MOBILIZIMI POPULLOR NË KOSOVË NË VITIN 1878 – 1881

Në betejat e rëndësishme, si ajo e Shtimjes, e Slivovës, e Caralevës, etj., muslimanët dhe katolikët janë të bashkuar, me gjithë përpjekjet e qeveritarëve osmanë dhe të agjentëve të huaj për t'i përçarë. Këtë bashkim të shqiptarëve, pa dallim feje e rrethine, detyrohet t'a pranojë edhe pushtuesi osman, i cili pohon se „ndryshimi në fe nuk e ka dobësuar patriotizmin e tyre", se „devotshmëria kombëtare dhe patriotizmi midis shqiptarëve janë aq të fortë, saqë ndryshimi në fe nuk mund t'i dobësojë aspak ata"

Lëvizja e madhe popullore që shpërtheu në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë në Kosovë, në vitet 1878—1881 për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit dhe fitoren e autonomisë nuk qe një gjë e rastit. Ajo qe kurorëzim i ligjshëm dhe i natyrshëm i luftërave të mëparshme kundër pushtuesit otoman dhe armiqve të tjerë.

Rezistenca e popullit tonë kundër pushtuesve osmanë është e pandërprerë. Po të marrim vetëm periudhën 1860—1877 do të gjejmë një seri kryengritjesh popullore, që ishin drejtuar kundër sundimit otoman. Vetë dokumentet arkivale të shteteve fqinje të kësaj periudhe provojnë se shqiptarët zhvillonin një luftë për pavarësi. Sipas dokumenteve arkivale serbe del se shqiptarët dalloheshin nga shkalla e lartë e rezistencës që i bënin pushtuesit dhe tendencave të tij centralizuese. Në vitet '60 në sanxhaqet e Prizrenit, të Shkupit dhe të Dibrës, edhe pas masave represive që ndërmori në vitin 1864 Porta e Lartë për t'i nënshtruar, pushteti turk, thuhet në dokumente, nuk mundi të forcohej në „këto vise malore shqiptare, në të cilat mbretëroi paligjëshmëria".1

Kryengritjet shqiptare të njëpasnjëshme ishin shprehje e pakënaqësisë së popullit tonë kundër shtypjes nacionale dhe shfrytëzimit ekonomik.

Populli shqiptar kishte mjaft arsye të ishte i pakënaqur nga gjendja në të cilën ndodhej atdheu i tij. Ai nuk mund të pajtohej kurrë me deklaratat e Portës se „Shqipëria është pronë ekskluzi-ve e Perandorisë Osmane", se „kjo e ka në dorë ta bashkojë ose ta administrojë duke e lënë të ndarë e të copëtuar".2

Pas fillimit të Krizës së Lindjes dhe të luftës ruso-turke, kur ushtritë e shteteve fqinje u futën në tokat shqiptare, doli mirë në dritë politika aneksioniste e tyre. Rreziku i copëtimit të tokave shqiptare, që parashikohej nga Traktati i Shën Stefanit si dhe qëllimi i lëvizjes sonë kombëtare për t'u çliruar nga zgjedha osmane, shtruan përpara popullit tonë detyra themelore, për zgjidh-jen e të cilave u formua në Prizren Lidhja Shqiptare.

Lidhja Shqiptare qe organizimi i parë politiko-ushtarak i kombit shqiptar brenda vendit. Në të u përfaqësuan të gjitha krahinat e vendit si dhe shtresat e popullsisë. Për realizimin e progra-mit të vet Lidhja krijoi në mbarë Shqipërinë organizmat drejtuese politike, ushtarake e administrativo-juridike dhe bëri mobilizimin ushtarak vullnetar, duke krijuar edhe forcat e veta të armatosura.

Në saje të veprimtarisë organizuese e drejtuese të Lidhjes, nën pushtetin politiko-juridiko-administrativo-ushtarak të saj u vu pothuajse i gjithë vendi. Lëvizja çlirimtare e popullit tonë nën drejtimin e Lidhjes u shtri në krejt Shqipërinë. Lufta e kombit tonë për çlirim e vetëmbrojtje mori tashmë karakter mbarëshqiptar.

Ashtu si popullsia e krahinave të tjera, popullsia e Kosovës mori pjesë aktive në lui'tën çlirimtare të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare. Kosova u bë njëra nga vatrat më kryesore të lëvizjes çlirimtare të kombit tonë në luftën antiosmane dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Për periudhën që shqyrtojmë, në krahasim me krahinat e tjera të vendit, Kosova ishte krahina më e zhvilluar ekonomikisht, me popullsi të dendur e numerikisht të madhe dhe me qytete të shumta. Përveç këtyre tokat e kësaj krahine u jepeshin shteteve fqinje, të cilat, për situatën strategjike dhe mundësitë ekonomike të saj, synonin ta aneksonin.

Në realizimin e qëllimeve të veta Lidhja Shqiptare u mbështet vetëm në popullin tonë. Miq të jashtëm ajo nuk pati.

Karakteri popullor dhe mbarëshqiptar i lëvizjes çlirimtare të udhëhequr nga Lidhja pasqyrohet në dokumentet e aprovuara prej saj, ku shtrohen qëllimet e Lidhjes si dhe detyrat për mobi-lizimin popullor dhe ushtarak të popullsisë.

Qysh në „aktvendimin" e saj të parë („Kararname") Lidhja Shqiptare shtron ndër detyrat kryesore „mbrojtjen e tërësisë së tokës amtare me armë në dorë", „moslejimin e ushtrive të huaja që të shkelin tokën tonë", „çlirimin e viseve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi me armë, po qe se ata nuk i lirojnë vetë", „kryerjen e detyrave të ngarkuara nga Lidhja si të domosdoshrne", dhe „shpalljen e Prizrenit si kryeqytet të Lidhjes".

Në „Rregulloren" („Talimati") e Lidhjes Shqiptare thuhet se në Prizren krijohet Komiteti Qendror, ndërsa në krahina do të krijohen nënkomitete, të cilët do të zbatojnë vendimet e Lidhjes.3 Krijimi i këtyre nënkomiteteve, që kishin funksion politikoadministrativo-juridiko-ushtarak, mobilizues dhe vetëmbrojtës, u bë menjëherë në tërë Kosovën, si dhe në të gjithë vendin. Këto i gjejmë të krijuara në Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Kumanovë, Dibër, Tetovë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gilan, Gostivar, Kaçanik, Lumë etj. Krijimi i këtyre nënkomiteteve pasqyron bazën e gjerë popullore të lëvizjes çlirimtare të organizuar dhe udhë-hequr nga Lidhja. Në këto nënkomitete bëjnë pjesë njerëz të thjeshtë, të dalë nga gjiri i popullit, përfaqësues të fshatarësisë, e cila qe shtylla kryesore e lëvizjes në këto vite. Kështu nga procesi gjyqësor i zhvilluar në Prizren kundër Hakiut, nëpunës në zyrën e Post-telegrafës së këtij qyteti, del se atij Omer Prizreni, kryetar i Lidhjes, Haxhi Saliu, Haxhi Iljazi, Halim aga dhe disa katundarë, emrat e të cilëve nuk i mbante mend, i dhanë urdhër që të dërgojnë në Shtimje, përpara betejës së famshme, një makinë telegrafike.4

Po Hakiu deponon në gjyq se telegramet që dërgoheshin nga Shtimja i nënshkruante Komiteti. Në përgjigje të pyetjes se kush bënte pjesë në Komitet, Hakiu thotë: „Në Komitet bënin pjesë Halim efendiu, Zekerija aga, Sulejman Vokshi dhe disa katundarë nga fshatrat e Kazazë që unë nuk i njoh".5

Edhe në deponimet e Sulejman Gjakovës, i cili në emër të Lidhjes mbikqyrte zyrën e Post-telegrafës së Prizrenit lexojmë se në këtë zyrë vinin Omer efendi Prizreni, Shuaip Spahiu, Rauf efendiu, Abdyl efendiu, Muderriz Ali efendiu nga Gjakova, Zejnel efendiu nga Peja, si dhe përfaqësues të Prishtinës e Vuçiternit, emrat e të cilëve nuk i dinte.6 Në Prizren anëtar i Komitetit të Lidhjes ishte edhe Ymeri, biri i Jakupit me profesion lëkurëpunues.7

Këto dokumente provojnë se krahas fshatarësisë, e cila përfaqësohet nga njerëzit e saj në komitetet e Lidhjes, shtresa qytetare, e mesme dhe e lartë e qytetit, të cilave u bashkohen elementë të tjerë patriotikë nga klasa feudale, janë baza popullore e fuqishme e lëvizjes në vitet 1878—1881.

Po në „Rregulloren" e Lidhjes vendoset që deputetët, të cilët nuk janë anëtarë të Komitetit Qendror duhet të shkojnë në krahinat e tyre dhe brenda 10—15 ditëve të mobilizojnë ushtarë nga populli, që çdo krahinë do të jetë e përgatitur dy herë për luftë dhe të mobilizojë aq njerëz sa i përkasin; që çdo krahinë kur të jetë e nevojshme do të dërgojë njerëzit e aftë për pushkë në vendet e caktuara sipas listave në bazë të urdhërave që Komiteti Qendror u jep nënkomiteteve; që komandantët, majorët dhe oficerët e ushtrisë kryengritëse do të zgjidhen nga populli.8

Rregullorja e Lidhjes duke synuar të shmangë veprimet spontane dhe të pakontrolluara shpall se „ushtritë e krahinave do të jenë nën mbikqyrjen e Komiteteve të Sanxhakut".

Për të krijuar një ide edhe më të plotë për karakterin dhe mobilizimin popullor të lëvizjes çlirimtare në vitet 1878—1881 në Kosovë po përemndim edhe disa nga detyrat që shtrohen në „Rregulloren për organizimin e Ushtrisë dhe zënien e krahinave". Në të përcaktohen planet dhe sasia e ushtarëve që do të mobilizohen në Kosovë, si dhe numri i atyre që do të dërgohen në krahina të tjera për t'i mbrojtur ato nga sulmet e Malit të Zi dhe të Serbisë. Kështu për mbrojtjen e Gucisë dhe të Rugovës, parashikohet të dërgohen respektivisht 2.000 gjakovar dhe 2.000 pejanë, prë mbrojtjen e Kolashinit parashikohet të dërgohen 1.000 vullnetarë nga ushtria që do të grumbullohej në Pazar të Ri, ku përveç ushtrisë së vendit, do të dërgoheshin edhe 20.000 vullnetarë nga Kosova. Po kjo „Rregullore" parashikon që numri i ushtrisë që do të krijohej në Kosovë për të mbrojtur viset nga Mitrovica e deri në Gilan do të kapte të 70.000 vetët, ndërsa ushtria që duhej të formohej në Shkup do të ishte e përbërë ng 40.000 vullne-tarë. Dibra, me nënprefekturat e saj, parashihte të kishte 20.000 burra nën armë.9

Këto shifra që përmendëm nuk janë të plota, meqë nuk për-fshijnë edhe vise që në atë kohë bënin pjesë në Vilajetin e Koso-vës. Megjithëkëtë ato të japin një ide rreth mobilizimit të gjith-anshëm popullor që përfshin popullsinë e Vilajetit të Kosovës dhe që kishte qëllime vetëmbrojtjeje dhe çlirimtare ashtu si dhe e gjithë lëvizja e udhëhequr nga Lidhja në mbarë Shqipërinë.

Për të mbrojtur vendin nga copëtimi dhe për të rikthyer tokat e pushtuara, në Kosovë vëmë re një përgatitje të gjithanshme dhe veprime konkrete. Kështu për mbrojtjen e Pazarit të Ri nga synimi austro-hungarez për ta pushtuar, Lidhja dërgon vullnetarët e saj, të cilët pengohen nga më se 20.000 ushtarë osmanë.10 Pas pushtimit nga Serbia të Pirotit, Vranjës, Nishit, Toplicës, Kurshumlisë, Prokupjes, etj. dhe dëbimit të rreth 100.000 shqiptarëve,11 që krijuan ushtrinë e madhe të muhaxhirëve, shqiptarët bënë disa tentativa për t'ia marrë Serbisë tokat e tyre. Kështu në telegramin e baronit Herbert, më 19 prill 1879, dërguar Kontit Andrashi, thuhet se në Beograd kishte ardhur lajmi zyrtar se „pardje pranë Prepolcit ndodhi një dyndje e rreptë e shqiptarëve dhe këta të fundit, pas një luftimi të ashpër, përparuan deri në Kurshumlie dhe e pushtuan këtë qytet".12

Po Herberti me 1 qershor 1879 lajmëron Andrashin se sipas fjalëve të ambasadorit anglez, dyndjet e shqiptarëve në drejtim të Prepolcit e Kurshumlisë janë shkaktuar nga dëbimi me dhunë i shqiptarëve nga krahinat kufitare dhe nga persekutimet.13

Për gjendjen në kufirin serbo-shqiptar flet edhe ministri i jashtëm serb në letrën e 18/30 majit 1879 dërguar Ministrit të Jashtëm austro-hungarez. Këtu ai ankohet për inkursionet e shqip-tarëve në tokat e pushtuara dhe kërkon rektifikimin e kufijve në favor të Serbisë. Po këtu ministri serb shton se po nuk u morën masat përkatëse, Serbisë do t'i duhet të luftojë pa ndërprerje kundër popullsisë shqiptare, e cila „nuk i pranon faktet e kryera", dhe ka „degëzimet e saj shumë më larg se sa vija kufitare deri në Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Shkup, meqenëse të gjitha këto vise kanë dërguar kontingjentet e tyre në pushtimin e 6/18 prillit".14


Sipas dokumenteve diplomatike austro-hungareze të këtyre viteve del se në Vilajetin e Kosovës gjendja ka qenë shumë e nderë dhe pushtetin efektiv e ka pasur Lidhja. Nëpunësit turq ishin përzënë nga shumë krahina dhe ishin zëvendësuar me nëpunës shqiptarë. Pushteti i Lidhjes ishte shtrirë në qytetet e Prizrenit, Gjakovës, Prishtinës, Shkupit, Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Preshevës, Mitrovicës, Pejës, Gilanit, Ferizajt, etj. Populli nuk paguante taksat dhe nuk dërgonte rekrutë për Turqinë. Gjithashtu edhe dezertimet e ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë nga ushtria turke ishin fenomen i zakonshëm. Më 26 shkurt 1881 Lipihu njofton nga Shkodra Ministrinë e Jashtme në Vjenë se gjendja në Shqipëri „është shumë e rrezikshme", se „dezertimet janë të shumta nga radhët e ushtrisë" dhe Lidhja „pajiste me ushqim e municion fiset malësore".15

Në të njëjtën kohë gjykatat e vjetra ishin shpërndarë dhe ishin zëvendësuar me gjykata shqiptare si në Prizren, Prishtinë, Shkup, Kumanovë, Mitrovicë, Dibër, Tetovë etj.

Po nga raportet e Lipihut marrim vesh se mjaft mutesarifë ishin larguar nga puna e tyre me urdhër të Lidhjes, si mutesarifi i Prizrenit, i Tetovës, i Dibrës, i Shkupit, i Prishtinës etj., dhe në vendin e tyre Lidhja kishte caktuar njerëzit e saj. Njerëzit i Lidhjes i gjejmë në krye të administratës edhe në Pejë, Gjakovë, Lumë, Kaçanik, Ferizaj, Gilan etj. Edhe personeli vartës emërohej nga Lidhja. Të gjitha masat e marra nga Lidhja Shqiptare në Kosovë, për të vënë në krye të administratës njerëzit e saj, gjenin përkrahjen e plotë të popullit, gjë që pasqyron bashkimin e tij rreth Lidhjes.16

Me përkrahjen e masave popullore Lidhja e shtriu pushtetin e vet politiko-ushtarak e juridiko-administrativ në krejt Kosovën. Me këtë, de facto, pushteti osman u shthur dhe nuk ekzistonte më. Është me vend të përmendim se në këtë periudhë Lidhja Shqiptare ftoi popullin që të mos vinte dorë mbi banorët me origjinë sllave dhe të kishte marrëdhënie të mira me ta. Ky që-ndrim i drejtë i Lidhjes u përkrah nga populli, i cili respektoi të drejtat e këtyre banorëve dhe nuk kreu veprime kundër tyre, gjë që nuk e bënë ushtritë pushtuese kundër popullsisë shqiptare në tokat e pushtuara.

Bashkimi i popullsisë së Vilajetit të Kosovës nën flamurin e Lidhjes Shqiptare e gjen shprehjen e vet në mobilizimin e gjithanshëm ushtarak vullnetar pa dallim feje. Ushtria vullnetare popullore e Lidhjes Shqiptare, e cila përbëhej nga dhjeta mijëra luftëtarë, shkroi faqe të lavdishme në veprimet luftarake si për mbrojtjen e tokës amtare, ashtu edhe në përleshjet me ushtritë osmane. Vetëm në Shtimje, para fillimit të luftës me ushtritë e Dervish pashës, i cili vetë krenohej se komandonte 300 batalione dhe këcënonte se gjysmën do t'a përdorte për të shtypur lëvizjen në Kosovë, ishin grumbulluar mijëra vullnetarë shqiptarë.17

Përpara se të zhvillohej kjo betejë historike, Lidhja kishte marrë masat e veta për mobilizimin popullor. Kështu, në telegramin e 3 gushtit 1881, valiu i Kosovës njoftonte Portën e Lartë se Lidhja, nëpërmjet komiteteve të veta, kishte përpiluar listat e sa ushtri mund të nxirrte dhe se sa pushkë mund t'i nevojiteshin,18 ndërsa më 9 gusht 1880 i shkruante Kryeministrisë në Stamboll se „shqiptarët janë bërë aq krenarë saqë është e pamundur t'i largosh nga qëllimet e tyre të dëmshme me anë këshillash".19

Në dokumentet osmane gjendja e revoltimit popullor dhe e kryengritjes në Kosovë, cilësohen si „veprime të papëlqyeshme që kanë përfshirë popullsinë" dhe janë „pasojat e rrezikshme të ideve të zbrazëta, të cilat i vuri përpara dhe i solli rryma e turmave".2°

Ndjenja e bashkimit dhe urrejtja për pushtuesin e huaj janë karakteristikë për gjendjen shpirtërore të shqiptarëve. Sipas raportit të 10 prillrt 1881 të kryekonsullit austro-hungarez të Selanikut shkruar në pragun e betejës së Shtimjes, del se „tek shqiptarët sundon disiplina më e rreptë", se trupat e Lidhjes mbahen me ushqim nga populli, se populli pyet „Ç'farë kërkon i huaji në tokat tona?".21

Porta e Lartë, në udhëzimet e 22 janarit të vitit 1880, dhënë pashallarëve Ismail Hakiu dhe Ahmet Rasimi, të dërguar në Kosovë për të marrë masat e nevojshme për shtypjën e Lidhjes, pranon se popullsia e Kosovës ka ngritur krye dhe kërkon që udhëheqësit e Lidhjes të dënohen rëndë nga gjykata ushtarake.22

Në luftën e saj kundër pushtuesve otomanë dhe përpjekjeve të monarkive ballkanike për copëtimin e tokave shqiptare, popullsia e Kosovës, qe e bashkuar pa dallim feje dhe rrethine. Në betejat e rëndësishme, si ajo e Shtimjes, e Slivovës, e Caralevës, etj., muslimanët dhe katolikët janë të bashkuar, me gjithë përpjekjet e qeveritarëve osmanë dhe të agjentëve të huaj për t'i përçarë. Këtë bashkim të shqiptarëve, pa dallim feje e rrethine, detyrohet t'a pranojë edhe pushtuesi osman, i cili pohon se „ndryshimi në fe nuk e ka dobësuar patriotizmin e tyre", se „devotshmëria kombëtare dhe patriotizmi midis shqiptarëve janë aq të fortë, saqë ndryshimi në fe nuk mund t'i dobësojë aspak ata".23

Për të thyer dhe shpërndarë Lidhjen e Prizrenit dhe bashkimin e popullsisë së Kosovës rreth saj, Qeveria osmane përdori mjete nga më të ndryshmet.

Porta bëri plane për të copëtuar vilajetet shqiptare. Ajo u përpoq t'i paraqesë interesat e saj sikur të ishin interesa të shqiptarëve duke bërë shpifje për patriotë shqiptarë dhe aktivistët e Lidhjes, të cilët u cilësuan si „rebelë", „banditë", „ngatërrestarë", „bashibozukë", „njerëz të shitur tek i huaji", „vegla të të huajve", etj. Puna shkoi aq larg sa dhe Abdyl Frashërin, këtë mësues të atdhedashurisë dhe pishtar të luftës për liri e çrilim kombëtar, e quajtën „agjent të Greqisë".24

Ushtritë turke pas shpërndarjes së Lidhjes, bënë krime të shëmtuara kundër popullsisë së Kosovës. Për të frikësuar popullin turqit vranë pa gjyqe shumë vetë, ndërsa nga torturat vdiqën nëpër burgje mjaft patriotë, ndër të cilët duhet të përmendim Shuaip Spahiun, nënkryetarin e Lidhjes Shqiptare dhe të Qeverisë së Përkohëshme. Gjithashtu nga Kosova u arrestuan, u dënuan dhe u internuan mbi 4.000 vetë,25 gjë që është dëshmi edhe e përpjesëtimeve të mëdha të territorit edhe e pjesëmarrjes masive popullore të popullsisë së vilajetit të Kosovës në lëvizjen çlirimtare të udhëhequr nga Lidhja.

Qeveria Osmane me armë e theu Lidhjen. Por ajo nuk mundi të shuante luftën për liri e pavarësi të popullsisë së Kosovës. Edhe pas vitit 1881 ngjarje të rëndësishme e beteja të pandërprera për liri mbushin historinë e kësaj krahine. Këto kurorëzohen me kryengritjet e njëpasnjëshme të shekullit tonë, që arrijnë apogjeun e tyre në kryegritjen e përgjithshme shqiptare të vitit 1912.
----------------------------
1 S. Brestovci, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në vitet '60—'70 të shek. XIX në dokumentet arkivale serbe. në rev. „Gjurmime albanologjike". nr. 3, Prishtinë 1973, f. 37.
2 Lidhja shgiptare e Prizrenit në dokumentet osmane, përgatitur nga K. P r i f t i, Tiranë 1978, dokumenti 98.
3 Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1878—1912), përgatitur nga c- P o 11 o dhe S. P u 1 a h a, Tiranë 1978, f. 43.
4 Lidhja Shqiptare e Prizrentt,... dokumenti 110 f. 191.
5 Po aty.
6 Po aty, dokumenti 113.
7 Po aty, dokumenti 109.
8 Akte të Rilindjes..., dokumenti 19, f. 43.
9 Akte të Rilindjes..., dok. 19, f. 46.
10 S h. R r a h i m i, Vila.ieti i Kosovës, Prishtinë, f. 59—60.
11 Shih S. Rizaj, O migraciomm kretanjima na Balkanu (1877— 1879), Sarajevo 1978.
12 Haus-Hof-und Staatsarchiv Wien_ Politisches Archiv (më tut'je do të citohet HHStA, PA). Telegrami i baronit Herbert Nr. 4298 dt. Beo-grad 19 prill 1879 dërguar kontit Andrashi.
13 HHStA, PA. Raporti i baronit, Herbert Nr. 107, Beograd, 1 qer-shor 1879 dërguar kontit An d r a s h i, Vjenë.
14 HHStA, PA. Letër e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ristid, dër-guar Ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Nr. 3030, Beograd 18/30 maj 1879.
15 HHStA, PA, Telegram i L i p i h u t dërguar baronit H a j m e r 1 e, ministër i jashtëm, Vjenë nr. 31 dt. Skodër 26 shkurt 1881.
16 HHStA, PA, shih raportet e përfaqësuesve diplomatikë austro-hnnga-rezë nga Shkodra, Prizreni, Shkupi, Selaniku të viteve 1880—1881.
17 Lidhja Shgiptare e Prizrenit... dok. 113, fq. 200.
18 Po aty, dok. 60 fq. 101.
19 Po aty, dok. 62 fq. 102.
20 Po aty, dok. 67 fq. 108—109.
21 HHStA, PA, Raport i konsullit austro-hungarez në Selanik G r e n-vile dërguar ministrit të jashtëm baronit Hajmerle në Vjenë më 'O. 4. 1881.
22 Lidhja Shqiptare e Prizrenit... dok. 97 fq. 164.
23 Po aty, dok. 40 fq. 71.
24 Po aty, dok. 124, fq. 236.
25 Sh. Rrahimi, Vilaieti i Kosovës, Prishtinë fq. 73.

nga:
Bujar Hoxha
Copyright www.agimi.com