë ndjenjat e popullsisë për mbështetjen e gjuhës kombëtare dhe të kulturës vendëse, duke mbuluar kështu qëllimet politike të lëvizjes.

Midis organizatave patriotike të formuara në kohën e Lidhjes së Prizrenit, „Shoqata e alfabetit shqip", shpëtoi nga ndëshkimet e turqve për shkak të kalimit të saj në kohën e duhur në ilegalitet, dhe pas shembullit të saj, u lindën edhe shoqata të tjera në gjirin e kolonive shqiptare jashtë atdheut.

Në fund të vitit 1880 u krijua në Bukuresht në bazë të iniciativës së disa të rinjve shqiptarë një seksion i „Shoqatës së alfabetit", pas shembullit të asaj të Konstantinopojës, dhe katër vjet më vonë krijohet po këtu Shoqata kulturore „Drita". Të dyja këto kishin shënuar në programin e tyre botimin e librave në gjuhën shqipe, libra të nevojshme për shkollat kombëtare që duheshin hapur në viset e banuara nga shqiptarët.

Në vitin 1885 arrin në Rumani shkrimtari Mihal Grameno i cili „... në kontakt me Nikolla Naçon hyn në lëvizjen patriotike dhe katër vjet më vonë bëhet sekretar i shoqatës „Drita" nën udhëheqjen e Naços, dhe në të cilën mernin pjesë njerëzit më të varfër të kolonisë shqiptare". 7

Në historinë e letërsisë shqipe shenohet se: „Shkolla e parë shqipe u hap në Korçë, më 1887, me librat e botuara nga shoqata e Bukureshtit dhe me ndihmën e vlefshme të patriotëve shqiptarë të Bukureshtit dhe gjithashtu me ndërhyrjen direkte të Naimit dhe Samiut (fjala është për vëllezërit Frashëri, n. n.) tek autoritetet ,turke". 8

Shoqata kulturore „Drita" që nga fillimi i saj u mbështet nga një grup intelektualësh rumunë të famshëm. Në një nga riorganizimet e shoqatës „Drita", gazeta „Adevarul" (E vërteta) shkruante më 23 shkurt 1907: „Shoqata kulturore shqiptare „Drita" u the-melua në vitin 1884 duke u mbështetur në disa njërëz të mëdhenj si: C. A. Rosetti, D. Bratianu, Nic. Ionescu, V. A. Ureche, poeti V. Aleksandri, princi Ion Ghika, Ion Balaceanu, ishministër në Londër, G. Palade, Lascar Catargiu, I. C. Petrescu, ish sekretar i nderuar i Oborit, A. Pencovici, N. Kretzulescu, Petre Carp etj." 9

Meqë shumë nga shqiptarët e Rumanisë kishin farefis ose të njohur në Shqipëri ose në krahina të tjera të Perandorisë Osmane, ata nuk guxonin të ngriheshin haptas për një politikë emancipimi nga Turqia nga frika e ndëshkimeve të rrepta kundër njerëzve të tyre. Për këtë qëllim në pozitat kryesore në udhëheqjen e shoqatës ,Drita" u emëruan në fillim qytetarë rumunë. Kështu kryetar i shoqatës u zgjodh historiani i njohur V. A. Urechia, zëvëndës kryetar D. Butculescu dhe cenzorë Dr. Leonte e M. Desliu.

Në Bukuresht u botua një seri punimesh të rëndësishme në gjuhën shqipe, dhe sidomos libra shkollorë dhe shkrimet e disa patriotëve të shquar shqiptarë si vëllezërit Naim dhe Sami Frashëri, Jani Vretua, K. Kristoforidhi dhe të tjerë, vepra që ishin shpërndarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet ku ndodheshin koloni shqiptare.

Rumania, pasi u çlirua nga zgjedha turke, mbështeti fuqimisht çështjen shqiptare në të gjitha planet. Prandaj me të drejtë nënvizon kërkuesi Ismet Dërmaku, një nga njohësit më të mirë të historisë së marrëdhënieve rumimo-shqiptare se „Që me kohë Rumania është konsideruar si atdhe i dytë i një pjese të shqiptarëve nga se mirrej si „vend i lirisë". Ky mendim ka dominuar sidomos gjatë dy-tre shekujvet të fundit, në kohën kur Rumania, duke zotëruar kushte dhe rrethana më të volitshme gjeografike, shoqërore dhe politike, u dha mundësi strehimi me dhjeta mijëra emigrantëvet shqiptarë, të cilët braktisën vendin e tyre pse nuk mundën ta përballonin zgjedhën feudale turke". 10 Në një konkluzion të ngjashëm arrin edhe prof. Çakir kur thotë se: „Në Rumani ata (shqiptarët, G. M.) kanë gjetur terrenin më të favorshëm dhe për-krahjen e duhur për të inkurajuar Rilindjen Kombëtare" 11

Koha nuk na premton të emërtojmë të gjitha aspektet e lidhura me ndikimin e ideve të Lidhjes së Prizrenit mbi shqiptarët e Rumanisë dhe as mënyrën se si kanë vepruar ata për zbatimin e këtyre ideve në jetë, prandaj sjellim vetëm disa shembuj.

Në të njëjtën kohë duhet të themi se Iidhja e Prizrenit përveç faktit se e ka bërë të njohur çështjen shqiptare në qarqet e opinionit publik ndërkombëtar të kohës, ka detyruar qeveritë e Fuqive të Mëdha evropiane të marrin parasysh kërkesat e shqip-tarëve.

Në këtë drejtim janë shumë shprehëse disa dokumenta të botuar kohët e fundit në revistën rumune „Analet e historisë", nga të cilat do të japim disa ide që qarkullonin në fund të shekullit të kaluar.

Në maj të vitit 1897 me rastin e bisedimeve midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë për të vendosur „një orientim të përbashkët në çështjen orientale" dhe për të zhdukur „rrezikun e një konkurence të padashur për paqen e Evropës në territorin e Ballkanit" 12 bisedohet edhe për mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur. Gjithashtu, konti Goluchovski duke përmendur çështjet kryesore që mund të rrinin në bazë të një marrëveshjeje midis „udhëheqjes së Vjenës dhe asaj të Petersburgut", për „vendosjen e një vije të re në Ballkan", citon edhe faktin se „pjesa e kufizuar nga Janina në jug dhe liqeni i Shkodrës në veri, me gjerësinë e nevojshme në lindje do të përbëjë shtetin e pavarur me emrin Principata e Shqipërisë, pa ndonjë sundim të huaj". 13 Por konti Muraviev në notën e qeverisë së Rusisë për ambasadorin e Austro-Hnngarisë përgjigjet se „ ...pikat b) dhe c), (nga letra e kontit Goluchovski për princin Liechtenstein mbi bisedimet midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, G. M.), që flet për formimin e një principate të Shqipërisë dhe për ndarjen e drejtë të çdo territori të pazënë midis shteteve të vogla të ndryshme të Ballkanit, prekin çështjet e së ardhshmes mbi të cilat do ishte tepër herët dhe shumë vështirë të vendoset tani për tani". 14

Kështu, edhe kësaj radhe çështja e pavarësisë shtetërore të Shqipërisë mbeti mbi supet e vetë popullit shqiptar, i cili u gjend edhe kësaj radhe vetëm në luftën e tij për çlirimin e atdheut, duke qenë se qeveritë e Evropës nxitonin për të zgjidhur interesat e veta, nganjëherë në kundershtim me kërkesat e drejta të popujve të vegjël të cilët sakrifikoheshin me lehtësinë më të madhe.

Duke u rikthyer tek solidariteti i popullit rumun me kauzën e shqiptarëve, duhet të nënvizojmë se ai ka qenë i vazhdueshëm, i shprehur në rrethana të ndryshme gjatë gjithë shekullit XIX dhe sidomos midis viteve 1878-1912, kur Lëvizja e Rilindjes Shqiptare u zhvillua me hov, duke e arritur kulmin me shpalljen e pavarësisë në nëntor 1912.

Në vitin 1905 një Kongres i madh panshqiptar i mbajtur në Bukuresht tërhoqi të gjithë simpatinë e opinionit publik rumun.

Më 1912 delegacioni i socialistëve rumunë i përbërë nga C. Dobrogeanu-Gherea dhe G. Grigorovici në Kongresin socialist ndërkombëtar që u mbajt në Basel (nëntor 1912) paraqiti një dokument në të cilin bëheshin disa propozime rreth pozicionit të socializmit ndërkombëtar ndaj problemit nacional të Ballkanit dhe në të cilin thuhej për shqiptarët: „Një situatë speciale paraqet Shqipëria, e cila, në kufijtë e saj gjeografikë ka popullsinë shumë homogjene. Kërkesa për pavarësi e Shqipërisë duket pa diskutime e justifikueshme' 15

Lidhja e Prizrenit, e cila i ka dhënë një shtytje të fortë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, ishte një nga ngjarjet më interesante e popujve të shtypur të juglindjes së Evropës, dhe në të njëjtën kohë një goditje e fortë kundër Perandorisë Otomane.

 

--------------------

1 Russes «t Tutcs, La guerre d'orient. Paris, Manceaux, editeur--dëpot, 1877, p. 1022.

* Shih: Gelcu Maksutovici, La solidaritë du peuple roumain avec la lutte du peuple albanais pour rindëpendance (1877 1912), dans: Revue des ëtudes sud-est europëennes, Tome XV— 1977, No. 4, Bucarest.

2 Shih: Operile Doamnei Dora d'Istria, traducere de Grigorie G. *"eretz, vol. II, Bucuresci 1876, p. 237. (Veprat e Zonjës Dora d'Istria, Perkthimi i Grigorie G. Perecit, vëU. II, Bukuresht 1876, fq. 237.). ... .

3 Për të dhëna të tjera shih Gelku Maksutoviç, reçemaoni i uont të Vehbi Balës, Jeta e Elena Gjikës, Tiranë 1967, e botuar tek ..Bevue Rouinaine dHistoire", nr. 5, 1969, fq. p 31—934, Bufcuresht.

4 Th. Capidan, Contribu\,ia Rom&nHor la rena?terea Albaniei, in „Oraiul Romanesc", an. II, nr. 1, p. 5. (Kontributi i rumunëve në RUindjen e Shqtpërisë tek, „Të folurit rumun", viti Il-të, nr. 1, fq. 5.)

5 Arkivi i Institutit të Historisë pranë Akademisë së (Shkencave të K-P-S. te Shqipërisë, fondi „Lidhja e Prizrenit", ti- 1-

6 Shih: Arben Puto, La Ligue albanaise fondee a Prizren, dans: .AAlbanie nouveUe", nr. 1, 1978, p. 9.

7 Historia e letërsisë shqipe, v. II, Tiranë, 1959, p. 537.

8 Historia e letërsise shqipe, v. II, p. 19.

9 » Arhivele Statului Bucureçti, fondul ,J)rita", dosar 88. (Arqivet e shtetit Bukuresht. Drejtorja e përgjiithëshme e Arqivit të shtetit, Drita, dosja nr. 88.).

10 Ismet Dërmaku, Mbi veprimtarinë politike-kulturore të shqip- tarëvet vë Rumani gjatë Rilindjes Shqiptare, tek: „Vjetar i ArkMt t& Kosovës, II—III, (1966—1967)", Prishtinë, 1970, fq. 57.

11 Nicolae Ciachir, ROzboiul pentru independden%a Romdniet In contextul european, editura stUn%ific& çi endclopedicd, Bucurefti, 1977, p. 301. (N. Çiaqir, Lufta për pavarësinë e Rumanisë në kontekstin evropian. Shtëpia botuese shkencore dhe enciklopedike, Bukuresht, 1977, fq. 301.).

12 Documentul diplomatic „1897. mai 8 (st. n.). Viena. InstmcÇiunile Guver nului AusÇro-Ungariei, catre printul Liechtensteain, ambasador la Petersburg", publicat in revista „Anale de Istorie", nr. 4, 1976, p. 83—84. (Dokumenti diplomatik „1897, maj 8 (stil i ri). Vjene. Porositg e qeverisë së Austro-Hungarisë për princin liechtenstein, ambasador ng Petersburg" i botuar tek „Analet e historisë", nx. 4. 1976, p. 83—84. Bufc.).

13 Ibid.

14 Documentul „1897, mai 5/17. Petersburg. Nota Guvernului Rusiei, catre ambasadorul Austro-Ungariei", publicat in revista .^Vnale de Istorie", nr. 4, Bucureçti 1976, p. 86—87. (Dokumenti „1897, tnaj 5/17, Petersburg. Nota e qeverisë së Rusisë të drejtuar ambasadorit të Austro-Hungarisë", e botuar tek „Analet e hastorisë", nr. 4, Bukuresht, 1976, fq. 86—87.).

15 » Ziarul „Romania muncitoare", nr. 89 din 15 noiembrie 1912. (Ga-zeta, .JBumania punëtore", nr. 89 nga 15 nëntor 1912).

nga:
Gelcu Maksutovici
Copyright www.agimi.com