Sef Kosharja
|
Lidhja e Prizrenit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periodës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.Si përfaqësuese e gjithë kombit ajo ngriti për herë të parë me forcë e në mënyrë të organizuar, çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe i detyroi fuqitë evropiane të marrin parasysh ekzistencën e këtij kombi, në një kohë kur ato e mohonin krejtësisht. Kjo Lidhje bëri që çështja shqiptare të hyjë në rendin e ditës së faktorëve ndërkombëtarë, si një nga çështjet që kërkonte zgjidhje.
Lidhur me luftën e Dervish pashës kundër Lidhjes së Prizrenit në Slivovë, Shtimje, Carralevë dhe Duhël të vitit 1881 është shkruar deri tani pak, si nga historianët tanë, ashtu edhe nga të huajt. Dokumentet arkivore gjermane janë burim i rëndësishëm për kompletimin dhe rrumbullakësimin e të dhënave të rëndësishme të kësaj ngjarjeje të ndritshme historike të kombit shqiptar.
Dëshira që të kontribuojmë në ndriçimin më të plotë të luftës së forcave të Lidhjes së Prizrenit kundër ushtrisë osmane në fazën përfundimtare, na ka nxitur që ta shkruajmë këtë kumtesë, duke u bazuar në dokumentet gjermane. Për të dhënë një pasqyrë të begatshme e të plotë për luftën në fjalë, e cila zë vend të rëndësishëm në historinë e qëndresës shqiptare të kryesuar nga Lidhja e Prizrenit, duhet te shfrytëzohen patjetër dokumentat e ndryshme, e jo vetëm ato gjermane.
Porta duke vërejtur me kohë rrezikun dhe pasojat që mund t'i sillte Lidhja e Prizrenit, vendosi që atë ta shpartallojë me gjak. Udhëheqës të operacionit e caktoi Dervish pashën, i cili pasi që i likuidoi prijësit e Degës së Shkodrës dhe të Shkupit, me një ushtri prej 15 mijë vetësh, të armatosur mirë, u nis në drejtim të Kosovës, me qëllim që të thyente e të shkelte qendrën e Lidhjes Shqiptare- Prizrenin.
Sipas dokumenteve gjermane, Dervish pasha më 8 prill të vitit 1881 erdhi në kampin e Ferizajt, ku gjatë tërë ditëve zhvilloi bisedime të veçanta me eprorët ushtarakë rreth vendosjes dhe furnizimit të trupave të veta.
Shaip Spahiu, nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit, posa dëgjoi për ardhjen dhe koncentrimin e një numri të madh të ushtrisë turke në Ferizaj në krye me Dervish pashën, shpalli një urdhër me këtë përmbajtje: Të gjithë shqiptarët nga mosha 18 e deri në 70 vjet t'i rrokin armët për ta mbrojtur atdheun. Për ta fuqizuar këtë urdhër edhe më tepër, ai, deklaroi: Çdo njeri, i cili nuk do t'i bindet këtij urdhëri, do të konsiderohet si armik i atdheut, do të largohet nga Lidhja dhe do të trajtohet si tradhëtar.
Në ato vende ku pushtetin e mbanin pjesëtarët e Lidhjes, çdo shtëpi kishte pranuar t'i strehonte dhe t'i ushqente prej dy deri në tre anëtarë të Lidhjes.
Në raport flitet për faktin se shqiptarët kishin pushkë të mira të tipit „Martin" dhe municion si dhe për kokëçarje' e vështirësitë që mund t'ua sillnin turqve po të ishin mikë e monolitë.
Abdyl Frashëri kohëve të fundit i kishte vizituar shumë shtete evropiane dhe i kishte shpenzuar mëse 30 mijë lira turke, për interes të Lidhjes së Prizrenit dhe kishte bërë çmos që vendi i tij ta fitonte autonominë.
Me 16 prill 1881 Dervish pasha urdhëroi të vështrohej terreni në Perëndim të Ferizajt dhe këtë detyrë ia ngarkoi Haxhi Osman pashës, i cili me 5 batalione duhej të orientohej në drejtim të Slivovës, ku, sipas informatave që kishte, kishte zënë pozita një numër i madh i shqiptarëve. Dervish pasha kërkoi që të informohet shtabi i tij për numrin dhe pozitat e shqiptarëve. Ai kishte urdhëruar që rezistencën ta thyente me zjarr.
Shqiptarët, me të afruar të ushtrisë turke, u larguan. Pasi po afrohej nata, Dervish pasha urdhëroi që këto taborre ta kalonin natën aty. Më 20 prill të vitit 1881 heret në orën 6, Dervish pasha përsëri i dha urdhër Haxhi Osman pashës të nisej me 6 batalione në drejtim të Slivovës, ndërsa Ibrahim pashës në drejtim të Shtimjes dhe 7 batalione. Që të dy këta morën urdhër të rreptë që t'i pushtonin këto dy vende me çdo kusht. Ai, vetë kishte pushtuar një kodër, që gjendej në mes të Slivovës dhe të Shtimjes me dy batalione ushtarësh dhe me dy bateri topash. Ai mendonte se do ta mbronte këtë territor me topa të vendosur mbi këtë kodër.
Lufta filloi në Slivovë. Ushtarët turq, duke u ngjitur kodrës, shkëmbyen të shtëna me forcat shqiptare. Në këtë duel shqiptarët u dalluan për taktikë, trimëri dhe zhdërvjelltësi të pashembullt, me ç'rast ngadalësuan tempon e depërtimit të forcave turke, ndonëse një suksesi të tillë i kontribuoi pozita deri diku më e mirë strategjike.
Dervish pasha, i cili e ndiqte situatën nga lartësia në kodër urdhëroi që të silleshin menjëherë 6 topa në kodër përbri Slivovës, dhe hapi një zjarr që zgjati më shumë se një orë e gjysmë. Pas kësaj kanonade të ashpër, shqiptarët u larguan në drejtim të Shtimjes, ku hasën në ushtrinë e fuqishme të Ibrahim pashës. Ndonëse e kuptuan se ishte vështirë ta përballonin këtë luftë, vazhduan rezistencën. Këta tërhiqeshin në grupe të vogla në kodrinat e afërta.
Ibrahim pasha, pas një lufte mjaft të ashpër, e pushtoi Shtimjen. Shtimja ishte e zbrazët, e tërë popullsia ishte larguar në fshatrat e afërta. Në Shtimje dhe në Koshare ishte shkatërruar krejtësisht një numër mjaft i madh i shtëpive.
Dervish pasha e vendosi në Shtimje shtabin e vet, ndërsa në Ferizaj la municion dhe tre batalione nën komandën e një kajmekami. Ushtria turke kishte 15 të vrarë, përafërsisht 40 të plagosur, prej të cilëve 8 ishin të plagosur rëndë ndërsa të tjerët lehtë, në krahë dhe në këmbë. Në mesin e të vrarëve ishin edhe dy oficërë. Për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve në anën e shqiptareve, ka versione të ndryshme, por konsiderohet se numri i tyre arrin në 250 veta.
Ushtarët e plagosur turq u dërguan në Shkup, meqë në Ferizaj mungonin barnat e nevojshme.
Shqiptarët e vrarë, sipas urdhërit të Dervish pashës, u lanë në vend, ndërsa të plagosurit, sipas një versioni duhej të ruheshin derisa të kthehej ushtria turke, e pastaj të pushkatoheshin. Sipas një versioni tjetër, Dervish pasha do t'i ketë sjellë në Shtimje dhe do t'u ketë urdhëruar mjekëve ushtarakë që t'u lidhin plagët e t'i mjekojnë. Shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ishin nga Gjakova dhe Peja, por flitet se kishte edhe nga Mitrovica. Nga radhët e ushtrisë turke dëmet më të mëdha i pësuan batalionet e Izmirit, të Kullës, të Gordesit dhe të Manicës.
Një nga të burgosurit shqiptarë, i quajtur Sefë Kosharja, dy ditë më parë kishte shkuar te Dervish pasha, për ta lutur që të mos i pushkatonte ata në fshatin e tij. Mirëpo posa hyn në mesin e ushtarëve turq, menjëherë jepet urdhëri që ta varën te lisi më i afërt dhe ta lënë ashtu tri ditë, në mënyrë që të shkaktonte frikë e tmerr. Po ashtu edhe një tjetër luftëtar e kishin varë në të hyrë të fshatit Koshare.
Me 21 prill të vitit 1881 Dervish pasha qëndroi në Shtimje deri në mesditë, e mandej, duke hasur në rezistencë në rrugën e Prizrenit, erdhi deri në Duhël (Dule), ku e kaloi natën. Edhe këtu shqiptarët i bënë rezistencë të madhe ushtrisë turke. Luftëtarët shqiptarë tërhiqeshin nëpër Carralevë dhe Suharekë në fshatrat e afërta, sidomos nëpër ato të krishtera pa shkaktuar kurrfarë dëmesh.
Në pikëpamje strategjike Carraleva ishte një vend shumë i përshtatshëm për shqiptarët. Aty, ata do të mund ta ndalnin me sukses përparimin e trupave të Dervish pashëi, duke u shkaktuar dëme e humbje të mëdha trupave të tij, sepse nga Shtimja, që ndonëse ka kodra të ulta që mund të rrehen lehtë nga zjarri i topave, me luginën e afërt jep mundësi të mrrekullueshme për një luftë defanzive, për shkak të pozitës së volitshme. Kjo luginë është e ngushtë dhe ka shumë leqe, shpatie mjaft të pjerrëta dhe pyje të dendura përreth. Këtu Dervish pasha priste rezistencën më të fortë të shqiptarëve. Ai i urdhëroi kambësorisë që njëherë t'i pushtonte dy shpatet për t'ia mësy pastaj ngushticës, duke përparuar shumë ngadalë. Në rrugë ai e lëshoi kalorësinë të ecte përpara, pas saj altilerinë e kur u bind se ishte pastruar terreni, arriti ngadalë në Duhël. Pra, këtu u zhvilluan luftime të ashpëra, me humbje të mëdha në të dy anët, ndonëse turqit e pësuan më tepër.
Dervish pasha u nis më 22 prill nga Duhla, e orën 7 të mbrëmjes u kthye në Prizren dhe hyri në konakun e vet të mëparshëm. Aty shkojnë t'i shfaqin besnikëri Qeverisë qendrore: Ali Draga nga Mitrovica, Zija beu nga Prishtina, Esad pasha nga Tetova, Hasan pasha nga Tetova, Sadik pasha nga Dibra, si edhe myftitë e Dibrës, të Prishtinës dhe të Vuçitërnës.
Po ashtu, sipas lajmeve që arrinin nga fushëbeteja, një javë më parë ishin mbledhur grupe të mëdha shqiptarësh luftëtarë të Lidhjes së Prizrenit nëpër fshatrat që gjenden në perëndim të stacionit hekurudhor të Perizajt dhe Lipjanit.
Qysh më 17 dhe 18 prill të vitit 1881 afro 4 mijë shqiptarë ishin mbledhur në vendin e quajtur Nerodime, te lumi me të njëjtin emër, jo më shumë se tre çerek ore larg nga shtëpia kryesore e dikurshme e Dervish pashës në Ferizaj. Me 19 prill gjendeshin rreth Shtimjes edhe disa aradha të Lidhjes. Po sa i pa këto, Dervish pasha i ftoi menjëherë udhëheqësit e tyre, që edhe këta të vepronin si edhe shokët e tyre nga Shkupi e t'i shtroheshin pushtetit qendror.
Nga stacioni i Shtimjes erdhi menjëherë përgjegja e Lidhjes, në të cilën thuhej se ata nuk pranonin t'i përuleshin Dervish pashës, i cili manipulonte dhe i injoronte të drejtat e shqiptarëve. Thirrja e tij u refuzua. Telegrami përbënte 500 fjalë.
Dervish pasha nuk zgjodhi mjete për t'i qëruar hesapet me forcat e Lidhjes së Prizrenit.
Shqiptarët luftuan pa ndihmën e askujt. Ata luftuan heroikisht kundër një ushtrie të armatosur deri në dhëmbë.
Lidhja e Prizrenit u shua me gjak, mirëpo, ndikimi dhe jehona e saj ishte shumë e madhe, si në viset ku jetonin shqiptarët, ashtu edhe në vendet e tjera.
Kjo lëvizje e zgjoi edhe më tepër vetëdijen e masave për pavarësi. Ata u bindën se vetëm të bashkuar dhe duke u mbështetur në forcat e veta, mund ta fitonin pavarësinë. |